Profesor Branko Popa dhe memorja ndryshe

Profesor Branko Popa dhe memorja ndryshe

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Njërëzit u përshtaten vendeve. Vendet janë si njerëzit. Shtetet e mëdha janë të destinuara për vepra madhështore. Të vegjlit janë të dënuar të mbijetojnë. Ata pengohen të rriten dhe popujt e tyre të hidhëruar ikin në Migrimin e Madh të Globalizimit. Prej disa vitesh mbaj me vete një kujtim.

Unë eci mbi shpinën e nxehtë dhe dielli përshkon lëkurën time të butë me një mizori lajkatare, me këmbëngulje drejt e në heshtjen e shpirtit tim të trazuar. Në gurin ku po pushoj nga udha e gjatë, disa vendas, më tregojnë për atë fshat tashmë të shkretuar. Njerëzit e lanë atë dhe u zhvendosën përtej, dhe fëmijët e tyre shkuan shumë larg. Mbetën vetëm shtëpitë. Të qëruara dhe të panevojshme, si grupe të shkreta pas spektaklit të gjatë të jetës përpara duartrokitjeve kockore të vdekjes.

Përballë meje, e kërrusur nga rrënjët e viteve, si një kërpudhë peme e copëtuar, del një plakë. Ajo rrëshqet përgjatë tokës poroze të etur dhe në mënyrë të padukshme më afrohet. Asnjë hap. Pa zhurmë. Një lëvizje e vazhdueshme në rënie, e qëllimshme dhe e padukshme në rrugën drejt udhës së lagur, të cilën ata që shkuan në majë harrojnë ta kuptojnë.

- Mirëdita - i them unë.

- Zoti të bekoftë!

- Ku po shkoni në këtë vapë?

- Në fshatin...

- Nuk ka njeri atje. Pse luftoni në vapë për të mos shkuar askund?

- Se më vjen keq për gurin. Kush do ta mëshirojë atë kur njerëzit të ikin?

Kujtesa kryqëzohet. Unë kisha vite që nuk kisha shkuar në atë fshat. Tashmë ndërsa qëndroj në mes të rrugës, kujtoj ish shokun tim të atij fshati, Cvetanin. Dhe më duket se memorja më ka ngrirë në ato vite. Ndaj tashmë kam ngecur, që atëherë nuk mund të kthehem prej andej. Më duket sikur po rritem në një nga damarët e tharë të Shqipërisë, si një puls i bllokuar, i mbërthyer në një trishtim heshtjeprurës.

Kjo histori nuk mund të përfundojë sepse nuk mund të vazhdojë. Është gjithashtu e pamundur të fillohet përsëri sepse njerëzit janë zhdukur?! Mbetet vetëm guri, i vajtuar nga një plakë që ka shkuar në përjetësi. Të gjithë jemi diku tjetër. Trupi dhe shpirti. Ata braktisën fshatrat e tyre të shkreta. Njeriu mbeti i djeshmi… I regjistruar. Rrugët dhe udhët mbetën të djeshmet… Të numëruara. Identiteti është trazuar… Me pasaportë. Lëvizjet kanë bërë punën e tyre… Dhe lëvizjet janë si të ekstraduar nga bota komode e shpirtrave të tyre. Ne jemi të mbijetuarit pa gurë. Të ngulitur virtualisht në të ardhmen e paqartë të fëmijëve tanë, të cilëve nuk guxojmë t'u themi para vetes nga frika se do të kërkojnë të kthehen në hiç. Koha është mëdyshje… Koha boshe. Qetësohet me një kfshatë bukë dhe trupi, ka mbetur në kohërat e tjera, i ngopur me harresë.

Nga kjo harresë shkul mendimet që më pushtojnë. Dhe aty ndjej madhështinë e një fshati të nderuar. Është fshati Vërnicë. Vërnica e quajtur nga disa si një pjesë e Trebishtit. Dhe e dini pse? Nga ai fshat i bukur, i mençur, i mbushur me njerëz të shkëlqyer, gati 30-35% e kuadrove të Trebishtit ishin vërnicas. Dhe ata e ndanin bukën, kafshatën pa asnjë dallim. Dhe respekti ishte dyfish. Kështu me të gjithë. por në kohë të ndryshme kam takuar një njeri të lartë, fisnik, dashamirës, të respektuar e të respektueshëm, sikurse është dhe mbetet Profesori i nderuar Branko Popa. Unë kur kam qenë mësues fshati e di se sa është e vështirë të bësh rrugë në dimër e në verë në mes të borës e shiut, mes gjarpërrinjve dhe egërsirave dhe të shkosh në orar në mësim. Këtë e bënte gjithnjë Profesori Branko Popa, ky Njeri me vyrtye, me të cilin pas shumë vitesh shtrëngova duart në Tiranë, në një promovim të një libri timin, ku ai më kishte respektuar.

I thjeshtë, fjalëpak, i veshur në mënyrë të përsosur, me një fytyrë nepukiste të gdhendur, mysafiri im i promovimit të librit studimor për Butkën,  kalon dhe me shijen dhe estetikën tejet njerëzore të një zotërie me sjellje të guximshme, dhe një interes të trashëguar për respektin takon dhe babanë tim të ndjerë. E kështu me këtë dyfishova respektin.

Dhe ndërsa jam në gurin e lartë ndanë udhës, shikoj një godinë të ndërtuar nga duart e një trebishtasi, aty rikthehem tek këta njerëz të mrekullueshëm, tek Profesori Branko Popa, me të cilin në prani të një kolegu tjetër, Dobe Ninës, kisha shtrënguar duart pas shumë vitesh në Tiranë.

- Pse po e bën këtë? - E pyes gruan e moshuar - Nuk je i kënaqur me vitet e tëra të jetës që ke punuar? A ua lë këtë brezave?

- Ata nuk më kuptojnë - përgjigjet ajo - por në shtëpi ka diçka në gurin e maleve që më rezonon në gjuhën time...

Një pluhur i lehtë afrohet pranë rrugës për në fshatin Vërnicë. Në fund, një dhëmbë shkëmbi i çarë si buzëqeshja e gjarprit, i etur për të shqyer diellin nëse ai bie në grykën e tij të mykur në perëndimin e gabuar të diellit të rikujton kohët kur ky fshat buqëqeshte dhe mbante mirësi jete. Thuhet se ata që dëshpëroheshin nga ekzistenca duhej të përkuleshin mbi fate dhe të bërtisnin se donin të zgjidheshin për një fat tjetër. Më mirë. Më elegant. Magjia ndihmoi. Nëse jo për ta, atëherë sigurisht për fëmijët e tyre. Vërnica më pas gati u harrua… Ata që u zgjodhën e harruan. E harruan…

Dhe fëmijët e vendasve po ndjenin braktisjen, se fëmijët të zgjedhurve nuk hezitojnë. Ata nuk vuajnë. Ata nuk kanë kujtime dhe nuk kanë të kaluar. E tashmja është elementi i tyre. Bota ka rënë atje dhe ua imponon rregullat e saj të gjithë atyre që duan dhe nuk duan t'i ndjekin.Nuk ka vende, rrugë dhe besime. Nuk ka asnjë gur në të cilin të bërtasin traditën e bukur me zemrat e tyre.

Por diku në një cep të zemrës sime është armata e nderuar e kuadrove dhe intelektualëve si, Branko Popa, Dobe Nina, Ilo Marku, Angjelina Drushku, Andrea Drushku, Bllazhe Drushku, Cfetan Marku, Spiro Marku, me të cilin punova në Ostren të Madh e mjaft të tjerë e të tjerë të respektuar pa kufi. Besoni për një perlë, që mban brenda kujtimet e njerëzve të shkëlqyer, Vërnicën e kujtimeve të bukura. Besoni në njerëz dhe intelektualë të nderuar si Profesor Branko Popa, modelin e Njeriu dhe Respektit, njeriun me shokë model…

    1160
    3