Jo thjesht sa për fotografim me Dr Adi Fandi

Jo thjesht sa për fotografim me Dr Adi Fandi

Nga Fatmir Terziu

 

Ishte fundgusht. Fundgusht dhe fund ditësh pushimi në Atdhe. E takova bashkë me të shoqen në një farmaci. Është i martuar me një angleze. U habita dhe vura në dyshim përgjigjen e tij të prerë „jemi shumë mirë!“, dhe madje vura në dilemë atë përgjigje për shëndetin e tyre. Dhe kjo e dini pse?

Ish kolegu im i fushës së arsimit dhe i medias, që ndodhej tashmë në emigrim në Britani të Madhe, bleu sasi të mëdha ilaçesh nga Shqipëria gjatë pushimeve verore. Me pedantëri të kujdesshme, ai i rregulloi kutitë me antibiotikë dhe me kokrra qetësuese, krahas mrekullive homeopatike në kuti të vogla dhe i etiketoi me shkrimin e tij të bukur, sikur të rimbushte farmacinë e tij portative:

- Kur sëmuremi, hapim kutinë shqiptare, - disi shakatonte më dukej, - dhe prej andej marrim mjekim - gati cicëroi e shoqja me buzëqeshje - kjo kuti gjithmonë na shpëton!

Kur e pyeta, se pse nuk shkojnë të lënë një takim te një mjek, anglezja e këndshme ishte në mënyrë konfuze e paqartë. Burri i saj, kolegu dhe shoku im, më hidhte një vështrim të thartë dhe ndryshonte temë. Kështu pyetja ime mbeti pa përgjigje deri në momentin kur u përballa me arsyen e domosdoshmërisë jetike të kutive shqiptare.

A jeni sëmurur ndonjëherë në Angli të premten pasdite, për shembull? Nëse nuk keni lënë një takim me mjekun dy javë përpara, ka shumë mundësi që të mbeteni vetëm me problemin tuaj për një fundjavë të tërë që është shumë e gjatë. Atëherë do t'ju vijnë në ndihmë të gjitha njohuritë tuaja për mjekësinë popullore, të trashëguara nga gjyshet tuaja pa universitete në Shqipëri. Ju gjithashtu mund të telefononi në numrin e caktuar për shëndetin publik dhe të kërkoni këshilla të gjata, e të mërzitshme se çfarë të bëni në situatën e pashpresë. Bazuar në simptomat që përshkruani, mjeku, i mbështjellur në të gjitha llojet e metamorfozave shëndetësore, do të diktojë se çfarë të pini, por nëse... e keni kutinë shqiptare në dorë, sigurisht, do të gjeni një arsye më shumë të ndjeheni pak më të qetë. Përndryshe, ju mbeten vetëm linjat e NHS për të telefonuar me shpresën e dyfishtë tronditëse që punonjësi në anën tjetër të mund të gjejë se çfarë nuk shkon me ju dhe t'ju këshillojë se si të shpëtoni nga vuajtjet tuaja të vetmuara.

Kohët e fundit, një i afërm im me sëmundje të zemrës pati një atak në një mbrëmje të pahijshme të së shtunës, kur sistemi shëndetësor vendas mund të ishte përgjigjur vetëm në telefon... po të kishin fat, se udha drejt Emergjencës dhe thirrjet në numrin e caktuar, jo pak herë kanë shfaqur edhe vështirësi. Por, është MB, dhe natyrisht punonjësi me uniformën profesionale, përballë rrugës, e trajtoi urgjencën në një mënyrë jashtëzakonisht profesionale. Pavarësisht zërit të torturuar të mikut tim dhe thirrjeve të dëshpëruara për ndonjë veprim mjekësor, nëpunësi këmbënguli në drejtshkrimin e saktë të emrit, emrit dytësor dhe mbiemrit, i ndjekur nga një pyetësor i tërë në lidhje me burokracinë e nevojshme që duhej të kalonte nëpër kanalet e lokaleve të sistemit shëndetësor. Pa frymë nga tmerri dhe dhimbja, shoku im iu përgjigj me bindje pyetjeve, duke korrigjuar herë pas here me ndrojtje punonjësin, i cili vazhdonte të përsëriste mbiemrin krenar të shqiptarit që vinte nga qyteti bregdetar i Flamurit Kombëtar, në të gjitha variacionet e mundshme fonetike.

- Shiko çfarë, … - mërmëriti me dhembshuri zyrtari i NHS-së, pasi mbaroi pyetjen e dhimbshme - për mendimin tim, është më mirë të hapësh dritaren dhe të marrësh frymë thellë derisa të kalojnë dhimbjet. Gjithashtu, përpiquni ta shikoni jetën pak më pozitivisht. Njeriu duhet të jetë i gëzuar dhe optimist në çdo situatë në të cilën gjendet, apo jo? Dhe nëse situata juaj përkeqësohet, ju lutemi mos hezitoni të telefononi përsëri, ne do të jemi të lumtur të flasim me ju përsëri sa më shpejt të jetë e mundur.

I shtangur dëgjova historinë e mikut tim që mbijetoi për mrekulli. Në kujtesën time ra në sy një fragment i një shakaje kombëtare të kohës së dikurshme rinore, por tashmë të harruar, që atëherë u transmetua në radion totalitare me plotë këshilla parodike në rast të një sulmi bërthamor:

- SOS! SOS! Ecni ngadalë drejt varrezave dhe mbani armën drejt përpara, duke pasur kujdes që të mos ju pickojë në këmbë!

SOS - …, aha edhe kjo … e sotmja, edhe kjo …, të dashur lexues! Çfarëdo që të ndodhë, hapni dritaret dhe merrni frymë thellë! Dhe në vizitën tuaj të radhës në shtëpi, mos harroni për kutitë e ndihmës së shpejtë, sigurisht shqiptare, se ne kemi mësuar vetveprimin, se dikur mbështeteshim në forcat e veta... dhe tështiva pa dashje… Ata janë thesaret e shëndetit të emigrantëve! Në to është shpëtimi! Kështu më nakatoste mendja e lodhur.

Sapo isha mbështetur në tryezën e punës dhe po lexoja librin dhuratë me tregime nga Vlora, nga Farmacisti i apasionuar për tregimin e shkurtër, Harallamb Fandi, i njohur si Lame Fandi, që ka djalin e tij doktor në MB, cingëroi telefoni. Ishte një shok i njohur, një mik i mirë, por që më kërkonte nëse njihja një mjek shqiptar në Londër. Po, i thashë menjëherë. Dhe i dhashë emrin: Dr Adi Fandi. Dhe i përcolla edhe telefonin, numrin e tij për komunikim … Ai vetëm më falenderoi në moment dhe e mbylli telefonin si i hutuar. Nuk kaluan as dy orë dhe përsëri ai në telefonin tim. Gati sa nuk po shpërthente gëzimin nga ekrani. Flisnim në Whatsap… „O zot, sa mjek i përsosur, sa Njeri mbi të gjitha… Më dha menjëherë ndihmën që doja. Zoti e bekoftë! Dhe nuk më linte sekondën të flisja…“

Unë ndjeja kënaqësinë e Njeriut, kur zbulon Njeriun. Kaq më dukej se mjaftonte. Kaq. Por e ndjeja se nuk ishte pak.

Dhe ai vazhdon … „Por kur lexova se pashë se ishte Pronar dhe CEO në Klinikën e tij Fandi dhe punonte tek Kingston Hospital NHS Foundation Trust, ndërsa merrja ndihmën e tij, dhe lexoja CV-në e shkurtër në mure, si ish mjek në spitalin Royal Surrey County, ish-spr në spitalin East Surrey, ish-spr në Spitalin Pilgrim, ish Mjek (MD) 118 edhe në Departamentin Aksident dhe Urgjencë në Ausl Rimini, të Italisë, trupi im dhe mendja ime u qetësuan menjëherë. U shërrova, ore mik, ore vëlla… I bekoftë Zoti këta njerëz fisnik!“

    130
    2