Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TREGIME | DYMBEDHJETE SHILTE ME PAMBUK

DYMBEDHJETE SHILTE ME PAMBUK

image Faruk Myrtaj

DYMBEDHJETE SHILTE ME PAMBUK

-tregim-

Mamaja më në fund e kandisi babanë tonë të nxirrte portofolin e tij të famshëm, që mezi hapej.

Më lehtë hapen rezervat e shtetit nën regjim kursimi, se qesja e tij! Kështu thuhej. Me atë gishtin e veçantë si me shenjë – me të cilin kurrë s’gabonte numërimin e kartmonedhave, hoqi mënjanë saktësisht aq sa duheshin për të blerë "damaskun" për këllëfët, copë e zgjedhur për dymbëdhjetë shilte. 

Tërë ajo kohë ishte dashur t’i mbushej mendja, t’i zbutej zemra, të binte dakord se Oda e Miqve duhej kompletuar me shilte te reja. S’mund të mbaheshin më, së paku kur te vinin miqtë, sajimet e mëhershme, me copa të ndryshme rrethanore. Mamaja e dinte, edhe ca kohë më shumë do t’i duhej sa të gjente momentin që babai ynë të pranonte të blinte edhe pambukun saten, për të dymbëdhjetë shiltetë...

Por, pas kësaj arritje, ajo kishte kohë plotë të maste, shenjonte dhe priste copën e blerë, t’i qepte të dymbëdhjetë këllëfët dalë-ngadalë, sikur po qëndiste pajën e saj, dikur. E shikonim duke i prerë e qepur, pastaj duke i qëndisur në bordurat dhe pasi i vuri në dollap, nisëm të prisnim edhe ne fëmijët, bashkë me mamanë tonë të urtë e të duruar gjer atë ditë, deri kur, më në fund, babai pranoi ta blinte edhe pambukun egjiptian për t’i mbushur. 

Nuk na shkoi ndërmend, edhe pse e dinim se kur premtonte babai e mbante fjalën, se ai do ta blinte pjesë-pjesë, pra jo njëherësh, pambukun e duhur për të 12 shiltetë. Mamaja, durimi i se ciles kishte marre formen e praktikes se babait tone, na bëri shenjë ta mirëkuptonim. Sipas përvojës së saj, u mësuam edhe ne të mos mërziteshim, madje të përfitonim kënaqësi prej pritjes.

Do duhej kohë edhe neve, të merrnim me mend përse thuhej se babait mezi i dilte leku nga duart. U deshën vite më të gjatë, të kuptonim se rrotulla e poshtme e mullirit vjen përqark bashkë me rrotullën e sipërme. Në të kundërtën, drithi do dilte i pa bluar dhe mulliri do brente gurët e vetë…

Mamaja e dinte, ishte e sigurt, një ditë babait tonë do t’i qeshte buza, do t’i ndriste mustaqja në cepin e sipërm dhe në çastin tjetër do ishte gati të nisej për të blerë edhe tufat e fundme të pambukut që, edhe pse ende në dyqan quhej egjiptian, tashmë mund të ishte diçka tjetër. Megjithëse e bënte mamanë të priste ca si shumë, s’do duhej ta pyesnim përse vallë ai e lodhte atë. Përkundrazi, sipas mamasë, duhej t’ja shfaqnim gëzimin dhe ndjesinë falenderuese, sa herë që ai i sillte blerjet e nevojshme për shtëpinë si të ishin dhuratë të posaçme për nënën tonë apo ne. 

Vetëm pas kaq kohësh, kur ata të dy s’janë më, ne arrijmë ta kuptojmë atë marrëdhënie reale e të vërtetë deri në përkushtim, midis tyre. Kodi i saj mbase fshihej pikërisht në atë vonesën midis dëshirës, nevojës për ta pasur diçka në jetën e shtëpisë dhe kohës kur më në fund mungesa s’mund të shtyhej më tej!

Heshturazi, edhe pse e imponuar nga rrethanat, tërë kjo lojë u vinte në ndihmë të dyve. Ishte mirëkuptimi i brendshëm, për njeri tjetrin, sot e them me plotë gojen se ishte dashuri, ajo që e bënte atin tonë ta përballonte në vetvete pamundësinë e kuletës së tij të brishtë. Kjo e ndihte të bënte sikur s’i dëgjonte dëshirat dhe kërkesat e mamasë sonë, ta shtynte sa mundej plotësimin e tyre, edhe pse i dëgjonte prej njeriut që kurrë s’i mungoi kur i duhej. 
Në atë moshë, ende-femijë, edhe mund të mos e kemi kuptuar dot të plotë atë marrëdhënie. Në heshtje mund të jemi prirë të marrim anën e njerit apo të tjetrit. 

Babai iku më herët. Sot, ne fëmijët e kemi fare lehtë të themi se, mes halleve të tjera, e lodhi edhe pesha e trishtimit prindëror për mos-plotësimin në kohë të dëshirave për ne, fëmijët. Mamaja jetoi më gjatë, pati kohën e mjatë të na e rrëfente shpirtin e tij te butë brenda dukjes autoritare. Pastaj iku edhe ajo, sigurisht për te ai të cilit iu desh të kursente edhe dukjen e dashurisë ndaj saj dhe nesh, thjesht që thellësia e saj të rritej edhe përtej jetës...

Ishte radha e mamasë, pastaj, të gjente kohë përtej punëve që s'mbaronin, për t’ja hequr pambukut tërë ato farëza të fshehura kush e di ku brenda asaj bardhësie të paqme, ta shkrifte atë masë të butë e të epshme, që shlodhte edhe e pa futur në shiltetë që përgatiteshin. 
Natyrisht kishte menduar t’i vinte radha edhe qepjes së grykave të këllëfëve të qëndisur...

Në s’gaboj - se, në vend të gjërave prej njeriu, na duhet të mbajmë mend sa e sa kode e numra, nëse s’harroj pra- se mamaja e babai s’janë më, dhe s’i pyesim dot, të dymbëdhjetë shiltetë s’ishin ende gati në dasmën e shpejtë të vëllait të madh, por ishin ndër lezetet e dasmën së të dytit. Pastaj u përdorën edhe në dasmën e motrës. Krushqit, që erdhën së pari për të këmbyer bukën, pastaj persona më të veçantë në dasmat apo ngjarjet e shënuara, patën fatin të ulen në këto shilte të pambukta...

Ndodhi të shtroheshin edhe më pas, në ngjarje më pak të rëndësishme, për miq e vizitore, por gjithësesi mbetën në përdorim të rrallë. Aq të rrallë, aq me kujdes mbaheshin sa, deri kur i pamë së fundi, ne dukeshin si të reja. Sa mbaronin këto ngjarje dhe largoheshin miqtë, punë e parë e mamasë ishte heqja e shilteve. I shkundtte, i pastronte nga ndonjë shenjë mbetur rastësishëm, i erëmonte, i fuste në qeska mushamaje, hidhte në to kokrra kundër molës dhe vetëm paskësaj rehatohej kur i vendoste mbi dollapin e madh të rrobave.

Kujtesa shpesh ndihmon duke harruar, por na kujtohet mirë nata e parë e daljes në pension, si nënë me shumë fëmijë. Babai vet i zbriti dy prej shilteve dhe, serioz siç dinte të mbetej ai, pothuaj e urdhëroi mamanë tonë të pështetej, të shlodhej për pak në to... 

Atëbotë nuk arrinim dot t’i kuptonim së gjithash gjeste të tilla, e dinim se babai rrallë bënte shaka, por ate rast nuk na i fshehu dot sytë, që iu mbushën me lotë teksa, pas pak minutash e rehatuar në ato shilte, mamanë tonë e rrëmbeu gjumi...

Vetëm vite më vonë gjejmë vëmendje të pyesim për gjëra të tilla të kohës dikur. Na ndjellë gaz, lehtësia me të cilën fëmijët tanë na pyesin përse gjyshat e tyre nuk flinin vetë, gjithnjë, në këto shilte të pambukta? Ç'domethënë ta ruash një gjë aq komode, vetëm për miqtë?!

Në pamundësi të përgjigjemi për çfarë na pyesin, vijmë si dëshmitarë të panginjur në rrëfimin tonë për shiltetë...

Pasi ndërroi jetë babai, nëna s’mund të lihej vetëm në tërë atë shtëpi kaba. Një ndër kushtet e paktë që vendosi, që pastaj të dilte për diku tek ne, ishin të 12 shiltetë. Donte t’i kishte me vete. Së pari shkuan te shtëpia e motrës. Kudo më pas, i mori me vete. I fuste të dymbëdhjeta në plastmasë plastik të butë e të bollshëm tashmë, që i vinin nga ‘jashtë shtetit’. Pasi, me pompë nxirrej ajri prej tyre, mbylleshin krrrrttap me susta. S’i gjente gjë nga myku e nga mola.

Më në fund, erdhi hera që mamaja vetë të kapërcente detin. Atje, edhe nëse do ndodhte të martonte ndokënd në nipat e mbesat, s’ishte ngeja të prisnin krushq nga ata që ndjeheshin mirë në shilte si të dymbëdhjetat. E zuri një herë n’goje, t’i merrte edhe shiltetë matane Adriatikut, por e kuptoi menjëherë se ato ishin thelë mbi bisht. 

Vite më pas, njeriu që pajtuam të përgatiste për plazh shtëpinë nga ku mamaja doli për ekzil thjesht na bëri të ditur se pambuku i shilteve që kishit atje, ishte bërë pluhur dhe ai i hodhi, të dymbëdhjeta...

Comments (1 posted):

Vasil Klironomi on 14/04/2019 07:45:37
avatar
Dymbëdhjetë shiltetë e Farukut nuk janë një informacion i ruajtur nga memoria funksionale, por një prikë (pajë) shpirtërore që erdhi gjer në brezin tonë si relikt dhe që fatkeqësisht humbet përtej demeteve. Nga ky tregim perlë, mjerisht mësojmë se çfarë po humbasim. Urime!
Vasil Klironomi

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1