Basha takon demokratët në Londër

Basha takon demokratët në Londër

Fatmir Terziu

Z. Lulzim Basha u takua të dielën e 12 Nëntorit 2023 në një sallë leksionesh të Universitetit Regent në Londër, që ndodhet në brendësi të parkut me të njëjtin emër, në afërsi të stacionit „Baker Street“ dhe që njihet nga vizitorët nga Madame Tussauds, si muzeu i dyllit i themeluar në 1835 nga skulptorja franceze e dyllit Marie Tussaud në Londër, duke krijuar muze të ngjashëm në qytetet e mëdha anembanë botës. Ndërsa dikur shkruhej si "Madame Tussaud's", apostrofi nuk përdoret më. Por kjo është vetëm ana gjeografike e takimit, që shtohet nga emri i vendit të takimit, pra „Regent's University London“, i cili është një universitet privat i vendosur në Londër, Angli. Është pjesë e Galileo Global Education, ofruesi më i madh i arsimit të lartë në Evropë. „Regent's University London“ u krijua në 1984 si Regent's College. Ai mori kompetencat e dhënies së diplomës në vitin 2012 dhe u bë universitet në 2013, pikërisht që nga ajo kohë ai ka pritur në mjediset e tij disa politikanë shqiptarë, ambasadorë në ikje e ardhje të misionit të tyre diplomatik, po aq dhe vetë Bashën në dy takime të tij.

Ndërsa takimi i parë i z. Basha, sigurisht në kohën që PD e Shqipërisë ishte jo në kushtet e sotme, e ndarë në dy pjesë, a më shumë, u bë në një sallë të madhe leksionesh dhe kishte një prezencë të madhe, takimi i 12 Nëntorit 2023 ishte ndryshe. Më i vogël, por më i qartë në pjesëmarrje. Me ftesa nga organizatorët, dhe natyrisht edhe pse filloi gati me një orë vonesë nga koha e përcaktuar, kishte disi përkujdesje dhe pozitivitet. Sidoqoftë takimi kishte kuriozitetin e tij. Të pranishmit ishin në pritje. Salla u mbush, dhe herë pas here thuhej se ka edhe të tjerë që po vijnë, madje nga të katër anët e Britanisë së Madhe, por rruga, kushtet dhe transporti kishin bërë të vetën. Sidoqoftë prezenca e sallës priste. Priste që z. Basha të shkonte mes fjalës tek tematika e ditës, e cila ishte e paralajmëruar në ftesë: „Partia Demokratike e Shqipërisë ka kënaqësinë t'ju ftojë të merrni pjesë në aktivitetin që do të mbahet në Londër me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha, mbi propozimet e PDSH-së për "Reformën Zgjedhore dhe Votën e Diasporës".“ Ftesa delegohej nga „Kabineti, Partia Demokratike e Shqipërisë“.

Takimi e hapi z. Naim Hasani. Pastaj fjalën ia dha z. Lulzim Basha. Sikurse pritej z. Basha që në fillim tregoi ardhjen e tij në MB, të cilën e quajti zyrtare, ku më parë kishte takuar së bashku me shoqëruesin e tij z. Xhemal Gjunkshi, me Lordin David Richards. Takimi ishte pas vizitës që përkonte me një takim zyrtar në kuadër të një konference për „Cybersecurity“. Më parë se të fliste për tematikën e takimit z. Basha foli dhe prezantoi takimin në fjalë.

Ai shtoi se ishte „Kënaqësi të takoja në Londër, Lordin David Richards së bashku me sekretarin për Sigurinë Kombëtare dhe koordinimin Euro-Atlantik në PD, Xhemal Gjunkshin. Gjatë takimit diskutuam për një sërë sfidash me të cilat po përballet Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe komuniteti Euro-Atlantik sot. U ndalëm tek përpjekjet e SPAK-ut, në luftën kundër korrupsionit dhe domosdoshmërinë për të çuar përpara drejtësisë këdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve. E informova mbi propozimin tonë të depozituar tashmë në parlament për vetting-un e politikanëve, një nismë që synon të largojë nga politika politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.“

Më tej z. Basha, tha se „Diskutuam për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe sfidat aktuale pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, përpjekjet e vazhdueshme për ndarjen dhe destabilizimin e Bosnje Hercegovinës nga Dodic dhe koalicioni i ri qeverisës në Malin e Zi, ku në përbërje të saj janë persona të njohur për qëndrimet e tyre destruktive dhe lidhjet me Moskën. Theksova domosdoshmërinë, që Kosova të nisë sa më parë procesin e anëtarsimit në NATO dhe në funksion të paqes së qëndrueshme në rajon, hapjen e këtij procesi përmes heqjes së pengesave nga 4 vendet anëtare që akoma nuk e kanë formalizuar njohjen e saj. U ndalëm edhe te agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat që ka shkaktuar ai. Lordi Richards mirëpriti avancimin e rezolutës mbi Mbështjen e Rindërtimin të Ukrainës, në Këshillin e Europës. E falenderova Lordin Richards për kontributin që Britania e Madhe ka dhënë për Shqipërinë në momente të rëndësishme për vendin. Partia Demokratike duke e konsideruar Britaninë e Madhe një aleat strategjik, është e angazhuar që me miqtë e saj në këtë vend, të kontribuojë për avancimin e të drejtave të shqiptare kudo ku ata jetojnë.“

Në vazhdim të bisedës së lirë, z. Basha u ndal në mendimet dhe opsionet e tij në lidhje me votën e Diasporës shqiptare, argumenta e tij të bazuara në mendime efikase për votimin e emigrantëve shqiptarë, sidomos të atyre që kanë probleme me qasjen e shtetësisë e të tjera të ngjashme. Z. Basha tha se „PD qëndron për garantimin e votës së emigrantëve.“ Ai tha se „Ne besojmë se emigrantët duhet të kenë të drejtën e tyre për të votuar në një proces normal të reformës zgjedhore. Kjo për mua ishte një nga pikat e panegociueshme, garantimi i votës së emigrantëve. Ne do bëjmë gjithçka brenda mundësive për ti garantuar shqiptarëve lirinë e votës. Atë që kemi mundësi ne do ta bëjmë. Por ka edhe një palë tjetër që mendon se ka edhe gurin dhe arrën. Ata kanë në dorë ti hapin procesit politik rrugë, i cili do ti mundësojë shqiptarëve votë të lirë, ose përndryshe opozita bashkë me shqiptarët do të bëjnë atë që bën çdo komb i civilizuar kur i merret e drejta e votës“.

Z. Basha në bisedën e tij shtroi fuqishëm dhe ripërsëriti se „vota e emigrantëve është një nga pikat e panegociueshme të Partisë Demokratike“. Mes kësaj z. Basha bëri të qartë projektin që kishte depozituar të premten në Kuvendin e Shqipërisë, dhe madje shtoi se kishte marë parasysh tërësinë e problematikës, atë që natyrshëm çdokush e shpreson me realizimin e një votimi të lirë, të pastër e të sinqertë, për të përcaktuar fatet e së ardhmes. Fjala e z Basha u dëgjua me vëmendje dhe hera-herës u duartrokit nga të pranishmit. Më pas takimi vazhdoi me pyetje. Epërgjigje sipas interesave dhe mendimve të të pranishmëve në sallë.

Nga e para që e mori fjalën, juristja, Mimoza Caca deri tek i fundit z. Halil Kabashi, biznesmen, pytejet variuan dhe interesi ishte në përgjigjet që jepte z. Basha. Në fakt kësaj radhe, ndryshe nga sa kemi dëgjuar hera të tjera, apo dhe në ekranet televizive, fjala dhe përgjigjet nga ana e podiumit ishin më të buta, me një buzëqeshje që njihet në staturën e z. Basha dhe thuajse ishin përjashtuese të një debati që mund të ndryshonte rrjedhën e takimit. Sidoqoftë takimi kishte vlerën etij. Kishte një organizim të mirë. Natyrisht e gjitha i takonte z. Naim Hasani, që në prezencë u prezantua nga z. Basha, si Kryetar i degës së PD-së në Londër.

Një ogur tjetër ishte dhe vëmendja e menjëhershme e vetë Bashës në momentin që ai fliste, për rrëshqitjen aksidentale të njërit prej dy Flamurëve të PD-së të ngjitur me plastelinë blu në murin pas shpinës së treshes së podiumit dhe përballë të pranishmëve të sallës. Njëri nga të pranishmit që ndodhej afër meje më pëshpëriti duke më thënë, „mbase Zoti vetë e bëri këtë dhuratë me shpresë se mjafton të ketë vetëm një Flamur, ndoshta vetëm një PD. Këtë duan demokratët, këtë duan të gjithë“.

    160
    0