Mentor Serjani: Berberi që "kreh" poezinë

  Berberi që «krehë» poezinë

 Nga Mentor Serjani

«Detyra,puna,funksioni i poetit janë të nxjerrë në pah dhe në veprim fuqitë e tij të lëvizjes dhe ngazëllimit,nxitësit e tij të jetës afektive dhe ndjeshmëritë intelektuale ,që treten tek ligjërimi i përditshëm me shenjat dhe mjetet e komunikimit të jetës së përditshme dhe sipërfaqësore». Paul Valery

Në këtë shkrim do të parashtroj disa mendime mbresa dhe përshtypje për krijimtarinë e zotit Mustafa Haxhi. Çdo ditë që vjen dhe ikën lë gjurmët e veta në rutinën e kohës,por jo gjithçka mbetet në memorie,ka nga ata që përbëjnë përjashtim,veçantësi ,dhe detyrojnë si të thuash të hedhësh diçka në letër,ti zhvilloshë ato për ngarkesën emocionale që të shkaktojnë.Unë e njihja këtë njeri që merrej me bukurinë e jashtme, një artist që kuronte dhe grimonte me një kujdes të hollësishëm për ta bërë atë sa më shprehëse,por shumë vite më vonë zbulova tek ky njeri anën tjetër të medaljes që ka të bëjë përsëri me estetikën ,shkenca që studion të bukurën në art dhe në jetë dhe që janë mishëruar më së miri,më së larti tek Mustafa Haxhiu,pra në estetikën e brendshme të këtij njeriu në krijimtarinë letrare dhe artistike të tij.Pra në një ditë dhjetori të vitit që kaloi prag festash në Sarandë Mustafai më dhuroi një libër kushtuar mbesës së tij me titull «Zemra e zemrës je Iris»,një titull i thjeshtë por mjaft i gjetur që të jep qysh në fillim atë ngrohtësinë shpirtërore të fjalës,bukurinë e saj të rrallë që lidhet me zemrën ,gjeneratorin e jetës së njeriut.Si fillim unë do të ndalem pak më gjatë tek emri dhe poezia për Irisin.Iris ose Iris Illyricum është lulja që simbolizon perëndinë e ylberit,sipas mitologjisë greke,Po kjo një lajmëtare për Zeusin dhe Herën që hypën mbi ylber si një urë shumëngjyrëshe mbi tokë,ky emërtim u përdor më pas edhe edhe për pjesën e ngjyrosur të syrit ,beben  e tij.Veç këtij libri Muçua ka shkruar edhe një libër tjetër me poezi elegjiake për vëllanë e tij ,një me gjë e gjëza ,ka në proces një tjetër libër ku qëmton dhe mbledh fjalët e urta të zonës e më gjerë,si dhe shprehje të ndryshme frazeologjke,pra pasioni, vullneti,kembëngulja e tij janë për tu admiruar

Një punëtor i palodhur si në profesionin e berberit,ashtu edhe në atë të krijuesit,si një poet i vendlindjes që shkruan me dashuri siç shkruajtën dikur rilindasit,shkrimtar të tjerë më vonë apo si Agolli ynë i madh që shkroi poemën «Për babanë dhe për veten» edhe Muçua e fillon nga vetja nga vendlindja,njerzit e tij etj.Le të kthehemi te libri që më dha shtysën mua të shkruaj disa rreshta,një shkëndijë e fortë që do të bënte të mirrte flakë edhe pena ime.Libri ka rreth 29 vjersha ,është një libër jo shumë i madh për nga sasia,por për mua i kënaqshëm për nga cilësia.Gjithë poezia e tij përshkohet nga filli i artë i dashurisë i një përmase të jashtëzakonshme .Mustafai e çel librin me poezinë  «Në buzën tënde» ja strofa e parë :Në buzën tënde të ëmbël mjaltë/flinte gërma «gj» sa e vështirë!/Bashkë me të tjerat,u zgjuan një natë/Thanë fjalën gjysh ,mbeta si i ngrirë….Pra çdo gjë që është e para mbetet e tillë për gjithë jetën,i pari apo e para është një rast fatlum për këdo.Në krijimet e tij nuk hasim thjeshtë një vjershëtor popullor ,por nga krijimi në krijimin e radhës një krijues profesionist që me këmbëngulje dhe zell sjell gjithmonë e më shumë një poezi të kultivuar,Në poezitë e tij do të gjejmë mjaft figura letrare si metafora,krahasime,apostrofa,alegori etj, ja disa prej tyre :lulet e dajtit i ndezi,f.9,ti me punën je martuar f.12,pena mbi dashuri ngjyen f. 77,gardelina krahëshkruar f .22 ,pesë vjet me ty në ëndërr, gjithë jetën me ty në zëmër f. 21,çfarë morëm me vete aromë fëmije,puthje përqafime çaste lumturie etj etj.Dua të veçoj këtu një strofë ku Irisi i drejtohet me një pyetje retorike dhe e lë pa fjalë gjyshin,ajo në pak rreshta shpreh dashurinë dhe inteligjencën e saj që i tejkalon gjyshërit: «Të dua o mali me vesë/Po mua, sa më do ti?/Të dua sa universi…./Hë,kush është më i madh e di ?»f.60

Dhe këtu natyrshëm mendon se ajo Irisi që në lashtësi ishte simbol i fuqisë dhe madhështisë dhe tri petalet e saj simbole të besimit, zgjuarësisë dhe trimërisë,pra një rastësi,emri,poezia ,por edhe Muçua qe e ka dokumentuar,po rastësia shpreh një gjë të domosdoshme thuhet në filozofi.Mustafai shkruan me një varg të shkurtër por të ngjeshur plot elokuencë e ngazëllim të brendshëm me rima të alternuara e metrikë të sakt.Me një fuqi të lartë shprehëse,stil të veçantë , fjalë të bukur me brendi të fortë dhe emocin të fuqishëm

Po kështu në trajtimin e temës dhe shtjellimin e idesë në libër Mucua nuk lë pa përmendur në poezitë e tij edhe gjyshërit nga nëna të Irisit si të devotshëm e arsim dashës nga qyteti historik i Përmetit të cilët i kanë mësuar asaj himnin e flamurit :«edhe himnin e flamurit/ma mësoi që ta di/si shqiponjë që rri majë guri/do punojë për shqipëri.».Para se të shkruaj për  një poezi të tij për vendlindjen po bëjmë një retrospektivë për autorin që në profesion është berber,por kjo nuk e pengon atë të shkruaj si një shkrimtar i vertetë duke e kuruar dhe lëmuar poezinë deri në detaje .Muçua rrjedh nga një familje me tradita,babai i tij ishte një bejtexhi që mbante dasmat «në këmbë»me krijimet e tij të momentit,vjen nga nje familje fisnike dhe nga një fshat me tradita të shquara patriotike dhe arsimdashëse,nga Tatzati i Delvinës ,dhe siç shprehet populli dardha ndën dardhë bie dhe si i tillë nuk mund të mos ishte një patriot,një arsimdashës,një njeri me vlera dhe virtyte,një njeri i respektuar anë e mbanë zonës,rrethit e më gjerë ,për fjalën e urtë të qetë ,të ëmbël e mbi të githa të veshur me dashuri.Ja si shkruan ai për dheun e të parëve të tij : «Tatzat fshat i bukur,/si muze i gjallë në shekuj…»; «kam mësuar nga të parët /fshat i lashtë me histori» duke dialoguar me mbesën e cila kërkon të dijë : «Jam e vogël por kurioze/të di për rrënjët e mia/ku lindën ,ku gjumë fjetën/për ta ç’shkroi historia.».Bukur e ka përshkruar poeti i njohur sarandit Zaho Vasili: «Kur e njoha Mustafain,së pari më bëri përshtypje shpirti i tij prej artisti.Dhe nuk u gabova,,kur ai nisi të më tregonte çfarë fshihej brenda shpirtit të tij». Dhe vazhdon «Libri për mbesën e tij është një trëndafil i kuq mbi flokët e saj një gjerdan i bukur i varur në gushë,medaljon e rubin brenda zemrës së Irisit.».

Autori futet në botën e fëmijës,ne inteligjencën e kësaj bote fëminore,letërsia për fëmijë është e vështirë pikërisht sepse të kthen në botën e tyre,të mendosh si i vogël në një kohë që je në moshë madhore ,por ja që ka disa njerëz si Muçua që mund ta bejnë këtë.Vargjet e Muços janë të thjeshta dhe të ndjeshme me një tematik të larmishme, poezitë e tij ne këndvështrimin tim sjellin dashuri ,dhimbje,por edhe urrejtje per disfatat e zhgënjimet,per braktisjen e vendit,por edhe triumfin për lirinë ,shpresën ,të bukurën.

Mustafai në krijimtarinë e tij ka një stil unik të tij është mjaft imagjinativ dhe empatik me një frymë didaktike dhe morale duke dhënë kështu një kontribut të vyer në letërsinë bashkëkohore për fëmijë.

Dhashë disa impresione të miat lidhur me këtë libër,se për shumë autorë në zë shkruhet pambarimisht nga shoqata e lidhje shkrimtarësh private e publike,por për të thjeshtët nuk kujtohet askush,pavarësisht se në krijimet e tyre fshihen thesare,edhe pse mund të jenë te pakta ,por me vlera të mëdha ,ashtu si batutat e disa filmave ku edhe pse disa janë aktor të mëdhenj  në memorien kolektive mbeten disa thënie të aktorëve në role episodike që zorr se shuhen nga kujtesa e njeriut.Në këtë shkrim nuk mund të lë pa përmendur fjalët e shkrimtarit Aristotel Mëhilli i cili ka shkruar parathënien e këtij libri : «Të shkruash poezi në kohën kur të kanë emëruar Gjysh është diçka e rrallë.Kjo do të thotë se në shpirtin e këtij njeriu është strehuar gjithmonë mirësia njerëzore.».Ndersa në përmbyllje të parathënies thotë se: «Ai nuk është thjeshtë një berber por një njeri i estetikës që mbart mbi vete dashurinë dhe respektin e një qyteti të tërë si nga njerzit e thjeshtë ashtu edhe nga ata më të kulturuarit.Në personin e tij kanë vlerë të vërtetë fjalët «krëhëri dhe gërshëra e artë»dhe për më shumë, duart e tij të arta»Unë në përfundim të këtij artikulli dua ta falenderoj dhe ti uroj suksese në jetë ,profesion dhe krijimtari mikut tim Mustafa tashmë në pension.Përfundimisht tek ky njeri i thjeshtë që nuk kërkon të jetë i zëshëm e i bujshëm në atë që bën dhe krijon merr kuptim fjala e urtë arabe se: «Modestia ka më shumë bukuri se vetë bukuria».

    870
    0