Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TREGIME | B A S T I

B A S T I

image MYSLIM MASKA

 

    B A S T I

TREGIM NGA  MYSLIM MASKA

Ndodhkan gjëra në këtë botë, që ta ndryshokan krejtësisht jetën. I tillë qe p. sh. Basti. Basti u bë për mua. Pikërisht atë ditë jeta ime mori një rrjedhë tjetër.Të mos keqkuptohemi. S’përmbyset bota nga shuarja e jetës së një njeriu, por edhe njeriu i   ndershëm e ka ose duhet ta ketë patjetër një vend në këtë botë. Iu lutem shumë mos ia hiqni të drejtën. E them këtë pikërisht se e adhuroj jetën dhe marrosem pas saj. Por, qënka një dorë mistike e padukshme e paprekshme e pakontrollueshme, që s’varet as nga ti as nga unë. Kjo në pamje të parë duket pakëz absurde, por po të përqëndroheni në atë që dua t’ju tregoj do të më jepni të drejtë. Unë mendoj se jeta është, as më shumë as më pak, thjesht një integral ndjenjash dhe mendimesh që kur e zgjidh, zbulon dhe sheh qartë si në dritën e diellit fatkeqësinë dhe lumturinë të shkrira  me njëra- tjetrën. Ndoshta arkitekti këtë çast kushedi ku e ka mëndjen ose në rastin më të keq e ka zënë gjumi. Dhe ne si qënie inferiore ( edhe pse jemi madhore), zhbirohemi nga frika, paniku vegime dhe hije… Mbase, ndoshta, kështu duhet të ndodhë. Në fund të fundit hije jemi dhe hije do të ngelemi. Të përkohëshme ose në rastin më të mire të shumëpërkohëshme, d. m. th. Me më shumë mashtrime, më shumë dhimbje, shpeshtime pulsi e rrëmbushje sysh. Besoj se do të më jepni të drejtë për ato që do t’ju them pas pak…

***    

    Shkolla ku jepja letërsi u bë karakatinë për shkak të ish pronarëve të truallit. Ziheshin dhe grindeshin. Është e imja, është e jotja. Ngela i papunë. E desha ndryshimin, ishte dhjetra vjeçar brënda meje, por s’po e kuptoja dot në thelb përse ky rrënim i domosdoshëm s’po më sillte rilindjen, qetësinë. Sidoqoftë, duke mos qënë shumë idealist, e dija fort mirë se jeta është një katrahurë, që po s’dite ta mbërthesh fort me të gjitha tentakulat e tua, të lë uratën. Të flak e të braktis si një paçavure, kushdo qofsh ti. Pra, fillova t’i shoh gjërat mjaft esëll. Ndoshta ngaqë i vetmi ngushëllim në gjininë njerëzore, siç thonë, qënka krahasimi. Shikoja fqinjët e vija re që edhe jeta e tyre, nuk qe e përsosur, e marrin ashtu siç u vjen, dinë të kapen pas të mirave që u afron, ( vënë akull mbi tëmtha), ashtu si vë edhe unë, kur jeta u shtie me shkelma e i pshurros. Sigurisht e sotmja nuk ngjan aspak me të djeshmen, ku idetë ishin skllave të së vjetrës, skllave te vegimeve dhe të hijeve. Gjë e bukur kjo apo jo? Mirë. Po ku është drita?...Sepse unë isha dhe jam një flutur që dua të vërtitem e të vdes brënda dritës. Të më besoni, në kohë të mirë, me orë të tëra natën rrija në avllinë e shtëpisë, i dehur nga aroma e luleve, duke vështruar yjet…I ndërgjegjshëm për infinitin e largësisë, u bëra tokësor e praktik. Në fund të fundit, çdo gjë fillon nga stomaku. Dhe unë dhe gruaja ime, edhe fëmijët, donim të hanim. Me ato pak para që kishim mënjanë ndërtova një serrë të vogël për prodhime domatesh, piperkash etj. , gjë që na ndihmoi shumë në atë periudhë kalimtare. Tokën tjetër e mbollëm jonxhë për lopën. Etj.etj.

   T’i lëmë këto e të hyjmë në thelbin e asaj që dua t’ju them.   

   Atë ditë siç bëja vazhdimisht dy herë në javë, ngarkova kalin me dy bidona qumësht dhe u nisa për t’i shitur në qytet. S’kisha bërë më shumë se një kilometër rrugë, kur befas ndjej krisma. U trëmba shumë se qe vit i tmerrshëm, tragjik dhe absurd.* Pashë rreth e qark, prapë krisma. Vura duart në kokë duke thënë: ç’dreqin duan me mua!?...Kali ndaloi. Ndoshta u trëmb, ndoshta i tha Zoti mos hidh asnjë hap. Krismat vazhdonin pambarim, aq sa ndjeja rrotull vetes fishkëllimat e kamzhikëve të plumbave.                               

    Kisha rënë pa ndjenja. Atë cast nuk e dija në isha plagosur apo jo. Fluturoja në një botë hipotetike, ku s’kishte as gravitet as kohë. Në fillim pashë një dritë verbuese, që Brënda të dhjetës së sekondës ose brënda sekondës( sepse unë e kisha humbur nocionin e kohës), u shndërrua para meje në një lëmsh të zjarrtë dhe pas pak, kur mendja ime kush e di ku ishte, një bukuroshe e jashtëzakonshme hapi krahët, duke tundur flokët e bukur e të mrekullueshëm majtas e djathtas, si një mikroujvarë me fije të florinjta. Sa hap e mbyll sytë më treti me veten duke më puthur. Mos, mos,- i thoshja unë. “ Mos, mos, mos”, bënte shaka ajo dhe më perkëdhelte dhe më puthte, e shtrirë për tokë pas meje…

 

                                                              *  *  *         

    - Xhaxha, dhe më goditi në sup me majën e këpucës disa herë me radhë, aq sa nga dhimbja u përmenda.

   - Ku po shkoje?

   - Në qytet të shisja qumështin për të blerë gjëra që na duhen, u përgjigja mekanikisht, ende i trullosur.

   - Çohu në këmbë idiot, ç’jemi ne kalamaqër? Apo do një koqe plumbi e të vesh në të satëme.

   - Siurdhëroni! Dhe tek ngrihesha me mundim mbi këmbët që më dridheshin, m’u kujtua vajza bukuroshe e shtrirë për tokë pas meje që më puthi e perkëdheli…

   - Pa më shiko mirë në sy, na sheh neve?

   - Ju shoh mirë, - gënjeva unë jashtëzakonisht i trëmbur, se atë çast i shihja si hije. ( Vajza bukuroshe më dërgonte të puthura me dorë dhe herë largohej, herë afrohej).         

   - Sipas teje është gjë e vështirë të vrasësh një njeri!

   -Është gjë e tmerrshme,- thashë unë,- të vrasësh dhe një rosë të egër.

   -Idiot!- Lëri përrallat me mbret dhe dëgjo këtu: Ne të tre bëmë një bast. Nuk dinim si t’i ndanim  dy thasët me para midis nesh. Dhe vendosëm! I pari njeri që do të dalë në këtë rrugë, do të qëllohet nga të tre. Ai që do ta vrasë do të marrë thasët me para. Në rast të kundërt të dy thasët i takojnë atij, domethënë ty.

      - Merri!- tha ai, një shkurtabiq i shëmtuar me një kokë të madhe si qen stani. Në këtë rast ne dështuam, humbëm. S’prish punë fare. Kjo është një qime bythe për ne. Ktheu kokën nga shokët dhe qeshi me të madhe. Qeshën dhe ata. Qe rrësku yt- vazhdoi.

   - Paske qënë me fat të madh, - tha ai tjetri- rreth të njëzetave, që vazhdimisht lozte me siguresën e kallashnikovit.

   - Basti është bast. Merri dhe zhduku,- tha i treti,një djalë trupmadh, me mjekër si të Marksit, por e pa krehur dhe e pistë, që duhej të ishte përgjegjësi i tyre. Mos të shkojë mëndja se e bëmë për ty. O do të vrisnim ty, o do të vrisnim njëri- tjetrin. Paske qënë me fat të madh. Basti është bast!,-dhe ktheu me fund uiskin  e ngelur në shishe. Merri thasët me para dhe zhduku në çast, se ku i dihet, mëndjet tona janë bërë hale, dua të them brënda sekondës mund të ndryshojnë. Zhduku për në shtëpi.

   - Ngriti automatikun në ajër dhe zbrazi dy – tre breshëri. Të njëjtën gjë imituan dhe dy të tjerët.

   Mbaj mend që kapa frerin e kalit dhe dola përpara, pasi shkarkova bidonat e qumështit dhe ngarkova thasët me para.

   -Idiot!- Kali përpara dhe ti mbrapa, dëgjon apo jo,- bërtiti i nervozuar  ai që duhej të qe përgjegjësi i tyre. – Pa shih, pa shih, i duket vetja më i mirë se kali.

   Menjëherë dola  mbrapa kalit, bëra kryqin duke thënë me vete, kaq e pata. Për këta, njeriu është thjeshtë një harabel, rosë e egër, lepur, hiç e ku di unë. Shkurt e ndjeva veten një objekt gjahu dhe instiktivisht ecja pas kalit me këmbët që më dridheshin. Këtë çast më vezulloi në mëndje: Tani do të dalin pak më tutje e do të argëtohen duke  më qëlluar. Si është e mundur të më dhurojnë qindra million të zhvatura nga dhjetra apo qindra jetë njerëzish që përpëliteshin brenda atyre dy thasëve. Njerëz të marrë peng, vajza të dërguara për prostituta, vrasje, varje, vjedhje e grabitje, drogë etj. etj. Nuk e di nëse e keni provuar, ( mos u ndodhtë kurrë ), por vetëm në raste të tilla njeriu kuptoka thelbin e jetës: Sa e bukur, e dhimbshme, dhe e papërsëritshme qënka. Të jem i sinqertë, asnjëherë s’e kisha marrë jetën seriozisht. Thjesht ku “rafsha mos u vrafsha”, megjithëse jam plot pesëdhjetë e katër vjeç. Dua të them, kurrë s’më kishte shkuar në mendje se dikur mund të vdisja në mënyrë kaq bastarde si një paçavure. Ndoshta për herë  të parë që truri im mendonte me një trysni të jashtëzakonshme,  i tejnxehur, i flakëruar. Po digjesha i tëri. Trupi më dridhej dhe ndjeja aq shumë ftohtë si një i pushtuar nga ethet malarike. Dora mundohej të gjente xhepin për të nxjerrë paqetën e cigareve dhe s’e gjente dot. Tërmeti shpirtëror ma kishte errësuar arsyen aq sa ndjeja ato çaste sikur më kishin vënë në një presë e më shtrydhnin në dyqind, treqind, katërqind  atmosferë. Ndoshta truri qe verbuar gjersa shihja vegime të çuditshëm, që  kalonin me shpejtësi vetëtime. Ishin copëza, fragmente të shkurtër e të palidhur mirë të jetës sime, nga fëmijëria e gjer këtë cast. Pak gjëra të bukura paskemi,- thosha tek i shihja,- dhe më shumë budallallëqe, grindje e zënie. Paskemi dhe ca çapkënllëqe të mrekullueshme të fëmijërisë dhe të rinisë. Kurrë s’më kishte shkuar ndonjëherë në mëndje të bëja këtë sintezë të jetës sime. S’di pse të gjitha këto m’u shfaqën para syve në mënyrë krejt të natyrëshme e të vetvetishme. Ndoshta në momentin e fundit, mendova, u bëka bilanci dhe m’u mbushën sytë me lot…Po tani?,- thashë pas pak, ç’do të bëhem? Hiç, diçka, apo gjithçka?...S’po shihja më. Ecja duke u mbajtur pas palldëmit të kalit. Para meje vërtiteshin në mënyrë kaotike miliona hëna pesëmbëdhjetëshe.Një lojë e çuditëshme dritash verdhoshe! S’mund t’ju them saktë sa kohë zgjati kjo gjëndje, një minutë, tre, apo dhjetë.E kisha humbur krejtësisht nocionin e kohës. Në Këto raste,  koha pushoka së ekzistuari si kohë. Prisja nga sekonda në sekondë ( ose brënda të qintave të sekondës) të shkarkoheshin mbi trupin tim karikatoret e kallashnikovëve të tre kriminelëve të dehur. Kujtesa më qe shprishur si një pasqyrë në mijëra copëza. Po kështu dhe arsyeja. Ndoshta kisha një shekull që ecja, ja kështu, në këtë gjëndje ankthi. Mund të them se ato çaste më tepër vepronin instiktet. S’po duroja dot më. Hoqa dorën nga palldëmi i kalit e u ktheva rrëmbimthi mbrapa duke ulëritur. Qëllomëniii…Ç’prisni më…   

* *   *

 

 

 

   Kisha mbërritur në avllinë e shtëpisë sime. S’mundem ta gjykoj veten se në ç’gjendje ndodhesha. Mbaj mend që sime shoqeje i paskam thënë: I vure ushqim dhe ujë Gardalinës që këput fshehurazi karafilat dhe ia çon Gogolit në çmendinë? Ime shoqe për herë të parë në jetën bashkëshortore më paska parë e habitur, jashtëzakonisht e tronditur dhe më paska thënë duke më përqafuar:

 

   -Gogolit? Ç’do Gogoli në shtëpinë tonë? Gogoli është atje me të shumtët në botën tjetër. Dritë e pastë atje ku është, se i hapi sytë botës. Ç’janë këto që më thua! Veç kësaj, ne vërtetë kemi shumë lule në shtëpinë tonë, si të jetë brenda një lulishteje, por fatkeqësisht as karafila, as Gardalinë s’kemi. Dhe ti e di shumë mirë. Ç’janë këto  që thua!

 

   Dhe duke më parë krejt të zverdhur si një të vdekur që ndoshta vija nga bota e përtejme, apo si një të çmendur, ia plasi ngashërimit.

 

   Pikërisht atë çast unë u shkëputa prej saj, se në derë hyri Gogoli duke kruajtur kokën.

 

   Morrat,- më tha,- morrat ma hëngrën jetën. Dyqint vjet që po më çmendin. Nejse xhanëm, t’i lëmë këto, dua të të pyes, se ka kaluar një shekull e gjysëm apo dy, ku shkuan Çiçikovët e tu? Apo bota është mbushur e tëra me Çiçikovë e Sobakjeviç? Me sa më thanë, ke as më shumë e as më pak, plot dy thasë me shpirtra të vdekur. Plot dy thasë! Unë i dëgjoj si rënkojnë, qajnë e ulërijnë. Asgjë s’paska ndryshuar qysh atëherë? Vërtetë asgjë s’ka ndryshuar? Askush nuk ka sy? Askujt s’i dhemb shpirti?

 

Akoma Çiçikovët mbledhin shpitra të vdekur  nëpër botë, dua të them dhe të gjallët e pavarrosur? O Zot i madh ç’bëhet kështu! Kur do vijë drejtësia në këtë botë!

 

   -Unë e di shumë mirë,- tha pas pak, se drejtësia në thelb paska ngelur thjesht një ekuivalencë midis atij që jep dhe atij që merr. Mirë, po ku është SHPIRTI, ku është njeriu? Kështu do të vazhdojmë nëpër shekuj? Akoma s’paska lindur ajo dritëza e vockël, e pafajshmja, e brishta, hyjnorja, që  njeriu të bëhet njeri, të quhet njeri ashtu siç është në të vërtetë.

 

   Dhe tepër i nevrikosur hapi derën dhe doli rrëmbimthi duke kruajtur kokën nga morrat…

 

   -Jooo,- bërtita unë. Mos ik! Të lutem shumë, mos ik.

 

   Dhe e ndoqa nga pas:- Ku do të shkosh? Të lutem mos ik! Unë me kë do të bisedoj, me kë do t’i qaj hallet? S’kam asnjë mik, asnjë shok, askush nuk më kupton në këtë botë! Jam fare vetëm, krejt i vetmuar!

 

   Dhe u turra pas tij në errësirë. Ime shoqe më mbërtheu me aq shumë forcë, sa unë nuk e besoja e më futi Brenda në shtëpi. Atë çast, kur ime shoqe po mbyllte derën me kyç, unë përfitova nga rasti dhe i shkela syrin Gardalinës, e cila, pa një pa dy, rrëmbeu vazon me karafila dhe fluturoi vetëtimthi t’ia çonte Gogolit…

 

                                                                                                               *Viti 1997

 

Comments (4 posted):

Kozma Gjergji on 12/06/2019 19:38:52
avatar
Ky krijim fortë i goditur i Myslimit më erdhi dhe si përqafim i përmallshëm pas kaqë e kaqë vitesh pa u takuar. Që në fillim e deri në fund tregimi të përpin e mban frymën pezull me mënyrën sesi e shpalos shpirtin e fatln tragjikomik të personazhit. BASTI-një paradoks tejet banal, por që autori e kthen në flori. Ky tregim është maja më e lartë e gjithë ç’kam lexuar deri tani nga Myslimi.
Shumë urime e përqafime miku im! Kozmai.
A. Hysi on 14/06/2019 12:13:56
avatar
Një shkollë karakatinë, një bast i një viti absurd që çnjerëzoi skaje të të fundmes ndjenjë të empatisë shoqërore dhe dikush që e tërheq drita, por terri i mbëdhtillet si zift i shkrirë gjymtyrëve... Vetëm tek librat gjen çlirim, parelelizëm mbështetës që të mund të vendosësh një objekt të qetë, të urtë, gjeometrikisht me kënde të drejta e fibra druri të tejholluara, i lëmuar në duar, me temperaturë statike e tinguj puhize, ku mund të ulesh si stol, kur nuk të mbajnë gjunjët, ku mund të mbështetesh si nënkresë, ose ta përdorësh si tjegull për strehë, si ngjitje për shkallë, si mik për t' i folur....
Dhe librat lindin libra, thoshin latinët, libra të denjë si ato të zotit Maska!
Që na frymëzojnë!

Faleminderit Fjala e Lirë që na e sollët për lexim!
myslim maska on 18/06/2019 21:44:59
avatar
I nderuar miku im i hershem i rinise te paperseriteshme! Ishe dhe mbete IKONA e jetes time. "Keqkuptimet" jane pjesa e kalbur e nderimeve. Ndryshe nuk do te ishim te denje per ato qe thame dhe qe akoma s'i kemi thene.( S'ka bukuri pa dhimbje).
Te falnderoj perzemersisht per vleresimin e larte, ne komentin tuaj per tregimin "BASTI"
suksese ne krijimtarine tuaj.
Perqafime, te fala, juaji MYSLIMI.
myslim maska on 18/06/2019 22:33:47
avatar
E nderuara kolege, Armela, poetja moderrne e ndjenjave te holla, filozofe e bukurise dhe dhimbjes jetesore(sipas meje dhe Valentinit)!
Te falnderoj per analizen e thelle dhe koncize ne komentin tuaj per tregimin tim
"BASTI".
Suksese ne krijimtarine tuaj.
Faleminderit. Myslimi,Vali.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1