MBI EROTIKËN POPULLORE SHQIPTARE

Sylë Osmanaj

STUDIM ME INTERES MBI EROTIKËN POPULLORE SHQIPTARE

Dr. Nuhi Vinca: “LIRIKA POPULLORE SHQIPTARE E DASHURISË”, botoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1989

Në rrafshin e studimeve popullore të lirikës popullore shqiptare deri më tashti janë shënuar rezultate të dukshme. Ndër kontributet më të reja që bëjnë t’i avancojnë këto studime është edhe studimi monografik “Lirika popullore shqiptare e dashurisë” i dr. Nuhi Vincës.

Është ky studim analitik i vetëm një zhanri të lirikës popullore, i cili shquhet me pasuri tematike, strukturore dhe artistike. Kjo ka bërë, prandaj, që autori, siç e thekson edhe vetë në hyrje të librit, të kridhet në thellësinë analitike të problemit.

Libri përbëhet prej katër tërësive tematike, të cilat krijojnë boshtin studimor: vendi i lirikës popullore shqiptare të dashurisë në botimet dhe në studimet e deritashme; aspektet motivore të lirikës popullore shqiptare të dashurisë, transponime artistike të lirikës popullore shqiptare të dashurisë dhe kontinuitete ndërballkanike dhe poeti në rolin e pedagogut.

Në pjesën e parë, bashkë me disa shpjegime e vërejtje me karakter teorik, bëhet një vështrim i këngës së dashurisë në botimet e deritashme, sidomos gjatë periudhës prej vitit 1912 e këtej.

Në fokus të këtij trajtimi merren në shqyrtim, ndër të tjera, edhe probleme që shfaqen në sferën e botimeve të hershme dhe të tashme. Tok me botimet e lirikës së dashurisë, autori merr në shqyrtim edhe disa çështje të studimit të këtij zhanri. Në këtë kontekst ai thekson se as te rilindësit, as në kohën tonë nuk kemi ndonjë studim sintetik të veçantë për erotikën popullore. Në mënyrë të veçantë flitet këtu edhe për klasifikimin e këngës lirike të dashurisë.

Vëmendje të dukshme autori këtu u kushton aspekteve motivore të lirikës popullore të dashurisë. Lidhur me këtë problem ai përqendrohet rreth ndriçimit të një vargu çështjesh që ndërlidhen me tipologjinë e këngës së dashurisë.

Ndër këto ai i veçon: si e këndon lindjen dhe kultivimin e dashurisë poeti popullor, si manifestohet në këngë iniciativa e vashës dhe e djalit, si këndohet e motivohet në këngët erotike rrëmbimi i vashës, si ndodh dhe si përjetohet dashuria e parë.

Autori Vinca s’e lë pa trajtuar edhe çështjen e lindjes dhe të zhvillimit të fuqisë artistike në këngët e dashurisë. Duke analizuar aspektin artistik të këtyre këngëve, autori konstaton se ky zhanër lirik ka këngë me fuqi të madhe artistike.

Në kuadër të trajtimit të problemit të vlerave artistike të lirikës popullore shqiptare të dashurisë studiuesi flet për personazhet e këngës erotike dhe për elemente të tjera që përbëjnë strukturën e këtyre vlerave.

Personazhet e këngëve të dashurisë, sikundër edhe të këngëve lirike në përgjithësi, autori i sheh si të patrajtuara sa duhet në studimet tona dhe jep disa fakte rreth një gjendjeje të tillë.

Janë edhe dy aspekte rreth këtij problemi mbi të cilat ai bën një vështrim më serioz të trajtimit: poetika e paradoksit në këngët e dashurisë dhe disa çështje të idealit estetik. Rreth aspektit të parë bëhen përpjekje të zbërthehet bota e enigmës dhe e figuracionit të këtyre këngëve në mënyrë që të kuptohet mesazhi i tyre, ndërsa rreth aspektit të dytë merren të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me idealin estetik të erotikës popullore.

Studimin e bën më të plotë pasqyrimi kritik i ndërthurjes tematike ndërballkanike kur studiuesi bën edhe një vështrim krahasimtar të lirikës erotike.

Pas vështrimit përfundimtar të autorit, ku ai jep disa përfundime sintetizuese, botimi përmbyllet me një rezyme të shkurtër në gjuhën frënge.

Botoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1989, fq. 456.

Sylë Osmanaj

630
0