PRANDAJ TË PREK, MOS MBETESH IMAZH

Thani Naqo

Mos u trishto;

s' jam i vetmi burrë,

humbas e tretem edhe unë mes vargjesh.

Poetët janë stuhi e bujë,

dashuri e ujvarë pragjesh.

Mos u trishto;

më gjen në çdo stinë,

përzjej barin me vesë e yllëzime.

Fshehurazi teje thurr ndonjë trill,

poetët dashurojnë edhe me trillime...

Mos u trishto;

në ik larg teje,

s’jam i vetmi që jap fjalën e kthimit.

Kur shkrepëtin hyj mes dy reve,

jam gjethe që s'kalbem sado i gjatë dimri.

Mos u trishto;

ka rrugë prej ajri,

rrugë prej uji, me akull e borë.

Por unë, (s’kam frikë!), i grah e një kali,

mjafton të mbrrij edhe natën vonë.

Mos u trishto;

udhëve që kam grahur,

dashurinë s'ma ftohu erë e acar.

Më shumë, se cilëndo, ty të kam dashur,

prandaj të prek, mos mbetesh imazh.

2012

#thani #naqo

    210
    0