DESHA TË DI

CIKËL ME POEZI
 

1. DESHA TË DI

Desha të di
 
A mos vallë koha është
 
Ajo lejlaja e ëmbël që bie diellit
 
Si petale të vesuara jasemini...

Apo ato retë e holla
 
Që i preu përmes një helikopter i kuq
 
Dhe dy dallëndyshe të fundit
 
Harkuar qiellit si dy vijëza...

Për pak
 
Më mori frymën një manjolë
 
Tek shkundi petalet nën erë,
 
Më thuaj të lutem:
 
Mos vallë
 
Kjo është koha?

Një burrë
 
Me një buqetë trëndafilash,
 
Shtrënguar me kaq përkujdesje.
 
Një grua flakëbardhë
 
Tek përkëdhel qenin si bir;
 
Thua,
 
Kjo të jetë koha?

Apo jeta,
 
Që rrjedh në gishtat e mi
 
Malli që pikon zemrën time
 
Rrahjet ritmike dhe fryma
 
Dashuria që më flet
 
Fshehtë...

Desha ta di,
 
Kjo është koha??

2. ËSHTË RIVIERA

Është ëndërr që shkon
 
Është Riviera!...

Duke kaluar adhuroj
 
I përulem secilës shtëpi të rrënuar
 
Të braktisur,
 
Çdo peme të tharë...

Harroj detin, qiellin
 
Harroj veten kredhur
 
Në ujin që fundin tregon...

Pastaj qesh me vete,
 
Më kujtohet
 
Se si dëshiroja të vallëzoja
 
Buzë detit
 
Me një burrë të panjohur,
 
Por nuk ndodhi...

Siç u rrënuan këto shtëpi,
 
Si u dogjën këto pemë,
 
Nga ndezja e pyjeve
 
Pa e ditur si
 
Pa u turpëruar, pse?!

Është riviera
 
Që më josh duke e parë
 
Të ikë prej syve të mi
 
Këtë të dielë vjeshte,
 
Si ëndërr...

3. VJESHTËS I FLAS

Po kthehem,
 
Zogjtë e vjeshtës
 
Më lanë ca pendë të lehta
 
Të vishem me fluturimet e tyre
 
Harenë t'ia rikthej shpirtit
 
Buzëqeshje syve...

Po kthehem,
 
Pemët e vjeshtës
 
Rrëzuan ca gjethe të verdha
 
Supeve nuk ndjeva më peshën e fajit
 
Sepse faji nuk ekziston,
 
E keni sajuar ju njerëzit;
 
Më thanë...

Po kthehem,
 
Puth dallgën e kripur
 
E lejoj të më lëmojë faqen
 
Të më përkëdhelë lëkurën,
 
Si një "më fal", e burrit që dëshiron
 
Me zjarrin që djeg pyje....

Po kthehem,
 
Rruga shkurtohet pa u ndjerë
 
Mendimet lëmohen si shkëmbi
 
Buzë detit,
 
Në lojën mijëvjeçare
 
Me valëzat ledhatare
 
Plot gënjeshtra të bardha...

Po kthehem
 
Po kthehem dashuri...

4. VETËM

I kishin marrë
 
Të gjitha lulet, rrezet
 
Edhe zogjtë i kishin ndaluar
 
Të lodronin në hapësirat
 
E ëndrrave të fëmijës
 
Që ende beson
 
Brenda trupit
 
Të rritur...

Me mbeti jeta
 
Pa poezinë që më thurte
 
Çdo ditë secili moment
 
Me ndjesi të fshehta
 
Nga gjithë bota....

Mbeta bosh,
 
Pa vend në të mirët
 
Të pagabueshmit
 
Përjashtuar isha:

U ula mbi gabimet e mia
 
Dhe u ndjeva
 
E vërtetë
 
E bukur
 
Si natyra!

5. FLUTURA DHE ZJARRI

Po luante me zjarrin
 
Trazuar krenie e inati të marrë
 
Kërkonte të shuante dhimbjen në flakë
 
Shkrumb e bëri nje ëndërr të bardhë...

Ish vetëm një flutur
 
Kish lindur e lirë, vinte nga pyjet
 
Ish betuar se do ta donte
 
gjersa të plaken yjet...

    240
    0