Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TREGIME | TAVERNA “ALEGRIA”

TAVERNA “ALEGRIA”

image Kozma Gjergji

TAVERNA “ALEGRIA”


( Ky tregim i shkurtër nga Kozma Gjergji është përzgjedhur e botuar në Itali para nëntë vjetësh në antologjinë “Un momento particolare”.)


          Ethet për t’u pasuruar shpejt bënë që  gjithçka të vërshoi egër. Një mori kioska, bare, klube pushtuan lulishte, trotuare e çdo mjedis. Ngado kaosi shtriu pushtetin e vetë. Kohë tranzicioni! 

            Kur u pa se tërë kjo dyndje i pakësoi shumë klientët, pronarët më të shkathtë u vunë në lëvizje të tërhiqnin sa më  tepër  syresh. Menjëherë pasuan ndryshime. 

            Në tavernën “ Alegria” ngritur mes parkut, tani pronë e fisit Kusari, u shtuan edhe  ca kthina në dritë-hije, u shfaqën kamariere bukuroshe, një mikroliqen me peshq e ngjala të gjalla  për t’i gjuajtur vetë klientët nëse dëshironin. 

              Befasuese qe ngritja e arenës për ndeshje gjelash e qenësh me shpërblim joshës për fituesit. Dukej një budallallëk, por doli krejt ndryshe. Qysh në  fillim aty plasi tifozëria. Bëheshin parashikime, viheshin baste, rrëkëlleheshin gota e konsumohej meze pa mbarim. 

               Çdo ditë arena skuqte nga gjaku i freskët i këndezëve dhe qenve. Vinin aty të  provonin shansin gjer nga fshatrat. 

                 Sa herë kalonin këtej skulptori S. dhe shkrimtari L., të dy varfanjak, jehona e asaj tifozërie u jepte humor e mërzi. Si mundet aq njerëz të jepeshin pas lojës të një gjysmëanalfabeti e as që  donin t’ja dinin për  teatër, kinema e arte të tjera që lartësojnë shpirtin?! Secili në mënyrën e vetë mendonte të shprehte diçka për  këtë pjesëz të  shoqërisë që ende kishte mbetur tek gjelat e qentë. 

                    Nga ana tjetër xhelozët e smirëzinjtë bënin çmos ta goditnin tavernën “Alegria”.Ata alarmuan shoqatën e miqve të  kafshëve e shpendëve për viktimat e shumta që po shkaktonte loja atje. Reagimi qe i menjëhershëm. Përfaqësuesi i saj bëri thirrje nëpërmjet TV së qytetit të ndalohej sa më parë loja e ndyrë. Për ta bërë edhe më prekëse ai shtroi pyetjen emocionale :A mund të zbavitesh e shtosh fitimet duke  ndërsyer krijesat e pafajshme të shqyejnë njëra tjetrën?! 

                        Mirëpo zërit të  tij askush nuk ia vuri  veshin, madje, dhe  ai vetë, pas kërcënimeve anonime, nuk e  përmendi më  këtë çështje. Kështu taverna “Alegria”vazhdoi pa kokëçarje t’i shtonte klientët tifozë dhe më kryesorja fitimet. 

                         Porsa dëgjoi për  të  Lani, një trajner qenësh, menjëherë u paraqit të merrte pjesë. I prirur  për t’u dukur i gëzohej rastit të tregonte talentin si trajner, të bëhej i rëndësishëm e i admiruar nga të  gjithë. Ai mbante  në shtëpi qenë të  oborrit, të gjahut, të shëtitjes dhe atë të bodrumit. Për në arenë, sigurisht, ishte ky i fundit. 

                          Në ditën e caktuar tifozëria priti me  duartrokitje Lanin me krijesën e tij inatçore, shpërthyese e me vështrimin gjithë mllef. Parashikohej ndeshje e fortë. 

                          Kundërshtari ishte një trupmadh leshtor që  lihte me zë basi. Në zërin dhe lëvizjet e bishtit ndihej shumë dashamirësi. 

                           Qeni i bodrumit, ndonëse më i pakët nga trupi, nuk përmbahej sa t’i vërsulej. 

                               Ra gongu e të zotët i lëshuan nga zinxhiri. Ndeshja nisi e egër. Qeni i bodrumit sulmonte pareshtur, kurse tjetri më tepër mbrohej. Me pasion mizor të dy hiqnin vallen e përgjakur të dhunës. Nën britmat histerike të tifozëve hungëritën, u kacafytën, i kërcyen mbi zverk njeri tjetrit, u rrokullisën e u bënë  njësh, i ngulën dhëmbët ku mudën, gjersa qeni trupmadh u shëmb në  një pellg gjaku. 

                                 Ndërsa  Lani përshëndetej me publikun për fitoren , qeni i bodrumit me  flakën e urrejtjes në sy, vrullshëm kapërceu arenën e iu vërsul spektatorëve. Mes panikut e zallamahisë kafshoi dy tre prej tyre e mbase  s’do të qe ndalur nëse s’do t’ia kishin copëtuar kokën. 

                                Atij që ende e qëllonte me  një  goxha dru dhe e shante qenin e bodrumit iu afrua dikush e i tha: 

                     Boll zotëri. Nuk e ka fajin ky, por ai që  e rriti të  mbyllur e kryeneç, ai që e mbajti në terr e të  uritur, të verbër, të vetmuar, ai që e mbushi me mllef e urrejtje…

Comments (6 posted):

Vasil Klironomi on 24/06/2019 18:04:47
avatar
Tregim i shkruar nga një talent i lindur që njeh mirë jetën e trotuarit.
Një shoqëri e trokuar, që po ta krahasosh për histerinë e saj, fyen kafshët e egra.
Ndryshimi i vlerës që pësoi monedha, identike me ndryshimin e vlerave të jetës
për kafshët e gjora. Ndoshta jo pa të drejtë, pjesë të mëdha të shoqërisë njerëzore
janë quajtur turma. Urime Kozma Gjergji!
S.Athanasi on 24/06/2019 19:17:03
avatar
Tregimi është shkruar si fabul dhe qëndron mjaft mirë aty. Se, jo pa qëllim autori vë në rfeshtin e fundit, me gojën e. . .dikujt se nuk e ka fajin qeni, por "Ai që e mbajti në terr, të uritur,të vetmuar, Ai që e mbushi me mllef e urrejtje".
Urime, kolegu ynë i mënçur, Kozma!
S.Athanasi.
Annabel Russo on 24/06/2019 22:03:06
avatar
Mjerisht liria e marre mbas shtypjes mizore te diktatures solli lirine e xhungles e te instikteve shtazore nen lekuren humane. Kur mjerimi e pressioni i controllit ka formuar automatikisht njerezit liria eshte akt i panjohur.
Annabel Russo on 25/06/2019 07:48:42
avatar
Shembja e diktatures solli lirine e xhungles e te instikteve shtazore nen lekuren humane. Kur mjerimi ekstrem e pressioni i perhershem i controllit te mendjeve, shpirtrave e jeteve te njerezve ka formuar automatikisht sklever. Liria eshte concept dhe akt i panjohur absurd.
myslim maska on 25/06/2019 23:01:20
avatar
Tregim i thjeshte, emocionues, i shkruar bukur. Eshte trajtuar me mencuri dhe vecanti te besueshme "Metamorfoza" e tranzicionit.
Mbyllja, simbolike, mjafte e goditur.
Urime Komi, perqafime.
Aliaj. M on 28/06/2019 12:11:35
avatar
Tregim i koncentruar qe te rremben.Urime!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1