Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Bullying

Bullying

Font size: Decrease font Enlarge font
image Bullying

Bullying

Tregim


Frika ishte një emocion mbrojtës për Vangjelin. Gjatë adoleshencës, u shndërrua në një shprehje psikosomatike e dukshme; fillimisht në fytyrë, në zë dhe më vonë në pozicionin që i jepte trupit. Sa herë që dikush  i drejtohej me lëvizje kërcënuese, Vangjeli tërhiqej i frikësuar. Simptoma u pa dhe rreziku real, ju bë ndërgjegjësim. Vangjeli për tu mbrojtur, kalonte kërcellin e dorës së djathtë para fytyrës ndërsa sytë instinktivisht, ndryshonin përmasat.  

Një ditë tek hynte në klasë,  i erdhi një pëllëmbë pas zverkut dhe më pas, pëllëmba të pa renditura. Ishte një sulm tronditës dhe i papritur. Me duart mbuloi kokën dhe fytyrën, ndërsa bërrylave u dha drejtim diagonal për shmangien e goditjeve ndërkohë, të rrahurat e zemrës përshpejtoheshin, gjithashtu frymëmarrja bëhej më e nxituar. Me kalimin e kohës kërcënimet dhe talljet; «lëvizjet bother» siç dot t’ i quante më vonë, u bënë më të shpeshta.

Një ditë tjetër pas pushimit të madh tek hapi portën, mbi kokë  i ra “një dukuri qiellore” që e gjakosi dhe kjo ndodhi kur një orë më parë,  në laboratorin  e fizikës mësuesi u foli për forcën e rëndesës.  Kështu frika u kthye në fobi. Fobia, kjo frikë e vazhdueshme shpesh është e pa arsyeshme, por në rastin konkret, sendi që ra në kokën e tij, ishte plagë-prurës . «Ah! Sikur të isha  më pakë frikacak,» qortonte veten; «ose pakë më i guximshëm;» përpiqej t’ i jepte kurajë. 

Pas asaj ngjarjeje edhe në oborrin e shkollës hynte me vetulla të mbledhura dhe buzët horizontalisht të shtrira, karakteristika këto, që e vinin në lëvizje të menjëhershme për tu mbrojtur. Kujdes të veçantë i jepte vendndodhjes dhe përqendrimit të vështrimeve tallëse të shokëve të klasës. E dëgjuan prindërit shqetësimin e të birit dhe u ankuan te mësuesi kujdestar dhe më pas në drejtorinë e shkollës. U mblodh disa herë këshilli pedagogjik, por ndryshimi ishte i përkohshëm. Tani më dhe rrugëve sa herë dëgjonte përtalljet, ja mbathte vrapit. Më të mërzitshmit ishin katër, ndërsa më i rrezikshmi ishte më i gjatë, më i bëshëm dhe më impudent. Për këta të fundit prindërit u ankuan dhe në policinë e qytetit por dhe atje morën përgjigjen e pamjaftueshme. «Ne jemi ruajtës të qetësisë,» u thanë «dhe jo ata që vendosim qetësinë.» Atëherë prindërit e Vangjelit vendosën të marrin ligjin në duar. Ishte e motra ajo që shmangi përkohësisht humbjen e durimit, ishte ajo që do të pasuronte botën shpirtërore të vëllait, që do ta ndihmonte në burrërimin më të shpejtë të tij, duke e njohur me një shoqen e saj që lexonte psikologji dhe që do ta bindte  Vangjelin të shkoi në gjimnaz. Në gjimnaz, struktura mësimore ndryshon dhe Vangjelit i kërkohej një mënyrë e re të menduari; të mësonte të argumentonte, të mendonte me një mënyrë kritike, të eksploronte dhe thellonte dijen ndërkohë, shoqja e së motrës i afronte bëma heronjsh.  Në vitin e dytë, u përpoq të ndryshonte diçka në shprehjen e fytyrës, pa nxjerrë zë dhe me buzët të tërhequra anëve, por buzëqeshja ngriu. Ngacmimet ishin më fyese, më kërcënuese, bile në një vrapim, dikush i vuri pengë; Vangjeli u rrëzua dhe ai; ai më i forti, i derdhi pështymë në gojë. Kësaj radhe nuk u ankua te askush; akoma edhe kur prindërit i vunë në dukje se buzët i kish gjakosur në gjumë nga që i fshinte fortë me mëngën e pizhameve. 

Mbaroi java dhe nuk shoqëroi as motrën me shoqen e saj për pushimin e së dielës; kjo e fundit para ikjes si e flirtoi  një çast me sy, dhe si e puthi lehtë në anë të buzëve, i dhuroi një libër me jetën e Akilit. Ishte një mesazh që e kish kërkuar shumë në thellësitë e vetes. Vërtetë, si nuk i kish shkuar në mendje?! Sipër qytetit, në pjesën verilindore, ndodhej Mali i Helmët nga ku buronin ujërat e Stigës. Me këtë ujë thuhej në parathënien e librit, kupë-mbajtësi Iollas helmoi Aleksandrin e Madh.  Në këto ujëra thuhej gjithashtu  se Nerida Thetis lau Akilin duke e mbajtur vetëm nga thembra dhe ai u bë i pamposhtur.  Si ka mundësi të ndodhin të dyja; si ka mundësi që me ujërat e  Malit të Helmët dhe të vdesësh, por të bëhesh dhe i pamposhtur?! La qytetin dhe pasi kaloi fshatin Solos, nëpërmjet Grykës së Vuraikos, hyri në pyllin e dendur të pishave. Që andej dëgjoi kataraktin e Stigës. Ujërat rridhnin me aq vrull mbi shkëmbinjtë e zinj sa kishin marrë ngjyrën e urrejtjes.  Së fundi do të lahej në ato ujëra që do t’ i jepnin mundësinë të dërmonte atë që i nxinte jetën dhe do të mbushte një shishe që t’ i helmonte të gjithë tallësit e klasës. 

Pas tre orësh udhëtimi, u ulë për çlodhje buzë liqenit famëmadh të Stigës . Këtu ujërat e errëta , humbnin në një thellësi grykëse sikur të furnizonin jetën e nëndheshme. «Atje do t’ iu kem» ju drejtua me ironi shokëve në mungesë, «atje në pallatet e Adit» dhe si u zhvesh, hyri në liqen për të dal që andej i pamposhtur. Një çast tjetër nuk do të besonte në trillin mitik, por tani donte dhe e kaloi me qëllim në thellësitë e vetes. Me një ndjenjë të fortë armiqësie dhe i pajisur me reagim të dhunshëm, mbushi shishen me ujin e helmët dhe mori tatëpjetën për t’i dhënë çdonjërit vendin që i takonte. 

Të nesërmen kur hyri në oborrin e shkollës, as që  donte t’ ia dinte për talljet e shokëve të klasës. Në fund të fundit atje i kish të gjithë; brenda në shishe. I hodhi një vështrim të rreptë impudentit dhe si ngjiti shkallët hyri në sallën e mësuesve pa trokitur. Mësuesja e kimisë ‘Afroviti’  siç e quanin për bukurinë e saj, kish hapur regjistrin dhe në pamje të parë dukej sikur lexonte për herë të fundit emrat e nxënësve që kish nën kujdestari, por në fakt, këtë e bënte për tu shmangur nga vështrimi i mësueses së anatomisë, ose Sapfos siç e quanin vajzat e shkollës. Edhe kur Vangjeli e pyeti në se ujërat e Stigës janë helmuese; mësuesja e kimisë për t’ iu shmangur vështrimit të koleges, u përgjigj pa ngritur sytë nga regjistri: «Në thellësitë e ujërave, ka shkëmbinj gëlqeror dhe janë gjetur substanca toksike, por kjo nuk do të thotë se ato ujëra janë vdekjeprurëse.» «Bukuri e përçmuar!»Shfryu brenda vetes Vangjeli dhe u largua duke nxjerrë shishen nga çanta. Tanimë i kish mbetur vetëm versioni i dytë; ai i Akilit. Në dalje të shkollës, sa zbriti shkallët, me shishen e ujit në dorën e djathtë, ju lëshua impudentit.  Ky i fundit uli kokën dhe shishja gjakosi shokun pas tij. Askush nuk e priste atë mllef frikacaku. Midis dy kundërshtarëve filloj një përleshje e ashpër. Të tjerët u hapën dhe në mes ata të dy. Tani më, impudenti nuk kish përballë atë Vangjel frikacakun, por një vërsnik  të dhunshëm. Goditjet e forta që i vinin në kokë dhe në stomak i dobësuan rezistencën,  grushtet e tij nuk kombinonin dhe këmbët humbën qëndresën ndërkohë, Vangjelit ju rrit dhe më besimi te vetja. Kur kundërshtari u rrëzua për tokë, i vuri gjurin mbi gjoks dhe e mbërtheu fortë për fyti. Të gjithë kishin ngrirë. Impudentit i dilte shkumë nga goja, por Vangjeli nuk donte t’ ia dinte. Ato buzë që i kishin derdhur pështymë në gojë, duhet të mbylleshin një herë e përgjithmonë.

Vasil Klironomi

Comments (6 posted):

Kozma Gjergji on 10/03/2019 09:51:48
avatar
Tregim me fantazinë interesante të përrallës dhe simbolik domethënëse.
Shumë urime z.Klironomi!
faruk myrtaj on 10/03/2019 10:34:26
avatar
Mali, i helmwt ne thellesine e vet,
Afroviti, e bukur ne dukjen e saj,
shfaqin Akilin,
nese percmimi peshryn feymemarrjen...
myslim maska on 10/03/2019 23:48:38
avatar
S'kemi te bejme absolutsht me fantazi perrallash..Tregimi eshte nje "qendisme"
e mrekullueshme e dhimbshme psikologjike,praktike ku zbulohet ,mjaft bukur nje karakter i besueshem dhe realist per kohen tone.
"Mali i helmuar ne thellesine e vet,"
Thote Faruku.
Urime.
Kozma Gjergji on 11/03/2019 20:15:29
avatar
Mik i dashur Myslim! Më duket se qënkam keqkuptuar. Tregimin e z.Klironomi e vlerësoj të nivelit me shkrimtarët e realizimit magjik, ku siç dihet, në krijimtarinë e tyre, tokësorja e qiellorja bëhen njësh. Kisha parasysh dramën e Vangjelit pleksur me elemente përrallore si “Mbi kokë i ra një dukuri qiellore “, marrdhëniet me mitin (Akilin), me Malin e helmët, shishen me ujë të helmët e deri te triumfi ( si në përralla) mbi të fuqishmin. Nëse padashur i kam shkaktuar ndonjë lëndim z.Vasil i kërkoj shumë ndjesë. Përqafime. Kozmai.
mysliim maska on 11/03/2019 22:35:11
avatar
I nderuar mik! s'ka asnje arsye sipas meje t'i kerkosh ndjese.Dialogu i sinqerte zbulon dhe ia rrit vlerat krijimit( tregimit ne rastin konkret)
Vetem nga perplasjet shperthejne xixa...Qe behen DRITE...
Te perqafoj, MYSLIMI.
on 13/03/2019 07:29:56
avatar
I shumë-respektuari Kozma! Asnjë keqkuptim; vetëm respekt dhe mirënjohje.
klironomi

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1