INDIVIDI DHE ATDHEU
Liri, ne ende jemi në të mbjellat e farave
Liri, ne ende s´jemi në stinën e të korrave!
( a. g. )
Jetën që po jetojmë duhet ta themi të tërën
atdheu ynë Iliria, është e plagosur në qenie
ndarja vendit po godet me ndarje të reja
me pika gjaku i kemi pragjet e shtëpive
ngritu atdheu im, ti e di kush ty të mbronë!
Gjuhë, liri, atdhe, flamur, u kam të shenjtë
këto vargje i kam himn në të tëra krijimet
por, ajo që mua më sjellë frymëzim është
muza, hapësirat e panjohura të së vërtetës
e vërteta e vogël më e vogël se atomet dhe
futonet, grimcat më voglane të qenies sime
Udhët e heshtjes janë gropa katakombesh
stuhi të ashpra erërash pa emër e mbiemër
himn kthesash nëpër trazira të ndjeshme!
Gjuhë, liri, atdhe, flamur, ju kam të shenjtë
njerëzit e sotëm jemi vonë në disa procese
ndriçuesit e qenies janë tjetër lloj i muzës
poezia tek unë më vjen prej së brendëshmi
trokitjet e saj janë tinguj, melodi, frymim
me poezinë jam afër dhe larg, jemi qenie
Njeri, liri në mua quaj atë që mund ta kem,
atë që mund ta preki, ta ndiej, dhe ta shijoj
dua të jetoj si notat, si tingujt, si meloditë
liria në mua nuk vjen nga besimet, por nga
kultura e vetëdijës, dhe aftësia sa krijojë!
Liri, ende jemi në të mbjellat e farërave
Liri, ne ende s´jemi n´stinën e të korrave!...