Kujtesa ishte letër, por plagët nuk ishin të tilla

Kujtesa ishte letër, por plagët nuk ishin të tilla

Nëpër faqet e “Puset e vdekjes në Kosovë

Nga Fatmir Terziu

 

Rikthimi dhjetë vjet më pas në leximin e një libri, nuk është thjesht një kujtesë. As arsyeja kryesore që zgjohet nga kujtesa e fakteve tronditëse, imazheve rrënqethëse, as edhe teksti dhe titulli i tij “Puset e vdekjes në Kosovë”. Thelbi është gjetkë. Kujtesa ishte letër, por plagët nuk ishin të tilla. Ata ende kishin ofshama, dhimbje, perceptime ndjesore të njeriut që i përjetoi ato, por edhe të atij që ende nuk din se a ka shpresë të shërrohen plagë të tjera të reja. Libri me njëqind e shtatëdhjetë faqe dhe dhjetra e dhjetra fotografi të realizuara nga autori Josef Martinsen, është ndiihmuar nga Fondacioni i Shprehjes së Lirë në Norvegji, Ekrem Lluka, Pejë, Hoteli Grand, Prishtinë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirisë së Njeriut, Prishtinë. Libri mu bë dhuratë nga intelektuali prishtinas, Nezir Selmani dhe natyrisht pos një respekti miqsh të letrave shqipe. Ai ka një kopertinë të realizuar nga Ismail Kasumi dhe ajo është nxjerrë nga momenti i nxjerrjes së kufomave të Luftës së Kosovës nga një pus në Kuqicë. Ky libër fillon me masakrën e Kotinës, trajtesa shkon më tej me arsye dhe fakte, përcjell shkallëzimin e konfliktit, arsyeton kishën norvegjeze në Kosovë, dhe ndalet në mjaft pika, ku njëra është ende e dhimbshme: “vajzat e djemtë e rrugës” që nisin në Polac, Llapashticë, Drenas, Volljakë, Gllarevë, Vërmicë, Llukë, Studenicë, Gllanaselë, Kuqicë, Pokleku i vjetër, Qirez, Bellopojë, Savrovë, Dragaqinë, Nerodimë e Ultë, Verboc, Ujmir, Damian, Has, Kosuriq, e gjetkë.

Dr. Hakif Bajrami gjatë leximit të librit “Puset e vdekjes në Kosovë”, është shprehur se njeriu nuk mund të këtë zemërgjerësi dhe të bëhet i pandjeshëm ndaj asaj që ka ngjarë në Kosovë. Bajrami më tutje thekson se në vitin 1977 duke  hulumtuar në arkivat e Evropës kemi hasur në një libër të tillë, i cili është “Golgota Shqiptare” e një  humanisti të famshëm siç është edhe autori i librit “Puset e Vdekjes  ne Kosovë”. “Titulli i këtij libri të nxitë, të moralizon dhe të edukon, si edhe të orienton në humanizëm dhe jo në falje aq të lehtë ndaj atyre që kanë bërë krime, dhe për këtë artisti i famshëm Aleksander Mojsiu do të thoshte, se kriminelët do të duheshin që të përkulen shumë për ti larë mëkatet e tyre,” shprehet Bajrami. Por a ka ndodhur një gjë e tillë? Përgjigjja është ende dilemë. Është e tillë se plagët ende nuk janë shërruar dhe plagë të reja janë hapur, ndoshta nga “puse” më të thella, e më të rrezikshme. Këto puse dikur në emër të kryeministri të Kosovës janë dënuar nga  këshilltari i tij, Arif Muqolli, i cili në lidhjen me librin është shprehur se “nga vetë titulli i këtij libri kemi çka të themi, dhe mund të them shumë gjëra, sepse është shkëputur një pjesë e asaj tragjedie, e mënyrës se ekzekutimit të mijëra e  mijëra qytetarëve gjatë luftës në Kosovë. Kjo pra është vetëm njëra ndër mënyrat e ekzekutimit, sepse ka shumë qytetarë të hedhur dhe të mbytur në formë më mizore në tërë Kosovën”.

Sot pas dhjetë vjetësh libri mund të vazhdonte me kapituj të tjerë. kapituj që do të nxirrnin ende shpirtra nga “puset” e padukshëm. Por sidoqoftë, ai si libër, ende na mban me shpresën të cilën e kishim humbur, për ndriçimin e se vërtetës, sepse më në fund u dëshmua dhe u ngjall shpresa se në një të ardhme do të zbulohet e vërteta për masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë dhe ndoshta dita do të jetë ndryshe. Libri “Puset e vdekjes në Kosovë”, i autorit Josef Martinsen është bazuar vetëm në fakte të vërteta dhe nuk ka fiksime, ndaj ai edhe pas dhjetë vitesh është adekuat, i qartë dhe mjaft domethënës. Në këtë libër autori paraqet faktet e bazuara dhe me këtë libër ai nuk akuzon askënd, sepse me akuza merret tjetër kush, por sjell në syrin e njeriut atë dorë vrastare dhe makabre që vetëm njeriu normal nuk e bën kurrë.  Libri  “Puset e vdekjes në Kosovë” që fillimisht i foli botës mbarë në gjuhët  norvegjeze dhe angleze, tashmë nuk duhet të qëndrojë vitrinave, se ai flet edhe në shqip madje edhe në serbisht. Me këtë rast le të kujtojmë thënien e shkrimtarit bashkëkohor japonez, Haruki Murakami që thotë se “Pa marrë parasysh se sa shumë vuajtje ju shkoi nëpër trup, kurrë ju mos qëndroni pa kërkuar që të shkojnë kot ato kujtime, edhe kur janë të hidhura”.

Shënim: Ribotim... Botuar për herë të parë 27 shkurt 2015 tek Fjala e Lirë dhe më 1 mars 2015 tek gazeta ime në Londër.

    140
    0