Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Tundim e sinqeritet

Tundim e sinqeritet

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vladimir Muça

 

      Nga vitet e para të karrjerës  s’më  hiqet nga mendja një ngjarje e pazakontë që i  ndodhi një shokut tim, saqë herë pas here më zgjohet nga kujtesa  e më zgjon në mendje çdo gjë të rinisë dhe tani në këto vite të gjyshërisë.

  Agim  Dakovelli , një shok i karrjerës me mua në vitin 1972,  po kryenim detyrat e instruktorit në stërvitjen  e resurseve rezervistë, femra e meshkuj të nënreparteve të prapavijës. Fushimi, si çdo herë,  ishte ngritur mirë e bukur në një rajon të përzgjedhur, rrëzë kodrave  gjelbëroshe të Marikajt, në grykën e  rrethuar me ullinj e drurë përjetësisht të gjelbëruar  të maresë, aty ku zen fill rruga ushtarake  strategjike Marikaj –Kuç-Çajle-Bërzez- Ndroq.

    Në dy anët e rrugës  gjelbëronte pambarimisht mareja, një bimë frutore e egër, të cilën banorët e këtyre anëve e vilnin në tetor-nëntor e nxirrnin prej saj një raki aq të sertë saqë ta ipte në çaçkë të kokës. Gjatë  inkursioneve stërvitore i porositnim  rezervistët që të mos konsumonin shumë  se ai frut ishte njëlloj si të pije raki, ta turbullon mëndjen.

    Që në stërvitjen e parë të pranverës, Agimit i kish tërhequr vemëndjen  një  vajzë e ajthme  nga  qyteti i Durrësit, e sapo dipllomuar infermjere në pavionin e patologjisë.Flutura  Çoçka, – kështu e quanin infermjeren e sapo dipllomuar, dallonte dukshëm nga të tjerat për paraqitjen   tepër natyrale, një fytyrë vezake, trupin pak si të ajthëm, ndoshta e pa formëzuar akoma  në atë pjekurinë e plotë hormonale, ku pjesë të trupit si: vithet, gjoksi dhe shikimi akoma  s’janë vënë nën urdhërat e hormoneve, në nxjerrjen në pah të feminilitetit rinor.Vetullat e dëndura  kaleshe shkonin për shtat  me flokun e zi  e të dendur  që binte palë-palë  gjer në nënshpatulla.

     Tashmë në stërvitjen e fazës së dytë vjeshtore, Agimi  çoku ja kish   marrë ndopak mendjen  Fluturës, e takimet, shikimet , bisedat ishin më të shpeshta , kishin arritur stadin e një natyre më shumë se shoqërore apo të mardhënieve epror-vartës.

     Në këto ditë tetori , mbasi efektivat po relaksoheshin  kush e kush në hesap të vet, Bardhyl Topçiu , një reservist, punonjës arapçi  i Drejtorisë Shëndetsore,  me dashnoren gati gati  të “  legalizuar “, Naxhije Repsin, më kërkuan leje për të bërë një”shëtitje” mbi rrugën ushtarake të Çajle-Bërzezit, tek livadhi i Qafës,  mbasi aty maretë piqeshin më shpejt.Me ta do të shkonin dhe Shpresa Moku dhe instruktor Agimi.

    - Po mirë more Bardhyl, – u thashë, –shkoni  por mos u vononi, se kemi  dhe kulturën masive.Kujdes, se në këtë të nxehtë nepërkat akoma pushojnë majë kaçubeve  të mareve në qejfin e tyre.Pastaj, kujdes me Agimin, se mos bën  ndonjë rreng nga ato të tuat.

    - Ore shef, pse kaq shumë të kam rënë në sy, çfarë po bëj unë i shkreti , jetën po mundohem të jetoj?-

    - Po more po, ka jetë e jetë, po dëgjo  çfarë të them:Agimi është i parrahur në kësi  punësh, mos u mundo t’i zgjosh djallin, lëre në ëndërrimin e tij.

    - Shef, çdo dash varet nga këmbët e veta, unë ushtar jam; ja …kaq e kam hapin, – e mbylli bisedën Bardhyli  duke hapur gishtin e madh dhe atë tregues në hapsirën e bërxhikut.

       Siç  duket Bardhyl pushtleri  e kish ujdisur që më parë  çdo gjë me Agimin; ja kish qorollepsur mendjen  e ja kish bërë  “livadh të Aqif Pashait”, ku dilnin e shëtisnin të preferuarat e haremit.

 2

        …Bardhyli me Naxhijen, të parët, morën  të përpjetën e rrugës  që të çonte drejt Qafës së Mareve.Më  pas, me  një farë pasigurie, me hapat që binin rëndë-rëndë  si tokmak në truallin e rrugës, ecte Shpresa  një hap para Agimit.

    Flokët ua shpushpuriste era  që vinte nga gryka e Marikajt, bulëza  djerse  ua  mbulonin ballin dhe shkisnin   gushës duke u bashkuar aty ku sytjenat e një numuri të vogël  lidhnin qemerin e dy gjinjëve. Pas ai e ndiqte si   një  dash përçor. Agimi i mahnitur paksa për qafën kaprolle, vithet e ngjeshura, të cilat binin në sy  në prerjen e pantallonave  të ngushta, beli i ngushtë ku rripi i xhaketës  ish mbërthyer në vrimën e fundit , këmbët e drejta në formën e shishes së shampanjës.Gjithçka që  vrojtonte tani Agimi , hap pas hapi, me një ndjesi epshore, në një tundim, e ftonte për në parajsë..!

     Kryelartësia mashkullore tek ai ngadalë po kthehej në një kafshë të keqe. Demoni  kish nxjerrë krye. Ndoshta  nga dashuria e çiltër  kjo kafshë a duhej vrarë? Po si ..? Me kë..? Të dashurosh  dikë me  çiltërsi, është  sikur të fluturosh mbi retë, ndërsa  të luftosh me djallin e tundimit është sikur të luftosh me xhindet nëpër llagëme. Siç duket nevoja për diçka tjetër femërore, për diçka mishtore kish fituar terren  në luftën me çiltërsinë.Por nevoja s’bëhet  kurrë sinonim i dashurisë.

    Shpresa  hoqi  xhaketën, e mori  në dorën e  majtë; përtej një këmishe blu të najlontë, dolën në pah konturet e zverkut  të lëmuar, të supeve venusiane e të bustit të kolmët  palestroid. Agimi u moleps i tëri e sikur fliste me vete: si s’e kisha vënë re më parë..! Ecte e ecte si një guak.

     Sinqeriteti, ndjenjësia shoqërore, miqësore, s’kish më pushtet mbi fuqinë e zgjuar brenda tij, një tjetër Agim   i transformuar  kish marrë  një tjetër formë.

      Nxehtësia  e nebulozave diellore  që vinte nëpërmjet  rrezeve shigjetare  nga Qafa e Bodinokut, përplasej mbi  fytyrat e tyre e në vilat e pjekura të mareve treteshin në klorofilën e kaçubeve  të dëndura të anërrugës.

   Një zë i brendshëm i përgjigjej  atij si në përhumbje: -Ku  po shkojmë kështu  me këto ëndërrime..? Nga zabeli i Qafës  iu përgjegj Shpresa po me notat e një mërmërime:-Në mëkatin  e  Evës dhe të Adamit. E kjo ishte një pyetje nga më idiotet që mund të bëhej në ato  çaste.Të  dy ndjenin gjakun t’u rridhte nga goditjet e vrullshëm të zemrës, e cila sa nuk po u dilte nga krahërori, ndjenin lëngun jetësor  që u harbohej brenda qenies.

      Në mënyrë krejt instiktive, sapo kaluan kthesën   e rrugës e fushimi u fsheh pas gjelbërimit të ullinjve,dora e Agimit u mbështet tek dora e Shpresës.Ajo, e nxehtë valë, dredhore, e butë si pushi i një koteleje, iu nënshtrua  shtërngimit “brutal”  të dorës mashkullore.

      - Hë Agim ! Qenke në dyzen, çdo gjë  në rregull, s’paske nevojë për instruktazh, -foli si me shpoti pushti Bardhyl.

     - Bardhyl, ec e shkojmë ne tek kjo anë  se po na ikën koha, “koha është flori  e shkuar floririt Tunxh o bir”- u hodh Naxhije buçja  e të dy u futën në një shkurretë  të madhe,  e cila gëlonte nga maretë e stërpjekura rreth e rreth.Bardhyli, si një Kazanovë që ishte duke lëpirë jargët, e ndoqi pas tërë qejf, duke mërmëritur vargjet:

                                                Unë do të shterrem në trupin tënd

                                                siç shterret një lum në shkretëtirë,

                                                Asgjë tani s’më vjen ndërmend

                                                veç kurmi yt dhe e lumja dëshirë.

3

  Ashtu të kapur përdore Agimi dhe Shpresa  u qasën më tutje, në një vend si të fshehtë, por të mbushur  me bar e fier.Të dy ndjenin flukset e një frike në drithërimat  që kishin marrë jo vetëm  duart, buzët, por i gjithë trupi.

Agimi ia ndjente  rrymën e frikës  tek Shpresa nëpërmjet drithërimit të dorës të mbështetur në kofshën e tij, në sytë e saj që i ndizeshin zjarr, nga të cilët vinte ajo nxehtësi  e panjohur epshore  e  gjeratëhershme. Instiktivisht, me një memecëri të plotë, e shtrëngoi në kraharor, i afroi buzët dhe u puthën me buzët që u dridheshin që të dyve, por njëkohësisht  ushqenin afshin e njëri tjetrit.Ai ndjeu rrymën e nxehtë që vinte nga gulshi i gjokseve të saj,që këcenin përpjetë.

     shumë se asnjëherë, Agimi ndjeu që ajo të shembej në gjoksin mashkullor  gjysëm të shkopsitur, ndjeu prekjet  e gishtave të nxehtë  mbi lëkurën e tij  si flakërima zjarri.E ngjeshi pas vetes  duke i përkëledhur majat e gjirit ftujak  e të fortë, siç dukej të “palëruar”, kërkonte me ngulm buzët që përcëlloheshin  në një zjarrmëri  që vlonte.Gjuha me lëngun e jetës  përkëledhi buzët e saj  e ajo i kafshoi  lehtas gjuhën  duke rrëshqitur  duart poshtë me përgjërime.Përmes qerpikëve  pothuaj të mbyllur,  në zjarrmërinë e  lotit  të syve, lexohej pafajësia mbytur nga ndjenja epshore, e cila si një demon  ish zgjuar  kaq befas  nga katakombet e thellësive.Zemra trokiste si trokashka e mullirit   mbi shputën e dorës  e ndizte më shumë  ndjesitë epshore.Shikimet u errësuan, buzët në natyrshmëri kërkonin  thithkat e sisave, ndoshta dhe si një remineshencë fëminore për qumështin mëmësor.Dora e saj zbriste poshtë e më poshtë në kërkim të mollës së ndaluar teksa gjiri  ftujak  gulshonte nën trysninë e zemrës-trokashkë.

  Luaneshat e dëshirave u përkulën para tyre; gjithë qenia u trand para një gazele.Në një  pa vetëdije, si  në një  ëndërr parajsore, ku gjithçka është mbuluar nga një purpurant, e që të dy ndjehen  si  në rrethin e shtatë; dora  mashkullore rrëshqiti në trupin që dridhej, ndali në unazën kërthizore, lehatas futet në të mbathurat, e ndalet në ballinën e dhjamosur  e të qimezuar  të buzëve të mëdha duke i përkëledhur me një epsheri.Dora u qullos.Me një dridhje  frike për çka po përgatitej të përjetonte, me një angështim gati gati në lotëri, me zërin në një vibrato  në të qarë,Shpresa i flet Agimit:

    -E kam të parën herë, të lutem të mos bëhem budallaqe,  në kësi punësh përvojë nuk kam, nuk di çfarë të  bëj, jam në dorën tënde.-

    Partneri hoqi dorën  menjëherë. Një thirrje e brendëshme  e gjykimit mendor godiste fort  në lobet e trurit me çekiçin e gjykatësit, ku  në një çast triumfoi mbi ndjenjat e pasionit seksual.Ngrihet ndenjur, distancohet paksa nga ajo fytyrë e gjoks i kuqëluar  e i djersitur nga  gulshet që vinin  nga thellësitë e shpirtit femëror, e me një zë pendues i drejtohet :

-Më fal, nuk dua të të bëj keq,më fal. Ti je një vajzë e mirë, e edukuar, e sjellshme  e padashur ramë viktima  të një vagabondeje dhe të një pushti. Ti e meriton që vajzërinë tënde t’ia dhurosh një djali të denjë për shok jete, në të mira e në të liga.Më fal edhe një herë për tundimin që të shkaktova.

     Një freski brymore vinte si një agshol nga Qafa e Bërzezit. Shigjetat   kuqërreme të diellit në perëndim, pak si  të vagëlluara, gati sa s’po treteshin mes kurorave të ullinjve të Bodinotit.

     Shpresa me sytë në lotëri, me trupin që dridhej si ajo purteka në rrymën e një lumi, iu hodh duke e gushuar vëllazërisht e me ngashërim duke i thënë:

   -Të më falësh ti mua, në jetë të jetëve, do të kem vëllain tim.Në këtë botë, po, po, ka dhe njerëz  kaq të mirë sa dhe ti. Të gabosh është njerëzore, por të falësh është hyjnore…

    …Sapo zbriti të tëposhtën  e rrugës ushtarake, Agimi  me infermjeren e re Shpresa Moku, u nda kokëulur  e rrëmbimthi  u fut në dhomën e oficerave.

4

 Çlirimi, gjysëm i përgjumur e pikasi  shqetësimin e nervozizmin e tij.

    -Hë! Çfarë ke që më turfullon  o praktikant i Kazanovës, të dehën  maretë ..!?

    - Lëre Çlirim , më duket  se e menderosa, më duket se s’ka mbetur më asgjë për t’i propozuar Fluturës fejesën, e djallosa fare sot-tha Agimi i pikëlluar.Më  duket sikur mbi shpinë, sa shkëmbi i Vajes, më rëndon  një gur pendimi.

   Megjithëse  e njihja shpirtin  tundues dhe  sinqeritetin e Agimit, për ta çliruar disi, bisedës i dhashë  disa nuanca shakaje, duke bërë të paditurin.

    -Cili paska qenë viktima e radhës e pasionit tënd dashuror, o Kazanovë e mareve të pjekura?

    -Lëre , lëre! Ishin tjetër lloj mareshë  ato që kish përgatitur kodoshi  Bardhyl  dhe Nexhmije buçja.Ishallah s’më ka parë  e nuk  e merr vesh Flutura.Nuk e di se si do ti dal tani përpara , apo s’ka një shqisë të  shtatë ajo për të nuhatur gjëndjen shpirtërore; ka një  ndjesi  perceptimi  të veçantë  me të cilën  të lexon mendimet e veprimet e kryera.Me sa  shihet, duke gicërruar prushin  ndjenjësor epshor, ajo si në një ekografi  të lexon karakterin e momentet që përjeton.

   -Të paska hyrë mëkati i bërë gjer në palcë!...

   - Ndjehem shumë keq,  Çlirim. Ti  e   ke në terezi  se e ke kapërcyer punën tënde me Vjollcën. E ndjej veten shpirtërisht  tradhëtar, të pabesë, të dobët  në karakter, të nëpërkëmbur  e të bratkisur si një qen.

Ti e di ,me ty kam trazuar  dhe gurët  e themelit  të shpirtit.Flutura  do më kthej   krahët.Ajo me një shikim zhbirues, do të kuptojë se çka ndodhur, më saktë  do të nuhasë gjëndjen time shpirtërore. Nocioni i faljes  për të tilla gjëra tek ajo nuk gjëndet  në asnjë skutë të zemrës.

    -Pa  hë ..!O gjuetar i “mareve”, a u ngopët ndopak andej nga  Qafa e Kuçit..?

    -Çlirim, në do të më ndihmosh ta ndreq këtë çmënduri që më zuri , më ndihmo me Vjollcën, në daç më ler të groposem, më le në këtë hall  që më ka zënë.

      Me duart që i dridheshin, Agimi, si në belbëzime, filloi të tregonte çfarë i kishte ngjarë tek zabeli.

   …Qielli mbi fushim  heshtëte  nën një pezm  që sa vinte e fluronte nën muzgun  e bruztë.Tutje, tek rrethorja e pushimit, një dialog therës, analog me atë të dhomës së oficerave, kish  filluar të valëzohej në ulje ngritjen  e një  bunace shpirtërore tek Flutura Çoçka dhe Shpresa Mokut.

  atje, vinte e përplasej në xhamllëkun  e dritares së oficerave një zë vibrato në akordet  e një gjuhëpreri  të Shpresës.Ata zëra vinin  si pendë kerubinësh * e goditnin si  Fluturën e Shpresën që dialogonin nën  mërmërime dhe fytyrën  e Agimit. Halli i shpirtit  i përshfaqej para syve .Ndjenjat, të strukura diku thellë  sikur dale  jashtë loje, si  e mbuluar me një tis mjegullor, si një mizaskenë Shekspiriane; nuk ishin më një ëndërr e keqe, por një përballje, viktimat e së cilës po ecnin  dejshëm në urën e Taksiratit.

    Agimi vuri duart në tëmtha, të cilat i gulçonin nga zierja e një zjarrmërie, sa që po i çahej koka.Mori një grusht ujë nga paguri dhe ja hodhi fytyrës. Syri me një strabizëm nga këto përvuajtje, dalloi  që larg shkëndia shprese që përplaseshin  në xhamin e dritares, me cilësinë  e një  agu,  përzjerë  me ngjyrat e muzgut që po binte si një penel i Salvador Dalisë. Ndjeu në kraharor një copëz  gëzimi i cili tentonte të zgjonte skutat e zemrës; një dritë e pakuptueshme që  nuk mund të shpjegohej me dritësinë që vinte në ato çaste nga sytë e ç’terrur  të Fluturës, bërë njësh me muzgun që sapo kish filluar të binte.

5

Po  përjetonin një  gëzim, –frikë të fshehtë  në atë gjysëm errësirë të pas dritares, duke mos e ditur nëse e meritonin vallë këtë gëzim  që vinte nga tenda e pushimit, apo ish një iluzion që mendja  kish mundur ta shpikte..!                                                 

Për Agimin, ato çaste  s’kishin shumë rëndësi , edhe pse ai me  përulësi të thellë e  kërkonte  në vetvete; rëndësi  kish  çfarë i thosh zemra.A kish mundur ndjesia të dilte nga thellësi e saj e të  çilte përsëri  si  një zambak i Prizrenit? Zemra  kish rëndësi, se mëndja prej saj në  do të vihej përsëri në peshore.   

  Rëndësi  kish, se ai  kish filluar të ndjente bisqet e besimit të bulonin dhe pse me autoritetin e mashkullit mendonte se e meritonte këtë gëzim, apo ajo endej në kolovajzën  e mendimeve të tij veç si një dëshirë..?

   Kjo s’kish  shumë rëndësi; tani e parë ish të kapje ato rreze drite që përshkonin, që  nga  sytë e Fluturës këtë muzg të bruztë, e që përplaseshin  në qelqin e dritares së oficerave. Rëndësi  kish t’i thurje ato rreze e me to në avlemendin e dëshirave    endej  koha që do të sfilonte  në të ardhmen dashuria e tyre.Kjo kishte shumë rëndësi , sepse ai mendonte  se e meritonte  këtë mendim. Ky gëzim i kish zbritur që nga lart  si Shën dashuria “Diell”, në një qiell të zymtë.

   Agimi ishte 22 vjeç, me pak eksperiencë në kësi punësh e mund të ngecte si miza në mjaltë.Pa eksperiencat e duhura të vetë jetës, ndoshta si kjo e sotmja, jo nga ato që na ngurtësojnë  e na bëjnë të dukemi “burrëror”  para kohe, as nga ato që na tkurrin në vetëvete  e që ndikohemi  nga një un’ i brendshëm, trandeshent  e që na mpakin  guximin për karshillëk.Ndoshta në këtë moshë  ndodh  të mos jenë formëzuar mire ato eksperienca që na nxjerrin në dritë, se kush jemi në të vërtetë  e çfarë duam.Ai ishte singëll në kuptimin social, megjithëse trokitjet e para, më tepër dëshirore, i kish ndjerë që në vitin e fundit të gjimnazit, por gjithçka  kishte mbetur si një kujtim i bukur i adoleshencës.Tani po, ish i bindur se trakullorja e dyerve të shpirtit kish filluar të trokiste në zemrën e tij.Tek rrinte  I mbështetur në parvazin e dritares, tashmë të hapur  dy kanatash, ai e ndjente atë trakullore të trokiste me ngulm    dyert mishtore të kraharorit.Ndjente atë shikim befasues, shkrepandritur  të Fluturës, buzëqeshjen a saj naziqe zërin  e kursyer tek dilte aq ëmbël  nga ato korda dashurore dhe si  në fletën e parë  të një pentagrami,stampoheshin befas  në fytyrën e tij.

   Gjithçka ish si një llampë e zbritur  nga tjetër botë parajsore  dhe që ndriçonte  sytë e buzët e tij, ish si një ëndërr,  ku të duket se po fluturon  në një qiell të shtatë,  por që e përjeton me sytë krejt të hapur  e mendjen    zgjuar.Gjithçka vinte  si një lumturi në amëshim…

…Atë natë në fjetoren ku ish Flutura Çoçka, në krevatin e saj, nuk kish gjumë.Shpresa me lot në sy i tregonte fije për  pe ndodhinë e asaj dite, qëndrimin e Agimit (sigurisht intimitetin e duarve  dhe të buzëve ajo e mbajti  thellë në shpirt për vete, si një mrekulli të natyrës femërore).

  - Flutura !  -thosh Shpresa- Agimi është një djalë i mrekullueshëm, do të bësh gabimin  më të madh të jetës tënde në rast se e refuzon dashurinë e tij. Do ta kesh  shokun më të mirë të jetës, mos ngurro…Ky fat  një  herë  të vjen në shtegun e jetës.

 …Të nesërmen e asaj  nate  pa gjumë, në pushimin e drekës, Flutura  i afrohet Agimit gjasme për ta pyetur   për stërvitjen e nesërme, por çdo gjë merr tjetër udhë.

  Agim- i thotë Flutura – dhelprat  të ngrohin me përkëledhje e joshje vështrimore, por s’mund  të marrësh lule në parajsë e t’i mbjellësh në ferr.

  Në këtë moment Agimi gjen rastin tìi tregojë ndodhinë  se si ranë viktimë e një vagabondeje e të një pushti. Flutura , me një fytyrë pak  në të vrejtur por, që fshihte agimin e një dite të re , e ndërpret:

   - E di, e di - më tha Shpresa - ndaj dhe unë po ta them mes shoqesh, në sy : Të  dua  e do të dua në jetë të jetëve, çdo gjë  në të ligë e në të mira dua ta ndaj me ty.

 Unë e ndjej  pendimin tënd edhe  pëshpërima më e vogël, kur del nga thellësia e shpirtit, mund  të dëgjohet mbi zulmet e  një ushtrie, kur ajo thotë të vërtetën  e vetëm të vërtetën.

   Jam e bindur, se edhe sikur të ngrihet dallga më e madhe  nga thellësia e deteve , lavdi zotit që unë e kam  limanin e dashurisë tënde, ku mund të qetohem.

   Krahu i një laureshe, që u ngrit nga çerdhe  e saj, shkroi  në qiellin e kthjellët rrugën e lumturisë të dy të dashuruarve.

  Në atë udhë i shoh edhe sot mbas dyzet viteve tek ecin të kapur doras ne lumturine e tyre.

 *kerubin- zogj mitologjik

 Sipas një sinopsi 1972

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1