Fatmir Terziu: Historia e të papërsëritshmit Nexhmedin Zajmi

Historia e strukur e pikturës së të papërsëritshmit Nexhmedin Zajmi

 

Prof Dr Fatmir Terziu

 

Gjithmonë jam përpjekur të përcaktoj atavizmin e kujtesës sime. A janë këto kujtimet e paraardhësve të mi, të grumbulluara në zinxhirin e gjeneve që shtrënguan ekzistencën kalimtare tokësore? Apo njohuritë tekstuale të historisë, që e kanë zëvendësuar të vërtetën për ngjarjet dhe njerëzit me hamendjet akademike të autoriteteve të titulluara, të vendosura me çdo kusht të provojnë veten përmes interpretimeve të së shkuarës? Dhe ndoshta, është thjesht ndjenja e përkatësisë, ndaj një vendi, një qyteti, një zone, një fshati, një mali, një kodre, një përroi  dhe një lumi që e përqafon për shekuj... Si një brez energjie nëpër të cilin kam notuar deri më sot, një shqipar në trup dhe një rrënjë në shpirt, deri në lakimin e fundit të qenies sime të fortifikuar kam kërkuar të di më shumë, të mbaj shënime, të them atë që duhet për ata që do të duhet të mësojnë për atë që harrohet, për atë që edhe po të duash më nuk ke gjë se çfarë të thuash. Sepse gjërat ndryshojnë, por në thelb e vërteta nuk duhet të ndryshoj. Dhe vetëm nga plagët e thella të gdhendura në gurin e shpirtit tim e ndjej botën. Dhe udhëtimi ndryshon me stinët e bukurisë së tij kalimtare, plaket në përsëritje dhe ndërron jetë i zhytur në kotësi.

Disi në heshtje, përtej fjalëve dhe kohës së kaluar, jeta më krijoi kështu. Tani pyes veten, a është vërtet e mundur të shpjegosh veten se ku ke lindur, mes historisë kaq të fshirë? Aq më keq të dish se ku i ka rrënjët dhe ku nisi fati i dikujt që ka bërë emër të madh në këtë jetë? Them të fshirë se ata që dinin, ata që mbanin mend nga e djeshmja, tashmë kanë një gur mbi varrin e tyre dhe gojët e tyre më nuk flasin. Nuk flitet nga askush tashmë për udhën e shkuar. Dhe në fakt edhe kur flitet, flitet me një dobësi të destinuar në interesa personale, ose të mistershme.

Vite më parë, në fëmijëri, Trebishti i Gollobordës ishte parajsa ime e ëndrrave. Pa ndryshim shkova te shkëmbi lobular dhe u ula në fund, mbi greminë, në kundërshtim të heshtur të frikës që duhej të më mbronte në të tashmen. Mbi kokën time kaluan tufa resh, deri në thellësi të Dibrës së Madhe, të zhytura në pluhur dhe vesë, të vetë-mjaftueshme gjatë ditëve të javës dhe plot admirim shpirtëror. Pas zhurmës së rrufeve të zbrazëta sipër, qielli u bë blu, një kronikë e pashkruar, e lënë pas në scriptoriumin hyjnor, e pakuptueshme për kujtesën e shkurtër njerëzore. U përpoqa ta imagjinoja jetën në këtë kodër para pranisë sime të vetmuar në gurin e një legjende dhe më pas, para syve të mi, një skenë shkëlqeu. Mes dekorit të mureve mesjetare prishja priste ringjalljen.

15 prill 1914. Shkolla e parë shqipe, në një kohë me atë të Peshkopisë hap dyert e saj në Trebisht, në pritje të nxënësve të saj, duke ndriçuar një errësirë të mbarsur nga shumë vite. Në një seri aktivitetesh dhe nga emra që u bënë palë me këtë vendim të bukur u gjallëruat jeta dhe shpresat u shtuan për fatet e një fshati, të një zone, të një popullsie që e kishte ndarë fatin mashkullor me kurbetin dhe me çekiçin e mistrin në duar. Dhe gjërrat ndryshuan. Hapësira bëhet e ngopur me dinamikë, zbrazëtitë e kohës janë të mbushura me fragmente të historisë, përrallave, lëvizjeve, muzikës dhe pamjeve. Ardhja e arsimimit po vërshon me ngjyra. Lozhat e gjelbërta të errëta të pllajave përreth thithin zjarrin e lëngshëm të perëndimit të diellit dhe rrezatojnë natën me bojë të ngrohtë. Yjet në kupolën qiellore shkruajnë një autograf argjendi. Fillon skena e epokave. Ajo ndërthur të sajin dhe të huajin në një harmoni titujsh kaleidoskopike që e dërgojnë ndjekësin në bëmat e përgjakshme të zjarrvënësit pushtues, e djegin në pasionet e atyre që synonin eleminimin, ose e bëjnë më të mençur në vitalitetin triumfues të fqinjit grabitqar. Dhe pikërisht në dygjuhësinë e keqkuptimit njerëzor, njerëzit, të ndarë nga rrënimi i ndërsjellë, ndizen për njëri-tjetrin... Kalaja e Gradishtës dëgjon. Njerëzit dhe rrënojat, të lashta dhe të tashme u binden zërave të pabesueshëm që e kanë shtrembëruar hapësirën në një membranë vibruese, depërtuese shpirtërore. Përtej hollësisë së jashtëzakonshme të tingullit, shpirtrat e lodhur nga kujdesi harrojnë papërsosmëritë e qenies. A e dini se sa kushton për të shpëtuar nga grackat e prakticitetit dhe harresës së rrënjëve? Një natë në Trebisht, nën harkun e qiellit të fronit të vjetër, i ndriçuar nga një fjalë e kënduar njerëzore të bën të rihapësh mjaft shënime. Shënime dhe zgjime!

Muret e kodrave përrteh mbyllin dyert e tyre të rënda dhe në orën një pas mesnate shpërthen daullja që lajmëron nga fqinji se është kohë agjërimi. Besimtarët nuk mund të shkëputen nga ndjesia e besimit dhe adhurimit, dhe kështu ky zgjim i largët i sfumon ditët dhe vitet pa besimin fetar. Emocioni nxit një rrëmbim gjithëpërfshirës. Historia derdhet me ngjyra të përgjakshme mbi sfond, kullon mbi pamjet gri dhe me ngjyrë hiri shuhet në këmbët e vjetra të Gradishtës. Përmes leximit të shënimeve i mbetur pa gjumë bëhem i vetëdijshëm për fenomenin Trebisht. Ky fashat është një krijesë e fryrjes dhe zhvillimit. Në të, jeta dhe vdekja nënkuptojnë të njëjtën gjë. Valët e epokave të kaluara e kanë ngurtësuar atë në kodrat përreth dhe e kanë shkrirë hijeshinë e tij të padurueshme me shpirtin jetim, përgjithmonë. Por kalaja e vjetër, udhëstrukturimi i vjetër nuk është vetëm një bukuri e dukshme. E heshtur, e zhytur në hesikat e kohës, ajo e fsheh shpirtëroren e saj të mbijetuar në rrëfenja e biseda, si dhe në memorjen tronditëse të Sahit Terziut, nga ku edhe sot ato që ai i kishte në mendje e në zemër  na shikojnë me sy të mprehtë e njerëzor për të na udhëtuar në të djeshmen, në të sotmen e për të na ristrukturuar fatin për të ardhmen. Sahit Terziu ishte një magazinë më vete. Dhe ai dinte, mbante mend dhe tregonte... Të tjerat, Rrustem Terziu i plotësonte, at në verandën e shtëpisë së tij dykatëshe në Lagjen e Re në Elbasan. Kësaj here ishte në thelb rrjedha, rrënja, fati dhe udha e të Madhit Nexhmedin Zajmi.

***

Në vitin 1932 në shkollën teknike të Tiranës së asaj kohe, edhe pse ishte në degën bujqësore, Nexhmedin Zajmi, realizon një portret të një shoku të klasës së tij. Portreti si fillim nisi thjesht nga pasioni. Pasioni që ushqehej nga talenti brenda tij. E kështu, të treja bashkë, padashje zbuluan një histori që pikëtakonte fillesën e një jetë të re për piktorin e ardhshëm shqiptar… Portreti u bë me dëshirat dhe dashurinë e padukshme të Zajmit. Më tej duhet shpjeguar, se as vetë Zajmi, dhe as vetë personi, që ishte në atë portret nuk e kishin menduar se një ditë do të bëheshin pikërisht protagonistët e një memorjeje të gjatë në vite, në kohë, e mjaft të rrëndësishme për ta mësuar edhe sot.

Pavarësisht gjendjes së tij shpirtërore të lënduar që në fëmijëri, kur Nexhmedin Zajmit i kishte ndërruar jetë babai i tij në fshatin Trebisht të Gollobordës, që kur ai ishte vetëm 6 muajsh dhe kur ai ishte vetëm dhjetë vjeç i ndërroi jetë edhe e ëma nga një sëmundje e rrëndë, ai kishte gjetur ngrohtësinë e gjyshes së tij që ta mbante aq afër sa të mos e ndjente këtë dhimbje të madhe. Madje në një ditë të shënuar, aty nën manin e vjetër, që ndodhej anës shtëpisë, dhe poshtë gështenjave të mëdha që ndanin oborret me Ali Idriz Ahmetin, ndoshta do t'i tregonte gjyshja e tij e dashur, duke e përkëdhelur si gjithnjë se kishte parë një ëndërr, ku ai po pikturonte Zotin, dhe gjithë Hyjnoren që sillej rreth tij. Gjyshja, sipas rrëfimeve të kushëririt të babait tim, Rrustem Terziu, që e kishte shumë të afër Zajmin, dhe që të dy kishin pothuajse fatin e njëjtë afërsisht të fëmijës jetim, i kishte treguar se në ëndërr ishte shtuar, se ai duhet të shkojë të vazhdoj një shkollë për piktura. Në një mëngjes Gjyshja e thërret dhe i tregon ëndrrën. Por i shprehet: „Dëgjo bir, do të bëj çmos të bëj realitet këtë ëndërr, por dua që të më bësh pastaj ti një portret të bukur!“ Djaloshi, Zajmi, vetëm kishte tundur kokën dhe kishte buzëqeshur…

Imagjinojeni situatën e atëhershme. Po, jo më tej dhe fatin e një jetimi, që rritej nga duart e gjyshes. Sidoqoftë ëndrrat e asaj kohe ndoshta besoheshin më shumë, dhe gjyshes së tij, i ishte bërë fiksim, aq sa të thoshte: „Mos më jepni bukë, nuk dua asgjë, kurseni ato para që Nexhmedini të realizojë ëndrrën që pashë për të!“ Kaq ishte dashur. Dhe ëndrra, po edhe këmbëngulja e gjyshes së tij bënë që të kthehej në një bast. Basti ishte me disa të tjerë, familjarë dhe të afërm, por dhe me vetë gjyshen, që në këtë bast kishte hedhur dy monedhat prej floriri, që ia kishin dhënë kur ishte martuar. I kishte hequr nga gjoksi i saj ku vareshin për vite me radhë dhe kështu ajo fitoi bastin, dhe pothuajse realizoi edhe ëndrrën.

Ëndrra si fillim e ktheu nga rruga e studimeve bujqësore në degën e dekoracionit, ku studionin piktorët Andrea Mano, Ibrahim Kodra, Gaqo Kollumbi, Qamil Grezda, Kel Kodheli, Sabri Tuçi. Më pas ëndrra e gjyshes shkon më tej kur ai regjistrohet në shkollën e vizatimit në Tiranë, më 1938.

Nexhmedin Zajmi, në një ditë të bukur u nis për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Dhe kështu periudha kur fashzmi kishte mësyrë britalisht në Shqipëri duke e pushtuar vendlindjen e tij, Nexhmedin Zajmi ishte student i i mjeshtrit Carlo Siviero. Që nga viti 1939-1944, Zajmi realizon disa tablo që janë edhe veprat e para të tij, ku mund të veçohen ajo e “Punëtorit të vogël”, “Pamje nga fusha e Romës”, “Brendija”. Pasi kryen studimet dhe mbrojtjen e diplomës, Zajmi kthehet në Shqipëri e bashkë me një grup piktorësh e artistësh që u diplomuan në akademitë jashtë vendit, janë mësuesit e parë të brezit më të ri të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve shqiptarë. Kur artisti i ri u kthye në Atdhe më 1944 emërohet pedagog në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë (1945) dhe një vit më pas në Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Në vitin 1955, ai punon si Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe më pas rikthehet në Liceun Artistik si pedagog, ku jep mësim deri në vitin 1963. Po në këtë vit emërohet pedagog në atelienë e pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (ish-I.L.A), ku punoi deri në vitin 1969.

Veprimtaria artistike e piktorit Nexhmedin Zajmi është e gjerë dhe e larmishme. Ai nga viti 1945 ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të hapura në Tiranë. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrës edhe në ekspozita e konkurime ndërkombëtare ku përfaqësohej Shqipëria si Bienalet e Aleksandrisë, të Bukureshtit, në Sofje, në Vjenë, Petërburg, Kroaci, etj.

Ai ka realizuar tablo me temë historike, peisazhe dhe portrete. Zajmi është një ndër përfaqësuesit më kryesorë të pikturës së asaj kohe në Shqipëri. Arti i Zajmit shquhet në veçanti për ngjyra, pikturat e tij kanë forcë të madhe e të thellë në aspektin psikologjik, dhe shumë përfshirëse në tipa e karaktere.   Për krijimin e veprave me cilësi të lartë artistike e historike, për kontributin e madh në edukimin e brezave të artistëve shqiptarë e në zhvillimin e arteve figurative në Shqipëri, piktori Nexhmedin Zajmi është vlerësuar me titujt e lartë “Artist i Merituar” dhe “Artist i Popullit. Ai është gjithashtu fitues i “ Çmimit të Republikës” dhe është dekoruar me mjaft urdhëra të tjerë.

Nexhmedin Zajmi është nderuar me disa çmime në konkurset e ndryshme Kombëtare të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe është laureant i disa çmimeve të Republikës. Në vitin 1961 i jepet titulli “Piktor i Popullit”. Në aktivitetin artistik rreth 40 -vjeçar, piktori Nexhmedin Zajmi është pjesëmarrës në 27 ekspozita kombëtare. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhen 72 vepra të piktorit Zajmi, ndër të cilat edhe 2 tablotë e realizuara gjatë viteve ’40 në Itali.

Kushëriri im më pati treguar se pasi ai u kthye në Atdhe, familjarë e të afërm organizuan një drekë festive në Tiranë. Pas shumë të qeshurash dhe këngësh, Nexhmedin Zajmi, ngriti një dolli për gjyshen e tij të dashur dhe tha: “Tani, gjyshja ime e dashur, është radha ime për të treguar se e kam mbajtur ëndrrën tënde në zemër. Mund të të them se jam tashmë në gjendje që të realizoj atë kërkesë për ty”.

Të gjithë iu drejtuan me sy e me vëmendje Gjyshes së Nexhmedinit, që për të sikurse dihej kishte qenë nënë e kaluar nënës. Lotët që rridhnin në fytyrën e saj të zbehtë, flisnin shumë, sa nga lodhja, aq dhe nga sëmundja. Ai qau bashkë me të. Duke fshirë lotët në sytë e tij, Gjyshja pa fytyrat e më të dashurve të saj rreth tavolinës dhe mërmëriti butësisht: „Tashmë më lërë të udhëtoj e qetë. E di që do të mërzitesh, do të vuash më shumë nga të gjithë, por dije se …”.

Që atëherë kanë kaluar mjaft vite. Nexhmedin Zajmi udhëtoi gjatë nëpër Atdhe. Kërkoi mjaft gjyshe që të ngjanin sadopak me të, me nënën, dashurinë e zemrës së tij fëminore, me gjyshen e tij të bukur e të mençur për të rikthyer ëndrrën e gjatë e të madhërishme që e bëri atë piktor. E kështu në vitin 1955-të ai realizoi pikturën „Grua nga Dardha“ (Nexhmedin Zajmi, 1955), ndoshta larg vendlindjes së tij, por me një ngjashmëri në gjeografi, në bardhësi-bore, në ngjyrime veshjesh, në shumë anë të tjera, me të cilat mesazhi ishte i qartë se gjyshet janë të njëta, janë të drejta dhe janë të shenjta. Askush nuk mund të thoshte më tashmë, nga ata që e dinin dhe e mbanin të strukur thellë në memorje, se rrjedha ishte pikërisht plotësimi i një ëndrre. Sikurse shihet dhe dihet tek ajo krijesë madhështore, natyrshëm duart mbeten tek shtiza që punon ndoshta ëndrrën që ka nëna tek fëmija, por dhe sytë që qasin mjeshtërisht se aty janë edhe nëna, edhe gjyshja, pra të dyja. Nexhmedin Zajmi, ai artist i Madh, ai talent me mjaft enigma të brendshme, kurë nuk foli për këtë në publik. Nuk mund të flisnin as ato skicime të fëmijërisë së tij që i kishte bërë nëpër dyer dhe mure, pasi shtëpia e tij u dogj tre herë sikurse u dogjën mjaft nga shtëpirtë e Trebishtit në vite të vështira pushtimesh dhe luftërash.

Sakaq shumë shënime tashmë janë ëndrra që zgjohen e treten tek piktura, e cila natyrshëm flet në llojin e vetë, flet dhe rrëfen, dhe vetëm profesionistët e kuptojnë se çfarë mesazhi ajo mbart për historinë. Historia e strukur e pikturës së të papërsëritshmit Nexhmedin Zajmi është një tjetër kënd që ndërlidh memorjet e strukura dhe faktet e një Njeriu, që mbajti fatin e tij me penelin e talentit të tij, që ia dhuroi Zoti, pas shumë e shumë vuajtjeve në jetë e sipër.

Rrënja e vërtetë e tij, e asaj që e ngjizi që në fëmijëri, ruhet atje, në sfondet e mëdha të kohës së vjetër në muret e e gërmadhat e tyre, në shkëlqimin ranor të kolonave unike, nën harqet e mureve prej guri, që diku ende flasin e diku mbajnë psherëtima dhe dihatje rrëfenjash. Nuk ka vend tjetër të tillë në Shqipëri. Trebishti i krijuar nga ustallarët vendas dhe gjenial, autodidakt, pavarësisht mungesës së mjaft dëshmive të kohërave, pavarësisht konfliktit të gjuhëve dhe distancave, pavarësisht logjikës së thjeshtë globale, duhet zbardhur në të gjitha lidhjet dhe nyjet e së shkuarës me të sotmen dhe për të ardhmen, se është absurde të mbetet një ishull i izoluar në trup, por të mbetet një dritë në shpirt, një botë e vjetër froni, duke i larguar dhimbjet e krijuara me një mijë gjemba të pashërueshme! Unë, me hir të Zotit, mërgimtari i paplotësuar në mallin e ëndrrave, shkrova...dhe mbeta tek ëndrra. Ëndrra që zgjohen e treten tek shënimet që u bënë piktura mesazhesh.

    610
    1