|
Përtej ikjes së legjendave
Fatmir Terziu
Legjenda e kinemasë britanike të tipit ‘slapstick’ u nda fizikisht nga jeta. Sir Norman Wisdom, që e lidhi emrin dhe talentin e tij me filmin ishte dhe mbeti një emër që lidhi simbolikisht edhe shqiptarët. I mbetur në kujtesën shqiptare si aktor me epitetin e filmave të tij “Pitkini”, por edhe me një tjetër semiotikë si “Push Pitkin”, ai do të mbetet përherë në kujtesën njerëzore. “Pitkini” erdhi për shqiptarët në kohë tjetër, kur ata u lejuan të ndiqnin filmat e tij. Ndërsa “Push Pitkin” u mishërua në vitet e Demokracisë, kur ai vizitoi disa herë Shqipërinë. Me stilin e tij tipik përgjatë bulevardit të Tiranës, ai do të linte mes kamerave jo vetëm imazhin e tij të gjallë, por edhe togfjalëshin e humorizuar. Fjala e tij dhe ajo e dalë nga goja e një vajze bukuroshe, me lojën e një karroce improvizuese invalide diktonte: “Push Pitkin” (Shtyje Pitkin”).
Por, madhësia e figurës së tij u pa atëherë kur ai erdhi në një kohë me Kombëtaren angleze të Futbollit, kur mediat shkruan qartë se “Sir Norman Wisdom, është hero i shqiptarëve, ... më i madh se Bekami (Bekami ishte në kohën e lulëzimit të tij dhe kishte miliona fansa të tij nëpër botë). Por kjo ishte vetëm prekja fizike me shqiptarët. Ai vetë në librin “My Turn” në kapitullin e njëzetë e dy shkruan gjatë për shfaqjen e tij mes 52 mijë fansave të futbollit, në një kohë që David Bekami gati ishte harruar në stadium, falë prezencës së tij... Ky ishte viti 2000. Vizita e tij ishte pesë vjet më vonë, pas atij zbarkimi në Janarin e vitit 1995, kur ai u pa ndjeshëm në zyrën e Presidentit Berisha. Këtë takim Wisdom në libër e cilëson si një rast i gjallë e i prekshëm, i vendit që pëlqeu vite me rradhë luftën e tij karakteriale me zotin Grimsdale, një karakter oponent në filmat e tij. Ai kujton me zell Presidentin Berisha dhe Ministrin e Kulturës së asaj kohe, Teodor Laço, por më me përmallim dekoratën e akorduar në Shqipëri, të dytën fill pas të madhes dhe humanes, Nënë Tereza.
Prekja tjetër u përkiste viteve gjashtëdhjetë e më pas kur serialët e shumtë të tipit slapstick sollën me lejen e Partisë së Punës, ‘heroin proletar’, role që ai gjithmonë luante si fitimtar në ‘luftën’ me borgjezinë. Pra Pitkini fitimtar që i duhej poltikës së asaj kohe krijoi një dritare në propagandën partiake për të bërë ngjizjen me legjendën e kinemasë britanike, që në të njëtën kohë ishte i ndjekur falë roleve të tij, talentit të tij, nga miliona në Iran, Kinë dhe Bashkimin Sovjetik. Aktori më i ndjekur i Luftës së Ftohtë, tashmë ka një emër tjetër mes gjithë rrugëtimit të tij..., emrin e Mirrënjohjes dhe Lamtumirës.
Lamtumirë Pitkin!
Legjenda e komedisë
Aktori veteran, mbetet një legjendë e komedisë slapstick. Në një farë mënyre këtë e vërtetojnë, jo vetëm rolet e tij, por edhe vlerat që ai i ka lënë kësaj shkolle të filmit në Botë. Norman Wisdom është i përfshirë në më shumë se 300 libra studimorë, në gati gjithë revistat dhe publikimet e viteve 60-70, por edhe në mijëra artikuj në Britani të Madhe, SHBA dhe në gjithë Globin. Roli që ai luante me veshjen tradicionale me kapele beze dhe xhaketë që ishte shumë e vogël për të, u bë shumë i dashur për publikun. Në mendjen e tifozëve kanë mbetur rastet kur ai binte në puseta, bllokohej në dyert që silleshin apo kur rrëzonte tabakatë me pjata. Në Facebbok, një faqe e ngitur për vdekjen e tij, u stërmbush nga fansat e shumtë. Agjenti i tij Johnny Mans, që ka qenë gjithmonë pranë tij është shprehur se ai edhe pse ishte “gjithmonë një djalë pak i keq” kishte një vlerë që buronte pareshtur nga zemra e tij. 32 paraqitjet filmike televizive dhe 19 filmat e tjerë janë një arritje e paërsëritshme e këtij aktori të Madh. Filmat e tij e bënë çuditërisht një institucion kombëtar në Shqipëri, ku filmat e tij kanë qenë filmat e vetëm perëndimor të shfaqurr gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Ai e la në hije me këtë edhe famën e David Beckham, kur ai vizitoi stadiumin shqiptar ku Angli luajti me Shqipërinë në vitin 2000. Pjesë e karrierës së tij kanë qenë edhe albume me këngë, mes të cilave një këngë kushtuar Shqipërisë me titull "Big in Albania" (I madh në Shqipëri).
Lidhja me studimin tim
Kur ndërmora studimin tim “Parametrat Narrativë në filmat e Norman Wisdomit” nuk e kisha parasysh ‘hezitimin’ e Profesorëve udhëheqës, por një arsye më shumë në lidhjen e kësaj figure me vendin tim të dashur, që për shumë bashkëatdhetarë, kishte qenë prezenca e tij në figurimin mes bezeve të bardha nëpër mure të improvizuara kinemash anembanë Shqipërisë. Ai lloj “Pitkini”, i dashuruar me shumë nga moshatarët mij më bëri që të shkruaja e studioja karrierën, jetën dhe veprën e tij, duke u bërë kështu shqiptari i parë i rangut akademik të ndërmerrja studimin për ‘heroin’ e shqiptarëve. Kur studimi im u referua nga botimi Oksfordit, “Global Art Cinema: New Theories and Histories” të autorëve akademikë Rosalind Galt, Karl Schoonover, vertët ndjeva një kënaqësi të veçantë, më të veçantën se sa kur studimi im u vlerësua më nivelin superior. Ndoshta ky studim ishte ai që më dha më shumë forca në vazhdimin e doktoraturës sime.
Lidhja me figurën e Sir Norman Wisdom u bë me mirënjohjen e thellë të studiuesit britanik, Richard Dacre. Dacre, duke qenë botuesi i parë i Norman Wisdomit më krijoi lidhjet e duhura me të dhe me tërë aktivitetin e tij. Por, studimi im i mbështetur në teorinë e Bordwell, natyrshëm i ndjeshëm në Britani dhe në SHBA, bëri që të shihej më tej aspekti detajues dhe rishtrimi i vlerave që lidhen me tërë gjeometrinë e kameras, dhe me lëvizjen konfigurative. Në këtë lidhje Sir Norman Wisdom, më krijoi një rast tjetër të diktoja aspekte të studimit dhe njohurisë sime, duke propozuar për herë të parë se ‘shkolla e tij ishte tashmë baza dhe themeli mjaft filmave në Hollywood”. Pra kjo ishte një arsye tjetër të mbetej një miratim i asaj që edhe brezat në rritje të Shqiptarëve të ndjeheshim mirë me një lidhje të hershme të kinemasë britanike me Shqipërinë. Në një farë mënyre, kjo ishte edhe një aspekt me të cilin shiheshin disa parametra të ngjashëm edhe tek filmi shqiptar “Kapedani”.
Mediat britanike dhe Shqipëria
Mediat britanike sot, përfshirë edhe gazetën më të madhe që ndahet falas, “Metro” përfshinë në vend të rrëndësishëm lajmin se kryeministri shqiptar, nderoi figurën e Sir Norman Wisdom, duke e cilësuar atë si një komedian të famshëm dhe mik i shqiptarëve. Median shkruan se Berisha i dërgoi edhe një telegram familjes së të ndjerit Wisdom.kështu ky lajm rikonformoiedhe njëherë lidhjen e fuqishme të kësaj figure me vendin e shqiponjave. Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjarëve të Norman Wisdom, një prej aktorëve më të mëdhenj të komedisë botërore.
Në këtë mesazh, Kryeministri shprehet: “Me hidhërim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të një prej aktorëve më të mëdhenj të komedisë botërore, por dhe një nga aktorët më të dashur të publikut shqiptar dhe miqve më të shquar të kombit tonë, Norman Wisdom.
Norman Wisdom, me aftësinë dhe talentin e tij të rrallë u shndërrua në një mit të kohës së tij, i dashur dhe i respektuar nga qytetarët artdashës të mbarë botës.
Norman Wisdom, të cilin shqiptarët e njihnin si Pitkini, vizitoi Shqipërinë dy herë pas rënies së perdes së hekurt. U prit nga publiku shqiptar si një idhull i tyre, kjo edhe për faktin se kino – komeditë e tij ishin të vetmet që i shpëtuan censurës së diktaturës së egër, dhe u ndoqën me interesin më të madh nga mbarë shqiptarët. Por dhe shqiptarët, zinin një vend të veçantë në zemrën e këtij aktori të madh, i cili Shqipërisë do t’i kushtonte dhe një këngë “Big in Albania”. Ndaj edhe sot, shqiptarët ndajnë zinë me familjen, miqtë dhe fansat e aktorit të tyre të dashur në mbarë botën. Në emër të qeverisë shqiptare i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve, qeverisë së Madhërisë së Saj, për ndarjen nga jeta të legjendës së filmit komik Norman Wisdom dhe lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e amshuar.
|
 |
Vdes aktori Norman Wisdom, “Pitkini” për të cilin “vdisnin” shqiptarët |
Norman Wisdom duke vrapuar ne stadiumin shqiptar me bluzen gjysem kombetare kuq e zi, gjysem angleze
|
|
|
Post your comment