Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TREGIME | ARKITEKTI ME ZAGARË

ARKITEKTI ME ZAGARË

image Kozma Gjergji

 

       Tregim  nga  Kozma  Gjergji


      Tashmë pakëz i kërrusur dhe me atë veshje ekstravagante të veçantë, zoti Aurel i shoqëruar nga katër -pesë qenër, çdo ditë i bie poshtë e lartë qytetit si mërgimtar i shumëpërmalluar. Ka lënë t’i rritet një pyllnajë leshrash, ndoshta për të fshehur tullën e kokës ose imituar ndonjë prej idhujve të tij filozof. Të njohurit e bashkëqytetarët, që ruajnë respektin e dikurshëm, ndiejnë keqardhje teksa e shikojnë sesi burgu e ka shkatërruar ashtu në gjysmë  të lajthitur. 

       Ka zbuluar në periferi një ngrehinë të vjetër, të rrënuar e braktisur, dikur selia e ndërmarrjes së pularisë. Aty kalon pjesën më të madhe të ditës e ndonjëherë edhe natën. Shpirti i tij prej arkitekti të apasionuar gjen prehje në atë qetësi të harruar, duke admiruar stilin dhe format ndërtuese e dekorative, që heshturazi i rrëfejnë se kujt shkolle i përkasin. 

          Në rrëmujën e jetës postkomuniste, ku shumë instikte paturpshëm e flakën maskën, ai endet si i humbur dhe çuditet përse nuk po e gjen dot atë ngrohtësi, melhem e shpërblim që kish shpresuar si ish i burgosur dhe specialist i shquar. E dëshiron pa masë një kërkim ndjese për vuajtjet e shkaktuara dhe ngritjen e një monumenti madhështor në nderim të të gjithë martirëve, burgosurve, zhdukurve, persekutuarve e internurve nga regjimi komunist. I duket hipokrite e spekulative tërë ajo retorikë, e cila bënë sikur përvëlohet për ta, por në fakt qëllimin e vërtetë e ka për të marrë vota dhe bojatisur me antikomunizëm portretin e partisë së vetë. E revolton ajo shurdhmemecëri , e cila s’do t’ja dijë hiç për të e plotë nga sivëllezërit e kësaj shtrese, që janë pa të ardhura, pa shtëpi, pa familje…  Si ka mundësi kjo?! , pyet  veten. Mos prapë timonin e drejtojnë duart e së keqes?! 

                Njerëzit, tanimë të lirë, dyqanet plotë mallra, reklamat ngacmuese, baret xixëllitës, ndërtimet e larmishme që dikur i dëshironte aq shumë, i duken si  tablora të një bote së cilës nuk ia kupton gjuhën. Edhe më keq ndihet kur vihet përballë ca grabitqarve dinak e hipokrit nëpër poste kyçe, që nga të djeshmit kanë ndryshuar vetëm pardesynë, njëlloi si gjarpri lëkurën. Mbase nga këto preferon të qëndroi sa më larg tyre, në vetmi dhe në shoqëri me qentë. 

                  Arkitekti e ka dashur qytetin si askush tjetër. I dashuronte me një ndjenjë të veçantë rrugët, godinat, parqet, lumin, urat…  Për të qyteti duhej të ishte si një organizëm i përsosur, ku të ndihej asimetria, ashtu e çlirët, e papërcaktuar, e ngatërruar, shkrirë në harmoninë e përgjithshme të së bukurës  dhe njëkohësisht në kontrast të vrazhdë me të. Dhe për këtë punonte me përkushtim. Rrallë ka ndodhur që nga e tillë dashuri njeriu të vuajë e bëj burg. 

                  Vite më parë, kur ai ishte në kulmin e talentit, qyteti përjetoi bumin e madh të ndërtimeve me punë vullnetare. Dhjetra e dhjetra pallate u ngritën në blloqe përgjatë rrugëve e deri në qendër. E tërë kjo shoqërohej me një propagandë gjëmuese, që ngulmonte t’u rrënjoste në tru njerëzve, se vetëm socializmi bënte të tilla mrekulli për zgjidhjen e strehimit. 

                    Për Aurelin ato godina ishin veç ca krijesa të mjera, vulgare të duarve e shpirtit të varfër. Me mjediset e brendshme tepër të ngushta, me pamjen e njëtrajtshme krijonin një asfiksi mbytëse e monotoni tejet  bezdisëse. Ashtu si ideologjia fabrikonte një uniformitet tipash njerëzorë, edhe mediokriteti prodhonte shabllonet e steriotipet e tij. Dhe për çudi korrte lavdërime. Ky shqetësim po e brente e s’e linte të qetë. Duhej dhënë sa më shpejt alarmi për t’ia kthyer drejtimin së keqes nga e mbara.

                      Mendimet që i vlonin në kokë i përmblodhi e publikoi në artikullin “Arsyet e arkitekturës “. Duke shfrytëzuar me mjeshtëri argumentet e kohës, vuri në zjarrin e kritikës (për ta bërë sa më të  pranueshme)  ata që  lejonin këtë punë diskredituese për socializmin, epërsia e të cilit qëndronte në përsosmërinë e gjithçkaje ndërtonte. Përveç ndërprerjes e zgjidhjeve korrigjuese ai kërkonte edhe vlerësim e hapsirë lirie për krijimtarinë e vërtetë ndërtuese, futjen e konkursit për projektet, të shpërblimit joshës material  dhe formave të tjera nxitëse, pa e thënë hapur si në vendet demokratike. 

                    Artikulli zgjoi reagime. Të kritikuarit me pushtet  menjëherë u vunë në lëvizje. Në fillim përgatitën vetëmbrojtjen e pastaj kundërgoditjen. Kritikat e drejta u anashkaluan e lanë në heshtje dhe tërë vëmendja u përqëndrua tek kërkesat e autorit. U shtruan pyetje: Për ç’lloj lirie e ka fjalën ky? Përveç pagës kërkon të futet edhe stimuli e shpërblimi material, domethënë të borgjezohemi, kur ne i japim përparësi atij moral, sepse, ndryshe nga kapitalistët punojmë për vete dhe e kemi  tonën gjithçka prodhojmë e ndërtojmë. Pra, konkluduan, artikullshkruesi ka hedhur një karrem të rrezikshëm për të na turbulluar ujërat e prishur njerëzit tanë me paratë, moralin dhe liritë borgjeze. Ky përfundim shkoi atje ku duhej dhe mori miratimin. 

                  Nuk vonoi dhe përgjigja. Në heshtje u largua nga detyra kryeredaktori i gazetës për mungesë vigjilence, kurse autorin e paralajmëruan frikshëm. Pas kësaj arkitektin e rrethoi ngado një qendrim i ftohtë e përjashtues. 

                   Kjo e preku thellë. Ai priste ta falenderonin e jo ta ndëshkonin. Keqkuptim apo e  qëllimshme?!  Deshi të shpjegohej, por nuk e pranuan. Vendosi të drejtonte lartë një letër. Kishte shumë më tepër për të thënë. Ia lëshoi frenat zemërimit. Me plotë fakte e shëmbuj demaskues i denoncoi e akuzoi eprorët  si pengues e bllokues të së resë  e deri të pa aftë, burokratë, fanatik, të prapambetur e pjella të së keqes.  Kjo u nënvizua me të kuq nga ata lartë e u interpretua se gjoja letërshkruesi në fakt sulmonte sistemin socialist, që na prodhuaka  vetëm monstra të tilla. Më tej Aureli theksonte, se drejtuesit me mënyra mafioze e makiaveliste goditnin e godasin specialistët më të mirë  për të vetmin faj se janë bartësit dhe mbrojtësit e progresit. Meqënse këtë e ilustronte hollësisht me veten, letrën e dërgoi anonime. 

                   Çuditërisht për të gjitha ato çfarë shkruante , në vend të vlerësoheshin e verifikoheshin, përkundrazi u dha porosia që të zbulohej sa më parë ky i çoroditur dhe gjëmbaçve të tij borgjezo-revizionist t’u hidhej herbicidi revolucionar e t’i tregohej vendi. 

                     Shpejt të akuzuarit dhe miqtë e tyre i ranë në të se kush qëndronte prapa anonimatit të letrës. Menjëherë pasoi një mbledhje inkuzicioni. Arkitektit i hoqën të drejtën e profesionit dhe e degdisën punëtor në kantjerin rruga-ura për të shlyer fajin dhe u edukuar. 

                      Në qytet vazhduan më me vrull të ngriheshin monoblloqet e godinave trekatëshe. Të afërmit e këshilluan Aurelin të hapte mirë sytë e veshët dhe të mbyllte gojën. Ai ende besonte se e drejta do të triumfonte. 

                       Zbukurimet, flamujt, koncertet, u kujtonin njerëzve afrimin e jubileut të çlirimit. Edhe më solemne e bënin atmosferën parrulla gjigande me  drita  “Rroftë diktatura e proletariatit” dhe pllakati i punëtorit me muskuj dinosauri, nën çekanin e të cilit bëheshin copë e thërrime reaksionarët e botës. 

                        Ishte  caktuar të përurohej dhe një bllok i ri pallatesh. Kjo do ta shumëfishonte gëzimin e festës e forconte më tej lidhjet me pushtetin popullor. 

                        Në ditën e shënuar njerëzit bashkë me kënaqësinë për shtëpitë e reja përjetuan dhe një surprizë : Në çdo apartament gjetën fletushka ku shkruhej :  “Njerëz fatkeq!  T’i gëzoni dhomat-qelira dhe shtëpitë-burg! “

                          Askush nuk dyshonte se ishte dora e armikut. Aurelit i vunë prangat e shpejt i bënë një gjyq spektakolar. 

                         Që atëherë kanë kaluar shtatëmbëdhjetë vjet. Ndërtesa e atij gjyqi të zymtë e të frikshëm, sot është diskoteka  “Ishulli i parajsës”, pronë e familjarëve të hetuesit së arkitektit. 

                        Tani zoti Aurel është qytetar krejt i lirë, shëtit, flet e jeton si të dëshiroi. Askush nuk e bezdis t’i ndërhyjë për mënyrën sesi vishet dhe mban flokët, mjekrën  e për preferencat e tjera. Nuk pyet kërkënd, veç dëshirës së tij për t’i kaluar netët e verës së bashku me qentë  si një  hipi në ndërtesën e ish ndërmarrjes së pularisë, vetëm për arsyen e thjeshtë se midis atyre ndihet herë si një baba në mes të familjes, e herë si një epror midis vartësve. Kënaqet shumë atje, kur mbrëmjeve qentë ngrenë kokat lartë e ia thonë me gjithë zërat. Ai e dallon secilin saktësisht si dirigjenti instrumentet e orkestrës. Ja, të lehurat e zgjatura si lutje të Diegos që pasohen nga të shpejtat histerike të Kikisë dhe  mbulohen nga xhingërrimat e lodhura e zvarritura të Xhemës plakë, të cilat ringrihen e fuqizohen me basin gulçues e autoritar të Balos e me radhë. 

                Kjo muzikë e butë dhe e egër  Aurelit i nxit gjithfarë kujtime dhe e bën të flasë. 

              -Boll na çave trapin me fjalimin idiot, - i drejtohet qenit trupmadh me emrin Leo, që leh pa ndërprerje me tonin sikur jep urdhra. Kafsha duke u ndier e privilegjuar nga përfillja e të zotit, ndërpret të lehurat e miqësisht tund bishtin. Njërin vesh e mban lartë e tjetrin poshtë. 

            - Dikur kapardiseshe tërë dëngla, duke pandehur se gjithë bota shastisej  me mutrat që nxirrje nga goja.  - vijon Aureli. -  Pykalan, zarbo, mendjemadh kokëbosh! Filozofia jote ishte :Kafsho gjithnjë në s’do që të kafshohesh. Kujtoje se Zoti të kishte dhënë vetëm ty të drejtën të kafshoje dhe rrëmbeje copën më të madhe. Të kanë duruar gjatë nga halli. Maskara dhe harbut! Nuk le bushtër pa i rënë në qafë, ndonëse shtireshe më i ndershmi i dynjasë. Por, ashtu, si plot të tjerëve, edhe ty ta gjetën anën për tërë punët e zeza antiparti e veprimtarinë kurvërore puçiste, dhe të katandisën të të shurronin në fytyrë edhe minjtë. Keq më vjen, po e meritoje. Hë, ç’më lëpihesh ashtu, daulle e grisur! Hajt, pirdhu tutje! 

              Leos, sikur t’i vij rëndë nga ato fjalë, var veshët llapush e humbet në tufë. 

              Në krahun e majtë të arkitektit qeni turidhelpër , me gjuhën përjashta e shikon me ca sy djallëzor. 

              - Edhe kur të ngordhësh ti ndyrësirë llafazan gjuha jashtë do të të  mbesë, - i thotë Aureli dhe vijon, - Je diplomat i madh!…  Po, pooo!… E zotëron mjeshtërisht artin e hollë të lajkatimit , të shtirjes e hipokrizisë. Nuhatja s’të gabon kurrë.  E di bukur mirë kur duhet të lehësh e të bësh si i ngordhur. Të kafshon pabesisht, atëhere kur s’e pret. Fshehur, por nëse të duhet edhe në sy të  të gjithëve e plot zhurmë. Eh, sa e kanë pësuar nga ajo gjuha dhe hunda jote! Dhe me ç’zell e ke bërë këtë punë të poshtër! Qelbësirë! Përbuzja dhe mallkimi ka për të të ndjekur deri në gropë. 

            Arkitekti e kap për zverku kafshën, e ngre lartë dhe e përplas përtokë. Qeni klith, picërron sytë, shtrëngon veshët e ia mbath. 

             Pas një heshtje të shkurtër Aureli ze të flasë përsëri. Ky zakon i është bërë nga nevoja për të treguar. Monologjet e tij janë si ca rrëkera të trazuara e zhurmshme  që i burojnë furishëm nga shkëmbi i ashpër i  jetës së vetë. Kur kanë butësinë, dhëmbshurinë  dhe ëmbëlsinë  e dashurisë, kafshët i shfaqin miqësi e i llastohen duke iu fërkuar e i hedhur këmbët mbi supe. 

              Në një moment të tillë Bulina, një qenushe simpatike ngrihet në të prapmet e ia lëpinë buzët. Ai largon paksa kokën, e tërheq kafshën nga vetja e nis ta përkëdhel me dashuri.

             -Hyjnesha ime e shtrenjtë! Vetëm ty të kam në këtë botë…. Të kujtohet kur të kapur përdore ecnim shkujdesur e qeshnim pa pushim për gjëra të pakuptimta dhe, ndaleshim tek ura e drunjtë e sodisnim lumin që rridhte poshtë, pastaj shtriheshim në bar, putheshim, përqafoheshim dhe meditonim për të ardhmen, duke vështruar majat e maleve, retë e bardha si krah pëllumbash... Ti kishe të drejtë që s’kërkoje aq shumë nga jeta. Po të isha dhe unë pakëz ashtu, mbase s’do ta kishim humbur njëri-tjetrin kaq kohë! Kurrë s’më qortove për gabimet dhe  burgun. Si gjithmonë krenare çaje përmes gardianëve e hekurave dhe vije e më takoje, duke m’i bërë aq të mrekullueshme ëndrrat. Ke qenë ngushëllimi im! Sa dëshiroj të  të takoj prapë. Bashkë me siguri do t’ia dalim të jemi më të lumturit. Ke për të parë… 

            Befas era lëkund drurët rreth e qark, tek të cilët sorrat kanë ngritur foletë. Bien disa fruta me zhurmë. Një korb ngrihet  duke rrahur krahët me mospërfillje. 

            - Mos qëlloni me gurë maskarenj, se ndërsej qentë t’ju bëjnë copë-copë, - iu hakërrehet Aureli, duke pandehur se  i hedhin keqbërës e grabitës. 

        Ai ve re se tufa është dhjetëfishuar me lloj-lloj qenër të rrugës e fshatrave. Janë nga të gjitha ngjyrat e racat. Hyjnë e dalin, skërmiten, ndërsehen e kacafyten pa pyetur fare për të zotin. Kjo e nervozon  dhe e nxit të verë rregull. Fut në përdorim dhe shkopin. Në një prej potereve me hamullitje e ndërsime ai  iu bërtet: 

         -Qetësi, qetësi  zotërinj! Kështu s’mund të merremi vesh për asgjë. Jemi thirrur këtu, në parlamentin  tonë qenëror të bëjmë ligje për drejtësinë, dashurinë, përparimin, demokracinë, dhe jo të hungërini e skërmitni dhëmbët. Ju këshilloj të përmbaheni , se në kaq pak kohë keni lehur e vjedhur sa për katërqindë vjet. Si? Nuk përmbaheni dot nga zelli patriotik e për demokracinë? Oh, e di,  e di! Zelli juaj kryesor është të çvatni e vetëm të çvatni. Për lekë e vetëm për lekë kafshoheni e lëpiheni, nuhatni e lehni. Edhe kur i zbuloni strofkat e poshtërsive të kundërshtarit,  nëse ua kërkon interesi s’e keni fare për gjë t’ja justifikoni e madje t’i puthni dhe bythën. Mos u shtirni  çoç jeni! I njoh mirë shumë prej juve që bëjnë trimin me bishtin në shalë dhe tradhëtisht i futin ujqërit në kope… 

              Nga tufa e qenve  ngrihet një zhurmërim mosdakortësie. 

              -Vëmëndje, vëmendje…, - iu tërheq vërejtjen  Aureli dhe vazhdon. - Propozoj të miratojmë sot ligjiin e një amnistie të gjerë, dhe atë për ngritjen e monumentit kushtuar gjithë të  të burgosurve, të zhdukurve e persekutuarve politikë. 

             Ende pa e mbaruar fjalën, disa nga qentë e sapoardhur , si të ishin kundër, fillojnë të lehin e skërmitin dhëmbët në mënyrë agresive e kanosëse. Kjo pasohet dhe nga të tjerë. 

             -Qetësi, qetësi zotërinj rrugeçër…, -i paralajmëron me ndëshkim arkitekti. Zëri i tij i lartë s’dëgjohet fare në atë buçitje në kor e përplasje putrash. 

            -Më dëgjoni!… Pushoni!… Maskarenjokrat të çmendur!… Pse bëni kështu, xhanëm?!… Ahaaa!… Jeni kundra?!… Dihet…  Vetëm për këtë jeni të zot ju bijtë e   urrejtjes….  Atëherë  në s’doni, në të satuamave shkofshi! Dhe naaaaniiiiii….   naaaa!… 

       Aureli i jep vrullshëm forcë shkopit e godet ku të mundet. Tufa e kafshëve acarohet dhe sulmon  duke u shndërruar në një rrëmujë e katrahurë. Një dallgë e egërsuar syresh kërcen dhe e mbulon  krejt arkitektin. Përleshja vazhdon furishëm, derisa fati deshi të kalojnë aty rastësisht dy kalimtarë, që ia dalin t’i largojnë qentë. 

            Sytë e tyre të tmerruar shikojnë trupin e shqyer të një mesoburri. Gjaku i vërshon papushim. Tentojnë ta ngrenë, ta ndihmojnë, ta çojnë në ndonjë spital, por çdo gjë është e kotë… 

       Të nesërmen të afërmit, bashkëqytetarët e bashkëvuajtësit përcjellin me pikëllim e nderim për në banesën e fundit trupin pa jetë  të arkitekt Aurelit. Midis buqetave me lule spikat dhe ajo  e mikes së tij të zemrës. 

                 Pas disa ditësh, çuditërisht, në varrezë ia beh tufa e qenve. Ndonëse larg qytetit arritën ta gjejnë falë nuhatjes së fortë. Gërmojnë me thonj varrin e të ndjerit dhe lotojnë me hungërima të mbytura, ndërkohë që disa prej tyre ngrenë këmbën e prapme dhe e shurrojnë. 


Comments (7 posted):

Annabel Russo on 16/07/2019 21:18:01
avatar
Propaganda e diktatures shqiptare ndillte artistet e intelektualet ne cdo fushe per sherbimin e vete, por behej kurth mizor per ata qe nuk perceptonin hipokrozine, thelbin e vertete te natyres te saj. Ajo ishte makine militare qe ne fillim i hipi brenda saj e morri ne mbrojtje artistet e mendje te larta, te shfrytezonte talentet, mendjet e zemrat e tyre, por kur nuk sherbenin me o ata qe dilnin nga skema e diktatures i flijoi pa meshire.
Kush mbas renies se diktatures "mbijetoi", nuk gjeti hapesire ne shoqerine njerezore.
XING. on 17/07/2019 10:57:02
avatar
Ishte në natyrën e diktaturës, rrëzimi i "rebelëve intelektualë"përmes zhvlerëri-mit, përpara burgosjes e shkatërrimit deri në thërrmimin mendor.Ky mllef itej-më e tepër skajor, është një pjesë e asaj që emërtohej vigjilencë e luftë klasore. Përqeshja për'të, gjithsesi, në llojin e vet, kënaq stigmatizimin. Urime, miku ynë matanë Adriatikut! Unë po i vendos pesë yjet.
Xing.
faruk myrtaj on 17/07/2019 14:02:42
avatar
Jo vetem gjetja,
ishte e vecante,
te vertetat erdhen dhe u ashperuan, teksa biseda e Arkitektit me dy qente e afert shnderrohet ne ndeshkim per njerin e dashuri per tjetrin!
Pastaj...loja zgjerohet, e veshtireson pak shijimin si art, ndonse si e vertete madhohet e dhimb po aq...
Njeriu i fjales e vuan se pari vet hallin e te tjereve, te shoqerise e vendit,pastaj ia kthen borxhin si art...
Urime te vecanta Kozma...
Annabel Russo on 17/07/2019 19:57:28
avatar
Lashe pase dore te jepja kredit autorit ne thurrjen e ngjitjes e rokullisjen e personazhit e guximin te trajtoi kohen gjate makines se ndeshkimit. Skema e realizmit socialist ne letersi eshte e rrenjosur thelle ne subkoshiencen e brezit qe ka jetuar gjate diktatures dhe ta shmangesh nuk eshte akt heroik, por krijim i nje paradigme te re.
Vasil Klironomi on 18/07/2019 07:51:11
avatar
Instinkti i vetë-ruajtjes shfaqet si shtysë e vetë-vetishme te çdo individ.
Gjer këtu s' ka asnjë të keqe se është e natyrshme, (e gëzojnë dhe kafshët);
por tek arkitekti funksionoi ndryshe se shkrimtari i talentuar Kozma Gjergji,
i dha më shumë rëndësi vetë-ruajtjes së personalitetit
se sa vetë-ruajtjes së ekzistencës fizike.
Tjetër, në këtë tregim aq të arritur , ashtu siç shkruan dhe Faruku:
«Nuk është vetëm gjetja, por dhe e veçanta».
Urime!
myslim maska on 18/07/2019 19:17:18
avatar
Tregimi me pelqen. I shkruar bukur
artistikisht, me zhdervjelltesi, kulture dhe mencuri.Ka te vecanten ne dialogun e qenve.Ke tregime me te mire se ky, Urime.
Kozma Gjergji on 29/07/2019 13:18:58
avatar
Të shumërespektuar miq! U jam thellësisht mirënjohës për mendimet rreth tregimit. Përveç kënaqësisë, ato bëjnë për mua dhe atë që bën fari apo busulla për anijen dhe më shtojnë besimin e sigurinë. Ju faleminderit e po ashtu ua shpërblefsha në gëzimet e ngjarjet tuaja krijuese.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
3.33
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1