Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TREGIME | FISHKËLLIMË E DHIMBJE

FISHKËLLIMË E DHIMBJE

image Tahir BEZHANI

T r e g i m

Tahir BEZHANI

FISHKËLLIMË  E DHIMBJE

Për çdo vit, Burim Mali, shkonte në njërën prej metropoleve të Evropës, rrinte disa ditë, vizitonte familjen  e tij, akraba e miqësi e pastaj sërish kthehej në vendlindje, në Gurnajën e lindjes,vendi më i bukur në botës. Natyrisht, më i bukuri i botës, nga se aty ishte lindur e rritur, aty kishte kaluar fëmijërinë dhe djalërinë, deri në moshën e pjekurisë, kurse, pastaj kishte emigruar në qytetin më të afërt për të kaluar pjesën tjetër të jetës, për t’i shkolluar fëmijët. Në qytet shkollën e kishte afër, edhe shëndetësinë e shumë gjëra të tjera. Pra, kishte kushte më të mira se në Gurnajë. Punonte, Burim Mali, natën e ditën,çdo punë që i vinte në dorë,vetëm që të mos bëhej i varur për kafshatën e bukës. Me mundim të skajshëm e shumë sakrifica i rriti dy djem si dy drita. Ia mbaruan edhe shkollën e mesme, me synim të vijimit të studimeve në fakultet. Kishim dëshirë të studionin mjekësinë. Por, fati shpesh nuk dëgjon dëshirat e njeriut. Sapo mbushen të 18-19-tat, djemtë e Burim Malit, shteti monist i ish Jugosllavisë, klika serbe, ia kërkoi për shërbim ushtarak. Kur morën ftesat, lexuan se duhej të kryenin shërbimin në zonën e luftës të asaj kohe që kishte filluar në Bosnjë e Kroaci, në fillim të viteve 90-ta.

Burimi me bashkëshorten Hanën, u shqetësuan, shumë u mërzitën, mbeten si dy qyqe vetëm në shtëpi, në periferi të qytetit V. Bënë çmos, i ranë gurit e drurit dhe bënë çare, gjeten paratë e udhëtimit dhe i ikën djemtë nga qyteti V, nga frika e dërgimit të tyre në vatrat e luftës në Bosnjë. Sipas parashikimeve të tyre, ikja ishte e përkohshme, dhe kurrë nuk e kishin menduar se Valoni e Driloni do mbesin kohë të gjatë atje.

Pastaj, filloi lufta edhe në Kosovë. Erdhi kohë e vështirë nga shovinizmi i çartur serb, të cilët vranë e masakruan popullin e Kosovës, pleq, gra e fëmijë pa asnjë faj, pos që ishin  shqiptarë e të lindur në trojet e veta etnike. 

Koha kaloi shpejtë, si ujë përmbi gurët e lumit, ku jeta me gurgullimet e dhimbjeve për humbjet në njerëz e pasuri, linte lëmashkun e lotit të skalitur rrudhave të ballit, dëshmi shekulli.

Pas njëzet viteve, kur djemtë e Burimit, Valoni e Dritoni, nuk munden të kthehen në vendlindje, për njëmijë arsye tjera të reja e të vjetra. Prandaj, Burimi e Hana, u detyruan që në pleqëri të shkojnë te djemtë e tyre, në atë qytet të bukur Evropian, në qytetin e vjetër N, të çmallen me ata që ua do zemra e shpirti më së shumti në botë. Ditët e jetës në sosje,  kërkojnë të shuajnë etjen e mallit....

Si disa vite më parë, edhe këtë vit, Burimi e Hana, kishin shkuar tek djemtë e tyre, në atë metropole të Evropës, për të hequr mallin e tyre me nipa e mbesa. 

Pas dy javë çmallje, Burim Mali, kishte mësuar shumë vende të bukura të atij qyteti dhe shpesh dilte vetëm mëngjeseve ose mbrëmjeve për të shëtitur, derisa djemtë vinin vonë nga puna. Në Evropë, nuk hahet buka pa djersë. Çdo gjë është e varur në minuta, me respekt  pune. Pos të dielave, ditëve të tjera të javës, nuk kishte më shumë se dy orë ndeje me djem. Valoni e Dritoni,vinin të lodhur dhe binin herët për të pushuar për të nesërmen.

Ndërsa, Burim Mali, duke shëtitur në Parkun e Madh të qytetit N., i dehur nga ajo sipërfaqe e bukur e me shumë aleje për shëtitje, nuk i shpëtonte asgjë pa e shikuar në detaje. Bile, afrohej tek secila pemë e mbjellë, ku në tabelën e ngjitur, lexonte historikun e asaj peme deri në fundin e jetës. Lëvizte kokën dhe fliste me vete, Burim Mali. Nuk kishte parë gjë të tillë në vendin e tij. Duke ecur rrugicës së shëtitores në Parkun e Madh të qytetit N, duart i kishte hedhur pas shpine, dhe mendimet kishin marrë malin gjithandej botës së pafund... Papritur i erdhi një mall i mbështjellë me dhimbje, dhe në vend se të këndonte me zë, filloi aq bukur ta përcillte një këngë me fishkëllim, sa do thoshe se është fyell në bjeshkë. 

Një burrë i panjohur, i ulur në karrige të parkut, kur dëgjoi melosin në shqip, me fishkëllimën si fyell, i rrëqethur i duel para dhe i tha:

-Nga je, o burrë? 

–Nga Kosova!- ia drodhi Burimi. A po ulesh e të rrimë pak. Të llafosim, pasi qenkemi të dytë shqiptarë. 

–Po! -ia ktheu Burimi. Dhe para se të ulej, u ngrykuan faqe për faqe mes veti. Pasoi zgjatja e fitilit të duhanit, si zakonisht, traditë kosovare për të  hapur bisedë, pastaj, filluan pyetjet mes Burimit dhe mikut të  ri:

-Nga je? -e pyeti Burim Mali? 

-Jam nga Kosova, një fshat mes dy kodrave të errëta, afër qytetit P., quhet Lugnajë. Më quajnë Lumë, Lumë Sokoli i Lugnajës. Këtu jetoj, që afër tridhjetë vite, në këtë qytet që je edhe ti tani, me pushime. 

-Ahaaa! Po mirë, si të shkojnë punët, a ke familje, a ke vye, thonë kah na?... 

-Eeeeeh, more mixha Burim!... Jeta është e pamëshirshme kur të zë të rrëzuar... - ofshani thellë, sa sytë iu mbështollën me lot. 

Burimit i erdhi keq për pyetjen, u pendua, ani se ishte kureshtarë të dinte shumë gjëra. Jetë është kjo, ka lloj-lloj përjetimesh, lehtë e rëndë dhe këto mënyra e bëjnë atraktive jetën e njeriut...

Pas një pushimi të shkurtër, Lumë Sokoli, ndezi një fitil duhani, e thithi thellë tymin, derisa i mbushi mirë mushkëritë me nikotinë, dhe filloi t’i rrëfejë mikut historinë e tij të jetës në azil, që nga  vitet 90-ta, të shekullit të kaluar:

*  *    *

Atëbotë, në qershorin e vitit 1992, më erdhi ftesa për të shkuar në shërbim ushtarak të Jugosllavisë, bile në qytetin e Sarajevë. Ishte lufte atje, dhe askush nuk shkonte. Të gjithë iknin që të mos bëheshin mish për top në troje të huaja. Mjaft janë vrarë shqiptarë për toka të huaja në të kaluarën, edhe në Spanje kanë lënë kokat kot se koti. 

Kishim varfëri në familje dhe me vështirësi mblodha paratë për rrugën e gjatë të ikjes. Megjithatë, babai im i ndjerë, bëri zgjidhje, sigurova paratë dhe një ditë, me autobusë nga kryeqyteti ynë, udhëtova në drejtim të pa njohur. U ndala në Gjermani. Më kujtohet si sot, kur më përcolli gjyshi deri te autobusi. Ishte vapë e madhe. Ishte i vjetër, me probleme frymëmarrje dhe më dhimbsej. Gjyshi më donte dhe e doja fort. Pasi u përshëndetem, hyra në autobus dhe u ula në një karrige,djathtas. Përpiqesha t’i fsheh lotët karshi gjyshit. Ai më përcillte me shikim, sikur se nuk do shiheshim kurrë më... Pak pa u nisur autobusi, fshiu lotët me shaminë e  brezit dhe çoi kërrutën e tij dhe i ra xhamit për t’u ndalur autobusi. Vetëm se u ngadalësua pakëz. Nga xhepi i jelekut, nxori 50 DM dhe përmes xhamit të hapur m’i dha, duke më thënë: “mëri biro, nuk dihet kah të hedhë puna e të duhen. Se, mua nuk më vyejnë ma paratë, po ikë gëzimi i jetës sime.”

E lash duke pëshpëritur diçka buzëve me shkrumb vape përvëluese. Edhe sot më rri para syve figura e gjyshit me ato para të zgjatura, me ata lot të pleqërisë së lodhur, i mërzitur për ikjen time të pafund...

Pas një viti, mora lajm se gjyshi kishte vdekur. U mërzita pafund. Këtu në kurbet, Burimo, dhimbja në familje, është shumë herë më e madhe. Të djeg malli si saç i skuqur. Nuk kaloi shumë kohë, vdiq edhe gjyshja, e cila më mbante në prehër duke më treguar përralla e duke m’i ledhatuar flokët.

Nuk i harroj kurrë. Më të dashurit e mi, ikën në botën tjetër, pa lamtumiren time. Disi, shpirti nuk më ri i qetë, më rrokë shpesh zjarrmi malli. Them: bile sikur t’i përcolla unë në atë botë!...

Nuk kaloi shumë kohë e pëlciti lufta edhe në Kosovën tonë. Një luftë e tmerrshme, e pa barabartë dhe e papastër nga ana e çetnikëve serb. Nuk vret burri gra e fëmijë, pleq sakatë e duke djegur shtëpi. Por ç’t’i bësh, fatit tonë, ”kur e patëm dreqin kojshi”, gjithmonë patëm fat të zi. Në këtë luftë më mbeten edhe familjarë tjerë, si pasojë e gjenocidit Serb. Babai e nana, përjetuan lirinë, por nuk e gëzuan gjatë, vdiqën fill pas lufte. Tani, miku im Burim, ke dëgjuar këngën e “Aga Ymerit”, baladë prekëse është ajo. E ku të kthehem unë?... Në atë erë gjaku e në puset e lotëve, të fërkohem nëpër varret që përtërijnë vetëm dhimbje... Si një cung mali mbeta i vetmuar, besa edhe i pa vetëdijesuar, krejt i vetmuar nëpër rrugët e botës, pa askënd pranë vetës. Pas një kohe të gjatë, sot pata fat që të takova në këtë Park të Madh, u njohëm dhe hoqa do mërzi nga kraharori, nga mushkëritë, që më rrinë si të helmuara. Më shiko, si jam zbardhur mik! Pas kësaj bisede të prekshme dhe të gjatë, sikur u lirua nga një barrë e rëndë, u ndie i lirë dhe iu drejtua Burim Malit me fjalët: ”më falë se të lodha me hallet e mia, miku im i mirë!...”.

Në këtë moment, vërtetë, Burim Mali, nuk ishte edhe gjithaq i qetë. U ndie i prekur nga jeta e Lumë Sokolit, plot brenga e dhimbje të mbledhura në zemrën e tij të përvuajtur. Nuk foli disa minuta, derdhi shikimin gjithandej atij parku disa qindra hektarë madhësi, ku shiheshin grupe shëtitorësh nga të gjitha moshat. Bile, një pjesë ishte e dedikuar vetëm për qentë shtëpiak, ku zonjat e zotërinjtë gjerman i lenin  të lira kafshët e tyre shtëpiake.

Me një ndjenjë prekëse, të fshehur në brendësinë e vetës, iu drejtua Lumë Sokolit me fjalë  të ngrohta e miqësore, për ta joshur me fjalët e pjekura nga durimi e shpresa për jetë. -E more, Lumë, jo vetëm ti e unë, por e tërë Kosova ka pësuar, shpi për shpi, secili në mënyrën e vetë. Nuk ka asnjë njeri të paprekur nga lufta në forma të ndryshme. Luftërat nuk sjellin lule, o miku im. Ato, sjellin gjakderdhje, skamje varfëri, por liria pa gjak e dhimbje nuk fitohet. Fat i madh që patëm këtë rini të guximshme për t’iu kundërvënë një këlshedre hegjemoniste, siç është Serbia, dhe, me ndihmën e miqve tonë, të ndërtuar nga vizionari i viteve 90-ta, larguam një armik të përbetuar e të rrezikshëm nga trojet tona përgjithmonë!-mbylli bisedën, Burim Mali.

Lumë Sokoli, tundi kokën në shenjë pohimi dhe falënderimi për fjalët e ngrohta e të sakta nga miku i tij, dhe fytyra disi më e buzëqeshur, si në ëndrra fëmijërore, plot shpresë, se “nuk qenkam i vetëm, të gjithë e paskan pësuar si unë e më zi....”!

Faleminderit Burim!-iu drejtua Lumi me fjalë të qeta e plot respekt. Por, si shumë rini bre kanë ikur edhe pas lufte, kanë ardhur në këtë kurbet të zi, ku jeta nuk vlen pesë para edhe nëse fiton pasurinë e botës... Pas fjalëve tuaja, do mendoj ndryshe...!

Pas bisedës së gjatë e shumë të ngrohtë e vëllazërore, mes njëri-tjetrit, kishin harruar të shikonin orën sa kishte vajtur. Por, befas, panë shëtitoret e zbrazëta. Të gjithë kishin shkuar në shtëpitë e tyre, bile edhe ata zotërinj e zonja, me qentë e tyre. Dielli kishte arritur në zenit.

Ashtu si dy miq, thuaja se të vjetër, u ndanë mes veti, duke shkëmbyer numrat e telefonave për takime të sërishme në qytetin N., te Parku i Madh, apo kudo tjetër.

-Ishte një ditë e bekuar për mua sot.- pëshpëriste vet me vete Lumë Sokoli, gjate rrugës për në atë banesë, ku kalonte ditë, muaj e vite, me bashkëshorten e dy carrokë të vegjël. I gëzuar se ditën e lirë nga puna e kaloi me një mik të ri nga Kosova, i cili kishte ardhur në pushime tek djemtë e vetë, në qytetin N. të Gjermanisë, iu duk si një pasuri e fituar, një  vetëdije e re dhe vlerësoi takimin duke u shpjeguar edhe familjarëve të tij.

Lumë Sokolit iu kishte skalitur ideja që të punonte edhe disa vite dhe t’i ruante paratë, që një ditë të kthehet në vendlindjen e tij, të rimëkëmbë jetën ndryshe, me qëllim që t’i ruaj fëmijët e tij nga asimilimi...

 

Gjakovë, Korrik 2019

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1