Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Me një hije

Me një hije

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

Me një hije 

Tregim nga Fatmir Terziu

 

 

Kishte kohë që sytë e Aristirit kishin ngrirë mbi atë fotografi në flokëtoren e tij. Sa më shumë që ngulte sytë atje, në atë flokëtore afër bustit të “Kristoforidhit”, aq më shumë mendonte për të, aq më shumë donte të studionte rreth saj. Dhe gjithnjë e dinte se ajo fotografi nuk kishte të tërën e asaj femre. Gjëja e parë që i binte në sy ishin flokët. Flokët ishin në fakt gjëja më tërheqëse dhe misterioze tashmë jo vetëm në sytë e tij, por dhe në mendimet e tij për të. I kishin thënë se flokët e saj rriteshin pambarim, madje dhe bëheshin bojallesha e ndryshonin ngjyrën pas ngrënies së ushqimeve të ndryshme. Mësoi se ajo ishte e sapoardhur në qytet dhe se punonte në spitalin e lindjes si pastruese. Ndërkohë, pasditeve ajo shkonte shpesh në Bibliotekën e qytetit. Të shtunave e gjeje atje. Zërat ishin shpërndarë se ajo po përgatitej për të shkuar në Universitet. Për këtë ajo të dielave bënte dhe punëra të tjera. I shërbente një gruaje të moshuar, fëmijët e së cilës ishin në Greqi. Ata e paguanin dhe për larjen e rrobave të saj. Ditëve në vazhdim mësoi, edhe një gjë tjetër, se fëmijët e gruas së moshuar e paguanin edhe për shoqërimin një herë në javë në Poliklinikën e qytetit për të bërë dializën e së moshuarës. 

Kur e pa të kapërcente rrethrotullimin e Haxhiasit, ai po gjerbte në këmbë kafenë e mëngjesit në rrugën që të shpie drejt spitaleve. Prej aty iu duk krejt ndryshe nga fotografia. Dhe aty u habit më shumë. Vërtet flokët i kishte ngjyrë të ngjashme me manjolën që kishte çelur nxitimthi aty në krah të tij. Fshiu sytë dhe më në fund e besoi vërtet se flokët i kishte një mister më vete. Nuk i kishte si në atë fotografi të shkëputur nga kopertina e revistës “Shëndeti” të atij muaji. Shkëmbeu në xham shikimin e saj. Pastaj u shpërqëndrua. Nuk i bëhej të ngrihej të shkonte në flokëtoren e tij. Të dhjetë berberët që punonin për të kishin kohë që i kërkonin një pastruese, që të lante dhe përparëset e tyre dhe peshqirat e mbulesat e klientëve që përdoreshin gjatë qethjeve dhe pastrimit të mjekrave të meshkujve tashmë në modë të qytetit. Vendosi ta bënte këtë menjëherë, jo thjesht sipas kërkesës dhe punës që ishte rritur mjaft, por me këtë rast.... I doli përpara me nxitim dhe ia propozoi menjëherë punën. Ajo e pranoi, por si me shaka i tha se do të kishte punë me flokët e saj. Këto flokë jo vetëm që ndërrojnë ngjyrë vetvetiu, por dhe rriten krejt vetvetiu. Ai nuk dinte çfarë të thoshte. “Nuk paska qenë pjesë e atyre që kisha dëgjuar edhe kjo gjë për flokët e saj”, tha Aristiri me vete. 

Aristiri u tërbua pas saj. Ajo kishte flokët më të mistershëm në këtë botë ndoshta vërtet ishin ata flokë që e magjepsën atë. Dhe ashtu ndodhi. Pas punës së saj në Spitalin e Lindjes, ajo menjëherë pasditen e ditës tjetër shkoi të pastronte flokëtoren dhe të grumbullonte në një çantë të madhe përparëset, peshqirat dhe mbulesat e klientëve të flokëtores. 

“Po, ne nuk kemi folur për pagesën?”, tha Aristiri. “Po, unë do të ju paguaj mirë ju. Nuk ma merr mendja se do të jetë problem, apo jo, të më bëni një pyetje se sa dhe si?”

Ajo nuk e pa të arsyeshme të përgjigjej. Madje as nuk e pyeti. Mbaroi punën dhe doli nga dera duke i thënë vetëm kaq: “Nesër para punës sime do të keni këtu të gjitha këto të lara e të hekurosura.” 

Ishte e habitshme se si mëngjesin tjetër vërtet ajo ishte në kohën e duhur. Sytë e saj u ndezën si poçëza të vogla neoni dhe madje i tërë trupi i saj dukej sikur ishte një llambadar. Flokët kishin një shkëlqim prej dielli të nakatosur me bojë karakafteje të ndezur. Shenjat e gishtave të saj u zhvendosën mjaft shpejt nga tryeza ku ai kishte ngulur sytë e tij, teksa ajo zbrazi çantën e saj. Edhe gishtat e saj në atë rast iu dukën si neonë të vegjël. Futi dorën e tij të djathtë në xhepin e pantallonave dhe ia dha një shukë parash të panumëruara. Ajo e nënvlerësoi atë veprim, madje nuk bëri habinë, dhe as nuk u shqetësua të numërojë paratë. Sytë e saj, pastaj bënë rikoshetë në fytyrën e tij, kur e pyeti ajo, “A mund t’i marr si të qëllimshme thashethemet e egra rreth flokëtores suaj?”

“Po. Ju mundeni”, tha Aristiri. “Për ju thonë se i paguani berberët tuaj, sikur i nxirrni paratë me pinca, si një fakt, (ai ia tundi shukun e parave) kjo po rrëzohet….”

Ai nuk iu përgjigj asaj, nuk e pa të arsyeshme të bënte shtesë fjalësh, e la të merrte në heshtje një përgjigje, ndoshta ashtu sikurse e kishte paramenduar edhe vetë.

Ajo u kthye menjëherë nga dera dhe u bë palë me heshtjen, duke e shprishur atë vetëm me hapat e saj dhe shukullimën e flokëve, që bën një gjysëm hark mes shpatullave dhe gjoksit të saj të fryrë, tamam sikur të mos ishte aty. Edhe më keq, ai qëndroi si i ngrirë në dritaren e madhe që shikonte bulevardin në pëllëmbë të dorës. Një grumbull plazme kafeje të lokaleve të shumta ndanë bulevardit iu duk sikur iu derdh në këmbët e saj: asgjë më shumë, asgjë më pak nuk arriti të shihte më. Epo, ishte Aristiri, njeriu që kishte klientë të berberanës së tij gjysmën e meshkujve në qytet, djemtë dhe burrat më të kamur, të gjitha modat e qethjes dhe mbajtjes bukur e estetikisht të mjekrës ndodheshin në katalogjet e tij.

“Ej. Prisni, “thirri Aristiri. Trikoja e saj gjysëm e hapur e intrigoi. Por menjëherë e ndjeu se efekti i asaj trikoje të blerë në tregun e lirë të qytetit, nuk mund të mbetej si e dorës së dytë. Gjoksi e dinte se ç’vuante nga ajo gudulisje gjysëm e hapur e trikos. Trupi i saj i drejtë dukej si një vijë e paqtë pingule e mbështjellë me tërë atë leshnajë të butë e të gjatë deri tek gjunjët. Dukej shumë aktive në tërë këtë shtjellë, një gjarpër i gjarpëruar duke u maisur sysh dhe detrash brenda kufijve të buzëve të mëdha. Ai fliste, por ajo i kishte dhënë qasje vetëm anën e pasme, kurrizin e saj pingul. Deri më tani asnjë burrë apo grua nuk kishte guxuar t’i kthejë shpinën Aristirit. Aq më shumë kur ai e vendoste dhe e piketonte të bënte një gjë të tillë. Një synim që shpesh i buronte nga sytë, se sa nga ndjesia. 

“Ne ende nuk jemi prezantuar,” tha ajo dhe flokët e saj gati sa nuk iu afruan si ndonjë kosore pranë kokës së tij, teksa ajo i dha një sforco të madhe kthimit të menjëhershëm. “Unë nuk e kuptoj logjikën tuaj pse duhet të më thërrisni” ‘Hej’. Aristirit iu errën sytë dhe ashtu papritur këmbët i ngecën në një grumbull të madh plazme kafeje. Trupi i saj që mbante peshën e atyre flokëve të gjata u bë gjarpër në rrugën që përcjell tutje zhurmëthi Teatrin “Skampa”. U tërhoq pas palmave. 

E ndoqi me sy gjatë, deri sa sytë e tij u pështollën me një mjegull të dendur, ku herë i ngatërroheshin rrobat e dorës së dytë, që kishte veshur ajo dhe herë ngjyrat e flokëve të saj që dukej sikur ndryshonin si ato prefset e lapsave me reliev të kohës së Metalurgjikut dhe të miqësisë me Kinën. Nuk mundi të qëndrojë më. E ndoqi nga pas. Kur hijet e të dyve u kryqëzuan, pa se ajo sapo kishte vënë këmbën e saj të djathtë tek shkallët e Bibliotekës. Aty vuri re më shumë se trikoja që ajo kishte veshur ishte vërtet e dorës së dytë. Por jo vetëm kaq. Në dorë mbante dy qese, njëra e mbushur me libra dhe tjera e mbushur plot e përplot me jeshilllëqe, ku binin në sy qepë të njoma, sallatra, tranguj të freskët, hudhra të njoma, spinaq, mardanoz e të tjera që nuk i shikonte dot në thellësi të qeses së ngjeshur mirë. Nga qesja me leshilllëqe merrte me dorën e djathtë shuka të ndryshme prej tyre në qese dhe i përtypte me shije e kënaqësi të madhe. Këtë e bëri të paktën disa herë, ndërsa Aristiri ende nuk ishte shfaqur përballë saj. Fshiu sytë kur ajo e përsëriti këtë për të disatën herë. Ndërkohë ia shihte vetëm flokët. Flokët? E ku kishte ylber të krahasohej me to. Fshiu sytë edhe një herë. Nuk e besonte. “Më duket se më ka bërë magji”, foli me vete. Kaq ishte, ajo bëri menjëherë pas në rrugicën e ngushtë dhe zuri urbanin e spitaleve. 

Kaloi menjëherë një javë. Thashëthemet u shtuan. Edhe pëshpëritjet e berberëve të tij madje u shtuan. Donte ta shihte dhe një herë vetë se si ajo ushqehej me ato jeshilllëqe. “Aman barëra do të hamë… dhe nuk dorëzohemi…”, dhe qeshi, apo nënqeshi disi mistershëm me vete, kur kujtoi këto fjalë nga pragu i kohërave. Por ndërkohë mendoi dhe për diçka tjetër. Përse të mos ndante një pjesë të berberanës së madhe e të krijonte mundësi për një dyqan rrobash? “Vërtet përse?”, dhe u ngrit menjëherë. Nuk i duheshin shumë letra, nuk i duhej shumë punë. Dhe brenda pak ditëve ideja u bë realitet. “Tashmë do ta kem këtu.”, vendosi me vete. Sa përfundoi mendimin e tij ajo kishte mbërritur për të marë mbulesat, përparëset, peshqirat e për të bërë punën e saj të pastrimit javor të flokëtores. 

“Kam menduar për ty,” foli Aristiri duke pritur menjëherë një arsye të çelur në sytë e saj. 

“Manjola. Unë jam Manjola.” U përgjigj ajo.

Edhe këtë herë iu duk se njeriu me flokë të mistershme, ai njeri i seksit të kundërt me ato rroba të dorës së dytë, … ajo femër e ngrirë në sytë e tij po e bezdiste si shumë. Po e mërziste. Por ende e mbante foton e saj në atë kornizë përballë pasqyrës kryesore. Nuk e dinte pse nuk i kishte rënë në sy edhe asaj. “Pse nuk e kishte parë ajo kur fshinte?”, pëshpëriti me vete dhe ia ktheu: “Aristiri, po më quaj sikurse më thërrasin të tjerët po deshe, Poku.” 

“Nuk e di nëse do të më duhet. Unë zakonisht nuk kam emra në memorjen time.  Nuk thërras dikë. Nuk besoj…”, u përgjigj Manjola. 

“Epo unë nuk ushqehem me bar …, ja që kam memorje dhe kam emra. Unë do të të thërras Manjola, apo e do shkurt Lola?”

“Ky trup të duket i shkurtër, këto flokë të duken të shkurtra…, mbrëmë i preva dhjetë centimetra…, po emrin nuk ma pret dot njeri. Ndërsa për barin …, aha e kuptova pse duhet hapur dhe një dyqan tjetër. E kuptova se bari të jep fuqi, pasuri, para, emër… rehati dhe … emra sigurisht. Edhe bari ndryshon me efektin e tij tek njerëzit. Edhe bari ka efekte të ndryshme. Pastaj varet nga lloji i barit”. 

“Nuk ju kuptova. Edhe pse më duhet të të them se këtë dyqan tashmë e kam për rroba mode. Dhe kam menduar të ju punësojë këtu.”

“Unë nuk dua para. Ju faleminderit shumë. Nuk mundem ta bëj atë punë…, por në qoftë se nuk keni tjetër për të punësuar edhe mund ta bëj”. 

“Si ta kuptoj?”

“Le ta lëmë me kaq. Unë do të jem në atë dyqan dhe do të shes rroba mode për …” 

Përballë xhamave të flokëtores sapo ishin shkarkuar dy kosha me qershija të ardhura rishtas nga Godoleshi. Manjola menjëherë bëri nga dera. U gjend e para para koshave. Dhe tregëtarët e pakicës menjëherë u dyndën. Por askush nuk arriti të merrte gjë. Ajo i bleu të dy koshat. Kur bëri të jepte paratë, djaloshi që shkarkoi furgonin i tha se ishin paguar nga pronari i flokëtores. Manjola nuk foli. Vetëm mbushi qeset dhe u largua. Kur pa hijet e Tjetrit nga pas ktheu kokën. 

“Ju po më ndiqni mua?”

“Nëse i hani të gjitha këto do të ju paguaj dhjetëfishin e asaj që ju kam paguar për punën në flokëtoren time.”

“Pse keni vënë ndonjë bast? Apo doni të bëni realitet thashëthemet?”

Ditën tjetër Manjola erdhi për të hapur dyqanin e rrobave të modës me një bluzë të bukur, pantallona të shkurtra e të kohës, ku binin në sy menjëherë këmbët e saj të hollë, një melankoli bojërash të thonjve të shtyrë në sandalet e saj të lëkurës, flokët e saj të gjatë e me bojna-bojna natyrale. Në duar mbante dy qese të mëdha. Ai u fsheh prapa murit dhe shikonte. Gjatë dy orëve Manjola nuk kishte ndalur të ngrënit. Qershijat e kishin bërë efektin e tyre mby buzët e saj. Ndërsa gishtat i mbante me kujdes. Aristiri menjëherë mendoi se ajo nuk ishte për atë punë, por tashmë nuk kishte çfarë të bënte. I vinte zor nga të tjerët. 

“Unë nuk do të ju paguaj,” tha ai.

Ajo, as nuk përgjigjej dhe, as nuk e shikonte.

Nuk ishte e mundur që ajo të shiste rroba. Kur shkoi të shihte atë pas disa orësh, Manjola i numëroi paratë e rrobave që kishte shitur. Ai u shkund menjëherë. E pamundur. Kaq rroba nuk shiteshin për një javë në dyqanet ngjitur, e ajo kishte bërë gjithë ato para? 

“Nuk mendoj se duhet të më paguani tashti, apo e kam gabim?”, foli Manjola. “Tashmë më duhet të ha.”

Aristiri nuk kishte çfarë të thoshte. Vetëm shikonte se si vërtet flokët e saj ishin gati-gati të preknin dyshemenë. Ngjyra e tyre të mbërthente sytë. Mbeteshe pa mend mbi ato flokë. “Përse në atë foto mungonte një gjë e tillë?” Aristiri kishte muaj që e mbante atë foto dhe kishte kohë që e studionte këtë vajzë, por tani i dukej se flokët, se mos vetëm ato ishin një mister tek kjo femër. 

“Ë pra tashmë i kam ngrënë ato qershitë. Më paguani dhjetëfishin e asaj që më keni paguar!” 

Aristiri menjëherë nxorri kuletën, tashmë ishte i mundur jo vetëm në arsyetimin e tij, por në të gjithë atë qasje para saj. Ishte i humbur. Vërtet ishte i humbur. 

“Shihemi nesër,” tha ai. “Po flokët, a mund të t’i shkurtoj unë?”

Manjola ia ktheu kurrizin, bëri nga dera e dyqanit të rrobave dhe i vuri çelësin. Iku pa i thënë asnjë përshëndetje. Pasi bëri disa hapa para, ndërsa sytë e tij ishin qepur pas, bëri një rrotullim të shkurtër dhe shtoi me një zë të butë: “shihemi nesër.”

“Nesër …,” ripërsëriti ai, si në një humbje të dytë të madhe.

Të nesërmen, ai gjeti Manjolën më herët se dita e parë në dyqan. E përshëndeti dhe vetëm kaq. Ajo vazhdonte vetëm të hante. Tashmë nuk e kishte më mendjen tek thashëthemet. Mendja i kishte mbetur tek flokët e saj. I kishte prerë dhe i mbante si ditën e parë që e kishte parë, aty mbi gjunjë. “Flokë aq të gjata? Po mendtë a do t’i ketë të shkurtra?” Kjo e mundoi një çast, por nuk e dha veten. Në darkë përsëri e njëjta gjë. Ia dha shukën e parave të rrobave që kishte shitur. Goxha para. Vërtet në thuajse një muaj dyqani i Aristirit kishte zënë vendin kryesor në qytet. Njerëzit nuk flisnin më për gjë tjetër. Flisnin vetëm për atë dyqan. 

Aristiri vendosi t’i bënte surprizë.  “A mund të darkojmë sonte bashkë në ndonjë restorant buzë Shkumbinit?”

Përgjigjja e saj iu duk vetëtimë. I ra si zjarr në fytyrë. “Po,” i tha Manjola. “Pa marrë parasysh se sa unë ha shumë?”

Atë darkë ata porositën dhe mbushën tavolinat sa për dhjetë vetë. Kamarierët dhe kamarieret ngelën me sytë nga ata dy, prisnin të numëronin dhe të shihnin të tjerët. Por askush nuk u duk, madje kur u ngritën nga tryeza Manjola dhe Aristiri, aty nuk kishte shumë punë për të bërë. Sigurisht habia mbeti tek të gjithë që ndiqnin sa me sy e me veshë atë tryezë. Tek Aristiri kjo nuk ishte më habi. Edhe pse i dukej disi e mistershme, prapë nuk mendonte më për të ngrënit, por për flokët e saj. Nuk e di pse ripërsëriti: “Flokë aq të gjata? Po mendtë a do t’i ketë të shkurtra?”

E ftoi në hotel. Ajo nuk bëri ndonjë kundërshtim. Aristiri, ndjehej për herë të parë, të paktën në sytë dhe veprimin e saj, si fitimtar. Por, kjo lloj fitore e bënte disi të hutuar. E kishte futur thellë në mendime. Pyeste dhe përgjigjej vetë pa ndonjë sens e ndonjë kuptim. Vërtet ishte i përhumbur. Në çantën e saj i futi kontratën e noterizuar të dyqanit të rrobave, tashmë dhuratë për të. “të paktën kështu do të m’i kthejë sytë…,” mendoi ai. 

Hoteli nuk ishte larg. Preferuan të shkonin në qytetin fqinj. Aristiri, po aq dhe Manjola, nuk donin të binin në sy. Pasi parkuan makinën, paguan sportelistin mirë edhe nën dorë, morën çelësat e dhomës … dhe tashmë…. E gjithë nata e mbetur ishte e tyre. 

“Nuk do të hamë ndonjë gjë?” pyeti Manjola dhe menjëherë shkoi pranë pasqyrës të shkurtonte flokët, si përnatë. Aristiri kishte humbur krejtësisht. Habitej dhe mendonte se kishte shkuar jo më në një hotel të tillë, por në ndonjë vend mistik, si në skenat e disa filmave misteriozë me njerëz të ardhur nga planete të tjera imagjinare. Nuk dinte ç’të bënte dhe nuk kishte fuqi as të fliste e as të përgjigjej. Sytë i kishte tashmë gjysëm të mbyllur. Çfarë po ndodhte me të? 

“Hëngre dhe pive shumë?” i tha Manjola dhe bëri afër ta mbulonte me batanije. Vërtet ai fjeti deri në mëngjes. Kur u ngrit pa një letër në tryezë. U ngrit ngadalë, trupin  e kishte të vrarë, dukej mjaft i lodhur. E hapi letrën dhe lexoi: “Shihemi tek dyqani…”

E njëjta gjë ditë edhe natë me paratë e shitjes. E njëjta dhe pas disa javëve…, edhe pse tashmë dyqani ishte bërë dhuratë. Ajo s’po ndihej. Nuk i kishte thënë as dhe një “faleminderit!” të paktën. Aristiri përsëriste e ripërsëriste me vete: “Flokë aq të gjata? Po mendtë a do t’i ketë të shkurtra?”

 Përsëri Aristiri e ftoi për darkë Manjolën. Përsëri ajo pranoi. Ajo lëvizte flokët dhe atij i dukej sikur mbante tashmë gjarprin më dinak në shpinë dhe veshjen e saj e shikonte krejt ndryshe... nuk mund të imagjinonte se çfarë priste pas asaj nate dështimi total në hotel, nuk dinte se çfarë donte më prej Manjolës. Ai nuk kishte asnjë arsye të futej në brendësi të tundimit që kishte kohë që e mbante si skllavin e asaj fotografie në flokëtoren e tij. E kishte para syve të tij, tashmë dhe në rrugë për në shtëpinë e tij. Mjaft miq të tij e përshëndesnin pa pushim. Ajo ecte pranë krahut të tij të majtë, duke mos i kushtuar vëmendje atij, as dhe atyre që e përshëndesnin atë dhe kjo ishte e çuditshme, madje mjaft dëshpëruese për Aristirin. Aristiri kishte kaluar netë pa frymë me vajzat nga qyteti, vajza nga më të bukurat e më të mirat. Asnjëra prej tyre nuk e kishte mbajtur veten kaq rëndë si kjo. Ai kishte grumbulluar tashmë të gjithë errësirën në sy. Vetëm një dritë, ajo e syve dhe flokëve të saj i ciflohej në thellësi. 

Manjola hoqi bluzën e saj. Hoqi dhe sitjenat dhe… mori gërshërët nga çanta të shkurtonte flokët. Ai kishte ngrirë mbi atë qasje të mistershme të ngjyrave në flokët e saj. Kur ajo bëri gërshërën e dytë, i tha: “A mund të t’i shkurtojë unë? Fundja unë jam berber…”

“Nëse ndodh … vertet nëse e bën këtë unë do …, por sidoqoftë… le të bëhet… fundja kujt i hyjnë në punë thashëthemet?”

Aristiri nuk arriti të kapte gërshërët kur duart e tij mbetën mbi atë mish të bardhë e të lëmuar si damarë të vegjël e të zjarrtë. Gërshërët kishin pasuar një zhurmëz të lehtë në rënien e tyre mbi lavaman dhe më pas e gjitha ishte vetëm një ëndërr. Ai u zhduk. U tha si një pellg me baltë. 

... Ajo hoqi dhe pjesën tjetër të mbetur në trup dhe i dha forcë duarve, pa marrë parasysh se çfarë po ndodhte. Kur e pa të qetësuar, ajo u largua nga shtrati, nuk bëri bujë, nuk bëri as më të voglën zhurmë. Ajo u largua. Nata ishte e paharrueshme. Në të vërtetë ajo natë ishte edhe drita edhe errësira për të, si një kujtim që e kishte prerë atë në dy gjysma, duart e saj të qepura pas Aristirit dhe flokët që i vareshin akoma më mistershëm. 

U duk se pas gjithë kësaj kishte mbetur vetëm një hije që ndiqte pandashëm këtë skenë nga trotuari. Ishte dita kur ai ishte larguar vërtet mistershëm si një hije mes hijeve. Pse kishte ndodhur? Pse vallë? Kishte qenë me një hije… Thashëthemet ndërruan kahun e tyre… Ishte dita kur Manjola shiti përsëri rroba nga dyqani famëmadh i Aristirit, por paratë i mbante tashmë në llogarinë e saj bankare.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1