KTHIMI I DALLËNDYSHEVE TË PËRMALLUARA

Vullnet Mato

Vullnet Mato

KTHIMI I DALLËNDYSHEVE TË PËRMALLUARA

Shkuan kohët, kur një zog ferrak i vetmuar,

arratisej nga padurimi mes maleve të acartë,

bëhej shpend armiqësor, me kthim të penguar,

duke lënë pas dënimin, për gjithë zogjtë farrakë.

Tani trojet kanë vargane me dallëndyshe flatrore,

që shtegtojnë qiejve, në pranverat e vendeve të tjera.

Emigrojnë në vjeshtrat e shpërnguljeve perëndimore, 

dhe kthehen me lulëzimin në foletë e zgjimeve të vjetra.

Kthehen krahëhapur, me sqepin e përmalluar,

të sodisin e shijojnë brigjet, me freskun mbi pullaze,

të plapuriten në detin kaltërosh, në lumenjtë e kulluar,

ku i pret malli i pashuar, i vendlindjes buzagaze.

Vijnë duke sjellë me vete dallëndyshet e reja,

lindur në foletë e buta, të një tjetër kontinenti,

që shohin me habi shqiponjat, shpateve ku zbardh kopeja,

shkrepat, ku gurgullojnë gurrat kristalore të këtij vendi.   

Shohin kështjellat që lundrojnë si vaporë përmes reve,

kalldrëme legjendash, ku koha e re ngre kate të lartuara,
 
minaretë e gjata, ku islamizmi shpall pajtimin e njerëzve,
 
kambanoret, ku krishterimi i ringjallur, fal mëkatet e kalura.

Krahët e miqësuar ikin sërish, duke pritur rikthimin e stinës,

me ecejake të përmalluara, me cicërima gëzimi të ri.

O zot, sa e magjishme qenka kjo tokë e origjinës,

sikur perënditë e mbrujtën me puthje e dashuri!

#Vullnet #Mato

    331
    0