Poezia një laborator i vërtetë i gjuhës

Updated: Dec 7, 2020

Fatmir Terziu

Në familjen time, natyrisht ka fusha të ndryshme ku mund të diskutojmë. Në hapësirën jashtë “normave” të përditësisë, bisedat shkojnë tek njohuritë tona, profesionet, lidhjet dhe këndet ku mendimi shkon më tej. I mbetem Gjuhës, letërsisë, ndërsa ime shoqe e tjerr kohën mes matematikës, duke shkuar tej e tej në problema që ndoshta do të duhej kohë e gjatë për ti dhënë në përgjigjen e duhur. Me mua, teksti e sidomos poezia natyrisht shkon më tej se qetësia, dhe kështu kjo kohë “përhumbje” është në fakt një shkundje që prodhon, … prodhon gjuhë. Pra, është një laborator-kohë dhe një kohë-laborator i vërtetë i gjuhës. Në të është e ndjeshmja, e prekshmja… pra vetë prekja, matematika dhe po aq dhe muzika.

Ndaj, me përjashtim të prekjes, matematikës dhe ndoshta muzikës, e cila është vërtet matematikë e praktikuar nga artistët, mënyra e vetme për të thyer heshtjen dhe po aq dhe për të komunikuar gjithçka është përmes fjalëve. Jetët tona individuale dobësohen dhe pasurohen nga gjuha që përdorim, fjalët që shkëmbejmë me të tjerët. Dhe natyrisht, Poezia është vendi ku ndodhin mundësitë. Është mënyra se si njerëzit provojnë se çfarë mund të bëjë gjuha, jo vetëm deri në pikën e thyerjes, por edhe më gjerë. Unë e kam mësuar atë mësim aq mirë saqë mund të shoh dhe nuhas mashtrimin, manipulimin dhe nganjëherë thjesht mendimin që karakterizon kaq shumë ndarje në internet. Poezia më ka mësuar se si të nuhas një „mi“ dhe po aq një „miush“, kur fjala që vihet para meje është ‘miu’.

Për mua, poezia ka rëndësi më të madhe, sepse kur e lexojmë kuptojmë se për çfarë është e aftë gjuha. Dhe anasjelltas: kur nuk lexojmë poezi, ne humbasim një ndjenjë të fuqisë së fjalëve. Kjo është arsyeja pse forca e Poezisë, merr si pikënisje të vërtetën e trishtuar se ka miliona të rritur të përkryer të arsimuar, profesionistë, madje edhe blerës librash, për të cilët poezia mbetet pothuajse anatemë. Ata janë metrofobë të vërtetë dhe, sepse janë, ata nuk do ta dinë se është poezia nga e cila kanë frikë, jo alibitë e tjera, qofshin dhe ato me Covid... Kam takuar shumë në karrierën time si autor dhe edukator, të cilët, mbi një pije pas pune në lokalin e zhurmshëm, mund të bisedojnë me besim për filmin, politikën, madje edhe trillimin, por faqet e tyre zbehen në referimin më të vogël të një poeti ose poezie…, oe në jo pak raste mbesin vetëm tek ato poezitë e diktuara e të sforcuara „përmendësh“ në kohë e pakohë shkollore. Disi, arsimimi i tyre ka dështuar plotësisht për të çuar në shtëpi të vërtetën për poezinë: se është i vetmi laborator i vërtetë i gjuhës, vendi ku fjalët mund të ndryshojnë jetën.

    9815
    2