KALI, I BËMAVE TË MËDHA

Vullnet Mato
 

 

 

 
Madhështori vraparak, i nisur,
 
me revan në krye të krushqve,
 
rend në shekuj, shpinëstolisur,
 
të sjellë ngazëllimin e nuseve...
 

 
Kalin zgjodhi për aleat njeriu,
 
mes gjithë qenieve të gjalla,
 
ndihmës me katër këmbë veriu,
 
për të bërë mrekulli të rralla.
 

 
Kali ishte shoku, ishte miku,.
 
më i binduri, në frerin e dorës,
 
më punëtori e më besniku,
 
lëvizi peshat, i parapriu kohës.
 

 
Kali, me njeriun mbi shpinë,
 
afroi malet, shkurtoi rrugët,
 
ngriti gjithë peshat e shtëpisë,
 
shiu në lëmë, grurin e bukës.

Me kuaj, kavaleri tundi dheun,

Kutuzovi, kundër Bonapartit,
 
me kalë tundi malet Skënderbeu,

kundra turqve të sulltan Muratit.

Në vrullin vigan të njerëzimit,
 
Kali vërtiti i pari diskun e rrotës,
 
shpejtoi vrullimin e rrotullimit,
 
çoi përpara vrapimin e botës.
 

 
Koha e re, krijoi kalin e hekurt,
 
katërkëmbëshin qindra kuajfuqi,
 
motorin me katër kohë, djegur,
 
të kalërojë brenda barkut të tij.
 

 
Por ky rendës, me patkonj gome,
 
kalit i njeh natyrshëm, disa epërsi:
 
si mjet pa defekte, i çdo epoke,
 
me bindje absolute dhe besnikëri.
 

 
Pa karburant, me mjaft leverdi,
 
pa pyetur për kriza ekonomike,
 
pak bar, ose trastën me tagji,
 
pa tymosur ndotje ekologjike.
 

 
Malit përpjetë, e lumit përmes,
 
pa asfalt e policë trafiku të rreptë,
 
pa fjalë e zhurma motori në vesh,
 
kali të çon e të sjell kaluar si mbret.

Në ditët e sotme, kali monumental,

zbukuron qytetet kryesore të botës,

me krenarinë, ngritur në piedestal,

për heronjtë më të mëdhenj të kohës.

    140
    0