Krenari e ligjshme të takosh Qemal Osmanin

Krenari e ligjshme të takosh Qemal Osmanin edhe në Londër

Nga Fatmir Terziu

 

Këto ditë mes të ftohtit tipik të fundjanarit dhe fillimshkurtit 2024, ky fresktim i ftohtë, disi i pashtershëm me ritmin e kohës, si një kapërcim i një kohe festive të fundvitit, më saktë pas një kohe „dembele“ që kapërcen ritmin magjik të një feste në tjetrën, ndjehet dhe heshtja e tejngopur e turmave nën dritat artificiale të Londrës, shitësit e lodhur nëpër dyqane, kibitë e përjetshme përballë kafeneve me pamjet e bllokuara të vitrinave, njerëzit e thjeshtë, të zhytur mes mallrave të reduktuara në supermarket, aristokracia vendase me ndukjen e saj të lindur për gjithçka që ndodh rreth kohës … dhe një bust … më në fund në vetëqëndresën e tij, megjithëse një bust i ftohtë, duke u shfaqur mbi mykun e lagësht të zonës, mendërisht triumfues në shansin për t'i përkitur, qoftë edhe vetëm për disa orë, në atë kohë të përjetshme midis gjërave që ikin dhe atyre që presim të vijnë. Historia flet me emrin e tij të Madh!

Unë e shikoj. Dhe ia di gjuhën e heshtjes edhe atij, aty në atë kënd të ndjeshëm, që flet tashmë me sy e me staturë, me kohë e me histori për të gjithë. Dhe ai me heshtjen e tij më flet: „Unë di të shijoj përjetësinë“. Diku tjetër përtej këtij busti që na nderon me emrin e tij të madh Gjergj Kastrioti-Skënderbe, në Baysuater (Bayswater) shoh se gjërrat rrjedhin ndryshe. Është një substancë amorfe, një pickim, një gllënjkë, një erë, një tingull, një pamje, një ngjizje dhe nxjerrje, një fjalë, një mendim, një vështrim, ose një person në çastin absolut që kalon përmes meje si i shenjtë. Një krijesë e parë nga anash. Një realitet personal ku tenton ndjesia të dijë gjithçka, ka dëgjuar gjithçka, dhe ka parë gjithçka. Ndriçim neonesh dhe pika ku ngulet vështrimi i syve ku kupton sa i përhumbur je. Fundja je Njeri!

Përderisa arrin të ndalosh në kohë, mendon se bustet dhe njeriu janë thuajse e njëjta gjë në heshtjen e tyre. Kështu si busti, ashtu edhe njeriu, ndoshta mendon se jeton më gjatë. Dreq pune për kuptimin e jetës! A ka ndonjë mënyrë për ta vendosur atë në një përkufizim? A mund të ndalohet njeriu i lirë, i mirë, punëtor, i dashur me vatanin e tij, me tokën e tij, me njerëzit e tij, me fëmijët e tij, ore fundja me Atdheun e tij që të vijë e të shkojë? Njeriu do lirinë!

- Ky është zotëri, njeri i lirë dhe i këndshëm, vjen e shkon dhe mbetet me një sy e me një vesh tek Toka e tij, tek vendlindja e tij, tek arrat, tek puna, tek të gjitha ato që ka arritur ai në vite e vite kur ka rritur një familje mjaft të shëndoshë e me emër tashmë në Londër. Dhe këtë njeri të mirë, këtë shqiptar të nderuar, me një histori ndoshta më të thellë e më të ndjeshme se bustet, e takon në Preston Road, e me të shtrëngon duart në „Gusto 272 Italian“ e ndjen në këtë rast dashurinë njerëzore, fisnike, mjaft miqësore të këtij burri që ka mbi vete mjaft gjëra që koha i emeton ngadalë e ngadalë. Ai është Qemal Osmani dhe ai është vizitori më i ndjeshëm, më njerëzor që kam takuar ndonjëherë, edhe pse është krenari të them se ndodhet përsëri në djersën e familjes së tij, në njërën pikë ku pasardhësit e tij kanë bërë të shkëlqejë udha me të cilën ai dhe të dy familjet kanë bërë për të ardhmen, e sidomos për shembullin e të qënit Njeri.

Qemal Osmani vjen i qetë, i thjeshtë, me krenarinë e ligjshme të prindit dhe i pëshpërit me sinqeritetin më të madh bashkëatdhetarit të vetë, me të cilin njihen që hershëm, i flet Përparim Muçës, si kolegu i një moti të këndshëm, por duke kërkuar më shumë e më shumë në atë kohë që ndau jetën me bujqësinë dhe minierën, ndërsa sheh dhe bën me sy andej ku qëndron shërbimi i gatshëm i të punësuarve të këtij restoranti me emër tashmë, dhe që qëndrojnë pranë aparatit të kafesë.

- E vura re, është një shkëmbim bisede, dhe në thelb ndjen se vërtet ky bashkëbisedim është shumë i lezetshëm. Në një moment ai thotë me krenari; „Nëse do të duhej të isha unë i përndjekur, unë duhet të isha, unë kisha më shumë tokë në tërë atë zonë. Dhe kur ma morrën unë punova. Nuk pretendova dhe nuk pretendoj… Punova dhe nëntokë... Punova me nder…Dhe ai vazhdon të shkëmbejë përvojën, memorjen, respektin, kohën, atë që ndodh dhe atë që duhet ndryshuar, por në thelb gëzohet për arritjet e fëmijëve dhe nuseve të djemve të tij, por ndjen më shumë kënaqësi kur mendon se duhet të mos humbasë më ditë dhe të shkoj të përqëndrohet tek prona e tij në Suç të Burrelit, tek toka e tij, tek investimet e tij në vite për atë që ka mundur të realizoj me mund e djersë.

Bëhem i vëmendshëm. Unë jam i ftuar sot në një takim me miqtë e mi Aqifin, Gëzimin, Përparimin, Ladin, Arjanin dhe Diamantin dhe në këtë takim kjo prezencë natyrshëm na bën mjaft të lumtur, të gëzuar, e me fat që kemi takuar dhe biseduar me një Njeri kaq fisnik, kaq familjar dhe të respektuar. Dhe them me vete sa krenari e ligjshme të takosh Qemal Osmanin edhe në Londër.

I hedh vështrimin me maturi anës së vijës, ku në rreshtin e parë, një siluetë e dobët, elegante, e mbështetur rastësisht pas rrudhave të ballit, një zotëri fisnik po hedh dhe e kthen pallton e tij me stigmë dhe me përsëritjen e palodhur të një marionete të thjeshtë. Nuk kam parë kurrë një njeri kaq të sinqertë, të pushtuar nga koha e kohërave me njerëz të mirë e të thjeshtë. Pikërisht! Një plak i pashëm, i veshur në mënyrë të përsosur dhe aspak i fiksuar në kotësinë e këmbënguljes për t'u vënë re, se ai është këtu, se dëshiron të marrë pjesë në jetë dhe nuk mund të vazhdojë, sepse të tjerët nuk kanë kohë për të. E këtu e lexoj me shumë sinqeritet sa fisnik mbetet njeriu, kur puna dhe përkushtimi, dashuria familjare, dashuria për Atdheun, dashuria për miqtë dhe njerëzit e thjeshtë e bën atë më shumë se sa një vlerë, por një leksion më vete për mjaft të tjerë.

Dhe ndërsa e shoh, e ndjek fjalën e tij të ëmbël, e miratoj me tundje koke, mendja më shkon tek Atdheu im, tek instancat e larta qeveritare që në këtë rast më shumë se kurrë duhet të mendojnë për një sadisfaksion vlere për këta njerëz të mirë, punëtorë, që kanë ndarë jetën mes errësirës së nëntokës dhe hapësirës me pak dritë mbi të për të na dhënë dritë jete gjithnjë dhe gjihmonë të gjithëve. Dhe them pse nuk dekorohen këta njerëz? Pse nuk u jep shteti një pension të veçantë? Ata e kaluan rininën dhe jetën e tyre në fronte shumë të vështira dhe ende punojnë, ende e lartësojnë dhe zbukurojnë Atdheun e tyre. Kështu nuk e teproj që të them se kisha krenarinë time absolute që takova Qemal Osmanin në Londër, jo shumë larg bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, por që në fakt e them me plotë gojën se takova një Mjeshtër që di të të bëjë për vete me më të thjeshtën, Njerëzoren e shkallës më të lartë të respektit.

    350
    6