Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TREGIME | XHUNGLA

XHUNGLA

image Resmi Osmani

  Resmi Osmani                                                             Tregim

                                                                          Nga cikli”Koha e çudirave”   

                                           XHUNGLA

  Kristo Lozhani, sipërtmarrës dhe pronar I firmës “Lozhani konstruksion” i pushtuar nga dëshpërimi dhe zemërimi, ecejakej pa pra aq sa e lejonte hapësira e zyrës. I dukej vetja si i ndryrë në kafaz.Gojën e kishte të hidhët nga dëshpërimi dhe përbrenda i zjente zemërimi. Sapo ishte kthyer nga kantieri. Po bëhëj një muaj pa punë. Makineritë e parkuara: kamjonat e rëndë, buldozërët, rulat, çisternat e ziftit, dukeshin si ca kafshë të stërmëdha të rëna në gjumë. Koha kishte ngrirë. Një heshtje varreze. Manovratorët, e mbetur pa punë, dukeshin  rrallë. Edhe ata ishin të dëshpëruar dhe të papaguar, prisnin lajme për një punë të re. Punëzeza! S’dukej gjëkundi. Dhe pse e gjithë kjo?Para një muaji edhe pse kishte paraqitur kosto më të ulët nga kërkesa,  kishte humbur tenderin për asfaltimin e rrugeve të brendshme të njësisë pesë. E kishte fituar firma”Struga sh.p.k.” 

        Njësia e tenderimev, ishte shndërruar në xhungël, ku konkuruesit shqyenin njeri-tjetrin. Nuk fitonte ofruesi me i mire por ai qe paguante me shume nën dorë. Ndihej brurima e luanit , e çakenjve dhe hijenave që i vinin rrotull, por ai fitonte ngaherë. Shtrigani i vjetër, inxhinier Struga, edhe pse ishte tërhequr nga biznesi që ja kishte trashëguar të birit, përdorte lidhjet e tij të vjetra e të shumta dhe dinte ta lyente rrotën që vërtiste  mekanizmin e tenderimit dhe punët i shkonin fjollë.

       Kristo ishte e treta herë që përballej me të dhe të trija herët kishte humbur. Helmi i dështimit ishte mbledhur pikë-pikë dhe rrufeja e zëmërimit  që e digjte përbrenda, diku duhej shkarkuar. E kishin thënë latinët e vjetër;”Hominis et homine, lupus est![1]” Mori nga bufeja shishen e uiskit, e zbrazi në gotë dhe e piu me hurba të vogëla. Pija e fortë ia ngrohu lukthin e akullepsur dhe ndjeu sesi ngrohtësia prehëse iu shpernda nëpër damarë dhe i kthjelloi mendimet. Kishte dëgjuar të thoshin se hakmarrja është një pjatë që shijohet e ftohtë. Kishte kaluar muaji dhe besonte që tashmë  ishte ftohur dhe duhej shijuar. Mendoi që për ta trembur, t’i niste një SMS me përmbajtjen”Hiq dorë nga tenderi që fitove, përndryshe ti dhe yt bir jeni të vdekur”Dreq!S’lshte gjë që bëhej. Do kerkonin tabulatet dhe do ta gjenin. Hakmarrja duhet të ishte ndryshe. Kishte kohë që e mendonte. Ajo ishte gatuar djallëzisht në mëndjen e tij të pështjelluar dhe do të plaste si bombë. Do të ishte një gallatë tragji-komike!

       Thirri inxhiniere  Mirën. Ajo hyri me ndrojtje. Kristo e shikoi si të mos e kishte parë herë tjetër.”I rroftë emri, se as e mirë as e bukur: gjoksdërrasë, fytyrë lëpirë,flokë shtupë. Femër pa feminilitet që s’kishe ku ti hidhje sytë” mendoi ai. Ja kishte bërë peshqesh një deputet të cilit s’ia kthente dot fjalën. “Sa për profesioniste, hiqi kapelen: s’ia gjen shoqen, vlen sa më i miri.” Prandaj ai edhe e mbante. Inxhinierja priste në këmbë.

     -E njeh inxhinier Strugën?

     -Po. Më ka patur studente. Na jepte rezistencën materiale.

     -Dhe si e mban mend?

     -I aftë, autoritar, por i drejtë në vlerësime. Nuk falte as të birin. E pata udhëheqës teme për diplomën. Më von, pasi ngriti firmën e ndërtimit, nuk e kam takuar më.

       -Ajo firmë është e zeza dhe mjerimi ynë. E treta herë që fiton tenderin. Për shkak të atij shtrigani plak, jemi pa punë e me miliona të humbur. Në prag të falimentimit. - Pasi heshti pak, shtoi:- ka për të ma paguar! Fjalët e fundit i shpëtuan, se s’deshi ti shqiptonte para Mirës. Hakmarrja ishte vetëm e tij, për kënaqësinë e tij, askush tjetër nuk duhet ta dinte.

       Piu me ashk dhe një gllënjkë uiski.

      -Tashti më bëj një punë. Më gjej adresat dhe telefonat e disa agjensive funerale. Mos u vono.

      Inxhinierja ngriti supet dhe e pa me habi,”Agjensi funerale”- mendoi ajo dhe i shkoi mendje te vdekjet dhe varrimet,ç’ne me firmën e tyre? Por nuk e pyeti. S’ishte detyra e saj të pyeste për porositë që i jepte shefi. Hamendësoi se ky s’duhet të ishte biznes. Një paudhësi po gatitej, që gjithsesi, nga përfshirja e agjensive funerale, dukej të ishte e kobshme.

                                                         *    *   *

       Zilja e telefonit tingëlloj me tërsëllimë. Andon Mëhilli kapi me ngut receptorin.

       -Agjensia funerale “Parajsa”. Sipërmarrësi i shërbimeve funerale –nuk tha i varrimeve se tingëllonte keq- Andon Mëhilli. Po ju dëgjojmë. 

      -Zotëri, dua të bëj një njoftim dhe po të jetë e mundur, të siguroj shërbimet e agjensisë suaj.- Zëri vinte  i ngjirrur dhe si kurdoherë  kësodore, i pikëlluar. Andoni e dinte se ç’pasonte pas të tilla zërave. Një vdekje. Ky ishte biznesi i tij. Të tjerë e përbuznin, vërtet I pikëllueshëm, por dikush duhet ta bënte. Për të vdekja ishte jetë, burim të ardhurash me të cilën mbante familjen!.

       -Urdhëroni, po ju dëgjojmë.

       -Para dy orësh, papritur u nda nga jeta nga një arrest kardiak, babai ynë, inxhinier Shahin Struga.

       -Më vjen keq. Jeni i biri? Ngushëllime. Vetë shëndosh, tu ketë lënë uratën. Paska pasur vdekje të lehtë, si gjithë të dashurit e zotit.

       Mandej Andoni, pyeti me një zë të trishtuar ku dallohej pikëllimi profësional dhe mori përgjigje per gjithë sa i duheshin për të ndjerin: moshën, adresën e banesës, ku priteshin ngushëllimet, ditën dhe orën e përcjelljes për në banesën e fundit, kujt besimi i takonte i ndjeri dhe a do të përcillej nga klerikë të fesë. 

     -Kam dhe një kërkesë. Arkivoli të jetë i veçantë, si i takon sërës së tim eti.

      -Pa merak. Kemi nga dru lisi te gdhendur dhe me leskra argjendi të ngallmuara, por, zotëri….

       -E keni fjalën për çmimin?

       -Pikërisht.

       -As mos e mendoni.

       -Na duhet edhe një fotografi.

        Pasoi heshtje.

        -Nuk mund t’ua sjell tani.Po merrem me punë më të ngutshme. Keni kompjuter? Merreni nga gugli ose fejsbuku. Është njëra e bërë për shtatëdhjet vjetorin e lindjes.

      -Faleminderit që zgjodhët agjensinë tonë.Do të jetë një shërbim i fisëm, ashtu siç i takon të ndjerit. 

          -Po varri ? E duam në një vend të mirë.

          -Kemi një parcelë të re, vend i zgjuedhur, me pamje nga perëndimi dhe  Dajti, por kuptohet edhe një pagesë plus.     

              Andoni uli receptorin dhe frymoi thellë . Zyra e vogël dukej edhe më e vogël, ngaqë tre muret e saj ishin mbushur me arkmorte të vëna një mbi një, që e bënin edhe më të vogël e të zymtë. Mbi tryezën e punës, në mur, ikona e shën Pjetrit me breroren e martirit, dukej sikur shihte arkmortet, në pritje që në to të vendoseshin të vdekurit, që do t’i priste te porta e parajsës. Andoni bëri kryqin dhe falnderoi shënjtin. Kishte dit pa një varrim, sikur shën Gabrieli t’i kishte harruar ata që u ishte sosur jeta. Duhet të fillonte nga puna. Xhenazja kishte ardhur te porta! Duhej ta përcillte. Thirri në telefon ndihmësen Dafinën, pastaj shtypshkronjën për lajmerim-vdekjet: ”Dëgjoni, i ndjeri është person i rëndësishëm, një bos, prandaj edhe shpallja e lajmerim-vdekjes duhet të jetë e veçantë: letra me lluster, fotografia me ngjyra, anash korniza me trëndafila. Mbani shënim tekstin:” Me hidhërim të thellë bëjmë me dije se sot(data), u nda nga jeta, babai ynë i shtrenjtë inxhinier Shahin Struga, vjeç 75. Ngushëllimet priten në vilën 6-të, rruga Jul Variboba     perballë Parkut Olimpik. Përcjellja e të ndjerit për në varrezat e Tufinës, bëhet nesër në ora 11-të. Familja Struga. Mos i vononi. Sa më shpejt aq më mirë.”

     Kur erdhi porosia  nga shtypshkronja, Andoni nisi djalin që bënte vendosjen e tyre. I dha adresën dhe ai pa vonesë shkoi në rrugën ku ishte banesa e të ndjerit dhe ngjiti shpalljet nëpër shtyllat dhe vendafishimet. Të fundit e ngjiti në murin e avllisë, anash portës së vilës numër 6-të.

      Në njërën nga shtyllat u ndalën tre kalimtarë të moshuar dhe panë lajmërim- vdekjen, gjë që i habiti.

      -Paska vdekur inxhinier Struga!

      -Mos more! Po unë dje e pashë tek pinte kafen te “Admirali”, shëndosh si kokrra e mollës!

      -Këto lodra i punon zemra, miku im. Eh ç’burrë që ishte, por e paska pasur vdekjen të lehtë e pa lëngatë. Pa shikoje se  nuk i kam syzet, kur bëhet varrimi? Unë do të shkoj ta përcjell, po ju do të vini?

       Edhe në vende të tjera, kalimtarët mbanin këmbët dhe lexonin shpalljen mortore. Të njohurit, të keqardhur, ua përcillnin të njohurve të tjerë.   Lajmi u përhap gjithandej. Televizioni “Euro njuz” e dha në lajmet e drekës. Kush e njihte (që s’ishin të pakët) dhe gjiria u ndodhën të befasuar dhe të tronditur para kësaj vdekje të papritur.

       Në ndërkohë, inxhinier Struga,  kishte mbetur i vetëm në shtëpi, ngase djali me nusen dhe fëmijët kishin shkuar për pushime në Antalia të Turqisë. I bënte shoqëri qeni Luka, një Labrador bardhosh. Ishte duke u kujdesur për postatet e luleve në oborrin e vilës. Zilja e celularit e lajmëroi që dikush e kërkonte. Vuri syzet. Numri ishte i panjohur, por e hapi.”Përshëndetje profësor.Jam një ish studentja juaj. Dua tu bëj me dije se dikush po përgatitet që t’u bëjë keq. Se çfarë, nuk e di dhe nuk mund ta them. Respekti që kam për ju, më detyron t’u vë në dijeni”. Nga ana tjetër telefoni u mbyll, pa pritur që t’i bëheshin pyetje apo t’i kërkoheshin sqarime. Paralajmërimi, megjithëse disi i mjegullt, e i paqartë,  linte vend për hamendësime, por ai nuk dinte të kishte borxhe apo t’i kishte hyrë në hakë kujt. Përkundrazi.

      Kohë e çuditshme. Çdo gjë mund të pritesh. E gjeje nga  s’e pandehje.Ngase duhet të ruhej apo të bënte kujdes? E la punën. Do të priste. Me të parë e me të bërë. Kishin gjetur kohën që s’ishte as i biri. U ndërrua dhe doli për të blerë në treg harxhet e drekës. Luka deshi t’I shkonte pas, por ai e mbylli brenda. Kur po mbyllte portën, në anën e djathtë të avllisë i zuri syri lajmërim-vdekjen e tij, të vendosur pak më lart se një bojë  njeriu. E lexoi fjalë për fjalë dy-tri herë, i tronditur. Nuk i bënin sytë. Ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë, me emër e mbiemër. Edhe fotografia ishte e tij. E kishin shpallur të vdekur! “Pa shih ç’na qënka! Dikush më do të vdekur për së gjalli. Ç’ mendje djallëzore mund të pillte të tllla kobe?” I erdhën ndërmend shumë emra, por dyshimet nuk janë asnjëherë prova. U mat ta shqiste e ta griste, por ndërroi mendje. I gjalli-fantazmë, që ishte shpallur i vdekur, do t’i shkonte poshtërsisë  së kësaj loje vdektare deri në fund.

                                                       *    *     *

      Andon Mëhilli, veshi kostumin e zi të përmortshëm, vuri kravatën e zezë dhe u pa në pasqyrë. Pamja e bindi që ishte më i zi dhe më i përzishëm se korbi. Ishte dukja që duhej për t’u paraqitur në një familje që vuante hidhërimin e humbjes së të dashurit të saj. I dha fytyrës atë shprehje dëshpërimi e pikëllimi, që do të rrëfente keqardhjen e tij për të ndjerin dhe familjarët e tij. Ishte koha për të shkuar në shtëpinë e të ndjerit. Së bashku me Dafinën, shoferin dhe hoxhën, Ymer efendiun, ngarkuan në furgon arkmortin dhe kurorat e luleve artificiale dhe u nisën për në banesën e të ndjerit. Ishte goxha larg, nga “Kinostudjo” në “Komunën e Parisit”, i binte të përshkonte Tiranën mespërmes. Trafiku ishte i rënduar, por më në fund ata arritën dhe furgonin e parkuan anash avllisë së vilës 6-të. Porta ishte e hapur. Rrugica e shtruar me pllaka të shpinte në shkallët e mermerta që të ngjisnin në verandën e bollshme, hijeshuar me vazo mullagash të lulzuara. Andonit dhe Ymer efendiut, i bëri përshtypje ajo shurdheri dhe heshtje që mbizotronte në vilë. I priti një i moshuar i mbajtur mirë, që çuditërisht ngjante me portretin e të ndjerit inxhinier.

     - Mos jemi gabim? Po na çudit qetësia dhe mungesa e njerëzve.S’duket si një shtëpi xhenazeje. Vijmë nga agjensia funerale “Parajsa”, për ceremoninë e varrimit të të ndjerit inxhinier Struga.

     - Nuk jeni gabim. U prisnim. Ne nuk jemi fis i shtuar. I biri po merret me gatitjen e xhenazes. Nusja e shtëpisë dhe fëmijët kanë shkuar për pushime jashtë shtetit. E bija është e martuar në Elbasan, zere se ka ardhur. Por edhe shoqëria dhe dashamirët, ka të ngjarë që hala se kanë marrë vesh.

     - Më falni, në mund tu pyes, Ju kush jeni?

    - I vëllai, binjak. Iku para meje dhe na ka hidhëruar shumë.

    - Duket, jeni fort të ngjashëm. Ngushëllimet tona. Vet shëndosh.T’i rrojnë fëmijët dhe gjith të dashurit.U prehtë në paqe. Kemi sjellë arkmortin. Hoxha ynë, Ymer efendiu do ta pergatisë  e lajë merhumin sipas riteve të fesë, do ta veshë e qefinosë për në banesën e përjetshme. Po ku e keni trupin e pajetë të të ndjerit?   

    - Është në morgun e spitalit. Ende s’i kanë bërë autopsinë. Ju do shkoni ta merrni e ta vendosni në arkëmort, pas orës 7-të të mbrëmjes. Kështu na kanë thënë. Deri nesër që behet varrimi, keni mjaftueshëm kohë.

     - Na duhet edhe leja e varrimit dhe …Një parapagim.

     - Po merret nipi me atë punë, zere se e ka nxjerrë.Për parapagimin besoj u pret puna deri në mbrëmje.

    - Epo, s’na mbetet gjë tjetër, ne po dalim. Kush do të na presë te morgu?

     - I biri dhe ca miq të tij. Prisni tu mbush nga një gotë raki.

     - Faleminderit, hoxha nuk pi, mua më ngre tensionin. U ardhçim për të mira. 

       Andoni dhe Ymer efendiu hipën në furgon. Xhenaze të tillë s’u kishte ndodhur të hasnin kund. As njerëz, as hyrje dalje, as të qara grarisht. Kaq njeri i panjeri të ishte  i ndjeri? U mërzitën që puna do të zgjatej e vonohej. Shoferi e nisi furgonin për tu kthyer në “Parajsën” e tyre.

                                                           *    *     *

   Ngrehina dykatshe e bar-kafe “Admiralit” ishte përballë vilës 6-të. I ndante rruga e gjerë që ngjitej për te “Kodra e Diellit”. Kristo Lozhani, e parkoi makinën larg dhe bëri një copë rrugë më këmbë. Në këtë lagje se njihte njeri, por ai vuri syze të errëta dhe një kasketë që i mbulonte ballin. I kishte dalë të keqes përpara. Telefonatën e kishte bërë nga një telefon publik i zyrës postare. Asnjë rrezik që të zbulohej. U ngjit në katin e dytë. Veranda e bollshme shihte nga jugu dhe që aty dukej  vila si në pëllëmbë të dorës.  Zuri vend në një qoshe që s’binte në sy dhe porositi kafe dhe ujë mineral. Vuri dylbitë, rregulloi okularët dhe para syve si ta kishte një hap larg u shfaq porta dhe muri i avllisë ku ishte vendosur shpallja e vdekjes. Kristua u çudit: si nuk e kishin hequr shpalljen, apo s’kishin arritur ende t’a shihnin? Se kishte mbaruar ende kafen kur ne portën e hapur kanat, u shfaqën vizitorët e parë. Dukeshin të mërzitur dhe të trishtuar. Më së shumti ishin pensionistë dhe pak të rinj. Kaloi ca kohë dhe vizitorët e parë dolën nga vila. Plasi gallata. Ishin të habitur, por edhe të gëzuar e të qeshur, flisnin për vakinë me këmbë e duar. Ata diç u thanë të tjerëve që ishin duke ardhur, por ata nuk u kthyen dhe hynë në vilë. Vargani i njerëzve s’kish të sosur. Vinin duke qarë e dilnin duke qeshur. Kristua,ç’farë nuk do të jepte të gjendej aty brënda, ndaj në pamundësi i duhej të përfytyronte dhe hamendësonte se ç’farë i thoshin vizitorët dhe si i priste “ngushëllimet” inxhinieri plak. Me siguri, pas habisë së parë, vizitorët i thoshin “Tu shtoftë ymri, të shkuara” ,”U bëfsh njëqind vjeç, për inat të atyre që s’të duan”, ”Po ç’patën me ty xhanëm, që ke bërë veç të mira?” dhe “E gjetë në kokë të tij maskarai që e ka bërë të pabërën” dhe pastaj: ”Ç’mendje djallëzore, ç’shpirt zi shtrigani, mund të sajonte të tillë poshtërsi? Pa mendohu mirë, kujt i ke hyrë në hakë, aq sa shpall vdekjen tënde përsëgjalli!” Pa e ditur, pa e njohur, ata e shanin atë që ishte bërë shkak i gjithë kësaj katrahure kobtare, e nëmnin, e munxosnin, uronin që vdekja t’i kthyehej në kokë të tij! 

      Gjithë këto Kristua i kishte ditur dhe paramenduar që më parë, por ato nuk bëheshin pengesë që ai ta shijonte  me qetësi pjatën e ftohtë të hakmarrjes. Nga fjalët dhe mallkimet s’vinte gjë e keqe. Për të, inxhinier Struga, paçka se i gjallë, mirë e shëndosh, kishte marrë mandatën e tij. Si nuk I kishte rënë pika! Për të, zere se kishte vdekur.

      Para portës, frenoi një BMW. Prej saj zbriti një grua e re, dy fëmijë dhe një burrë që e mbante gruan nga krahu. Të gjithë të veshur me të zeza. Gruaja vuri kujen sa gjëmoi rruga: ” Qyqja, qyqja, ç’më gjeti! Mjera unë për ty baba, oh, oh, si ike pa më parë, pa më thënë një fjalë. Mjera unë, mjera unë për ty! Baba ,o babai im i mirë! Oi, oi, të kisha vdekur unë për ty!......” Ishte e bija, që vinte nga Elbasani, me të shoqin dhe fëmijët.

     Sido keqdashës e zemërgur, pamja e së bijës dhe gjëma e saj për të atin, e tronditën Kriston. Hakmarrja dukej se ishte tepruar. 

    Ata që dilnin nga vila, takonin ata që vinin, u thoshin që lajmi kishte qëne i rrem, dhe ata ktheheshin nga kishin ardhur. Dikur njerëzit u pakësuan dhe vizitorët u rralluan. Dikush doli dhe hoqi shpalljen nga muri dhe ca më tej nga shtyllat dhe vendafishimet.

Kristua u ngrit. Ishte koha për të ikur.

 Për të shfaqia kishte mbaruar.

                                                          *       *        *

Në morgun e spitalit,Andon Mëhilli u godit nga një befasi hutuese. Aty se priste askush nga familjarët e të vdekurit. Si të mos mjaftonte kjo, i thanë se në morgun e spitalit, as ishte sjellë, as nuk gjendej trupi i njeriut që kërkonte.

     I tronditur, ngau me tërë shpejtësinë për në vilën 6-të. Veranda ishte e ndriçuar e bërë ditë. Aty, ca fëmijë, të ulur në kashtore, dëgjonin muzikë me zë të lartë. Njeri syresh i hoqi udhën për në dhomën e gjyshit. Andonin e priti ai që ishte paraqitur si binjaku i të ndjerit inxhinier. Andoni s’po e mblidhte veten nga çudia. Ia qepi sytë e zemëruar dhe foli me mllef:

     -Zotëri, me kë talleni ju! Ç’është kjo shaka pa kripë? Në morg s’ishte asnjë  kufomë me emrin e inxhinier Strugës . Ku e keni të vdekurin?

       -S’qe e thënë të vdiste. U ngjall si Llazari. Kishte bërë vdekje klinike. E keni para jush!

       “Si u ngjall? Ah i mallkuari, edhe këtë poshtërsi ma bëri, më hoqi nga dora një million lekë!” Ishte një klithje e brendshme.

       - Lajmërimi ishte i rrem. Juve u kanë përdorur duke u mashtruar.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1