“Heqja e nudo-s nga galeria kombëtare” e shkrimtarit FARUK MYRTAJ

Updated: Mar 2

Nga PIRRO LOLI "Mjeshtër i Madh"

Faruk Mrtaj në prozën e tij të shkurtër e të gjatë dallohet nga realizmi, nga një realizëm magjik që shpaloset, e shumohet me sytë e mendjes dhe të shpirtit të tij poetik. Faruku është një novelist që dallohet në të shkruarin shkurt. Gjer në fund me një elegancë stili për me e pas zili. Ai shkruan me një dorë të sigurt dhe shquhet në botime të shumta në poezi, tregime, romane novela, ese me një gjuhë të pasur. Jeton në Kanada. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Kanadezë. Ka përkthyer nga anglishtja disa autorë dhe dallohet për një pjesëmarrje aktive në kulturë dhe letërsinë shqiptare. …..

Tregimi “Heqja e nudo-s nga galeria kombëtare” më kujtoi tregimet e librit “Nudo zyrtare”. Në pasqyrë i kish pikturuar të gjithë tregimet që më 1996; lakuriq i kish personazhet dhe jo më kot e kish titulluar “Nudo”, ama, nudo zyrtare. Ose zyrtarë lakuriq. Dhe jo më kot fitoi çmimin e vitit.

HEQJA E NUDOS …

Nga vëllimi i fundit që po përgatit për botim, zgjodha këtë tregim (tipik Faruk) që të drithëron e të bën ta rilexosh; tregim i shkurtër memec që më shumë flet me gojë mbyllur. Dhe lexuesit i duhet që herë pas here ta ndërpresë leximin dhe të përfytyrojë ato që nuk thotë autori. Kështu më ndodhi dhe mua. M’u duk se i ka mbledhur fort të gjithë indet e tregimit në një dorë si një sustë dhe kështu e botoi, të mbledhur shuk. Tregimi mbart një dramacitet të brendshëm që lexuesi me lirinë e tij fantazon “krijimet” e mundshme të fantazisë së tij. Edhe unë si lexues u mundova t’í ndaj linjat e tregimit e para syve u përballa me një pemë me degë të plota. Që më së miri mund të merresha dhe vetëm me ndonjë degë.

*** Nga çasti në çast në galerinë e arteve kur pritet të hapet ekspozita, befas nga dikush bije një telefon si alarm se…. Menjëherë mbërrin një tufë policësh rrethojnë godinën e galerisë

Faruk Myrtaj

… Ç’ka ndodhur?! Ç’është ky shtetrrethim galerie? Në galeri është ekspozuar një pikturë e pa dëshirueshme (!) Ja, dy policë të stërkuqur në fytyrë kanë arritur me vrap e duken në daljen e galerisë tek mbajnë një si arkivol. Ndoshta një të vdekur, ose të plagosur. Jo, është një pikturë nudo. Dy Policët e pa-fajmë, djelmosha të virgjër, që e ngritën me ndrojtje dhe tërë kujdes femëror kornizën e madhe me nudo-n brenda, sikur besonin se kishin të bënin me trupin e një femre të vërtetë. Në zonën e “krimit” mbërrin një makinë policie (!) që e shoqëron dhe ambulanca e spitalit(?!) Makina e policisë, pas saj dhe një ambulancë u larguan me drita e sirena të ndezura. Kjo do ishte linja e parë. Duket sikur tregimi vetëm sa ka hapur perden e një drame. Alarmi është dhënë i mbështjellë me një mister. Gongu ra. Një shqetësim mbetet pezull.. Linjën e dytë e hap paksa një personazh piktor që herë pas herë lëshon ndonjë thumb. Për mendimin tim ky personazh enigmatik, ironik dhe i pikëlluar, që nuk na del qartë në është autor i nudo-s apo jo, e fut tregimin në linja të tjera. Ai na paraqet një femër të njohur si model.. Kjo femër në këtë nudo, thotë, “Ishte Nudo e saj, e Ardita Loshit”. “Herë pas here shteti provon gjininë!”… Me këtë fillon një degë tjetër e tregimit. Ç’është kjo femër që paska pozuar lakuriq? Duke na paraqitur me ndrojtje dhe me krenari nudon e gjallë. Lexuesi e shpërfill paksa nudo-n si vlerë artistike dhe përqendrohet te historia e femrës. Ardita Loshi është dikushi. Është e kaluara e saj E dikurshmja, bukuroshja e re , tani do jetë një grumbull eshtrash, si nudo-ja realiste arti?!”…?! pra, nudo-jau është e vjetër, ekspozimi është i sotshëm. Mos Nudo-ja qenka një fantazmë që trazon shpirtrat.? “Mbase ka pozuar rininë e saj…”, sugjeroi dikush… E vërtetë, ama, ka qenë femër jo shaka, ishte ylli në yll. Kjo linjë, perifrazoj: paska qenë një e tillë femër me një energji femërore që e kishte marrë më qafë fisin Loshi…ose u ka shpëtuar jetën, shtoj unë…Në të gjitha kohët, burrat e Loshëve paskan përfunduar burgjeve, nëse jo vrarë, të internuar: zyrtarisht për shkak të femrave të tyre. Si kështu bukuria e saj paska shpëtuar jetën e burrave të fisit që, janë përgojuar nga shteti për politikë? Lexuesi habitet disi, si kjo femër e bukur Ardita, paska shpëtuar burrat e fisit. Bukuria e saj, paska qenë mburojë ose avokat mbrojtës! Padyshim merret me mend një marrëveshje e ndyrë me zagarët e shtetit që lexuesi e shtjellon vetë. (Kërkoj ndjesë të them di¬çka jashtë tregimit.: – Rastësisht kam mësuar nga një banor në një fshat të jugut ku punova disa vjet se, – kur vinte në fshat operativi i DB, gruas së një të burgosuri, i jepte leje që të shkonte ta takonte burrin në Spaç. Dhe natën hynte vjedhurazi në shtëpi të saj “për të bërë detyrën“ me vajzën e bukur të shtëpisë…A ka fytyrë tjetër poshtërsia? Ama, burri i akuzuar, armiku i popullit, u dënua vetëm me disa vite burg.)…

*** Unë zgjodha linjën e pikturës për ta tjerrë më nga afër dhe i rashë pas Nudos, pa subjektin e saj. Në murin ballor të galerisë dukej që larg varri i saj, një varr vertikal. I zi. Mbushur me natë. Femrën lakuriq e shkulën nga muri dhe ajo u ngjall si fantazmë dhe u gjend midis policëve, ashtu shtrirë, me gjithë bukurinë

POETIKA E NUDOS

(Këtë rol kaq delikat në tregim e ka marrë (piktori)poet Faruk Myrtaj.)*** Trupi i Nudos qe prehur në paqe me ngjyrat, a thua sa për të larguar imazhin e syrit të keq. Brishtësia e shkrimtarit Myrtaj, kapërcen te ngjyrat dhe me penel të hollë pikturon Ardita Lolshin që nuk e ka parë kurrë. Ai “pikturon” e sheh si zbardhnin pjesët sensuale, trazuar në rozë të përhimët. I ngul sytë në buzët, gushën, gjinjtë, deri atje poshtë barkut. Tërë shenjat e femrës i ka përhumbur mjeshtërisht në një tis tw hollw mjegulle. Pa dashur t’í fshehë, megjithatë. Poezia e fjalës me dritëzën e ngjyrës alternohen dhe bardhësia e trupit krijon një delikatesë rrëzëlluese, edhe kur shkonte e shndërrohej si hije në rrëpirën të-poshtë gjymtyrëve. ***Nudo-ja flet më tepër se e gjalla. Njeriu kështu ka qenë, nga lakuriqësia ka ardhur, por një vepër arti është një sy që shikon brenda trupit. Nën lëkurë. Është depërtim në psikologjinë e njeriut. Lakuriqësia është vetëm fytyra e një pamjeje statike, reklamë naive e memece një çasti, e një pozimi të kërkuar a të imponuar. Piktori realist diçka do të thotë me bukurinë e trupit, me sytë, me seksin, megjithatë ekziston një pikë graviteti tek çdo nudo. Nudo-t janë më tepër shprehëse sepse e kanë plus fjalën e artistit, anipse mund të jetë vetëm imazhi i fshehur derdhur në ngjyra. Piktori bije në dashuri me nudo-n, në të ai hulumton, gërmon në të gjitha linjat e saj, mishin që pulson, gjirin, lëkurën, shkurt frymëzimin e vet. Dhe nuk pret përgjigje. Peneli i tij zbulon vazhdimisht metaforën e ngjyrës diçka të re. Dhe relievi harmonik i dritë hijes që shket nëpër trup si frymë që nuk lidhet domosdoshmërisht me objektin përkatës. Është shpirti i piktorit por dhe shpirti i femrës që pozon. E valëzat e shpirtit shpërndahen si mjegull e lehtë nëpër ngjyra. Nudo-ja, ashtu si poezia moderne, kërkon lexime të vëmendshme. Ajo ëndërron, ëndërron në sy të diellit. E kërkohet të lexohet syri , mjegulla, ëndrra e saj. Dhe fantazia rreket të lexojë sidosi nëpër ato rrudhëzat e holla të ballit si frymëmarrja e detit në gjumë… Se dhe deti shikon ëndrra…. Në një pellg hëne kur flinte ra një piktor-poet i dehur dhe u mbyt. E. Paund kishte parë hënën që e nxori në anë duke e mbajtur arkivolin e tij në krahë, e lëshoi në ajër dhe tha : Ja një yll… Një piktor, kur një vizitor e pyeti kush është kjo femër tha, jam unë. Pse habiteni? Jam unë lakuriq. Sinqeriteti im krijues. Pa rroba, pa maska. Jam stili im. Si fjala. Si ngjyra. ***Piktorët e mëdhenj, në pjesë të ndryshme të trupit të nudo-s përdoren penela të ndryshme. Gusha, gjinjtë dhe anët e brendshme të shalëve pikturohen me një penel shumë të hollë me qime të një lepuri race., butë butë, sikur i ke realizuar me frymën tënde. Ngjyra e përftuar është kujtesë e një kuptimi a, po munde, lexoje dhe si mesazh…Piktorët e mëdhenj, ashtu si poetët e vërtetë primare kanë imagjinatën, përfytyrimin dhe realizimin origjinal onirik.

*** Van Dongen piktor nudist, një nudo e pikturoi në kryq. Nudo-s i shkon kryqi , thashë, se bukurinë shumëkush e ka gozhduar në kryq. Piktori e poeti vetëm sa i afrohen Zotit, por asnjë herë nuk mund të identifikohen me krijuesin e madh. Piktura është dhe sfidë kundër Zotit. Si poezia e mirë. Këtu nis gabimi trashanik. Edhe i gjenive që mendojnë ta sfidojnë Zotin. Artisti është si Dedali dhe Ikari që sa më lart të shkojnë drejt diellit, aq më të rrezikuar janë të digjen. Duhet ta pranojmë ndëshkimin. Artisti gjithmonë digjet. Digjet…

***

Faruk Myrtaj, i dallueshëm në zgjedhjen e subjekteve, këtu, duke u marrë me historinë e një femre (Arditës), duket sikur sposton vlerat artistike të nudo-s. Dua ta çmoj si gjetje artistike ose dhe si një kurth që të ngre realiteti. Sidoqoftë, megjithëse Nudo-ja është larguar nga syri i vizitorëve, autori na i sjell atë para dhe, mjeshtërisht, na përshkruan bukuritë e nudos…

Dhe, si çdo nudo, ajo ka ndjerë nevojën që instinktivisht të fshehë diçka delikate të bukurisë së saj. …këmbët e saj , të pafuqishme, të fshehin paksa nevojën hyjnore të trupit të femrës për t’u vënë re, (lexo sa bukur…) dhe kishin kërkuar ndihmën e një dore. Të dorës së saj si gjest shpëtimtar … dhe nuk e di, as autori as vizitori, nëse kjo dorë mund të shërbente sadopak të fshihte vendin e kurthit femëror; sidoqoftë, dora rrezikonte të shndërrohej në dëshmitare pa gojë, pa faj….e për ta bërë më konkrete, na hidhet te modeli origjinal… Ardita Roshi e kishte lënë pëllëmbën e dorës të pushonte pikërisht atje, në vendin ku syri i vizitorit do shkonte vetiu. Dora e justifikuar. S’ka bukuri të vërtetë që nuk tenton të fshihet sidosi. E çdo nudo nuk i shpëton dot një druajtje misterioze dhe nevojën për të fshehur diçka. …A thua është pasojë e mëkatit të hershëm të njeriut të parë viktimë. ( Fjalët që përdor autori rreth “mëkatit” na duket sikur mbartin dhe ngjyrën përkatëse)… Supet vizatuar për ëndje të pa-përballueshme mashkulli, njeri nga gjinjtë pothuaj i plotë, tjetri- më joshësi, braktisur prej vijës ndarëse si foshnjë e pafaj.

Megjithatë dora, si e privilegjuar të shpëtonte nudon, kishte marrë përsipër të fshihte pikën më të brishtë të saj. Për të shfaqur mesazhin. Ka diçka që piktori ndodhet në kërkim të hyjnores, Si te Botiçeli i famshëm që në kohën e Rilindjes mbeti në kërkim të hyjnores dhe pikturoi perëndeshën e bukurisë, Afërditën. (Variantin grek të hyjneshës, atë që del nga një guackë buzë detit).

Perëndeshën e bukurisë e të dashurisë, Afërditën e bukur, ashtu si¬ç e përfytyroi ai, e kanë imituar dhjetëra e qindra piktorë në botë si pikë e lartë referimi i bukurisë femërore me atë misterin e fshehur që vjen deri në ditët e sotme. Është bukuria trupore përfaqësuese e përsosmërisë dhe e pastrimit shpirtëror të femrës. Është dhe dashuria si energji dhe forcë lëvizëse e natyrës,

Syri i vizitorit në atë çast delikat, kur shenja e Zotit rrezikon të kthehej, natyrisht pa-dashje, në shenjë Djalli. Po le të kthehemi te Faruku piktor. Një dritë e artë mbështjell nudon,.dhe si te Botiçeli gjarpëron në gërshetin elegant, ku regëtinin dy thurima..

E kanë pasur tërë femrat e fisit atë gërshet, e shtoi Makasen V edhe vet Ardita Loshi, në rininë e saj, por nuk e kishte gjetur fatin. Dallëndyshet s’ishin kujtuar të vinin t’ia merrnin në degë të shegës, në asnjë pranverë dhe, mbase prandaj e prisnin te nudo-ja…

Pika e gravitetit të vështrimeve të vizitorëve, si padashur, tokëzohej pikërisht atje. Është e pa qartë kur mësojmë se vetë Ardita e kishte kërkuar përjashtimin e saj nga galeria… Ajo e di si e kishte hallin,.. Ajo e kujton dramën e saj dhe të fisit kur diktatura është shkrehur ani pse njeri nga policët i tha “Nuk ka për t’u kthyer kurrë më koha juaj…”,

Ndoshta ndruhej nga një dekoratë me shenjat e shtetit. E pa artikuluar. …“Hëm, sërish kjo punë… me ne Loshet!”. …Hëm, ajo qe betuar në heshtje se pozonte për shtetin jo për artin, e… Mbase tërë marrëdhënia me nudo-t, e pa qartë ndodh. Gjithmonë diçka mbulojnë, diçka misterioze që nuk thuhet dot.( Botiçeli ia mbuloi vendin misterioz hyjneshës së bukur me një fjollë flokësh ngjyrë floriri që zbriste nga koka , gjarpëronte trupit dhe qëndronte atje ku duhej vigjilente…

Ashtu siç me Rubensin dhe të gjithë grupin e piktorëve të kulturës së Mediçis, që i dhanë njerëzimit breza të tërë grash të bukura; bukuria trupore e të cilave përfaqëson përsosmërinë e trupit dhe të shpirtit të femrës. Në thelb është dashuria si energji, frymëzim dhe forcë lëvizëse e natyrës.

    450
    0