LIBRI I VETËFLIJIMIT

Nga Prend BUZHALA:


 
LIBRI I VETËFLIJIMIT
 
(Studio lirike për librin), 6

Ky libër të shoqëron që nga zanafilla e botës
 
të gjendet pranë në çastet më të errëta,
 
në orën më të vështirë të dështimeve dhe lëkundjeve,
 
ashtu e zgjon brenda vetes një Hamlet të Kryqëzuar
 
diku në perëndim të diellit,
 
kur përfundojnë ëndrrat e kësaj bote.
 
E sheh atë që të tjerët nuk e shohin,
 
bie fjala, pikëllimin e pafund,
 
e përjeton atë që është gjithmonë në humbje,
 
bie fjala, plagën e prerë, dhe therjet e saj të mistershme,
 
bie fjala, mërzinë që nuk të ndahet,
 
e ndien dhimbjen që zgjat edhe përtej jetës,
 
bie fjala, kur mbi kurriz i bart gabimet e të tjerëve.
 
sidomos atë gabimin e shekujve të braktisjes së vetvetes,
 
dhe të ndodh, bie fjala: të jesh më i pafuqishmi në botë
 
dhe vetëm ti ta dëgjosh Zërin e Hyjit.
 
Vetëm ti i di çka janë ato shtigje të përdredhura në jetë
 
që të mbajnë të shtrënguar si një litar në fyt.
 
Është Libri më i rëndë:
 
si ta krijosh paqen në botën e grindjeve.
 
Në fund, e sheh si të pëshpërit një Dritë
 
që të fton në udhëtime
 
pasi t'i kesh parë anët më të errëta të vetvetes e të historisë.
 
Aty ku nuk ka një dalje, ti e gjen derën për të hyrë,
 
dhe aty ku nuk ka vendkalim,
 
ti e gjen shtegun për të kaluar në bregun Tjetër,
 
për të kaluar nëpër mundimet e shpërndërrimit të shpirtit.
 
E, në fund, ta ndjesh peshën e papërballueshme
 
të lirimit të shpirtit: fali, o Zot se nuk dinë çka bëjnë.
 
E mandej bëhesh Njeriu më i Lirë në botë:
 
është rruga që të çon në shtëpi
 
nëpërmes kryqëzimit të fatit tënd.

(Prend Ndue Buzhala 19 tetor 2019)

    100
    0