Ky është një libër që ngjall shpresë

Ky është një libër që ngjall shpresë

Fatmir Terziu

Halil Rama, „Mjeshtër i Madh“, akademik, autor i qindra e qindra shkrimeve gazetareske dhe publicistike, tashmë shkrimtar me 24 libra të botuar, vjen së fundmi me librin e tij më të fundit me një titull shumë domethënës „“Të fitosh titullin njeri“. Libri është botuar nga „Nacional“ e drejtuar nga gazetari, poeti, shkrimtari, publicisti, analisti, studiuesi dhe botuesi i mirënjohur, Mujo Buçpapaj, Doktor i Shkencave. Ndërsa ka bërë promovimin e tij të suksesshëm në sallën e mrekullueshme të Korpusit të Paqes në Tiranë me një prezencë intelektuale të ndjeshme, libri ka marë konsideratën e mjaft lexuesve dhe atyre që kanë folur në këtë promovim. Sidoqoftë ajo që mbetet për tu shtuar është jo thjesht tek sasia e librave të botuar të autorit, as tek ajo që përcillet, por tek një deklarim i poetit, shkrimtarit, analistit të kudondodhur Preç Zogaj gjatë këtij promovimi, ku thekson mes të tjerave se „Nëse do të përfytyronim një “Urdhër” për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës si pasuri e shoqërisë dhe njerëzimit, Halil Rama është aty, në shërbim të librit në gjuhën shqipe“. Dhe kjo është ajo që e dallon këtë krijues, por që e vendos dhe në këndin e duhur të kohës. Por le të ndalemi pak tek libri, i cili, thuajse tërësiht më parë u botua tek „Fjala e Lirë“ dhe „Albanian Post“ në Londër.

Ky është një libër që ngjall shpresë. Ndihmon për të kapur urtësinë e madhe të fshehur brenda lëvizjes njerëzore, frymëzimit poetik, transparencës angazhuese, talentit dhe vlerës së Njeriut në të gjithë pozicionin e tij human, aktiv dhe njerëzor. Që në titull „Të fitosh titullin njeri“ shfaq një lloj kulture të veçantë, kulturën e rritjes me respekt për jetën.

Dashuria e Halil Ramës për të konsideruarit e tij në këtë libër është e dukshme dhe ngjitëse. Ai shkruan me një gjuhë të thjeshtë, por tërheqëse dhe elegante, sinqerisht dhe realisht, me ngrohtësi dhe me ndjenjën e asaj që ka vërtetë rëndësi. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse mesazhet e tij në këtë libër prekin në një mënyrë jashtëzakonisht ndikuese dhe të paharrueshme.

Aty është në fakt, dhe jo vetëm si fakt, titulli Njeri, por vetë jeta e këtij Njeriu. Njeriu që nuk di të plaket, që nuk di të lodhet, njeriu që fiton më shumë se sa thotë shkenca. Shkenca moderne di shumë për jetëgjatësinë aktive dhe kronobiologjinë. Shkalla me të cilën ne plakemi janë të koduara në gjenet tona. Por gjenet nuk janë gjithçka. Ka diçka përtej udhëzimeve metodologjike dhe arritjeve shkencore. Kjo është shkëndija, që vjen nga libri i autorit në fjalë. Është vullneti i paepur për të na pasur, është etja që nuk mund ta marrim në formën e pilulave apo eliksirit magjik. Qëndrimi ynë ndaj jetës është i rëndësishëm! Për jetën tonë, dridhjet dhe delikatesat, mbesin si një flluskë në duart e një fëmije, kur ato lëvrohen në stilin ekapjes së rrethanave dhe momenteve nga syri dhe mendja e Halil Ramës. A mund ta mbajmë këtë flluskë përtej dhimbjeve, dekadave, zbaticave dhe rrjedhave? Përshkrimet, trajtesat, shkrimet dhe esetë në librin e Halil Ramës japin shpresë. Ata japin të vërtetën dhe besimin se është e mundur.

Jeta e njeriut është si një qiri që fryn era. Ajo është e brishtë, e ndjeshme. Si ta mbroni me dashuri, me buzëqeshje, me kujdes dhe përgjegjësi, që të mos shuhet para kohe? Lexoni këtë libër dhe gjeni vetë përgjigjen. Sepse në historinë personale dhe në filozofinë emocionale të secilit prej këtyre njerëzve të veçantë ka forcë dhe mençuri të pabesueshme. Në këtë libër është shtrydhur përvoja 45 vjeçare e autorit që cek dhe trajton figura të rëndësishme të ditës në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare. Ai zbërthen dhe shtjellon atë që mediat e lënë në hapësirën boshe, e depërton tërësinë e mendimit të trajtuar dhe e bën më të qëndrueshëm në aspektin publicistik. Kështu ai ndalet tek zv Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, një ushtarake model, por edhe një grua e nënë model, shkruan për Dr. Sali Kurtin, për Prof. dr. Ali Tonuzin, Dr. Fatos Hoxhën, mjekë të shquar dhe njerëz të mirë që rrezatojnë paqe e mirësi, shkruan edhe për 80 vjeçarin Muharrem Gjoka, Avni Ndreun, Gjeneral Rrahman Parllakun e mjaft të tjerë, për tu ndalur tek letërsia dhe librat e Shefki Karadakut, romanet “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit” të Ahmet Prençit, romanet e Zija Çelës, Besnik Mustafajt, Bashkim Hoxhës, Namik Dokles, Preç Zogajt etj.

Të gjithë që hyjnë e mbesin tek „Të fitosh titullin njeri“ janë njerëz simpatikë, të mençur. Disa mahniten me një mendje të pastër, memorie të pastër dhe elokuencë, të tjerët janë të heshtur dhe të zhytur në mendime. Disa janë të gëzuar, pavarësisht peshës së viteve, të tjerët janë të mbytur prej tyre. Disa janë me fytyrë të re, të tjerë me fytyra të rrudhura nga koha. Por të gjithë ata për të cilët do të lexoni janë të veçantë. Protagonistët e Halil Ramës janë njerëz të jashtëzakonshëm. Bashkëkohës të tjerë. Qëndrojnë krenarë në këtë tokë, si për ta bërë më të mirë, ndaj titulli i librit flet qartë dhe saktë për ta.

E gjithë mençuria është në to, e gjithë pesha e jetës. I gjithë trishtimi gjendet në sytë e tyre të venitur dhe gjithë dorëheqja është aty. E gjithë shpresa është që të rinjtë të vijnë t'i shohin, brezat ti ndjekin, shoqëria ti evidentojë, thjesht pasi Halil Rama ka bërë atë që duhet, detyrën e tij si shkrimtar. Dhe gjithë zhgënjimi mbetet tek disa emra, që edhe pse ata janë larguar, janë aty të gjallë, janë me çmimin Njeri përsëri, dhe protagonistë. Prej të cilëve thithim dritë, marrim nga mençuria e tyre, mësojmë të falim dhe e shikojmë jetën nga ana e saj modeste.

    511
    0