GJITHÇKA LËVIZ*

Odise Kote

Gjithçka lëviz.

Rrjedhin në gulfa idetë
 
vrullit të lumit.

Nisur drejt pikave të pambërritura,
 
të heshturat zhurma përplasen, grinden, humbin.

E mbërritura e velur rrokulliset në zgrip,
 
jep shpirt.
 
Në vajin e humbjes zien platitja e hirtë.

Çahet si shegë hareja,
 
mëshiron plaga,
 
tokën e shpon dhembja,
 
mbin fara.

Shpleksen premtimet në vegja,
 
sa shpejt hollohen,
 
bëhen të vjetra,
 
rilindin prapë të rejat.

Një grumbull resh papritur bëhet shi,
 
ylberë të gjatë - zinxhir flori,
 
rrathë - rrathë si diell.

Më pas,
 
toka e lagur
 
ngre avuj në qiell.

Çfarë mbetet,
 
çfarë ikën,
 
zëëmbëltit u ngjirën,
 
prej errësirës në natën pus,
 
zbuluam dritën...

Lumi nxiton të derdhet nê det,
 
fryma një shpresë të re e ngjiz.

Gjithçka lëviz ...

*Herakliti : Nuk mund të futesh dy herë në të njëjtin lumë.

BABAZOTI

Babazoti me titull fisnikërie Mjeshtrok,
 
nuk studioi filozofi dhe as e njohu Volterin.
 
I bindej veç Nolit si kryepeshkop,
 
adhuronte si zot, Pitagorën, Arkimedin.

I falej peplumbces, këndores, perëndisë së pjellorisë,
 
qoshes, teoremës, brumit të gurit të zi e të bardhë.
 
Diturisë mjeshtëroke, xhindit të fantazisë,
 
gërqeles së pjekur, bukuranes me ajkë.

Qëndiste lulore me daltë e smiral të hollë,
 
në ura, kroje, pragje e shtëpi me harqe të lartë.
 
Në dritare dielli, prekte hapësirat me dorë,
 
frizitë vezulluese me orakuj drite në ballë.

Gjithë jetën ndërtoi, arkitekt e sevdalli i madh,
 
pranverë – vjeshtë, nga një vend Ballkani në tjetrin.
 
Babazoti njihte veç Nolin kryepeshkop,
 
adhuronte si zot, Pitagorën, Arkimedin.

KUR RROKULLISESH NË BAR

Kur rrokullisesh mbi bar
 
me drojë
 
mos cek frymëmarrjen tënde,
 
a këngën e pilivesave, brumbujve, gjinkallave
 
që ngjitet qiellit,
 
e lëshon
 
ndër kërcej tinguj të hareshëm.

Trembesh sepse je mëmë ndjenjash,
 
qysh në puthjen e parë mëson gjithçka
 
për të cilën ke heshtur...

Kur rrokullisesh mbi bar,
 
dalldiset ajri i luleve, i tokës,
 
kundërmon njomështi,
 
dritë dielli.
 
Sytë
 
liqene të mëdhenj, të jeshiltë,
 
mbushur me lotë të ngrohtë,
 
të trishtë...

Një ylber dyshimi ndehet përherë midis;
 
ëndrrën a mund ta mbërrish?

Kur rrokullisesh mbi bar
 
si mollë e kuqe!

    220
    0