LIND ME LULET NË ÇDO MAJ

LIND ME LULET NË ÇDO MAJ
 
-NAIM RASHËRI-

((Lindi 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit
 
dhe vdiq më 20 tetor 1900
 
në lagjen Erenqoj të Stambollit)

Naimin koha kërkoi,
 
I mungonte qysh prej lindjes;
 
Edhe zogjve u mungoi,
 
Ndaj vishet pylli me dhimbje.

Ndaj dhe manushaqj’e prillit,
 
Si pikë gjaku mbante vesën;
 
Murg u vesh zog’i bilbilit,
 
Pa këngë nuk e donte jetën.

Malet me kryet antenë
 
Iu këput gjuha me Zotin,
 
Kur shikonin mëmëdhenë
 
Si jetim në pikë lotit.

S’bënte koha pa Naimin,
 
Naimi kohën e mbolli;
 
Rrënjëthellë si rrënjë ulliri,
 
Që nga muzgu i Anadollit.

S’bën dot koha pa poetë,
 
Pa poet s’ka dashuri;
 
Bota, thoni, ç’mund të jetë,
 
Po nuk pati poezi?

Po nuk pati zjarre zemre,
 
(Magma e tokës ushqen llavë);
 
S’mund të ketë nota kënge,
 
As dhe lot për të qarë.

As dhe buzë për të puthur,
 
As dhe sy për të pirë;
 
As atë… mëkat të bukur
 
Që çmend gjithë njerëzinë.

S’do të ketë gjuhë, as komb,
 
S’do ketë Paqe, as Liri;
 
Globit s’do i thoshin Botë
 
Mos të kishte poezi.

Mos të kishte si Naimi
 
Vetëtima si një diell,
 
Pa zogj - varr bëhet pylli,
 
Këngë e korbit pikon helm.

Brezat ikin dhe do vijnë,
 
Dallg’e detit mbetet dallgë;
 
Naimi për Shqipërinë,
 
Lind me lulet në çdo maj.

    160
    1