Shqipërime...

MIHAI EMINESKU
 
(1850-1889)

Glosë (Glossă)

Koha shkon, por edhe vjen,
 
Gjithçka rri e re, e vjetër;
 
Ç’është mirë a keq, e gjen,
 
Vraje mendjen veç, patjetër;
 
Mos ki shpresë e mos u ndruaj,
 
Ç’është valë, do shkojë si valë;
 
Në çdo ngasje, si i huaj,
 
Rri i ftohtë dhe pafjalë.

Gjëra plot para na dalin,
 
E në vesh na vijnë të tjera,
 
Por vëmendjen dot s’e ndalin,
 
S’kemi nge, ndaj i merr era.
 
Pangurrim qëndro mënjanë,
 
Tek vetveten e rigjen,
 
Kur me zhurma anembanë
 
Koha shkon, por edhe vjen.

As akrepi i saj nuk pjerret -
 
Kjo peshore e mendimit -
 
Drejt momentit që ze bjerret -
 
Fli e maskës së galdimit,
 
Që nga vdekja e saj merr lindje
 
Edhe zgjat një çast, jo tjetër,
 
Për atë që e njeh me bindje
 
Gjithçka rri e re, e vjetër.

Spektator si në teatër
 
Në kët’ botë përherë ji:
 
Luan njëri dhe për katër
 
Çirrja maskën gjithsesi;
 
Dhe në nxjerrtë lot fytyre
 
Rri në qoshe, veten ndjen,
 
Të kuptosh nga arti i tyre
 
Ç’është mirë a keq, e gjen.

Çka do vijë e çfarë ka shkuar
 
Janë dy pamje, veç një fletë,
 
Fillin ka për ta shikuar
 
Bash në fund kush nxë në jetë;
 
Gjithë ç’qenë e do të vinë
 
I shikojm’ me sytë e vjetër
 
Që t’u njohësh kotësinë
 
Vraje mendjen veç, patjetër.

Mbetkan pó të njëjtat mjete
 
Që trysnojnë çdo gjallesë
 
Kanë rrjedhur mijra vjete,
 
Bota njeh gaz e dënesë;
 
Tjetër maskë, e njëjta pjesë,
 
Tjetër gojë, të njëjtët truaj,
 
I zhgënjyer, prerë në besë
 
Mos shpreso e mos u druaj.

Mos shpreso kur ligësitë
 
Për ngadhnjim lidhen jo rrallë
 
Ta kalojnë ndyrësitë
 
Dhe në qofsh me yll në ballë;
 
Mos u tremb kur përsëri
 
Ndërlëvdohen me aq fjalë
 
Me ta kurrë shok mos ji
 
Ç’është valë, do shkojë si valë.

Me një këngë prej sirene
 
Bash kjo botë i ngre kurth dritës
 
Që të ndrrojë aktorët skene
 
Me karrem të josh drejt pritës;
 
Atypari qëndro strukur
 
Veshin fare mos e luaj
 
Që nga shtegu ku je futur
 
Në çdo ngasje, si i huaj.

Në qëllofshin, bëj mënjanë,
 
Në të nëmshin, mos bëj zë;
 
Se dhe fjalët vlerë s’kanë
 
U di kutin, çfar’ pret më?
 
Le të thotë gjithkush ç’të dojë,
 
Kush të mundë, le të dalë
 
Që mos lidhesh as me gojë
 
Rri i ftohtë dhe pafjalë.

Rri i ftohtë dhe pafjalë
 
Në çdo ngasje, si i huaj,
 
Ç’është valë, kalon si valë,
 
Mos shpreso dhe mos u druaj,
 
Vraje mendjen veç, patjetër,
 
Ç’është mirë a keq, e gjen;
 
Gjithçka rri e re, e vjetër;
 
Koha shkon, por edhe vjen.

TUDOR ARGEZI
 
(1880-1967)

Asnjëherë vjeshta...

Asnjëherë vjeshta më e bukur s'ka qënë,
 
Si për shpirtin tonë, që vdekjen s'e njeh,
 
Shtrojë faqezbehtë - dheu mëndafsh-hënë,
 
Drurët sikur grinden me të hirtat re.

Grumbull rrinë shtëpitë, njëlloj si bucela,
 
Vera është trashur në fundin thjesht baltë,
 
Jam në breg të kaltër të lumit me vela,
 
Nga ku kemi pirë arin porsi mjaltë.

Zogjtë e zinj po ngjiten tej në perëndim,
 
Si një gjethe e ligur e të shenjtit bli,
 
Shkoqin, tek përshkundin lart, në fluturim,
 
Krahët frymëmarrës në aq kaltërsi.

Cili do të qahet, cili do të qajë,
 
Vjen për t'i vënë veshin ngasjes gjë a gjëzë,
 
Plepat - sy drejt qiellit, ndezin një flaknajë,
 
Hija e tyre hijen e gropos në rrëzë.

Mes dy netësh

Në dhomë e ngula vrrullshëm lopatën e mprehtë,
 
Përjashta frynte era dhe shiu ish i shpejtë.

Gërmova në krejt dhomën, jo pak, në thellësi.
 
Përjashta frynte erë. Përjashta binte shi.

E hodha nga dritarja, nga gropa dhenë e zi.
 
I zi ishte vërtet, e kaltër perdja e tij.

U ngrit deng gjer në xham, u ngrit dheu lirisht.
 
Sa bota ngjiti majën, në majë qante një Krisht.

Gërmo, gërmo, u thye sakaq lopata e shkretë,
 
Në kockat si prej guri të Tij, të Atit vetë.

U ktheva nëpër kohra, u ktheva në pikënisje,
 
Në dhomën krejt të zbrazët, mërzitse, në vithisje.

Dhe desha atëçast të ngjitem gjer në majë,
 
Një yll në qiej endej. Ish vonë në qiellin pllajë.

Sapo kishe ikur

Sapo kishe ikur. Të shkoje të luta.
 
Me sy po të ndiqja, ndaj shtigjesh u futa,
 
Gjer humbe larg, tutje, tërfilit me erë,
 
S'i ktheve më sytë nga pas asnjëherë!

Një shenjë do jepja kur tej ikje ti,
 
Po ç'është shenja-hije në aq largësi?

Ah, desha të ikje, por edhe të rrije.
 
Mendimin e dytë, me ç'duket, s'ma dije.
 
S'të ndali për fat, jo, mendimi pa zë.
 
Përse ike, vallë? Po pse të rrish më?

Përse të jem i trishtuar?

Përse të jem i trishtuar, kur vjeshta vjen me pekule?
 
Për nuse, oborret janë kthyer në shporta me lule.
 
Dritaren e kam plot,
 
Mbi jargavanë e karafilë ndjehem zot.
 
Fillin e arit vjeshta ma ka lënë me bujari,
 
Dhe dielli po më lutet ta pres mik në shtëpi.
 
Një freski e re buzëqesh dhe përtërin plot hije,
 
Si pagëzim, a dasmë, a shenjë vashërie.

Përse të jem i trishtë? Kur paqja e ëmbël prore
 
Më mbart porsi një lundër në qetësi dritore?
 
Eshtë një buzëqeshje që majë librash më zbut.
 
Jetë të reja shpërthejnë hareshëm nga eshtrat me ngut.
 
Shoh gjethet si zbresin nga degët pa ndaluar.
 
I pat ndryshkur bryma, hëna i pat argjenduar.
 
Dëgjoj dhe gugitjen dënesore të dashurisë,
 
Që më ndalet me pëllumbat në strehën e shtëpisë.

Yjet e natës, shkëlqimtarë, i mbledhin të kapur
 
Nga qielli si një bisht palloi hapur.
 
Vetmia pranë meje fle,
 
Shtrirë mes batanijesh, me nge.
 
Më pyet nganjëherë, si prej ëndrre ngritur:
 
- A je ende këtu me mua dhe brenda meje, ngjitur? -
 
Nuk i ndruhem, as ajo s'ka turp nga kjo punë:
 
A s'po vrapon të fshihet bote tek unë?
 
Përse të ndjehem i trishtë? Që nuk di ta fërgëlloj më mirë
 
Me tingull violine zemrën e dheut të dlirë?

A nuk e kam ndërtuar shtëpinë prej tufi mbi Trotush,
 
Mbi lëndinën me degëza? Mos ndjehem i trishtë? Kush tha, kush?

LUÇIAN BLAGA
 
(1895-1961)

Unë nuk e prish buqetën e mrekullive të botës

Unë nuk e prish buqetën e mrekullive të botës
 
dhe nuk vras
 
me mendje të fshehtat që has
 
në udhën time
 
në lule, në sy, në buzë a varre.
 
Drita e të tjerëve
 
mbyt magjinë e së fshehtës së papërçueshme
 
në thellësi prej terri,
 
por unë,
 
unë me dritën time e rrit të fshehtën e botës -
 
dhe ashtu si hëna me rrezet e saj të bardha
 
nuk e zvogëlon, por me dridhje
 
e zmadhon edhe më të fshehtën e natës,
 
ashtu edhe unë e pasuroj agimin e errësuar
 
me drithma të gjera prej misteri të shenjtë,
 
dhe gjithçka e pakuptueshme
 
shndrrohet në moskuptime edhe më të mëdha
 
nën sytë e mi -
 
sepse unë dashuroj
 
dhe lule dhe sy dhe buzë dhe varre.

Rrapi

Në largësi të kthjellta dëgjoj nga gjoksi i një kulle
 
tek rreh si zemër një këmbanë
 
e në tinguj të ëmbël
 
më duket
 
se pikla qetësie, jo gjaku, më rrjedhin në damarë.

O rrap buzëpylli,
 
përse më mposht,
 
me flatra të buta kaq paqe,
 
kur dergjem nën hijen tënde
 
e më zbut me gjethen lozonjare.

Oh, kush e di? - Ndofta
 
nga trungu yt do të ma gdhendin
 
pas dokohe qivurin,
 
dhe qetësinë
 
që do shijoj midis dhogave të tij,
 
sikur e ndjej që tani:
 
e ndjej si gjethja jote ma derdh në shpirt -
 
dhe memec
 
dëgjoj si rritet në trupin tënd arkivoli,
 
arkivoli im,
 
në çdo çast që kalon,
 
o rrap buzëpylli.

Djepi

Isha aq i lodhur
 
dhe vuaja.
 
Besoj se vuaja nga tepri shpirti.

Në shpate agimet hapnin qepallat
 
dhe sytë e skuqur nga mosçlodhja.

I përhumbur u vetëpyeta:
 
Diell,
 
si e ndjen ende gëzimin e çmendur
 
të lindjes?

Dhe atë mëngjes të pagjumë
 
tek po ecja me hapa të plumbtë
 
në një cep të strukur më zunë sytë një djep.
 
Merimangat endnin në të botët e tyre të imta,
 
dhe zgavrat ia hanin qetësinë.

E këqyra me mendimin e tejhapur.
 
Ishte djepi,
 
në të cilin një dorë e plakur sot nga fati im
 
më përkundi
 
gjumin e parë dhe mbase të parën ëndërr.
 
Me gishtat e kujtimit
 
e preka
 
ngadalë,
 
ngadalë,
 
të shkuarën si një i verbër
 
dhe pa e kuptuar përse,
 
u gremisa
 
e me dënesë
 
zura të qaj mbi djepin tim.

Isha aq i drobitur
 
nga pranverat,
 
nga trëndafilët,
 
nga rinia
 
e nga qeshja.
 
Me hamendje po kërkoja në djepin plak
 
me duar vetveten
 
si fëmijë.

Shpirti i fshatit

Vogëlushe, veri duart mbi gjunjët e mi.
 
Unë besoj se përjetësia është lindur në fshat.
 
Këtu çdo mendim është më i ngadaltë,
 
dhe zemra të gufmon më rrallë,
 
sikur të mos rrihkej në kraharor,
 
por diku thellë nën dhe.
 
Këtu shërohet etja e shpëtimit të shpirtit,
 
e në se të janë përgjakur këmbët
 
ulu mbi një tog balte.
 
Pa shih, është mbrëmje.
 
Shpirti i katundit na fëshfërit pranë,
 
si një erë e ndrojtur bari të kositur,
 
si një rënie tymi nga strehë prej kashte,
 
si një lojë kecash mbi varre shtatlartë.

Pejsazh transhendent

Gjela apokaliptikë klithin e klithin,
 
klithin nga fshatra rumune.
 
Krojet e natës
 
hapin sytë e mbajnë vesh
 
lajmet e errët.
 
Zogj si ndoca ëngjëj prej uji
 
deti i sjell në brigje.
 
Në breg-me temjan në flokë
 
Jezusi përgjaket përbrenda
 
nga të shtatë fjalët
 
mbi kryq.
 
Nga pyje prej gjumi
 
e vise të tjera të zeza
 
kafshë të rritura në stuhi
 
dalin vjedhtas të pijnë
 
ujë të vdekur hendeqesh.
 
Digjet me mendime valësh
 
dheu i veshur me grurë.
 
Flatra me tingull legjende
 
përplasen të lemeritura në lumë.

Era fshikulloi pyllin
 
të thyejë degë e brirë drerësh.
 
Këmbana apo ndofta qivurë
 
këndojnë nën bar me mijra.

Kënga e kallzave

Nga malli e vdekja kallzat drithrohen tej në fushë,
 
kur drapri i hënës shfaqet në kupën qiellore.
 
Si vashat po kërkojnë, me ar në flokë e gushë,
 
hyjniun e agimit me afsh të zjarrtë prore.

Një fjalë nxjerrin kallzat, si vasha në zjarrmi:
 
i hënës drapër qënkej veç dritë, një dritë e beftë,
 
si mund, vallë, të na thikë, si mund ai, në gji,
 
në gjunjë, të na shtrijë përmbys, në erën e nxehtë?

Ky është trishtimi i madh i kallzave të pjekur,
 
se nuk janë të prera nga ti, e bukra hënë,
 
se vetëm nga i tokës hekur
 
t'u vijë fundi qënka thënë.

Qetësi

Kaq qetësi është përreth, sa më bëhet se dëgjoj
 
si përplasen mbi qelq rrezet e hënës.

Në gjoks
 
më është zgjuar një zë i huaj
 
dhe një këngë këndon tek unë një mall, që s'është i imi.

Thuhet se të moçmit që vdiqën para kohe,
 
me gjak të ri ende ndër deje
 
me dëshira të mëdha në gjak
 
me diell të gjallë në dëshirë
 
vijnë
 
vijnë të jetojnë më tej
 
tek ne
 
jetën e pajetuar.

Kaq qetësi është përreth, sa më bëhet se dëgjoj
 
si përplasen mbi qelq rrezet e hënës.

Oh, kush e di, - shpirt, - në ç'gjoks do ta këndosh
 
edhe ti njëherë pas shekujsh
 
mbi fijet e ëmbla të qetësisë,
 
mbi harpën prej terri - mallin e mbytur
 
dhe gëzimin e thyer të jetës? Kush e di? Kush e di?

VIKTOR EFTIMIU
 
(1899-1972)

Sa do të desha…

Të lë, sa do të desha, pas kujtimin
 
E plakut që pat qënë djalë puntor
 
Dhe kurrë me të mirë, pa le me zor,
 
S’kërkoi që t’i dhurojnë pavdekësimin.

Me djersë i njomi ditët e me mund,
 
I trishtëm, po gazmor ish nga natyra,
 
Përjetë të rrezatonte drita e ngjyra
 
Pat dashur, po çdo gjë paska një fund.

Mbi varr thjesht një mbishkrim, asgjë më tepër,
 
As ledha, as fragment nga ndonjë vepër,
 
Ka parë plot si ky kjo botë e vjetër.

Për foshnjat, për opingën u përpoq
 
Dhe vargun, nganjëherë keq nuk e poq,
 
I mbylli sytë kur s’bënte dot gjë tjetër.

Shqiponja

Në pellgun plot me ujra të pajetë,
 
Nën sytë e tu ca rosa shkunden, ngrohen,
 
Këlyshët veç vrapojnë ndërngacmohen,
 
Shkujdesur lehin fort, ndihen të qetë.

Veç ti, shqiponjë, ndodhesh në fole,
 
Rrethuar prej hijenash e çakallësh,
 
Në gjendje je, gjahtarët paq t’i tallësh,
 
Krenare, hijerëndë çan mbi re.

Të nginjur ke përherë trupin tënd,
 
Lavdinë asnjëherë s’e sjell ndërmënd,
 
Dhe qielli shpesh të ngjaka fort i ngushtë.

Lëvizjet tek i bën me ato flatra,
 
Pa zor i kap sakaq majat e kaltra,
 
E toka ty të duket sa një grusht.

Bukuroshja nga Epiri

Në shpirt dikush një këngë seç më mbolli,
 
Për vajzën e grabitur nga Janina,
 
Me kalë me patkonj si vetëtima,
 
Nga pasha turivrarë prej Anadolli.

Rrëmbimi u bë fap! sa hap-mbyll sytë,
 
E drejt mu në Stamboll bisha e çoi,
 
Xhami e shatërvane i tregoi,
 
Trallisje në qytetin pa të dytë.

Haremit epirotja si stoli,
 
I rrinte, po robina kish mërzi,
 
Me këngë urrejtjen fshihte shpesh hyjnesha.
 
Një ditë, kur rënduar ndjeu shtatin,
 
Prej frytit të flirtimit me xhelatin,
 
Në gjoks vetënguli thikën kauresha.

Pleqëria e luanit

Insektet e dyndën të famshmin luan,
 
Gëzofin e artë, tashmë të ronitur,
 
Mushkonjat e morrat, pickojnë të uritur,
 
Dhe çimkat shumohen sakaq tejendanë.

Dikur, kryelart, si çdokush që sundon,
 
Me bisht fshikullonte ngado, këdo paq,
 
Tani dhe maçoku hutaq, ngordhalaq,
 
Pështymën i hedh, e nxeh, e tërbon.

Po vdes mbreti i lodhur, qëndron i menduar,
 
Se kurrë në fiqir, për besë, s’i kish shkuar,
 
Ai, që ish fuqia, kish hirin dhe dritën,

Të shuhej ngadalë dhe vetë pleqëria
 
T’i ardhka nga shtimi, nga forca e lavdia
 
E kafshëve të vogla, që shpesh s’ngrysin ditën.

MAGDA ISANOS
 
(1916-1944)

Mëngjezi

Dua botën ta zbuloj, se asnjëherë
 
s'kam besuar që është e bukur (thotë poeti),
 
Porse sot, krehur me dritë shënd e verë,
 
në shtëpi mëngjezi hyri, (i vërteti).

Ende flija, kur dëgjova, pa kuptuar
 
disa hapa të dikujt pranë murit ngjitur -
 
Po vallzonte, tundte trupin e hepuar
 
nën vështrim të ca portretesh të habitur.

Këmbëzbathur po çapitej me tundimin,
 
në pasqyrë krejt kristali kish vibrime,
 
Ky mëngjez i paskej sjellë sot vallzimin
 
e gjith' vajzave të botës dhomës sime.

Duke këqyrur, po mendoja: qënka mirë
 
kur i ri je dhe përjashta ka diell-ar.
 
Ditë e bukur, sot një fjongo po të var
 
mu në gushë dhe me vete po të marr.

Fustani

Nga sënduku me erë molje dhe parfumi
 
nxori gjyshja një fustan nga të rinisë së parë.
 
Ish i hollë dhe i lehtë porsi tymi,
 
si të qënkej me mosgjë thurrur e larë.

Oh, sa trishtëm fëshfërika tash mëndafshi,
 
palët prishen me hepim si kurm i njomë,
 
lojë rrezesh, siluetat i ndjek afshi,
 
kohë të tjera hedhin valle nëpër dhomë.

Sheh sërish tangon e parë plaka, e gjora,
 
njeh sakaq edhe fustanin vashëror,
 
dhe i dridhet në atlas të ftohtë dora,
 
butësia e trondit, duron me zor.

E përkul ballin e rrudhur, bën mënjanë,
 
krrusur sheh me mall të ri shallin e vjetër...
 
Nga u zhduk vallzuesja e bukur, porsi zanë,
 
që lundronte në fustan si askush tjetër?

Po vocrraket e të lehtat ato këmbë,
 
po dhe sytë, dhe buzëqeshja dritëplotë,
 
mu në kurm të gjyshkës sime dy pëllëmbë
 
vallë, si vdiqën e të gjall' s'u bënë në botë?

Dhe m'u gjegjën vetë mëndafshet e qëmotit,
 
apo ndofta plaka, shalli i vjetëruar:
 
nuk kanë vdekur, po vallzojnë më tej prej lotit,
 
në fustane krejt të tjerë, tangon e shkuar.

Biri im, mos më kërko

O bir, mos më kërko. Fort mirë e di:
 
gjthçka do të të flasë me drejtësi.
 
kur unë të mos jem, përveç jehonë,
 
mos thuaj: "Për mamanë qënka vonë!"

Ta dish që nëpër lule do të qesh
 
o bir, do ta qarkoj shpesh e më shpesh
 
me re edhe me shi të pambaruar
 
oborrin ku pasditet kam kaluar.

Në dhimbje paç, më thirr çdo pasmesnate,
 
dhe vij në çast me gaz pranë zemrës sate,
 
paçka se mund t'u duhej krahve të mi
 
të çanin oqeanet në stuhi.

Dhe frikë të mos ndjesh në kam ndryshuar.
 
Mos thuaj: "Nëna s'ishte e shëmtuar!"
 
Se zërin do ma njohësh menjëherë,
 
nga prrallat që të thosha dimërverë.

Plot shenja do të thonë që unë jam,
 
kur pranë shtratit tënd mallin që kam
 
do shtroj dhe do të sjell ajër nga pyjet,
 
përdhé t'i zbres për ty hënën e yjet.

Nga heshtja do kuptosh që jam mamaja,
 
kur vij gjithçka tulatet (dhe hataja -
 
e dhimbja, e meraku për çdo gjë -)
 
nga era e ftoit, e bukës që s'ha më.

Në gjumë kur të shfaqem, do gëzosh,
 
dhe dielli kur të lindë kuqalosh,
 
nga frika se mos bëhem vesë e vdes,
 
lart ëngjëjt të më çojnë do t'i pres.

NIKITA STËNESKU
 
(1933-1983)

Për njerëzit

Shoh pas, mbi vitet ku kam shkuar,
 
mbi brezat e rreshtuar me kujdes,
 
ashtu, një përmbi një
 
si shtyllë që mban shtrënguar,
 
ashtu, një përmbi një,
 
të gjerin qiell, me diellin në mes.

Një trup fëmije mbart në krahë lehtë
 
një trup djaloshi, që hovshëm i vlon gjaku,
 
ky ngre një burrë, me ballin gjer në retë,
 
që mban thembrat me plasa të një plaku:
 
mustaqet dyllë, prej tymi të duhanit,
 
me gojë thith paprerë kaltërsi,
 
nga yjet dritëplotë të karvanit,
 
që zgjatet tejetej në gjithësi.

Ja, jetën time - shtyllë eshtërore,
 
në çast e fal, si s'ka gjë më të lehtë,
 
të mbajë në sup konstruktet njerëzore
 
në dasma e lindje - pjellë e gazit vetë.

I flas, e ftoj, e ftoj nga thellësitë
 
e zemrës sime thellë e fort përshkuar
 
prej një shigjete ar e zjarr e dritë,
 
çdo çift të rinjsh të dashuruar:
 
i gdhendni emrat ju me qetësi
 
në shtyllë të gjithë brezave të mi!

Të rinjtë
 
(Pamje nga Franca)

Puthen, ah, puthen, puthen
 
të rinjtë në rrugë, në pijetore, në parmakë,
 
puthen tërë kohën sikur ata vetë
 
nuk qënkshin veçse disa mbaresa
 
të puthjes.
 
Puthen, ah, puthen në makinat e harbuara,
 
në stacionet e metrosë, në kinema,
 
në autobuzë, puthen me dëshpërim,
 
me përdhunë, sikur
 
në fund të puthjes, në skaj të puthjes, pas puthjes
 
nuk do të pasonte veçse pleqëria e parathënë
 
dhe vdekja.
 
Puthen, ah, puthen, sikur të qënkshin
 
në errësirë, në errësirë më të sigurtë,
 
sikur nuk i shihte askush, sikur
 
dielli do të lindte
 
i ndritshëm
 
pasi gojët e coptuara nga puthja dhe të përgjakura
 
nuk do të ishin më në gjendje të puthen
 
veçse me dhëmbë.

Kali trojan

Unë vetë jam një kalë trojan.
 
Supi im ma pushton supin tim.
 
Syri im vetëplaçkitet.
 
Rrahjet e zemrës sime
 
nuk mund të dëgjohen
 
për shkak të rrahjeve të zemrës sime,
 
zëri im që thërret deri në qiell
 
i mbytur është
 
nga zëri im që thërret deri në qiell.
 
Jetën time nuk mund ta jetoj
 
për shkak të jetës sime.
 
Dashuria ime tërheq nga pas dashurinë time
 
me kalin e dashurisë sime
 
rretheqark kështjellës.
 
E fut presën e thikës sime në presën e thikës sime,
 
ndërkohë që sekonda që më tingëllon lindjen
 
shurdhohet për shkak të sekondës që më tingëllon lindjen.
 
Jam i zemëruar nga vetë zemërimi im,
 
jam i gëzuar nga vetë gëzimi im.
 
Shpresoj vetë shpresën time
 
dhe jam në kohën që jam
 
dhe nuk jam më kur nuk jam më.

Ky vend ëndrrash

Kur të jetë mbaruar asfalti i rrugës,
 
trupi im dhe kurmi yt do të bëhen asfalt
 
që të mos mbetet e paudhëtueshëm
 
ky vend ëndrrash.

Kur të kenë rënë gjethet e pemës,
 
kur të jetë tharë bari i fushës,
 
flokët e mi e flokët e tu
 
do të shtrihen mbi fusha
 
që të mos ndjejë të ftohtë
 
ky vend ëndrrash.

Kur të kenë shterur burimet
 
dhe shirat do të ngjiten lart,
 
unë e ti do të kapemi përdore
 
dhe do të qajmë, do të qajmë
 
që të mos mbetet vejushë e trishtimit
 
kjo trevë ëndrrash.

Kur të kenë ngordhur qentë,
 
kur të jenë zhdukur kuajt,
 
kur ljepujt do t'i hajë
 
goja e vdekjes,
 
kur korbat e zeza
 
dhe sgalemët e bardhë
 
do të përzjehen në gushën e ajrit,
 
unë e ti do të jemi
 
qen e kalë,
 
ljepur e sorrë,
 
por sidomos do të jemi
 
sgalemi i bardhë,
 
që të mos mbetet
 
pa diademën e mishit të gjallë
 
kjo trevë ëndrrash.

Poeti, si ushtari

Poeti, njëlloj si ushtari,
 
nuk ka jetë vetjake.
 
Jeta e tij vetjake është pluhur,
 
pluhur.

Ai ngre në darën e vorbullave të veta
 
ndjenjat e milingonës
 
dhe i afron, i afron pranë syve,
 
gjersa i bën njësh me sytë e tij.

Ai e ve veshin në barkun e qenit të uritur
 
dhe i merr erë me hundë turirit gjysmë të hapur,
 
derisa hunda etij dhe turiri i qenit
 
të bëhen njësh.

Në vapën frymëmbytëse
 
ai bën erë me krahët e zogjve,
 
të cilët, po ai, i tremb që t'i bëjë të fluturojnë.
 
Të mos i zini besë poetit kur qan.
 
Asnjëherë loti i tij nuk është i veti.
 
Ai ua ka nxjerrë sendeve lotët.
 
Ai qan me lotin e gjërave.

Poeti është si koha.


 
Më i shpejtë ose më i ngadaltë,
 
më rrenacak ose më i vërtetë.

Ruhuni se mos i thoni diçka poetit.
 
Ruhuni sidomos se mos i thoni ndonjë të vërtetë.
 
E, mbi të gjitha, ruhuni se mos i thoni diçka të ndjerë.

Menjëherë do të thotë se ai e ka thënë
 
dhe do ta shprehë në mënyrë të atillë
 
saqë dhe ju do të besoni se me të vërtetë
 
ai e paska thënë.

Por, veçanërisht ju lutem
 
të mos vini dorë mbi poetin!
 
Jo, mos vini kurrë dorë mbi poetin!
 
... Përveç në qoftë dora juaj
 
e hollë si rrezja.
 
Vetëm kështu dora juaj do të mundë
 
të kalojë nëpër të.

Ndryshe ajo nuk do të kalojë nëpër të
 
dhe gishtat tuaj do të mbeten mbi të
 
dhe ai do të mburret
 
se ka më shumë gishta se ju.
 
Dhe do të detyroheni të thoni"po",
 
se në të vërtetë ai ka më shumë gishta.

Por është më mirë, në më besofshi,
 
më mirë do të qe të mos vini
 
asnjëherë dorë mbi poetin.

... Dhe as që e meriton të vini dorë mbi të.
 
Poeti, ashtu si ushtari,
 
nuk ka jetë vetjake.

MARIN SORESKU
 
(1933-1996)

Shekspiri

Shekspiri e krijoi botën në shtatë ditë.
 
Ditën e parë bëri qiellin, malet dhe humnerat shpirtërore.
 
Ditën e dytë bëri lumenjtë, detet, oqeanet
 
Dhe ndjenjat e tjera -
 
E ia dha Hamletit, Julius Qezarit, Antonit, Kleopatrës dhe Ofelisë,
 
Otellos dhe të tjerëve
 
T'i zotërojnë, ata dhe pasardhësit e tyre,
 
Në jetë të jetëve.
 
Ditën e tretë i mblodhi të gjithë njerëzit
 
Dhe u mësoi shijet:
 
Shijen e lumturisë, të dashurisë, të dëshpërimit,
 
Shijen e xhelozisë, të lavdisë e kështu me radhë,
 
Gjersa u mbaruan të gjitha shijet.

Atëhere mbërritën ca njerëz që ishin vonuar.
 
Krijuesi u përkëdheli kokat me mëshirë,
 
Dhe u tha se nuk u mbetej veçse të bëheshin
 
Kritikë
 
Dhe t'ia hedhin veprën poshtë.
 
Ditën e katërt dhe të pestën ia la mënjanë së qeshurës.
 
Lëshoi klounët
 
Të bëjnë kollotumba,
 
Dhe i la mbretërit, perandorët
 
Dhe të palumtur të tjerë të zbaviten.
 
Ditën e gjashtë zgjidhi ca probleme administrative:
 
Vuri në vijë furtunën,
 
Dhe e mësoi mbretin Lir
 
Si duhet të mbajë një kurorë pendësh.
 
Patën mbetur ende ca copëra nga ngjizja e botës
 
Dhe krijoi Rikardin e III-të.
 
Ditën e shtatë pá nëse i pat ngelur ende ndonjë gjë për të bërë.
 
Drejtorët e teatrove patën mbushur tashmë tokën me afishe,
 
Dhe Shekspiri mendoi se pas aq mundimi
 
E kish bërë hak të shihte edhe ai një shfaqje.
 
Por, më parë, meqënëse ish tejmase i kapitur,
 
Shkoi të vdiste pak.

Shah

Unë lëviz një ditë të bardhë,
 
Ai lëviz një ditë të zezë.
 
Unë avancoj me një ëndërr,
 
Ai ma merr me luftë.
 
Ai më sulmon në mushkëritë,
 
Unë rri menduar një vit në spital,
 
Sajoj një kombinim të mrekullueshëm
 
Dhe i fitoj një ditë të zezë.
 
Ai lëviz një fatkeqësi
 
Dhe më kërcënon me kancerin
 
(I cili tashpërtash çapitet në trajtë kryqi).
 
Por unë i ve përpara një libër
 
Dhe e detyroj të tërhiqet.
 
I fitoj edhe ca gurë,
 
Por, shih, gjysma e jetës sime
 
Del buzë honit.
 
Do të të jap një shah që ta humbësh optimizmin,
 
Më thotë ai.
 
S'prish punë, bëj shaka unë,
 
Do të bëj rokadën e ndjenjave.
 
Prapa meje ime shoqe dhe fëmijët,
 
Dielli, hëna dhe miq të tjerë
 
Dridhen sa herë bëj ndonjë lëvizje.

Unë ndez një cigare
 
Dhe vazhdoj ndeshjen.

Sëmundja

Doktor, ndjej diçka vdekëse
 
Brenda qënies sime.
 
Më dhembin gjithë organet,
 
Ditën më dhemb dielli,
 
Ndërsa natën hëna dhe yjet.

Më ka dalë një xhungë në renë e qiellit
 
Që deri qëparë nuk e kisha vënë re
 
Dhe çdo mëngjes
 
Më duket se ka ardhur dimri.

Më kot u mbyta me ilaçe,
 
Kam urryer dhe kam dashuruar, kam mësuar të lexoj
 
Madje dhe kam lëçitur disa libra,
 
Kam folur me njerëzit dhe jam menduar,
 
Kam qënë i mirë dhe i bukur...

Të gjitha këto nuk kanë pasur asnjë efekt, doktor.
 
Dhe kam harxhuar një lumë me vite.
 
Besoj se jam sëmurur për vdekje
 
Atë ditë që u linda.

Ashkla

I
 
Njëri, Trika, po flinte.
 
Dhe i hyn një gjarpër në gojë.
 
Zgjohet me klithma:
 
- Obobo! Olele! Gjarpri! Gjarpri!
 
- Ku,mo?
 
- Më hyri në gojë.
 
- "I dukej bishti gjer qëparë", po thoshte edhe
 
Trina, që ia behu në çast.

E kapën dhe e vunë me këmbët përpjetë
 
E me kokën përposh,mbi një fti me qumësht
 
Të valuar. Që të shkonte avulli tek gjarpri.
 
Gjarpri njëherë për një herë nuk doli.
 
Se ishte qumësht pluhur
 
Dhe nga qumështi pluhur nuk duan t'ia dinë, e në vdeksh.
 
Njerëzit ikën.
 
Ai mbeti me gjarprin në bark
 
Rënkoi e qau: Obobo! Olele! deri sa e harroi.

Duhej të mbanin një emër

Eminesku as që ka ekzistuar ndonjëherë.
 
Ka ekzistuar vetëm një vend i bukur
 
Buzë detit
 
Ku valët sajojnë nyje bardhoshe
 
Si një mjekër e shpupurisur prej fodulli.
 
Dhe ca ujra si trungje që pikojnë
 
Ku hëna e ka pasur folenë rrotullame.

Dhe, sidomos, kanë qënë ca njerëz të thjeshtë
 
Që quheshin Mirçea Plaku, Stefani i Madh*,
 
Apo më shkoqur: barinj dhe bujq,
 
Të cilëve u pëlqente të recitonin
 
Mbrëmjeve rreth vatrës poezi...
 
"Shqerrkëzën" dhe "Yllin e mëngjesit" dhe "Letrën e Tretë"**.

Por meqë vazhdimisht dëgjonin
 
Si lehnin qentë në stanin e tyre,
 
Niseshin të luftonin me tartarët
 
Dhe me avarët dhe me hunët e gotët
 
Dhe me turqit.

Gjatë kohës që u mbetej e lirë
 
Midis dy rreziqeve,
 
Këta njerëz bënin nga fyejt e tyre


 
Enë


 
Për lotët e gurëve të mallëngjyer,
 
Aq sa rridhnin dojnat në luginë
 
Nga gjithë malet e Moldovës e të Muntenies
 
E të Trevës së Bërsës e të Vrançës***
 
E të visesve të tjera rumune.
 
Kanë qënë edhe ca pyje të dendur
 
Dhe një djalosh që kuvendonte me ta,
 
E i pyeste përse lëkunden edhe kur s'kish erë?

Ky djalosh me sy të mëdhenj,
 
Si historia jonë,
 
Kalonte i rrahur nga mendimet
 
Nga libri cirilik në librin e jetës,
 
Gjithë duke numuruar plepat e dritës, të drejtësisë, të dashurisë,
 
Që i dilnin vazhdimisht vetëm tek, kurrë çift.

Po kanë qënë edhe disa blire,
 
Dhe dy të dashuruar
 
Të cilët dinin ta shndrronin çdo lule
 
Në një puthje.

Dhe ca zogj si vetë retë
 
Që flatronin sipër tyre
 
Si pllaja të gjata e në lëvizje.

Dhe meqë të gjitha këto
 
Duhej të mbanin një emër,
 
Vetëm një emër,
 
I quajtën
 
Eminesku.
 
I shqipëroi nga rumanishtja: KOPI KYÇYKU

    200
    1