|
Sociologu i njohur shqiptar Gëzim Alpion do të mbajë një seri ligjëratash në Finlandë. I njohur si studiues i jetës së Nënë Terezës, Alpion edhe në këto ligjërata do të përqendrohet në jetën e nobelistes shqiptare.
Sociologu i njohur shqiptar, me banim në Angli, Gëzim Alpion do të mbajë një seri të ligjëratave dhe punëtorive në Finlandë nga data 18 deri më 21 prill në Universitetin e Turku-t, në Abo Academy (universitet suedishtfolës) dhe në Universitetin e Helsinki-t.
Dy ligjëratat e para që do t’i mbajë Alpion në Finlandë do të jenë të përqendruara në personalitetin e nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më shumë si Nënë Tereza. E para ka të bëjë me qasjen e shkrimtares, gazetares dhe feministes australiane Germaine Greer ndaj Nënë Terezës.
“A ‘religious imperialist’ or a ‘feminist extraordinaire’ – Why did Germaine Greer get it wrong about Mother Teresa?” ( Një ‘imperialiste religjioze’ apo një ‘feministe e jashtëzakonshme’ – Pse ka gabuar Germaine Greer rreth Nënë Terezës?) titullohet ligjërata e parë, në të cilën Alpion trajton kritikën e Greer ndaj Nënë Terezës dhe mungesën e vlerësimit objektiv ndaj mjedisit patriarkal në të cilin ka vepruar Nënë Tereza.
“Në këtë ligjëratë unë argumentoj se, sikurse feministët e tjerë që janë kritikë ndaj Nënë Terezës, Germaine Greer dështon të vlerësojë në mënyrë objektive mjedisin pengues patriarkal në të cilin murgeshat ‘revolucionare’ sikurse Nënë Tereza kanë operuar që nga shfaqja e kongregacioneve religjioze të femrave”, shprehet Alpion.
Ligjërata e dytë, që po ashtu si subjekt e ka Nënë Terezën, fokusohet në atë që quhet ‘Nata e errët e shpirtit’ si dhe në kërkimin e Nënë Terezës për ta gjetur Zotin.
“Mother Teresa’s spiritual darkness and the re-evaluation of the creationist-evolutionist dichotomy” (Errësira shpirtërore e Nënë Terezës dhe rivlerësimi i dikotomisë kreacioniste-evolucioniste) titullohet ligjërata tjetër e Alpion-it, në të cilën ai vlerëson se as kreacionistët as evolucionistët nuk e kanë monopolin e së vërtetës.
“Në këtë ligjëratë pretendoj se nata e errët e shpirtit e Nënë Terezës vë në dukje më shumë se asnjëherë më parë në postmodernitet se as kreacionistët as evolucionistët nuk kanë monopol mbi të vërtetën dhe se kërkimi jetësor i pasuksesshëm i Nënë Terezës për të gjetur Zotin nuk është as dështim i kreacionistëve e as shkarkim i ‘arrogancës intelektuale’ të ndërmarrë nganjëherë nga evolucionistët dhe ateistët sikurse janë Richard Dawkins dhe i ndjeri Christopher Hitchens”, shprehet Alpion.
Ndryshe prej dy ligjëratave të lartpërmendura, në ligjëratën e tretë Alpion nuk merret me Nënë Terezës, për të cilën ka shkruar disa libra. Në këtë ligjëratë ai përqendrohet në të vetmin laureat të çmimit Nobel për letërsi të Indisë, shkrimtarin Rabindranath Tagore dhe mësimet që mund të merren nga ai sa i përket raportit të së vërtetës dhe atdheut.
“Right versus Country: What social scientists and creative writers can learn from Tagore?” (E vërteta kundër atdheut: Çfarë mund të mësojnë nga Tagore shkencëtarët socialë dhe shkrimtarët kreativë?) titullohet ligjërata e tretë, e cila vë në pah dilemat me të cilat Alpion ballafaqohet si akademik dhe dramaturg në adresimin e çështjeve të ndjeshme që kanë të bëjnë me vendlindjen e tij, Shqipërinë dhe atdheun e dytë, Anglinë.
“Laureati indian i çmimit Nobel për letërsi Rabindranath Tagore njëherë pat thënë: ‘Jam i vullnetshëm t’i shërbej atdheut tim; por admirimin tim e rezervoj për të vërtetën, që është shumë më e madhe sesa atdheu. Ta admiroj atdheun tim si hyjni është sikurse ta mallkosh atë”. Duke u përqendruar në shkrimet e mia akademike dhe veprat dramatike mbi refugjatët dhe kërkuesit e azilit, në këtë ligjëratë unë identifikoj dhe hulumtoj dilemat dhe sfidat me të cilat ballafaqohem si akademik dhe dramaturg në adresimin e çështjeve të ndjeshme që kanë të bëjnë me vendin tim të lindjes, Shqipërinë dhe me atdheun tim të dytë, Anglinë”, thekson Alpion.
Gëzim Alpion është ligjërues në Sociologji dhe Studimet e Mediave dhe Drejtor i Studimeve Pasuniversitare, Departamenti i Sociologjisë, Universiteti e Birmingham-it, në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai është autor i librit të njohur ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: shenjtore apo e famshme?’). Botimet e tjera përfshijnë ‘Vouchers’ (‘Kuponat’); ‘Foreigner Complex: Essay and Fiction about Egypt’ (‘Kompleksi ndaj të huajve: Ese dhe tregime për Egjiptin’); ‘If Only the Dead Could Listen’ (‘Sikur të vdekurit të dëgjonin’); dhe ‘Encounters with Civilizations: from Alexander the Great to Mother Teresa’ (Takimet e civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh te Nënë Tereza).
|
Mbase secili prej qytetareve te pergjegjshem shqiptare do te ishte gati t'i nenshkruante keto biseda te dr Gezim Alpion, si sugjerimi me i bute ne forme dhe me i ashpri ne thelb, drejtuar klases politike dhe "intelektualeve" te perkedhelur prej saj, qysh prej momentit kur "u ofrohej" monopoli i pluralizmit.
Me pelqen ajo dhimbje e bukur, ai trishtim fisnik kombetar, i individeve te pergjegjshem dhe te vetedijshem,
edhe kur jane larg, si te menjanuar, prej tribunave me trompa false ne kryeqytetin formal te shqiptareve!
Duket se eshte i drejte, i merituar paralajmerimi i artikuluar ne keto biseda se "politikanet ne Shqiperi jane aq te pacipe saqe nuk u ben pershtypje edhe kur i kritikon me takt qe te heqin dore nga qorrsokaku ku vegjetojne dhe majmen per 20 vjet, nje qorrsokak ne fund te te cilit do te na marrin ne qafe te gjitheve, perfshire veten e tyre."
faruku
Post your comment