GJURMË NË SARAJEVË

Hazir Mehmeti

GJURMË NË SARAJEVË

“Rastësia, mbreti i çudirave të botës” (popullore)

Në gropën e shpuar nga Milaça, dielli sapo kishte filluar të lëshonte rrezet e para. FlixBusi hapi dritaren duke lajmëruar arritjen në Sarajevë: Probuditese, stiglismo u Sarajevu! -Zgjohuni kemi arritur në Sarajevë!
 
Sherifi hapi sytë nga gjumi i copëzuar. Gropat e kapërcyera të rrotave nëpër baltë i kishin sjellë dhembje të muskujve të qafës dhe shpinës. I harroi dhembjet e qafës kur pa autobusin e boshatisur. Anash krahëve të bagazheve, lëviznin pasagjerët duke kërkuar valixhet e tyre, që ishte diçka e lehtë, pasi shumica e udhëtarëve kishin zbritur qyteteve të vogla dhe lokaliteteve në Kroaci dhe Bosnje. Tani kryeqyteti priste njerëz, mysafirë e turistë me gjithë namin e tij të kohëve të vjetra dhe të reja. Nuk është e rastësishme që edhe kodrat e thepisura përreth duken fajtore për vuajtjet e qytetit të tyre dhe njerëzve me shpresa të pafundme për këtë jetë, dhe jetën përtej syve tanë. Bile aq shumë ishin zhgënjyer nga kohët, sa filluan që lumturinë ta kërkojnë në botën tjetër. Jo vetëm e kërkuan, por shumicën e kohës e kaluan në shërbesë e lutje, me sytë drejtuar idhujve në qiell e tokë. Aq punëtorë u treguan sa përvetësuan dhe kopjuan lutjet nga të gjithë pushtuesit e ndërruar nëpër shekuj. “E zgjodhën lutjen e parë, të dytë, të tretë, deri edhe lutjet te mbreti, me qëllim që lutjet të drejtohen aty ku duhet, me të mirë apo me forcë. Zoti të fuqishmit i përligj, sipas ligjit të natyrës. Gjithmonë fiton i forti. Kush mund të thotë, përse ti nuk je një tjetër nga vetja? Ja, do i thuash, kështu na mësoi jeta, kështu jetoi gjyshi e stërgjyshi im. Ai shkeli gjithë botën dhe mbeti po ai në kërkim të vetvetes, gjuhës, miqve dhe identitetit të tij”.

Duke rrahur mendjen kodrave, Sherifi harroi se gjendej në Sarajevë, qytet me shumë pagëzime sipas dëshirave të vizitorëve me çizme, shpesh pashallarë e perandorë. Dhe, e quajtën me gjithfarë emrash: Jerusalemi i Gadishullit, Qyteti i Bashçarshisë, Qyteti me stadium varresh, Qyteti i Sevdalisë, Qyteti i Milaçes dhe sa e sa emra të tjerë sipas librave. Njeriu lodhet me kaq shumë fjalë të lindura nëpër epokat e pushtuesve në emër të çliruesit, sa njeriu nervozohet të klithë deri në kupë të qiellit i revoltuar nga njeriu përbindësh dhe lojën e tij me jetë njerëzish të shkelur në emër të zotit, allahut, gospodarit, deri edhe në placentën e foshnjave të therura.

Oh, sa u lodha!

Valixhja me rrotat e vogla zvarritej gurëve të kalldrëmit e zhytur nga balta e mbetur e natës së mjegullt e cila po ikte ngadalë përtej kodrave. Tramvaji një, rrangall i ndryshkur zhagitej mbi binarët e tij si një krimb i lodhur nga errësira e zgjatur, dhe mezi bëri rrotullimin e tij në stacionin e fundit. Hapja e zhurmshme e dyerve të gërryente veshët edhe ashtu të lodhur nga nata mbi karriget e Flixbusit. Bileta duhej paguar me markën e konvertuar, një monedhë modul kohe mes njerëzve të qytetit që asnjëherë nuk u ndien të lirë.

Rrap, rrum, rrap e rrum, rrotullohen rrotat e valixhes kalldrëmit të vjetër mbi urën e gurtë, aty ku Franz Ferdinadi përshëndeti banorët e qytetit e pastaj shkoi pranë restorantit Tri Inata dhe rrugës thikë përpjetë drejt Kopshtit të Qetësisë. Nga treguesi i rrugëve dëgjoi në celular: Keni arritur cakun! Duke lexuar numrat në të majtë ai vuri re se ndodhej te ndërtesa bujtinë, ngjitur me xhaminë muze. Në të djathtë të portës së bujtinës ishte një dollap i mbyllur metalik i cili nuk hapej dot pa e ditur kodin e numrave, për të nxjerrë çelësin e dhomës numër tre të cilën e kishte rezervuar qysh në shtator dhe iu duk se kishte ardhur shpejt fundi i vitit. Derisa pështillej i hutuar në kërkim të zgjidhjes së enigmës, një zhurmë altoparlanti në derë u shoqërua me zërin e pronarit. Halo! Guten Morgen! Ju jeni nga Vjena, apo?

Po, pikërisht jam Sherifi, ai që e kam rezervuar dhomën.
 
Po, numër tre. E di. Nuk ka problem. Unë jam larg por ju pashë përmes kamerave. Ju lutem shtypni kodin dhe merreni çelësin. Ua kam dërguar para një jave në adresën e rezervimit tuaj. Për t’iu ndihmuar po u them numrin e kondit: dymijë e nëntëmbëdhjetë dhe numri i fundit është tre.

Faleminderit! Sapo u hap tha Sherifi derisa pronari e sugjeroi, se për çdo gjë do ta ndihmonte, e pastaj zëri i tij humbi.

Mori çelësin nga dollapi, mbylli derëzën metalike e cila njihte besnikërisht fshehtësinë e të zotit. Çelësi i drejtë me tojën e zbukuruar e cila përfundonte me një gogël dhe tufën e leshtë, e punuar me art që të kujtonte artit e traditës sarajevase shekujve. Sherifi ishte rritur me këso goglash gjithfarë formash, ngjyrash e madhësish të cilat i bënte nëna me dorë, apo kishte punuar pajë nuseje, dhe ne fëmijët më vonë i kishim lodra me shumicë. Sa, më kujtoi nënën time, u mallëngjye dhe kujtoi, fytyrën e saj të çiltër! Kur njeriu është i vetmuar dhe larg nga malli i kujtohet çdo gjë në imtësi.
 
Teknologjia e re ka lehtësuar shumë punë për njeriun, mendoi ai me vete, por i largoi njerëzit nga takimet dhe njohja. Ndihej i habitur me këtë modernizim në një qytet që njihej si qytet i vjetër. Ishte befasi e këndshme për atë ndonëse dalloi edhe ftohtësinë e vetmisë në një qytet të mistershëm.

Dhoma numër tre ku do të qëndronte për një javë ishte e errët. Ajri i mbyllur dhe i ftohtë kundërmonte gjithfarë erërash sidomos erën e mykut që kishte lëshuar hiFet e tij skajeve të mureve me lagështi, ndaj edhe ishte i neveritshëm. Hapja e dritareve krijonte ajër tjetër të freskët. Përballë, nga dritarja me kanata druri të vjetra të ndërtesës së gurtë një grua flokëshprishur filloi shkundjen e mbulesave dhe siç duket vetëm ata të dy ishim të zgjuar atë mëngjes të lagur, ku i dukej sikur të ishte në ëndërr.
 
Dalëngadalë, Sarajeva e njëmijë e një netëve po zgjohej nga heshtja e natës.

Mirëmëngjesi!

Sot të pret gjyshi për vizitë! Ndihet i lumtur. Edhe pse është i verbër nuk mund t`iu shohë, por do u ndiej si mikun e vëllain. Një lajm i gëzueshëm: Xherdani ka shënuar gol fantastik për Liverpulin. Ditë të bukur në Sarajevë! Ismaili, Wien.

Sherifi e lexoi për të dytën herë mesazhin. Nuk kishte lidhje interneti. Mendonte ta shihte golin e Xherdanit derisa të kalonte urën e gurit me harqet e saj që luhateshin në pasqyrën e lumit. Një grup pëllumbash fluturoi hapësirës drejtë rrjedhës së lumit, mbi kokën e tij. Kaloi para Bibliotekës Kombëtare, dikur, e cila me pamjen e bukur sikur sfidonte historinë e saj të trishtueshme nga lufta e fundit. Një pllakatë në murin e saj lexohej nga rruga: “On this place serbian criminales in the night of 25-26 august, 1992. 2 milions of books vanished in the flame”... Do not forget. Remmber and war! Çfarë faji ka libri, mendoi dhe vazhdoi hapat duke menduar fjalët e Heines, se atje ku djegin librat, së fundmi djegin njerëzit, dhe, kjo kishte ndodhur pikërisht këtu prej granatave dhe snajperëve serbë nga të gjitha anët. Mbi dy milion libra e dokumente të kohërave me vlera ishin shkrumbuar nga barbaria çetnike dhe tani hiri i tyre ishte shpërlarë në miliarda molekulash në minerale e cila ujiste tokat e Bosnjës. Majtas dukej sinagoga dhe xhamia e vjetër, kurse djathtas ndodhej kisha ortodokse dhe hija e saj e errët. Kishte kaq shumë vende lutjeje në pak metra afër njëra-tjetrës megjithëse nuk dukej të hynte apo dilte prej tyre ndonjë njeri. Një sirenë automobili e zgjoi nga mendimet e rënda në mëngjesin e ftohtë të dhjetorit. Kaloi rrugët e gjera moderne nga koha e Austro-Hungarisë dhe vazhdoi në kalldrëmin e pjesës otomane të qytetit ku gati mund të prekje me krahë muret e ndërtesave të vogla në të dy anët e rrugës. Ndërkohë nga minaret filloi thirrja për lutje. Anash në çepat e çezmave pa disa pleq krahë përveshur që lanin duart e fytyrën dhe me shpejtësi hynin në objektin e vjetër të xhamisë. I ra ndërmend Muzeu Historik në Vjenë me gjithë ato dokumente mbi rrethimin e Vjenës nga osmanet dhe thyerja e tyre përfundimtare. Sa fat kishim! mendoi me vete Sherifi.

Nuk ishte e lehtë ngjitja në kodrën mbi Bashçarshi për të gjetur adresën që ia kishte dhënë Ismali. Pas një orë e gjysmë arriti cakun e tij. Para vetes kishte shtëpinë e bardhë me çardakë e çati tipike sarajevase. Porta e drurit luhatej nga era e ftohtë duke lëshuar krismat e saj gërryese. Një unazë e ndryshkur varej në qystekun që lidhte dërrasat e trasha e të rralluara nga të cilat u përpoq të shihte diçka brenda oborrit, por pa vetëm drurin e vjetër degëprerë në të cilat varej një shilarës fëmijësh.

Tak, tak, trokiti me unazën e vjetër, nga e cila u trembën pëllumbat sipër çatisë mbi kokën e tij.

U dëgjua një zë gruaje dhe pas pak u hap porta.

I falemi zotit!

Mirëdita zonjë! Familja e xha Hashimit, apo jam gabim?

Po, pikërisht! Mirë se vini! Shoku i Ismailit nga Vjena, apo?

Po, jam Sherifi.
 
Urdhëroni brenda! Bujrum!

Sherifi e përshëndeti dhe e ndoqi mbrapa deri në hyrje, la këpucët jashtë dhe mbathi papuçet. Dhoma e pritjes, një çardak i vjetër i stilit oriental rrethohej me dritare nga dukej në pjesë e kodrave përtej Bashçarshisë. Rafti i mbushur me suvenire të shumta ari, argjendi e bakri krijonte një ambient si të një dhome muzeu e përkujdesur nga një dorë e vyer. Nga dhoma anash u dëgjua një e kollitur dhe disa fjalë në boshnjakishten e vjetër nga të cilat ai dalloi fjalën Allahu amanet, e pastaj tre fëmijët me radhë para nënës së tyre erdhën ta përshëndetnin mikun ashtu siç ishte tradita dhe u larguan në dhomën tjetër.

Janë fëmijët tanë, ndoshta të ka folur Ismaili?

-Po, zonja Fatime, bile më ka shkruar edhe emrat, u rritshin dhe paçin fat! - tha Sherifi.

-Hysenin e informova, punon këtu afër nuk do të vonohet, - foli Fatimja dhe u largua. Vërtet pas pak ai erdhi, u përshëndet me Sherifin dhe menjëherë së bashku me Fatimen morën për krahësh Hashimin e plakur nëntëdhjetë e shtatëvjeçar të takohej me mysafirin për të cilin kishin dëgjuar shumë nga Ismali dhe fëmijët e tij, por kurrë nuk e kishin parë.

Hashimi përshëndeti dhe u mbështet anash në shiltet e buta ku kishte vendin e tij të ndejës.

Aroma oreksnxitëse e kafes boshnjake u shoqërua me hapat shkallëve të drunjta të Fatimes e cila vinte me xhezve e filxhanë në një tabaka argjendi.

-Ndoshta ju pëlqejnë kafet tona, - tha ajo duke i vendosur xhezvet mbi mangallin e vjetër të mbuluar me qëndisje të bukura.

Tangari i hershëm i punuar prej bakri ishte mbuluar me një kapak gjysmësferë, pjesa e hapur e së cilës dallohej me zbukurime gjysmë hënëza dhe yje. Xhezvet e bakrit shkëlqyen afër filxhanëve shkodranë pa vegë të cilët i njohu Sherifi qysh nga dollapët në kullën e gjyshit kur ishte fëmijë.

-Faleminderit zonja Fatime! -Kam dëgjuar për namin e kafeve boshnjake, - i tha Sherifi.

Ndërkohë Alena i solli plakut peshqir dhe një libër të vogël, ballina e të cilit shkëlqeu nga rrezet e dritës, pastaj ia vendosi me kujdes në prehër.

-Këtu e ke librin gjysh, - i tha dhe iku.

-Faleminderit Alena, - ia ktheu Hashimi mbesës së tij.

Teksa e prekte me majat e gishtërinjve i dridheshin duart mbi librin me vijëzime rreth ballinës dhe shkronjave që shkëlqenin.

Sherifi i tregoi atij rreth takimit me Ismailin, në Vjenë dhe ndihmën që ai i kishte ofruar atij dhe familjes së tij si emigrant atje: U takuam në Heimin e azilantëve në Traiskichen, afër Vjenës. Kishte pesë vjet para meje që ishte vendosur nga autoritetet e Vjenës bashkë familjen e tij. Fëmijët vijonin gjimnazin e Vjenës me suksese të larta. Pasi arritëm edhe ne në Vjenë, ai na ndihmoi për regjistrimin e fëmijëve në shkollë dhe dokumentet që duheshin. Ne e vazhduam shoqërinë tonë edhe pse ishim larg nga njëri-tjetri” tha Sherifi.
 
-Rastësia është nëna e çudirave, - foli plaku duke shkuar drejt e në mur. -Çka do të bësh në mal, prite në shtëpi, - vazhdoi plaku.

Ti e shpëtove nga forcat serbe. E mbajte në Kosovë ilegalisht disa muaj edhe pse nuk kishit mundësi as për veten tuaj. Më pas e ndihmuat të kalonte tek të afërmit që kishit në Maqedoni e më në fund shkoi në Austri ku mori azil ia kujtoi mirësinë Hashimi, syzet e zeza të të cilit reflektonin thyerje hijesh.

-E kemi për nder të ndihmojmë sado pak kur është nevoja, - reagoi Sherifi.

Kur Ismaili punonte inxhinier në uzinën metalurgjike të Gorazhdes, punëtorët serbë e tradhtuan, e rrëmbyen por me shkathtësi iku prej tyre. Ai vjen këtu në shtëpi, merr Ajshen dhe dy fëmijët, Amren dhe Amirin dhe ju i strehuat ilegalisht në Ferizaj. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë të mirë, as fëmijët tanë brez pas brezi.

-Ne ishim afër luftës, - tha Sherifi, kurse tek ju lufta kishte filluar.

Njeriu nuk e beson të vërtetën pa e provuar, por nuk vonoi dhe lufta erdhi edhe tek ne pas aq shumë provokimeve nga shovinistët serbë. Gjithçka mori flakë dhe nuk na mbeti tjetër, o të marrim armët e të mbrohemi ose të largojmë përkohësisht familjet.

Ju e kishit më të lehtë, sepse kishit Nënën afër, kurse ne boshnjakët nuk kishim askënd. Një nënë sado e lodhur, është nënë thoshte, duke e luajtur kokën Hashimi i lodhur nga pesha e viteve.
 
Ndërsa fliste ai lëmonte me mollëzat e gishtave librin e tij sikur të ishte deshifrim shkrimi në tastierë. Kjo të linte përshtypjen e një njeriu zotëri të kohës i cili peshonte shumë vjet mbi kurrizin e tij.

-Sherif, mos u ngushto, rrini i lirë si në shtëpinë e juaj, tani kjo shtëpi është edhe e juaja, - iu drejtua atij Hysa. -Ju falënderojmë shumë që keni gjetur kohë të na nderoni me ardhjen tuaj.

Ne ju kemi njohur nga larg, por tani erdhi koha të njihemi edhe nga afër. Im atë ka kaluar të nëntëdhjetat por kujtesën e ka shumë të kthjellët dhe dëgjimin, ndoshta, plotësim funksioni mes shqisave. Sytë e lanë tani e dhjetë vjet më parë. E dërguam tek specialistët më të mirë në Sarajevë dhe Lubjanë, por më kot. Të gjithë caktonin diagnozë të njëjtë; mungesa e ujit të duhur në organizëm. Ai pi pak ujë, ka javë që nuk pi dy gota ujë. Lexonte shumë. Libri që mban në prehër i mbeti i papërfunduar para dhjetë vjetëve, kur iu ndërpre shikimi i mbeti përgjysmë. Qysh nga ajo kohë asnjëherë nuk e humbi besimin se nuk do ta përfundonte një ditë së lexuari dhe nuk e largon nga duart. Ai nuk mund të jetojë pa të. Po iu largua e kërkon kudo, e merr e lëmon me mollëzat e gishtërinjve, pret e dëgjon të tjerët. Punë pleqërie.

E kuptoj, duket shumë i kthjellët. Unë këtu jam në shtëpinë time, ia ktheu mysafiri.
 
Eh, Sherif, Sherif filloi plaku. Gjyshi im studioi në Stamboll, aso kohe. Kur hyri në punë më mori dhe mua për studime atje. Dashuria për vendin tim më gërryente dhe s’mund të ndjehesha i qetë. Mbasi mbarova studimet u ktheva këtu para Luftës së Dytë Botërore. Në qytetin tonë Austro-Hungaria kishte ndërtuar rrugë të gjera, biblioteka e fusha sportive. Ishte koha kur kishim liri udhëtimi e punësimi. Në treg kishte çfarë të doje, edhe vaj peshku norvegjez edhe krip Himalaje gjeje. Ahengjet ishin vendtakimet e gjithë njerëzve nga kombet e besimet e ndryshme. Askush nuk të urrente. Biznesi lulëzoi bashkë me kulturën e qytetarëve. E thoshin të parët: Po u prish Stambolli, Sarajeva mund ta ndërtojë, kurse po u prish Sarajeva, askush s’mund ta ndërtonte. Sarajeva ka histori të vjetër. Në shekullin e pesëmbëdhjetë këtu gjetën strehim hebrenjtë e dëbuar nga të krishterët e Spanjës, u bënë fqinjët tanë, ndërtuan sinagogën e tyre të re, aty pranë xhamisë dhe kishës. Sot nuk i gjen askund. Erdhën nazistët dhe i arrestuan, i degdisën në gurorët e Hercegovinës e pastaj në Aushvic. Ne u munduam t’i mbrojmë aq sa mundnim, por ishte e vështirë. Sinagoga u dogj e tëra bashkë me librat e shenjtë të tyre. Arnautët u treguan trima, i morën hebrenjtë në shtëpitë e tyre dhe i mbajtën të fshehur duke rrezikuar jetën e tyre. Vetëm Sherif Kamani strehoi shumë hebrenj dhe librat e tyre të shenjta bashkë me hoxhën i ruajtën në bibliotekën e xhamisë nga asgjësimi. Shumë prej tyre i dërgoi në Shqipëri ndaj shpëtuan pa u hyrë therrë në këmbë. Sherifin e vranë serbët në Luftën e Drenicës i cili nuk donte që Kosova të mbetej nën Jugosllavi. Ai ishte inxhinier biblioteke i shkolluar në universitetin anglez të Stambollit, por kur mbretëria serbe e përjashtoi nga puna ai punoi furrtar. Ishte trim dhe njeri i fjalës. Sarajevasit nuk do ta harrojnë kurrë. Shtëpia e tij me furrën e bukës në Bashçarshi u aneksua nga komunistët, kurse familja e tij humbi pa nam e pa nishan. Pikërisht tani është privatizuar nga një familje e vjetër e bejlerëve të Sarajevës. Është folur, se vajza e tij kishte migruar në Amerikë dhe nuk ishte lajmëruar kurrë më, Gonxhe e quanin. Djali i tij Hasani kishte vuajtur dhjetë vjet burg si bir i armikut të popullit, ballist dhe ishte liruar me dekret të Titos në vitin 1962. Pak vjet më vonë iku jashtë shtetit me emër krejt tjetër për t’i ikur agjentëve të sigurimit jugosllav. E kam me të dëgjuar nga miqtë e mi shqiptarë këtu në Sarajevë të cilët kanë lidhje familjare të vjetra me Sherifin.

Mos e teprova e të lodha me histori të vjetra?!

-Sherif, të kërkoj falje, - tha plaku duke rregulluar syzet e tij mbi gropat e shterura të syve. Ndërkohë dhomën e kaploi aroma e bukës me shije ngacmuese që vinte nga kuzhina në katin përdhes. U duk se qetësia pllakosi çardakun e ndritshëm nga të gjitha anët.

-Jo, përkundrazi, - iu përgjigj Sherifi, u kënaqa duke dëgjuar histori që nuk i kam ditur. Njeriu mëson shumë nga ju. Përvoja jetësore është shkolla më e mirë për njeriun. Ju keni sy e zemër plot dritë që shikon e prek kudo brendësinë e shpirtit të njeriut. Thënia hebreje, se plaku është një bibliotekë në shtëpi, është e nxjerrë nga vetë jeta e paharruar e rrënjëve dhe tokës së shenjtë të tyre.

Sapo përmendi emrin e Sherif Kamanit, atij i shkuan mornica në trup dhe filloi të dridhet i hutuar; jo nuk është e mundur mendoi ai i ngazëllyer. Nuk besonte të ishte e vërtetë që gjyshi i tij kishte qenë aq i njohur në Sarajevë për të cilin kishte ditur vetëm emrin e qytetit dhe vuajtjet nga lufta e fundit nën shënjestrën e raketave dhe snajperëve serbë. Nga brenda vlonte si zjarri. Ai mendoi të ngrihej e të lëvizte brenda mureve të dhomës ose të vraponte drejt Bashçarshisë duke bërtitur si i çmendur: Këtu jam gjysh, këtu në shtëpinë tënde! Jam në kazanin e brumit të bukëve ashtu si dikur para një shekulli! Edhe emrin e kam Sherif, Sherif Kamani!
 
-Më duket se dëshironi diçka Sherif, jeni i lirë ta thoni, - iu drejtua Hysi.

Faleminderit Hysë vëllai, kjo që dëgjova më ngriti në qiell, nuk mund ta kuptoj, askush nuk mund ta besojë.Vetëm energjia e padukshme pozitive e cila lidh njerëz në jetën e tyre, mund të krijojë mrekulli të pakapshme për syrin dhe mendjen tonë.

-E keni fjalën për luftën e fundit, apo diçka më thellë? - pyeti Hysa.

Eh, biri im Sherif, vazhdoi xha Hashimi duke drejtuar fytyrën nga dritaret. Vepra e mirë e njeriut nuk harrohet kurrë, ashtu siç nuk harrohet as e keqja. Vepra jonë do të mbetet vetëm kujtim për brezat e së ardhmes. Bosnja ka emrin dhe rrënjë të thella në Ilirinë e lashtë dhe derisa ne nuk e kuptojmë se jemi të një gjeni, do sorollatemi keq në humbëtirë. Sarajeva është qendër e vuajtjeve të mëdha edhe pse kishte dilema nga më të njohurat në kontinent.

Xha Hashim, kjo që thatë ju është vetë mrekullia, fati im jetësor. Unë kam ditur fare pak për tim atë. Ai më la fare të vogël, kurse për gjyshin tim, emrin e të cilit mbaj, nuk kam ditur fare.

Plaku u vrenjt i habitur me fytyrë drejt Sherifit dhe Hysit.

I rritur larg vendit pa tim et, kam ditur vetëm atë se gjyshi im ka vdekur në luftë dhe është shkolluar në Stamboll. E kam ditur që ka punuar në furrë buke diku në Sarajevë, asgjë më shumë. Halla ime, Gonxhja në Boston ka vdekur para tridhjetë e dy vjetëve. Djali i saj i madh Latifi, ka qenë ushtar lirie në Kosovë në Batalionin Atlantiku. Ky ishte momenti që unë e kuptova se ju po flisnit për Sherifin, gjyshin tim. Ndihem i lumtur, më i lumtur në të gjithë jetën time. Faleminderit për këto rrëfime me vlerë. Tani miqësia jonë u thellua në gjakun vëllazëror e bekuar nga hyjnia lart. Fjalët e Sherifit i zunë në befasi gjithë familjen dhe u duk sikur çardaku ndryshoi ngjyrë bashkë me fjollat e lehta të dëborës që binin mbi pullazet e shtëpive shekullore.

Unë jam nipi i Sherif Kamanit, trashëgoj emrin e tij, dritë pastë.
 
E pamundur! Zot! O, Zot! Sa i mëshirshëm je, lutej Hysa i befasuar.

Sot shtëpia jonë po shkëlqen profeti, u lut Xha Hashimi, duke shtrënguar librin e tij në gjoks sikur të ishte libër i shenjtorëve.

U duk se çdo gjë ndryshoi në çardakun e vjetër qindravjeçar dhe siç duket ishte historia më e çuditshme që po ndodhte në jetën e tij. Tani dukej sikur u rikthye sërish Sherif Kamani në Sarajevën e tij ku kishte lënë shumë shoqëri. Kishte lënë shtëpinë e tij me furrën e njohur në katin e parë ku ushqeheshin sarajevasit pa dallim gjuhe, religjioni, i varfër apo i pasur. Aty pëllumbat ndërtonin foletë e tyre mbi çatinë shekullore dhe askush nuk ua prishte. Gu-guja e tyre jepte shpresë e jetë për ditët e së ardhmes nën diellin e të gjithëve. Ata ktheheshin pas çdo furtune në strehën e vjetër, aty ku jeta nuk shuhet kurrë. Sherifi ushqeu sërish pëllumbat në bardhësinë e vitit.

    380
    0