Fatmir Terziu: Këto janë "esencat" ...

Këto janë "esencat" e vërteta që gjenden në pak rrjeshta

Nga Fatmir Terziu

 

Ndonjëherë mjafton vetëm një poezi. Në shumë raste, mjaftohen vetëm pak vargje. Pak të tilla që të udhëtojnë mrekullisht nëpër labirinthe lirike, idiomatike, tipologjike, artistike dhe brenda tyre, brenda një logjike, me shansin semantik që të ikësh e të kërkosh pjesë të ndryshme aestetike, filozofike që metojnë dhe emetojnë me mesazhet e tyre, diksursin e tyre. Kështu ndodh, në fakt jo pak herë, kur lexon poetin Luan Xhuli. Më saktë kur shijon aestetikën e poezisë së tij. E kjo më rindodhi këtë të premte, kur lexova të hënën e tij të pastër, pra poezia e tij „E Hëna e pastër“ ishte sa një shije e ndjeshme, por dhe një vegim i qashtër për atë që ajo mbart, përcjell dhe ndërlidh ndër vete.

Poeti, ndërsa ashtu ndjeshëm hyn në këtë diksurs të gjerë e të bukur të kësaj dite të pastër, me një efikasitet estetik përqas dhe sheston fjalët që të mbartin atë që në rrënjët e saj kjo ditë, kjo e hënë e pastër, kjo e hënë e veçantë, në fakt na jep mjaft të qartë. Në vargun. Etij nuk është thjesht një e hënë e pastër, nuk është as sot, nëse do të ishte thjesht një nga shtatë ditët e javës, që fillojn ëme të hënën, por në to sikurse sot dhe gjithnjë, pra nga fillesa tek infinitja jetike është dita e parë e quajtur në popull „e hëna e pastër“.  Në kalendarin fetar të besimeve të ndryshme ajo quhet dhe dita e Kreshmës së Madhe, por kjo është ndoshta një disimetri tjetër, që mund të trajtohet në anën besimtare. Kjo veçohet, se besimi i E Hëna e pastër“ të Luan Xhulit, nuk është ndonjë rregjistër, këshillim, apo qasje ndjesore se në 40 ditët e ardhshme deri në Javën e Shenjtë, besimtarët janë thirrur të përmbahen jo vetëm nga disa ushqime, por mbi të gjitha në mendimet dhe veprat e tyre, por një disimetri origjinale, „E Hëna e pastër“ është kohë, hapësirë, vend.

Mes të trija postulateve filozofike të lartcituara autori i kësaj poezie kërkon nga dita, por jo thjesht prej saj, atë që një ditë ndoshta mund të jepte më shumë, pra „Sot,/doja të frynte era më shumë se ditët e tjera.“ Në këtë simbolikë, autori kërkon që dita e pastër, e para ditë e javës ta bëjë atë më të lehtë, ta bëjë më të ndjeshëm, e në këtë aspekt natyror të hyjë era, pra ajo dukuri natyrore, pra lëvizja natyrore e perceptueshme e ajrit, veçanërisht në formën e një rryme ajri që fryn nga një drejtim i caktuar. Duke qenë se poeti ka njohuri të jashtëzakonshme, pasi është botuar në disa gjuhë, ai dhe në gjuhën helene, jo pak herë është dhe mbetet madje dhe konkurrues, kërkon në mit dhe në besim, që në këtë ditë “të hënën e pastër”, të shpjegojë kërkesën dhe zhgënjimin pse „era s'fryu fare“ por dhe të ndalet tek kërkesa imediate „Të me merrte me vete balona/si të isha gjethe,/petale luleje/frymë e ngrohtë shpirti/horizont pa anë...“ duke mos shkuar të trazoj thelbin pse në një të hënë të pastër, amvisat lajnë enët nga ushqimet e hareshme, dhe kjo sepse në javët në vijim do të gatuajnë vetëm ushqime pa yndyrë, pa produkte shtazore. E Hëna e pastër hyn kështu në mjaft detaje. Aty emetohet edhe shpirti, po aq sa vetë ekzistenca: „Nuk fryu fare…/.. mbeta si isha;/Një dru e djegur,/mbuluar me shaminë e hirit…“.

Mbulesa e shamisë së hirit është ajo që pikëtakon vetë mesazhin e ekzistencës dhe ikjes, ajo që nënqas diskursin me shtëpinë në këtë ditë, në këtë të hënë të pastër. Shtëpia tek „E Hëna e pastër“ gjithashtu shkon përtej një ekzistence. Ajo nuk përmendet, nuk nënkuptohet, por ekzistenca e një frymori lidhet denjëisht me të, pasi rregulli në një të hënë të pastër nënkupton, se ajo pastrohet dhe e gjithë kjo është një simbol i pastërtisë, mendore dhe fizike, në të cilën duhet të jetojnë besimtarët. Ndryshe ajo merret si një diskurs më vete tek vargjet „Një e Hënë e pastër/njëlloj si ditët e tjera./Gjumi,/lau syt më shpejt se zakonisht/dhe unë,/shijova shplodhjen e një dite pushimi“.

Dhe pas kësaj të hëne të pastër, si dhe në ditët në vijim, të martën, të mërkurën dhe të enjten e javës së parë, lexohet një e katërta e Kanunit të Madh Pensues të Shën Andreas të Kretës. Është oda më e gjatë fetare në liturgjinë ortodokse. Ajo kryhet plotësisht vetëm të mërkurën në mbrëmje të javës së pestë të agjërimit. Përmbajtja është penduese dhe e bën lexuesin ose dëgjuesin të mendojë për më shumë. Kështu e thënë më saktë vetë poeti dhe poezia „E Hëna e pastër“ shkojnë tek esenca. Esenca, sidomos në këtë përshtatje kohore është më shumë se një ide. Një ide që ndërtoj pa sforco një libër, një libër me poezi të tilla ë do ta kishin zili në hershmërinë e tyre kur shkruan për të hënën e bardhë e të pastër Pushkini, Ahmatova, apo dhe vetë Seferis, sidomos ky i fundit kur i këndon „Solsticit veror“, ku „gjithçka kthehet në yje./Prag të ditës më të gjatë.“

Mendoj se do të jetë interesante të lexohen “esenca” të tilla të poetëve që bëjnë emër në ditët e sotme, ashtu të heshtur, por të lexueshëm e të ndjeshëm në mesazhin dhe njohuritë që përcjellin, madje edhe më shumë, të përmblidhen esencialisht në një libër, të mblidhen vargje të ndryshëm e të flasin, sikurse flet poezia e këtij poeti, poetit Luan Xhuli. Individë të tillë do të përsoseshin në rrugën e respektimit poetik, në arritjen e qetësisë më të madhe të krijuar nga shpirti njerëzor. Unë mendoj se dikush do ta marrë atë.

Këto krijime nuk duhet të pranojnë ofertën për të shënuar antologji për antologji, që janë një mënyrë për t'i shpërfytyruar ato në ndonjë tekst. Për fat të mirë  këto pak poezi do të shkaktojnë një ndërthurje për të gjithë krijimin dhe për të gjithë krijimin e duhur poetik, dhe ai që lexon poezi do të vazhdojë ta shkruajë atë. Këto janë „esencat“ e vërteta që gjenden në pak rrjeshta.

    240
    3