Navigate archive
first first May, 2013 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | PARAQITJE | MIRË SE VINI

MIRË SE VINI

Sa herë shkoj në South Boston te shtëpia e Gloria Qato
Hillit, shqiptaro-amerikanes me origjinë nga prindër
dardharë, ndal hapat për disa minuta tek monumenti i
kodrës Old Harbor, nga maja e së cilës janë goditur
kolonizatorët anglezë gjatë luftës për pavarësi. Gjatë pjerrësisë
së kodrës deri poshtë tek oqeani, në të dy anët e rrugës
ndodhen shtëpi të vogla të bardha, ngjitur njëra pas tjetrës, ku
trotuari njehsohet edhe si oborr, ndërsa në pjesën e pasme çdo
shtëpi ka veranda dhe bahçe me bar e lule. Secila shtëpi e kësaj
lagjeje të vogël ka një histori më vete lidhur me luftën kundër
anglezëve; banorët ruajnë piktura, relike e sende të vjetra të
lëna kujtim brez pas brezi. E njëjta gjë duket edhe kur viziton
shtëpinë e Glorias, veçse këtu, krahas amerikanes, dallon edhe
imagjinatën e shpirtit shqiptar që nga pikturat, ikonat e
fotografitë deri te zbukurimet e mureve, perdet, qilimat, madje
deri te mënyra e veçante se si e pret mikun çifti Hill, Gloria dhe
bashkëshorti i saj amerikan, Xhorxhi. Në qofsh shqiptar, fjalën
“Mire se vini” e përdorin të dy me një buzëqeshje e mirësi në
fytyrë e me ngrohtësi e çiltërsi në zemër. Tek ulesh në një nga
kolltukët e dhomës së pritjes, të përshëndesin nga muret pikturat
dhe fotografitë e vjetra, punuar mjeshtërisht nga duart e nënës
dhe babait të Glorias.

TESTAMENT BREZASH

Në historinë e artit fotografik shqiptar një vend të nderuar
zënë edhe fotografët dardharë. I pari që njihet në fushën e
fotografisë në fshat ka qenë Papajani Zengo (1832-1913), i
njohur si piktor, ikonograf dhe fotograf më shumë se një shekull
përpara. Është interesante të përmendet fotografia e parë e
këtij artisit, e cila ruhet edhe sot, që daton vitin 1876 dhe që
paraqet shkollën dhe banorët e fshatit Dardhë. Papajani, me
imagjinatën e tij dhe dëshirën që tradita e familjes Zengo të
vazhdonte më tej e dërgoi djalin e tij Vangjel Zengo (1875-
1941) të studionte për pikturë në Malin e Shenjtë në Greqi, ku
kishin qenë më parë edhe fshatarë të tjerë. Me pasionin e artistit
Vangjeli u dallua jo vetëm si mjeshtër i ikonografit, por më
vonë u bë i dëgjuar edhe si piktor afreskesh anekënd Ballkanit
e më larg, në Austri e Rusi. Janë akoma edhe sot fotografitë në
xham të shenjtorëve të kishave, të cilat i pikturonte Vangjeli
nëpër botë. Më vonë, nga i ati ai mësoi edhe artin e fotografit
dhe falë vullnetit e dëshirës për të fiksuar në xham panorama
mahnitëse të natyrës, individë me veshje karakteristike të
krahinave ose ngjarje të rëndësishme të jetës së fshatit. Në
dokumentet e familjes Zengo sot gjen të ruajtura mirë qindra
xhama fotografikë si dhe fotografi në letër me pamje familjare,
peisazhe, vepra arti etj.,të cilat dëshmojnë për një nivel të lartë
kulturor e profesional.
Në vazhdim të traditës, Vangjel Zengoja ua mësoi
mjeshtërinë e ikonografit gjashtë vajzave të tij, nga të cilat tri
që studiuan për pikturë e u profesionalizuan ishin Androniqi,
Sofia e Thomaidha Zengo, (nëna e Glorias), të përmendura si
gratë e para piktore shqiptare. Ndërsa Androniqi e Sofia e
ushtruan profesionin në Shqipëri, Thomaidha, motra e tyre,
pikturoi në Amerikë.
Ndryshe nga e kuqja e ndezur e Jonufrit, karakteristikë
dalluese e ikonografëve Zengo ishte përdorimi i së kuqes së
vrarë; paralel me këtë nuancë shkonte edhe jeshilja e bluja e
errët. Zengot nuk përdornin stilin bizantin, por atë romanik,
shenjtorët e tyre janë realiste, me një fytyrë melankolike që e
bëjnë pikturën më të ngrohtë e më të afruar tek njerëzit. Kolori
“i vrarë” i Zengove me ngjyra që “nuk thërresin”, të befason
për kulturën dhe aftësitë e tyre të larta profesionale. Disa
besimtarë të moshuar korçare ruajnë si të gjalla kujtimet kur
dy motrat Androniqi e Sofia pikturonin kishën e Mitropolisë
së Korçës. Ndërsa Thomaidha 14-vjeçare hipte edhe ajo lart
në skelat dhe bojatiste veshjet e shenjtorëve sipas udhëzimeve
të motrave më të mëdha.
Thomaidha erdhi në Amerikë me 1935 dhe u martua me
Petraq Qaton, një nga fotografët e përmendur dardharë të
shekullit të kaluar. Thomaidha dhe Petraqi, të tërhequr nga i
njëjti art i imazhit, filluan të ecnin mirë në biznesin e tyre të
pikturimit të ikonave dhe të fotografive. Mbasi u gëzuan me
dy fëmijë, Glorian e Richin, ata blenë një shtëpi pranë oqeanit
në South Boston, e cila shërbente edhe si studio për të dy.
Qysh e vogël Gloria mban mend vizitat e shumta që bënin
njerëzit në shtëpinë e tyre, shumica porositës e blerës të
pikturave e të fotografive, por edhe mysafirë shqiptarë, të cilët
e gjenin gjithmonë portën hapur. “E mësuam gjuhën shqipe, -
thotë Gloria,- jo vetëm nga prindërit, por edhe nga
bashkëfshatarët që vinin e na vizitonin shpesh.” Ajo kujton
me mall piknikët shqiptare, organizimin e festave kombëtare
dhe ditëve të kremte në çdo familje dardhare, veshjen me
kostumin dardhar nga gratë e vajzat e Bostonit etj. “Rriteshim
aq të gëzuar, - thotë ajo,- por vdekja e papritur e babait me
1945 e preu në mes dhe e tronditi familjen tonë, na dëshpëroi
shumë mua, vëllanë e nënën, mbi të cilën tani ra barra e gjithë
shtëpisë.”

NENE THOMAIDHA

“Mua më la babai jetime në moshën tetë vjeç, - thotë Gloria,
- ndërsa tim vëlla, Richin, katër vjeç. Por nëna jonë ishte grua
e fortë, e guximshme e kurajoze”.
Thomaidha iu përvesh punës më shumë se kurrë, ditëve
pikturonte kisha në rrethinat e Bostonit e më larg, ndërsa natën
e ditëve të festave pikturonte ikona në shtëpi. Sytë dhe duart e
saj ishin gjithnjë të lodhura, mbasi qëndronte orë të tëra lart,
në skelat, pa lëvizur, duke pikturuar kupolat e kishave në një
pozicion të fiksuar të kokës e të qafës që ia ngrinte e ia
paralizonte muskujt e zverkut e të shpinës. “Mbaj mend, - thotë
Gloria, - kur nëna kthehej në shtëpi, e detyronim të ulej në një
kolltuk dhe unë me ato duart e vogla i bëja masazh e ia fërkoja
me ngadalë muskujt e qafës e të shpatullave e ajo dremiste për
pak kohë.” Gloria e Richi shkëputeshin disa herë nga lodrat
dhe merreshin me përgatitjen e bojrave të pikturave, duke ia
lehtësuar punën nënës së tyre. Kur e shihnin se Thomaidha
nuk kishte më nevojë për ta, motër e vëlla suleshin përjashta të
luanin e ta linin nënën të qetë të pikturonte.
Thomaidha Zengo pikturoi kishën shqiptare të Shën Gjergjit
në South Boston, Manastirin e Salemit, Mass, kishën greke në
Pibady, Mass, si dhe bëri meremetime e rifreskime të konizmave
në kishën e Shën Trinisë në South Boston, në kishat shqiptare
të Netikut, Mass dhe të Usterit, Mass. Një mikja ime greke më
thotë: “ Ne grekët mendojme se Zoti flet greqisht, por, kur shkoj
në kishë dhe përqëndroj vështrimin me minuta të tëra te
pikturat e Thomaidhes, shoh se shenjtorët e saj flasin shqip.”
Sepse në ato fytyra të hijshme shenjtorësh piktorja dardhare
kishte derdhur me art perceptime me tipare burrash e grash
nga fshati i saj, ashtu siç përdorte të kuqen e venitur, vishnjen
e ëmbël, të marrë drejtpërdrejt nga ngjyra e fustanit të kostumit
dardhar. “Zoti është një e për të gjithë…, - lutej e falej
Thomaidha, - pavarësisht nga ndryshimet në gjuhë, komb e
kulturë…Me Krishtin, si vëlla, të gjithë janë fëmijët e Zotit”.
Piktorja dardhare u bë gjithashtu e dëgjuar për tapitatë e
mureve të pikturuara me engjëj, lule e panorama deti. Ishte
thjesht një zakon i sjellë nga Shqiperia: kur martohej vajza,
prindërit i dhuronin familjes së dhëndrit një tapita të pikturuar
me engjëj, si një ogur i mirë për jetën e re dhe lumturinë e çiftit.
Dhe këtë dhuratë emigrantët shqiptarë e gjenin dhe e zgjidhnin
sipas dëshirës vetëm te shtëpia e Thomaidhes.
“Nëna nuk përdorte modele gjatë pikturimit të ikonave, -
vazhdon Gloria, - ajo lexonte shpesh ungjillin e që andej
frymëzohej për të krijuar shenjtorë sa më origjinale, si në
shprehjen e përvuejtshmërisë së fytyrës, në dritën
shpresëdhënëse të syve dhe në ngjyrat reale të veshjeve
karakteristike e të sfondit të natyrës. Ajo i dinte përmendsh
jetët e shenjtorëve e shpesh na këshillonte edhe ne fëmijët të
lexonim ungjillin. Paragrafet që ne nuk i kuptonim, ajo na i
shpjegonte me qetësi e urtësi gjatë kohës kur pikturonte Shën
Mërinë me Krishtin e vogël në prehër ose Shën Gjergjin mbi
kalë etj., duke na rrënjosur në shpirt dashurinë për njerëzit, si
në rrethin e ngushtë familjar edhe më gjerë, në komunitet e në
gjithë botën.”
Gloria nuk do t’i harrojë kurrë dy porosi që i jepte e ëma
vazhdimisht kur ishte vajzë e vogël. Në shtëpinë e tyre vinin
shpesh priftërinj e dhespotë që porositnin ikona, si dhe mysafirë
të zakonshëm të familjes. Ndërmjet tyre F. Noli ishte njeriu më
i nderuar. Gloria duhej t’i priste miqtë te pragu i derës, duhej
t’u merrte palltot e t’i varte tek varësja e murit dhe kur ata
iknin duhej t’ua mbante palltot e t’i përcillte te dera buzëqeshur,
me nderim e respekt. Porosia e dytë e nënës lidhej po me
mysafirët. Sapo miku kapërcente pragun e shtëpisë, qoftë prift
apo njeri i thjeshtë, vajza duhej t’i thoshte “mirë se ardhe” e t’i
tokte dorën. Po t’i harronte këto dy porosi, e ëma ia ndriste
sytë që larg.
Por Gloria nuk e pati fatin të jetonte edhe shumë kohë me
nënën e saj të dashur e të edukuar. Fatkeqësia e dytë në familjen
Qato ishte vdekja e parakohshme edhe e nënë Thomaidhes, në
moshën 55 vjeç, e cila jo vetëm që e la Glorian jetime, por i la
edhe detyrën e së zonjës së shtëpisë dhe tri amanete: “Kujdesi
për vëllanë” ishte amaneti i parë, deri sa ai të rritej e të martohej,
duhet të rrinin bashkë në shtëpi. Shtëpia të mbetej hapur sikur
të ishin prindërit gjallë. Amaneti i dytë për Glorian ishte të
ruante emrin e mirë të familjes. Të ishte vajzë e ndershme e të
vazhdonte më tej traditat e familjes. Dhe e treta, Gloria duhej
t’i priste si gjithnjë mysafirët shqiptarë; t’i priste me kafe e t’i
përcillte me zemër të bardhë. Dera e vjetër e Papajanëve jo
vetëm që s’u mbyll, por vazhdon dhe sot e kësaj dite të qëndroje
e hapur, sepse Gloria i mbajti me nder të tri amanetet e nënës.
Vëllai u rrit e u martua nën kujdesin e saj dhe, kur mbeti vetëm,
vajza jetoi për dhjetë vjet nën kujdesin e familjes shqiptare të
Vangjel e Milia Harisit, sipas amanetit të nënë Thomaidhes.
Gloria kishte gjithashtu edhe kujdesin e mbrojtjen e familjeve
emigrante lituaneze që banonin në lagjen e tyre. Shoqja e saj e
ngushtë Ana iu gjend si shoqe e pandarë dhe si motër.

GLORIA DHE XHORXHI HILL

Mbasi mbaroi shkollën, Gloria u punësua sekretare në
kompaninë e telefonit, në Boston, ku punoi deri ditën që doli
në pension. Me edukatën e mirësisë dhe të dashurisë kristiane
të trashëguar nga nëna, me natyrën e saj xhentile, të sinqertë
dhe zemërdhembshur, ajo mblodhi rreth vetes shumë shoqe e
miq shqiptarë e amerikanë. Gloria kishte dhe një punë të dytë
në klubin e lituanezëve, ku punonte me Anën, shoqen e saj të
zemrës. Ana ishte martuar me kohë me lituanezin Xhorxhi
Hill dhe vit pas viti familja e tyre u mbush me gjashtë fëmijë të
bukur si drita. Gloria vizitonte shpesh familjen e saj për
ditëlindjet e fëmijëve e festave të tjera të vitit; ajo ishte shumë
e dashur dhe e afruar me fëmijët e Anës e të Xhorxhit. Por
edhe këtë shoqe të ngushtë e të mirë që kishte Gloria, ia mori
vdekja e papritur, duke lënë gjashtë fëmijët jetimë. “Më pikonte
pikëllimi në zemër, - thotë Gloria, - për jetimët, sidomos për
djalin e vogël, Gregorin, që s’ishte veçse 9 vjeç, pothuaj në
moshën që edhe unë kisha mbetur jetime kur më vdiq babai.”
Sytë bojeqielli të Glorias mbulohen nga një shtresë e kristaltë
loti kur kujton Gregorin e vogël, i cili i vajti një ditë në shtëpi,
trokiti në derë e duke iu hedhur në prehër, foli me ngashërim:
“Gloria, në qoftë se nuk do të bëhesh nënë për ne, kush veç teje
do të kujdeset për mua? Unë do ta sjell qysh tani krevatin tim
në shtëpinë tënde e do të fle këtu, me ty.” “Kështu, - thotë
Gloria, - unë pranova të martohesha me Xhorxhin, burrin e
shoqes sime, jo duke iu përgjigjur kërkesës së tij, por duke iu
përgjigjur nevojës që kishte djali i vogël për nënë. Siç është e
thëna: “fëmija pa nënë, si nata pa hënë…”
Vajza dardhare u martua e u bë shpejt nënë e gjashtë
fëmijëve të gjetur, duke marrë përsipër përgjegjësinë e rëndë e
të vështirë të nikoqires së shtëpisë e të nënës me shumë fëmijë,
duke e pjesëtuar zemrën e saj në gjashtë pjesë e duke i dhënë
secilit dashurinë e barabartë që i takonte të merrte nga një nënë
e dëshiruar. Ajo i rriti, i edukoi, i shkolloi e i martoi fëmijët e
saj e të Xhorxhit, jashtë çdo parashikimi e mundësie shpirtërore
e materiale, pa i shtrirë dorën ndihmës sociale të shtetit, por
vetëm me djersën e saj e të bashkëshortit. E rrethuar nga
dashuria e respekti i gjashtë familjeve të reja, Gloria e Xhorxhi
sot jetojnë të lumtur, janë bërë gjyshër e stërgjyshër e duke
përkundur stërnipat e tyre në duar, nuk e llogarisin fare punën
e lodhshme të përditshme të kushedi sa viteve, plot halle e të
papritura për rritjen e fëmijëve. Duke qenë një ortodokse
kristiane e përkushtuar, Gloria, për hir të respektit ndaj burrit,
frekuenton edhe kishën katolike të South Bostonit, ashtu
sikundër edhe Xhorxhi ndjek meshën e kishës shqiptare të Shën
Gjergjit.

JEHONA E EMIGRIMIT

Por, thuhet, “ç’sjell sahati s’e sjell moti.” Filloi ca nga ca
Bostoni të mbushej me ardhësit e rinj nga Shqiperia, aty nga
fillimi i viteve 90-të. Si në një rreth vicioz u përsërit historia
një-shekullore. Qetësinë dhe konfortin e familjes Hill e prishi
një ditë një telefonatë e drejtuar nga prifti i kishës katolike,
Filip Konrei: “Gloria, - tha ai,- një familje shkodrane, e para
ndër emigrantët që kanë ardhur në South Boston, ka nevojë
për ndihmë,” dhe i dha adresën.
Gloria dhe Xhorxhi trokitën në derën e apartamentit ku
banonin shkodranët. Familja përbëhej nga burrë e grua e dy
fëmijë. Ishin të druajtur e ndienin pasiguri e frikë, nuk dinin
anglisht, nuk dinin si e ku të orientoheshin e nga t’ia mbanin
për jetën e re në një vend të panjohur. Por duke biseduar shtruar
me çiftin Hill, ata mësuan shumë gjëra që nuk i dinin, ndien
ngrohtësinë e familjes e kujdesin e njeriut të afërm. Sepse Gloria
u paraqit tek ata jo thjesht si një shqiptare indiferente që mund
“t’i ndihmonte”, por si një motër e ndjeshme, si një pjesëtare e
familjes, e cila këtej e tutje do të ndante me ta hallet e problemet
e panumërta të emigrantit. Përveç gëzimit dhe emocionit për
takimin e parë me shqiptarët e posaardhur, Gloria provoi edhe
një ndjenjë tjetër. “Kisha harruar të flisja shqip, - sqaron ajo, -
kisha 18 vjet pa folur, që në kohën kur vdiqën pleqtë e fundit
shqiptarë.”
Bashkëshortët Hill u hodhën në aksion. Gjatë kohës që
interesoheshin për të gjetur punë për çiftin shkodran, Xhorxhi
i rregjistroi të dy fëmijët në shkollë. Meqë prindërit nuk dinin
anglisht, Xhorxhi vinte vetë në takimin me prindërit, si baba,
si prind. Ndërsa Gloria vinte i merrte nga shkolla kur prindërit
shkodranë filluan punën. “Kur bisedoja me fëmijët, - qesh
Gloria, - ndonjëherë nuk merreshim vesh, edhe për shkak të
gegërishtes. Kur u thoja atyre se duhej të “krihnin leshrat”
para se të vinin në shkollë, ata më thoshin duke qeshur: “pse
flet kështu ti teta Gloria?”
Gloria mbante mend këngën e dallëndyshes që ua mësonte
nënë Thomaidha kur ishin të vegjël: “Mirë se na vjen, mire se
na vjen/O dallëndyshe gjithë gaz/ Hyr e çlodhu në fole/Të
pret çdo shtëpi e çdo pullaz.”
Iu kujtua bijës së Dardhës kjo këngë malli tani që shihte
fytyrat e emigrantëve, të mallëngjyera prej ikjes e largësisë së
dhelindjes. Shtegtarët e rinj vinin të ndërtonin pullaze të reja
nën një qiell të huaj, me njerëz po aq të huaj, me druajtjen
karakteristike të malësorit ballkanas.
Gloria, sipas nderit e traditës së familjes, hapi dykanatësh
derën e shtëpisë në South Boston, e ftoi të gjithë të posaardhurit
në vatrën e saj familjare ku fryn flladi i mirësisë: “Mirë se vini
o emigrantët e mi! Tani ju keni nevojë për të ndërtuar folenë, si
dallëndyshet. Por me ju ndodh e kundërta. Ju keni ikur nga
foleja juaj e tani doni një të re. Duke nderuar kujtimin e nënës
sime Thomaidha, e cila më la amanet që shtëpia të jetë e hapur
për shqiptarët, ju ftoj të vini tek unë gjithnjë për gëzime e për
halle, pa teklif, sikur të ishte shtëpia juaj!”
Në South Boston Gloria e Xhorxhi kompletuan 22 shtëpi
për familjet emigrante, me krevate, tavolina, kolltukë e karrige,
pajisje kuzhine e veshje për mosha të ndryshme, deri tek çantat
e shkollës për fëmijët dhe bastunet për pleqtë. Pajisjet e mobiljet
ata i gjenin nëpër depot e kishave ose i mblidhnin nga shtëpitë
e miqve të tyre amerikanë. Në kompaninë e telefonit ku
punonte, Gloria porositi gjithë punonjësit të merrnin pjesë në
këtë aksion e të dhuronin diçka nga familjet e tyre. Një ndihmë
të pakursyer dha prifti katolik Filip Konrei, i cili së bashku me
Glorian e Xhorxhin vizitonin emigrantët nëpër apartamentet
e tyre me kujdesin e barabartë të prindit ose të të afërmit, për
t’u interesuar rreth nevojave të tyre më të ngutshme jetësore.
Shtëpia e çiftit Hill, gjithnjë e pastër dhe e mirëmbajtur, tani
ishte kthyer në depo. Brenda ditës vinin disa herë kamionë që
ngarkonin ose shkarkonin kuti kartoni të mëdha e mobilje.
Xhorxhi i palodhur jo vetëm që bënte punën e ngarkimshkarkimit,
por mbante edhe një bllok shënimesh për hyrjedaljen
e pajisjeve. “Një ditë, - tregon Gloria, - kur u ktheva nga
puna, e gjeta shtëpinë të boshatisur, siç duket, im shoq i kishte
shpërndarë të gjitha plaçkat. Por kuzhinën e gjeta pa karrige.
Hyra në dhomën e ndenjes, mungonte kolltuku ku zakonisht
Xhorxhi ulej të lexonte gazetën.” “Mos i kërko, se nuk i gjen,-
i tha i shoqi duke qeshur,- ia dhurova të gjitha një familjeje
shqiptare që trokiti në derë. Ata kishin nevojë për to. Ne do të
blejmë të tjera!...”
Erdhi një ditë që Gloria Hill u bë shumë e njohur nga
bashkëkombasit në Boston e në rrethinat e tij. Filluan
regjistrimet e vizitat e para të emigrantëve në klinikat e spitalet
e Bostonit. Gloria nuk mungoi asnjëherë duke shoqëruar
emigrantët si përkthyese e interpretuese.
Shpesh të sëmurët i shoqëronte me makinën e saj e pas
vizitës i çonte në shtëpi. Ajo kurrë nuk dha një shenjë lodhjeje
e mërzitjeje duke pritur me orë të tëra nëpër korridoret e
spitaleve, në shoqëri të të sëmurëve. Madje, ajo shpesh humbte
takimet me doktorët për veten e saj, vetëm e vetëm të mos i
linte emigrantët pa mbaruar vizitat. Si një motër e dashur ajo
u qëndronte pranë të sëmurëve, i pyeste për dhembjen e tyre,
u jepte kurajo e shpresa. Gjithnjë me dhembshuri, Gloria tregon
se si rastisi që në një familje shqiptare në të njëjtën ditë të
operohej edhe babai, edhe djali, në dy spitale të ndryshme.
Gloria shoqëroi bashkëshorten e të sëmurit, Afërdita, ndërsa
Xhorxhi shoqëroi e i ndenji te koka djalit shqiptar, Gencit, të
cilin e puthi në ballë para operacionit duke i thënë:” Të puth
në vend të babait që tani ndodhet në operacion!” Afërdita, e
posaardhur në Amerikë, pa të njohur, pa ditur anglisht, ndjeu
nga afër kujdesin e Glorias, ndjeu gjakun shqiptar.
“Gloria shqiptare, - thotë Afërdita, - më ndoqi hap pas hapi,
më shpëtoi sepse mund të kaloja në depresion. Kur ajo më mori
në telefon, kur më tha se do të vinte të më merrte me makinën
e saj që të shkonim bashkë në spital tek djali për të ndjekur
operacionin, fare e vetme në shtëpi, fillova të qaja me
ngashërim, jo për shqetësimin dhe hallin që kisha, por nga që
kjo shqiptare e madhe m’u gjend pranë në ditën më të vështirë
të jetes sime. Por atë ditë pashë se qau edhe Gloria. U preka
nga dhembshuria e saj.”
Kështu, ditë pas dite, u lind, u lidh dhe u brumos dashuria
dhe respekti i emigrantëve shqiptarë me familjen e Gloria Hillit.
Gloria më tregon një gjë interesante, se çdo vit Krishtlindjet,
ata, burrë e grua, i festojnë një ditë përpara, me familjet e gjashtë
fëmijëve. Kurse në ditën e vërtetë të Krishtlindjeve ata ftojnë
mysafirë shqiptarë në shtëpinë e tyre. “Është e vetmja mënyrë,
- thotë Gloria, - që vëllezërit shqiptarë të mos e ndiejnë veten të
vetmuar. Një vit ata ftuan 18 shqiptarë, burra, gra e fëmijë
dhe u përgatitën dhurata të bukura të vegjëlve.
Me kalimin e viteve familjet shqiptare filluan të ecnin mirë,
prindërit u punësuan, fëmijët vazhdojnë shkollat, dikush bleu
edhe shtëpi, por Glorian nuk e lë meraku. I merr vazhdimisht
në telefon gjithë emigrantët (për ta ka nja bllok të mbushur
plot me numrat e telefonit), gëzohet tok me ta për jetën e re që
kanë nisur e gjendet e gatshme kur ndonjëri ka nevojë për
ndihmë. Çdo natë bija e Dardhës ulet te telefoni, në një orë që
ajo e ka caktuar vetë, e fillon t’u përgjigjet mesazheve të
regjistruara gjatë ditës nga shqiptarët. Qëllon që bisedat
vazhdojnë edhe dy orë, por ajo s’mërzitet, si nënë e si motër
gëzohet ose i jep këshillat e saj të vlefshme çdo familjeje
emigrante.
Çifti Hill ka marrë përsipër edhe një detyrë tjetër të vështirë:
organizimin e udhëtimeve të emigrantëve shqiptarë nëpër
Amerikë. Me kujdesin e Glorias familjet shqiptare të Bostonit
kanë udhëtuar e kanë vizituar Kanadanë, Niagarën,
Montrealin, Nju-Jorkun, si dhe shtetet përreth Massachusettsit.
Grafiku i udhëtimeve vazhdon.

MALLI PER DARDHËN E PANJOHUR

Gloria me Xhorxhin e kanë vizituar dy herë Shqipërinë, në
vitin 1992 dhe me 1995. Por herën e dytë, me 1995, pasi kishte
pritur e strehuar bashkëfshatarët në Boston, Glorias i vloi gjaku
dardhar me dëshirën e papërmbajtur për të vizituar për herë
të parë Dardhën, vendlindjen e prindërve. Të njohurit e saj
dardharë e shoqëruan atë dhe bashkëshortin në një udhëtim
disaditor në fshatin e panjohur, ku u prit me dashuri e
përmallim nga farefisi e gjithë dardharët e tjerë. Lajmet për
mirëbërësen shqiptare, bijën e Dardhës, kishte kohë që ishin
përhapur jo vetëm në Dardhë, por edhe në Korçë e në Tiranë.
Gloria e Xhorxhi, pasi zbritën nga makina, tek kodra e Shën
Thanasit u pritën me nderim nga një grup dardharësh. Gloria
vizitoi kishën e Shën Thanasit, dikur e shkatërruar, por që
kishte filluar të rindërtohej me kontributin e shqiptaroamerikanëve.
Ndërsa tezja e saj, ikonografja Androniqi Zengo
Antoniu, po pikturonte në Tiranë ikonat e mëdha të kishës.
Bashkëshortët Hill zbritën ngadalë të tatëpjetën, pushuan e
pinë një kafe tek kafe-klubi “Gallani”. Gloria u befasua nga
bukuria e fshatit, rrethuar nga të katër anët me kurorën e pyjeve
shekullore e me gjelbërim, nga shtëpitë karakteristike me gurë
të skalisur e mbuluar me plloça të sheshta e të hirta, nga oborret
me lule shumëngjyrëshe e krojet ujëshumë. Pasi u mësua të
zbriste duke shkelur për herë të parë mbi kalldrëmet e
rrugicave, u kërkoi shoqëruesve të vizitonte vendin ku ndodhej
dikur shtëpia e babait, Petraq Qatos. Mbi një pllajë të ulët me
bar të dendur, pranë lumit të fshatit e përballë korijes së ahut
ngrihej dikur shtëpia e familjes Qato, nga ballkoni i së cilës
mund të shihje përreth pamje të bukura e mbresëlënëse. Tani
aty ndodheshin vetëm gurët e themeleve, gjysmë të zbuluar e
gjysmë nën dhe. Gloria u përkul me nderim përpara gurëve
dhe kujtimit të babait, para atyre gurëve që dukej sikur nxirrnin
tingujt e zhurmave e britmave të gëzuara të fëmijëve që ishin
rritur dikur aty. Ajo shkuli me zor një copë gur nga toka, ia
largoi dheun me pëllëmbën e dorës dhe e vështroi gjatë sikur
të lexonte ndonjë mesazh mbi të; mbase i ngjante fletës së
ungjillit që gjyshërit Zengo e kishin përkthyer nga greqishtja
në shqip qysh një shekull e gjysmë më parë.
Kur i treguan çezmën e Qatos, që ndodhej përbri shtëpisë
së dikurshme të babait, Gloria shpëlau duart dhe piu ujin e
ftohtë që të priste si brisk. “Ne, në Amerikë, duhet ta futim
ujin në frigorifer që të ftohet si ky”, - u tha ajo dardharëve.
“Kemi edhe më të ftohtë se ky, - i thanë ata, - po të duash të
shpiem në Izvor.” Por Gloria dëshironte të vizitonte shtëpinë e
gjyshit Zengo dhe mëhallën e madhe, siç ia kishte përshkruar
dikur nënë Thomaidha. Edhe ajo shtëpi tani ishte kthyer në
gërmadhë. Asaj i rrodhën lotët, të cilët lagën gurin që mbante
në dorë, atë gur-nishan, të cilin Gloria e solli me vete në Amerikë
dhe e ka vendosur në sallon, në një vend të dukshëm, ku ajo e
sheh përditë dhe kujton prindërit, sojin e babait dhe Dardhën
e largët.

NJE FTESE ME DY FLAMURË

Ka qenë pranverë e vitit 2002, kur bashkë me postën më
erdhi edhe një zarf mbi të cilin ishin stamposur flamuri shqiptar
dhe ai lituanez. Brenda ishte një ftesë me dy flamurë të vendosur
bukur njëri pranë tjetrit, ftesë që të merrnim pjesë familjarisht
në festimin e 75-vjetorit të lindjes së zotit Xhorxh Hill. Festën e
organizonin gjashtë fëmijët e tyre pa dijeninë e prindërve dhe
na luteshin ta mbanim sekret këtë lajm deri në çastin sublim
kur çiftit Hill do t’i bëhej surpriza. Ne shqiptarët sikur nuk
jemi mësuar me të tilla lloje kremtimesh që amerikanët i
vlerësojnë shumë dhe kalojnë me to një pjesë të kohës së lirë.
Kur hymë në restorant, tavolinat ishin mbushur plot shqiptarë
e lituanezë, dëgjuam këngë shqip e lituanisht, të kënduar nga
dy grupe mysafirësh, aq të largët nga njëri-tjetri nga distanca
e nga kulturat, por aq pranë, ate natë, të lidhur me fije miqësie
e farefisnie me çiftin e nderuar Hill. Duke pritur të vinin Gloria
me Xhorxhin, kremtorët shqiptarë filluan të njiheshin e të
prezantoheshin me ata lituanezë. Ishte anglishtja që i
bashkonte dhe muzika që i ftonte në vallëzim. Duke mësuar
vallet e njëri-tjetrit, u krijuan katër-pesë rrathë valltaresh që
këndonin e hidhnin këmbët gjithsecili në qejfin e vet. Muzika
shqiptare e kishte elektrizuar mjedisin. Por kur u shfaq te
korniza e derës figura e Glorias dhe e Xhorxhit, valltarët ndalën
vrullin, muzika pushoi dhe klithma e të pranishmëve
“Surprise…surprise!...” jehoi deri në katet e sipërme të
ndërtesës. Të afërmve dhe miqve amerikanë u shkëlqente fytyra
nga padurimi e gëzimi që ndien kur e zunë në befasi çiftin Hill,
që akoma s’e kishte marrë veten nga habia. Kurse ne shqiptaret
nuk na tërhoqi kaq shumë surpriza ndaj çiftit Hill, aq sa na
bëri përshtypje dashuria e respekti i madh që treguan gjashtë
fëmijët e tyre, djemtë e nuset, vajzat e dhëndurët, nipërit,
mbesat e stërnipërit, të cilët i rrethuan Glorian e Xhorxhin me
përqafime e të puthura pa mbarim, shoqëruar nga duartrokitjet
e miqve në sallë.
Sigurisht, Gloria e Xhorxhi ndjeheshin të lumtur mes gjashtë
familjeve të konakut të tyre, por ata nuk u ndien më pak të
lumtur kur takuan me radhë, tavolinë pas tavoline, rreth 200
të ftuar, mes tyre shumë shqiptarë, familje emigrantësh të
posaardhur, bashkëkombës të Glorias, por edhe miq të Xhorxhit
njëkohësisht. Ata e futën Glorian e Xhorxhin në mes të valles e
vazhduan me vallëzim, këngë e urime.
Pas ndezjes së fishekzjarreve nëpër tavolina, përshëndeti e
fundit Gloria, duke ngritur gotën e verës. Me një zë të dridhur
nga emocionet, por me ëmbëlsinë e fytyrës së saj, që s’i ndahet
asnjëherë, ajo falenderoi miqtë e të ftuarit për pjesëmarrjen e
tyre, falenderoi fëmijët për organizimin e atij kremtimi të bukur
e së fundi i uroi bashkëshortit jetë të gjatë e të lumtur, duke
shtuar edhe këto: “Kjo festë e paharruar është një shpërblim
për bashkëshortin tim, për zemërdhembshurinë dhe kujdesin
e tij prindëror jo vetëm për fëmijët e vet, por edhe për shumë
njerëz të tjerë, shumica e të cilëve ndodhen sonte të ftuar në
këtë sallë, qofshin shqiptarë, lituanezë apo nga e gjithë bota…”

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1