Navigate archive
first first May, 2013 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | PARAQITJE | TE FAMSHMIT JETOJNE DY HERE -

TE FAMSHMIT JETOJNE DY HERE -

                                 

 

Në një botë ku jashtëqitja mohoet sikur të mos ekzistojë ideali estetik është i neveritshëm...

                                                                                    Milan Kundera                     

  

              FLUTURIMI  I SKENDERBEUT DHE NENE TEREZES NE  MALIN  AUTANA

 

 

Ku tregohet për ëndrrën e indigjenit me origjinë nga fiset indiane të Piaroës në Venezuelën e sotshme i cili thotë se është heroi kombëtar i një vendi të vogël europjan.

 

Në një nga udhëtimet e tij të shumta nëpër botë, në përpjekje për të vizituar madje edhe kushërinjtë dhe kushërirat e tij të gjashta e të shtata, pacienti mendor me emrin Kalerb rastisi të ndodhej në muajin shkurt të vitit 1993 në Venezuelë. Ishte paradite. Një mot i shkëlqyer pranvere, dielli shkëlqente lart në qiell, kur vizitori në fjalë gjendej i ulur në një bankinë të gurtë në Kopshtin Botanik të qytetit të famshëm të Marakaibos, të njohur ndryshe edhe me emrin “Toka e Dashur e Diellit”. Dy-tre metra më larg, vizitori dalloi të ulur këmbëkryq në barin e imët të parkut një burrë me pamje të moshuar, i cili, në vështrimin e parë, të jepte përshtypjen e një fizionomie të tejmunduar, kockë e lëkurë, me dhëmbë të rëna e klavikula të tejnxjerra. E çuditshme qe se nuk ndodhej aty, përbri Kalerbit, para një çasti. Ose e shumta dy... “Nga toka nuk duhet të ketë mbirë në një mënyrë të papritur. Të pashpjegueshme. Misterioze...”

Qe një mendim të cilin vizitori europjan u përpoq ta shkulë nga koka si me zor. Sikur të bëhej fjalë për një qënie  të porsa rënë nga qielli. Esmer, me dy ose e shumta tre pika ngjyrë të kuqe të hedhura në kazanin e ngjyrave të lëkurave, kur raca e tij duhet të qe prodhuar nga Krijimtari në Qiell, burri paraqitej lakuriq nga mesi e lart. Me ngjyrën e barit, ku qëndronte i ulur, mbante të veshura një palë pantallona të pa shtrënguara me ndonjë rrip, sado të thjeshtë, në mes.

Duke thithur një lloj puroje të gjatë i moshuari nxorri nga trasta një shportë të thurur me fije guadua. Hodhi në bar një tamburo të vogël e më pas dy instrumenta goditës në trajtën e dy kungullakësh uji të vegjël, të lyer me bojra të goditura. Bëhet fjalë për marakas-in e famshëm, një vegël muzikore, të cilin e gjen pothuajse në të gjitha orkestrat latino-amerikane që luajnë muzikë rumba apo ça-ça-ça për turistat e shumtë, të cilët mbrijnë natë e ditë, pa pushim, në ato parajsa të bukura natyrore me verë të përhershme. Me të vetmin ndryshim se marakas-i i orkestrave ka trajtën e një arre kokosi të grryer nga brenda dhe jo të një kungullaku me ngjyrat e spikatura të sqepit shumëngjyrësh të një zogu të ashtuquajtur parajse si tukani, të mbushur me fasule apo lloj lloj farash të tjera, të thara, të cilat të dehin shpirtin me ato shak-shaket e tyre sensuale, kur lëvizin ashtu të burgosura brenda guackës së tyre laramane...

Disa çaste më pas, indigjeni filloi të këndonte duke folur papushim nëpër dhëmbë. Ishtë një lloj kënge më tepër përfolëse se sa e aftë për të prodhuar tinguj muzikorë të pëlqyeshëm për veshin. -“Vetëm ndonjë prej rrethit të tij të ngushtë, familjar, mund të jetë në gjendje të kuptojë këtë  lloj plaku të gjorë lakuriq e me dhëmbë të rëna.” -Mendoi në një mënyrë gazmore e gjithashtu deri diku përqeshëse Kalerbi.

Pasi burri jo vetëm këndonte në gjuhën e tij të vjetër, prej vendalliu autokton, i ardhur në Marakaibo prej xhunglave të padepërtueshme të Amazonës venezuelase apo kolumbiane, por, edhe për faktin, që atij i mungonin dy-tre dhëmbë në zonën e planit të parë. Të buzëqeshjes. Lëvizte gjithë kohën në ajër vetëm njerën nga dy marakas-ët e tij. Tjetrin e mbante të papërdorur. Në shportë. Pa provuar për të goditur me të asnjë herë tamburin. Sikur të kishte frikë se, nga përplasja në lëkurën e butë, veglat muzikore mund të prisheshin, tu binte boja për tokë si lëvozhga të holluara veze të një zogu tukan të verbër, të lindur para kohe...

 

(VIJON)

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
3.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1