Kur festohet madhërishëm Pavarësia tek „Ardhmëria“

Updated: Nov 29, 2021

Kur festohet madhërishëm Pavarësia tek „Ardhmëria“

Është e vështirë të bësh një krahasim me festiven dhe atmosferën që reflekton festivja e organizimeve të shoqatës „Ardhmëria“, që drejtohet nga Lutfi Vata. Edhe një ditë e tillë, sikurse ishte sot 28 Nëntori, natyrshëm me një sallë të mbushur plot e përplot në Londër, foli shqip me një prani të madhe intelektualësh, të ftuarish thuajse nga të gjitha shoqatat shqiptare. Fëmijët dhe grupmoshat e ndryshme të shkollave plotësuese të arsimit shqip të kësaj shoqate sollën emocionet e tyre të veçanta me recitime të bukura, këngë e valle. Më tej intonimi i Hymnit Kombëtar, që ngriti në këmbë të gjithë sallën natyrshëm përcolli mesazhe të qarta se shqiptarët kudo që ndodhen e kanë frymëzim atë dhe Flamurin Kombëtar.

Fjalët përshëndetëse të Lutfi Vatës, Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, SH.T. Qirjako Qirko, të Ngarkuarës me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës, Arrita Gjakova, Kryetares së Bashkisë së Brentit, Alison Cornelins, Deputetes së Parlamentit Britanik, Karen Buck, dhe disa të tjerëve, u duartrokitën disa herë. Në sallën plotë ishin të pranishëm drejtueset dhe drejtuesit e shoqatave shqiptare, Dr Zamira Përfundi Ruspi, Ruzhdi Jata, Sami Islami, Abedin Bajratari, intelektualët dhe poetët Prof. Hysen Ruspi, Selman Lokaj, Xhavit Gasa, Hydai Ismaili, Petrit Shahini, Naim Çupi, drejtuesi i AlbUK TV, Helidon Kastrati, emjaft e mjaft të tjerë.

Salla oshëtiu nga zërrat e talentuar të rapsodëve nga Dibra dhe Kukësi, Kujdesi Muçmataj dhe Hamdi Elezi, si dhe nga i talentuari, Arif Madana. Këndoi këngë të ndryshme Alketa Ratkoceri, solli Fishtën në sallë, Xhevdet Gashi me „Shqipqëria e Lirë“ e në fund të mike të vogla Heidi dhe Erin Hoxha recituan poezinë „Shqiponja“. Ishin biznesmenët e komunitetit shqiptar, Skënder Përpepaj i dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin „Nënën Tereza“, Xhevat Lita e mjaft të tjerë. Një përshëndetje të veçantë dërgoi i sapovotuari për kreun e Prishtinës, Arkitekti Përparim Rama. Dhe një certifikatë nderi komunitar nga „Ardhmëria“ për poetin Xhavit Gasa.

Në sallë ndodheshin njerëz nga mjaft cepa të Britanisë së Madhe, kështu festa mori një karakter mjaft të bukur e gjithëpërfshirës.

Rreth Festës së Pavarësisë së Shqipërisë

Shqipëria ime e dashur, ti ishe sot me ne, me të gjithë komunitetin shqiptar në festimet e bukura të „Ardhmërisë“! Ti sot festove 109 vjetorin tënd të Pavarësisë. Ti sot kishe veshur mbarë shqiptarinë me rroben e Flamurit tënd më të bukur në botë. E kishe veshur, fëmijën, rininë, burrin, gruan, të gjithë me kostumin e lirisë, kuq e zi. Dhe ti anembanë këndove me të madhe… këndove…. Dhe hodhe valle…

Ti festove anembanë Britanisë së Madhe, Amerikës, mbarë Europës, si asnjëherë tjetër dhe kënga shqiptare dhe vallja e bukur u hodh nga mijëra e mijëra të tjerë që e duan dhe e çmojnë vlerën tënde.

E dashur Shqipëria ime, e shtrenjta dhe më e bukura në Botë, sot ne kemi festën më të bukur në historinë tonë. Gëzuar Shqipëria ime. Gëzuar! 28 Nëntori yt ndryshe njihet edhe si Dita e flamurit. Kjo ditë është një ditë e veçantë për shqiptarët në mbarë botën (jo vetëm në Shqipëri) sepse në këtë datë të vitit 1912 u shpall Pavaresia e Shqiperisë nga Ismail Qemaili në Vlorë. Si çdo popull, edhe ne kemi kremten tonë kombëtare. Bile mund të themi se Dita Jonë e Madhe – 28 Nëntori, është diçka më shumë se një kremte kombëtare, jorastësisht, quhet «DITA E SHENJTË ARBËRORE». Dikush që nuk e njeh mirë historinë tonë kombëtare, mund të pyes: pse?! Përgjigja është e shkurtër dhe shumë e qartë: sepse të mirat e rralla, kombit tonë të shumëvuajtur, por gjithmonë krenar, i kanë ardhur mu në këtë ditë. Gëzuar Shqipëria ime. Gëzuar!

28 Nëntori është dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e nisjes së rrugëtimit të saj si një shtet më vete, i shkëputur nga Perandoria Osmane. Kjo datë është historikisht e veçantë për shqiptarët në të gjithë botën pasi shënon dy ngjarje historike: shpalljen e pavarësisë më 1912 dhe çlirimin e Krujës nga Skënderbeu më 1443.

Të dyja këto ngjarje kanë të bëjnë me ngritjen e flamurit të arbërit, ndaj edhe 28 Nëntori quhet ndryshe Festa e Flamurit. 28 Nëntori festohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, shumica absolute e popullsisë të së cilës është etnikisht shqiptare. Kjo ditë festohet edhe në trojet shqiptare në Maqedoni e në Malin e Zi.

Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali u deklarua në Kuvendin e Vlorës ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Shqipërisë dhe përaktimi i kufijve shtetërorë të saj u bë në përfundim të Luftës Ballkanike, në Konferencën e Londrës, gjatë së cilës, për fat të keq, u kënaqën shumë nga synimet copëtuese dhe aneksuese ndaj trevave shqiptare të fqinjëve sllavo-grekë. Gjithsesi, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran nga ana e Fuqive të Mëdha dhe dora-dorës, edhe nga shtete të tjerë, ishte një akt me rëndësi jetike për popullin dhe kombin shqiptar. Kjo ngjarje shënoi menjëherë një linjë demarkacioni në historinë shqiptare. Ajo ishte frut i emancipimit të shqiptarëve si komb dhe i përpjekjeve të parreshtura të tyre për të qëndruar të lidhur me familjen europiane të kombeve të emancipuar. Me Aktin e 28 Nëntorit të vitit 1912 afirmohet e drejta e pamohueshme e kombit shqiptar për të qënë një dhe i bashkuar në trojet e tij natyralë, e drejtë që mbrohet sot e kësaj dite nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. E drejtë që nuk mohon aspak atë të popujve dhe kombeve të tjerë ballkanikë të jetojnë të bashkuar, të lirë e sovranë në trojet natyralë të tyre.

Kjo aspiratë dhe kjo perspektivë, edhe pse sot është transferuar politikisht në idenë e integrimit në Bashkimin Europian të të gjithë popujve dhe vendeve të Ballkanit, mbetet ende e ushqyer në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, në trevat e tyre historike në Ballkan si dhe shqiptarëve të shumtë të diasporës. Shqipëria është tashmë shtet i pavarur dhe sovran prej më shumë se një shekulli. Ky vend i vogël ballkanik ka marrëdhënie diplomatike me 39 vende të botës dhe shquhet për politikën e tij paqedashëse në rajon dhe në botë si dhe kontribuon në disa misione në zona të nxehta të botës, në kuadrin e angazhimeve ndërkombëtare.

Në mbyllje

Normalisht një arsye më tepër është prania e madhe dhe e ndjeshme në sallat ku feston „Ardhmëria“. Dhe më pas kur vallja dhe kënga bëhen masive natyrshëm Shqipëria dhe shqiptaria janë një sinonim pa dallim, ashtu sikurse thanë parafolësit Qirko dhe Vata. Aty vallja nuk njeh kufij dhe në të përfshihen të gjithë. Flitet shqip dhe mbahen traditat shqiptare, ku një daulle një risi e re dhe e bukur meton atë që të ngre peshë në festën e madhe shqiptare të „Ardhmërisë“. Falenderimi shkon tek mësueset e këtyre shkollave dhe sidomos tek përkushtimi i tyre tejet profesional.

    1560
    2