Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | PËR HATËRIN E VIDRËS

PËR HATËRIN E VIDRËS

Font size: Decrease font Enlarge font
image Thani Naqo

PËR HATËRIN E VIDRËS
tregim
Pas njëzet vjetëve erdhi çasti të vishte rrobat e asaj dite kur e arrestuan. Bluzën e leshtë, mbathjet, pantallonat e këmishën, fillimisht i shtrëngoi pas gjoksit e pastaj ngjeshi hundën mes tyre. Nga nëna ishte metis 1) dhe prej saj trashëgoi nuhatjen e hollë, durimin dhe heshtjen.
“Përndryshe, - i tha vetes, - do ishe edhe njëzet vjet të tjera në kafaz prej hekuri.”
Nuk iu ankua gardërrobistit për shtrëngesën e rrobave dhe as për kutërbimin e naftalinës. Vërtet u stërmundua gjersa mbërtheu kopsat e pantallonave bluxhins dhe të këmishës, por nuk kërkoi lugë për këpucët e tkurura e të shtrembërua, prej lëkure derri. Që sa i pa i shëmbëllyen me oshafet e goricave të egra të Dausonit.2) Pantallonat e shtrëngonin paq. Sidomos në vithe e në bel edhe se la pa kopsitur filiqin, dhe se gjelkëzën e rripit e avancoi dy brima më shumë. Nga burgu po dilte njëzet vjet më i vjetër, njëzet paund3) më i rëndë, ama i çburrëruar që ditën e parë në sallën e dusheve.
Këto ia kujtoi edhe humori i garderrobistit:
-Mashkulli shpërfytyrohet, ama rritet edhe në ferr.
Kur u përkul, të vishte këpucët, garderrobisti i nderi para fytyrës një pecetë. Ua fshiu pluhurin këpucëve dhe, me një mbledhje të beftë të buzëve, mbështyu mbi shpinat e tyre, të rrudhura. Me lëvizjet e shkathëta donte t’i linte përshtypjen garderrobistit se ende ishte energjik dhe i gatshëm të bënte çdo lloj pune.
“Nuk kam dëshirë të kthehem ku jetohet nën zero gradë,” – donte t’i thoshte, por ndroi mendje. - I dënuari për vrasje nuk tregon adresën e të ardhmes,” – i tha vetes ndërsa shtyp gishtat e mbledhur keqas brenda këpucëve. Këqyr lëkurën e tyre dhe ajo i faniti Vidrën. Me dhjamë vidre indianja Vidra lyente trupin çdo javë. Thoshte se ia mbante lëkurën të ngrohtë e të butë, por e të rrëshqitshme, për të mos rënë në kthetrat e meshkujve. Veç dy prej tyre, ai dhe një tjetër, më të krisurit e fisit Çilkut, bënin çdo javë pesëdhjetë milje me ski, për ta parë e për ta shtënë në dorë Vidrën. Ai nga Veriperëndimi,kurse tjetri, nga Verilindja. 
“Vraje para se të të vrasë,” – i tha Vidra, dhe zëri i saj atë ditë nuk ishte i butë dhe as i ngrohtë, por i ftohtë, i ashpër dhe çjerrës. Ajo nuk i tregoi ç’kishte ndodhur me atë, tjetrin, që vinte nga Verilindja, por të çjerrat e gjakosura në fytyrë dhe në krahë, mjaftonin. 
Jaka e këmishës iu mblodh vilar pas qafës dhe shtrëngesa e saj i kujtoi këmborën e tunxhit, që i patën varur prindërit në qafë, sa filloi të çapitej në fëmijëri.
-Më nxorre mallin e Al-Kapones,1) - tha befas garderrobisti dhe i tregoi me majën e stilolapsit ku duhej të firmonte në formular. Mirëpo, krahasimi me Al Kaponen, e bëri garderrobistin të stepet e të largohet një hap mbrapa, mbasi hasi në turbullirën e syve të murmë dhe përfkaljen e beftë të fytyrës të ish numrit 33770. U përpoq të buzëqeshë dhe shtoi nxitimthi për t’i bërë qejfin:
-Veshja bluxhins është akoma në modë, pavarësisht se shpikjen amerikane e përlanë kinezët - dhe shtoi se edhe këmishët me jaka të gjëra preferoheshin akoma, por veç nga homoseksualët. Ama, sa të dilte nga porta e këtij ferri, do t’i duhej të hapte kuletën dhe të blinte këpucë me shuaj porozë e me majë katrore. Garderrobisti e këshilloi se në çdo Thrift Store1), me pak dollarë mund të geje rroba dhe këpucë të përdorura, por shumë të mira. Me tonin e ekspertit të veshmbathjeve sqaroi se shuajt e presarur të këpucëve nga lëkurët e kafshëve, ishin zëvëndësuar me gomën poroze artificiale.
-Të duket sikur ke veshur këpucë prej ajri, - tha.
Megjithatë, ai kishte vazhduar të pastronte këpucët e porsaveshura, pavarësisht se e dinte që vështrimi i garderrobistit kalonte sa mbi vithet, aq e mbi çaçkën e tij, rralluar nga flokët. Ndërkohë që firmoi, nuk ia vuri veshin dërdëllitjeve të tjera, edhe se e ishin të vlefshme e paralajmëruese. Mësoi se, sa të kapërcente pragun e portës së burgut, do përballej me çmimet e larta të qirave të apartamenteve; “shto dhe vështirësitë nga mosbesimi i pronarëve ndaj të burgosurve.”
-Tani kompjuterin e ngasin edhe stërgjyshet, - tha garderrobisti dhe qeshi.
E dëgjoi garderrobistin, por pa kureshtje për stërgjyshet e gjyshet, mbasi po mundohej të mbërthente kapësen e zinxhirit të orës. Në çast iu përshpejtua frymëmyarja, edhe të rrahurat e zemrës, mbasi u kujtua se kapësja ishte shtrembëruar kur ai, tjetri, befas, e goditi i pari me shkop në kyçin e dorës. Përfytyroi, përtëkushedisaherën, skenën makabre kur dora e djathtë shkuli thikën nga këllëfi dhe i shpoi barkun, atij, tjetrit, gjersa maja e saj i doli në shpinë.
“Ka ngecur një ditë pas arestimit,” – bëri zbulimin kur pa dy agrepat e puthitur njëri me tjetrin, pikërisht mbi numrin dymbëdhjetë. Atëherë u kujtua se thikën, atë që vrau atë, tjetrin, si dhe Strassfordin1),ia kishte dhuruar gjyshi, nga babai, peshkatar në Dauson.2) Por edhe u kujtua se e kishte kurdisur, për herë të fundit, një a dy minuta para se ta arrestonin. Përfytyroi veten ulur në një stol druri, veshur me akull, para kasolles të Vidrës. Përfytyroi edhe atë, tjetrin, shtrirë përmbys, mbi dëborën e shkelur e të përgjakur, duke lëshuar ende avuj që ngrinin në çast. Pastaj, përfytyroi skitë e mbërrthyera në këmbët e të dyve dhe Vidrën, rënë në gjunjë para hyrjes së kasolles. Për njëzet vjet me rradhë i fanitej në gjumë, por edhe tani, iu fanit si një hyjni indiane, prej akulli, me sytë e mbërrthyera në qiellin gri.
Veç njëherë Vidra tha:
“Më mirë të ishit përleshur gjetkë.” 
“Ku gjetkë,” – e kishte pyetur ai.
“Në mesin e rrugës, ku bashkohet Lindja me Perëndimin.” – ish përgjigjur Vidra
Ai e dinte se zembreku i Strassfordit e mbante kurdisjen njëzet e katër orë dhe ingranazhet kishin ndalur lëvizjen pikërisht kur agrepat prekën numrin dymbëdhjetë.
“Domosdo, të ditës tjetër,” - i shkoi ndërmend.
Në kutinë plastike, që edhe ajo mbante numrin 33770, ishte dhe zari, i rrumbullt, sa një gështenjë, ose sa një kërpudhë tymuese, me brimëz tejpërtej. Zarin ia kishte dhuruar Vidra, e cila këmbëngulte, symbyllur e me zë misterioz: 
“Ime më e ka trashëguar nga e ëma dhe e ëma nga e ëma e saj. Ime më, para se të vdiste, më tregoi se ky zar është syri i një kafshe që jeton nën akull dhe mbi akull. Sado larg të shkosh, të kthen tek ajo që ta ka falur.”
Menjëherë u ndërmend se Vidra ia dhuroi zarin ditën kur atij dhe asaj ua hoqën këmborët prej tunxhi nga qafa. Po atë ditë ai u nis me ski tëposhtë rrjedhës së lumit të akullt. E pa Vidrën lakuriq dhe e ndolli , duke imituar drerin kur ndjell drenushën. Ajo vrapoi, drejt tij, porsi e ndërkryer, njëlloj dhe ai dhe u takuan mbi akull, në mes të lumit.
Ndërsa lodronin, ajo i shkiste nga duart.
“Mos u mundo, - tha e Vidra qeshi siç qeshin çilkutet, duke mbështjellë krahët pas gjoksit dhe duke vibruar vithet. - Jam lyer me dhjamë vidre,” – tha dhe iku me vrap të çakërdisur.
Kurdisi Strassfordin gjersa ndjeu shtrëngesën e zembrekut, e afroi ngjitur me veshin, por nuk dëgjoi tingëllimën e ingranazheve.
-Ve bast se ka vdekur,” - tha garderrobisti për Strassfordin dhe në pak sekonda spiegoi si funksiononin orat elektronike. Pastaj tregoi me kokë muret e sallës, lyer me bojë ngjyrë gri, sikur të donte të thosh se veç ai e dinte ç’ndodhte përtej asaj mjegullnaje. 
-Do ta kesh të vështirë për të gjetur punë, por unë mund të ndihmoj, - premtoi garderrobisti dhe u përpoq t’i kapte shikimin. – Tani, në kohën elektronike, edhe në qytetet e mëdha, nuk mund të fshihesh. Të kontrollojnë nga ajri.
Ia vuri veshin këshillës përfundimtare: të mos merte taksi, sepse ato kushtonin një djall e gjysëm, për shkak të ngritjes së çmimit të karburantit.
-Mer autobusin. Kushton një dollar deri në Down Toun, 1)” Ose më prit mua, për gjysëm ore mbaron orari i punës. Të çoj me makinën time ku të dëshirosh, - premtoi sërish garderrobisti në çastin kur ai firmoi, përkrah numrit 33770. Ndërkohë zëri vibrues i përplasi ajrin në llapën e veshit dhe u bind se, edhe në ferr, garderrobistët janë homoseksualë.
-Do t’i lutem Zotit për ju: mos u shoh më veshur me rroben e verdhë, - tha garderrobisti dhe dalloi perden e lotëve në sytë e tjetrit. Atëherë kishte përqendruar shikimin mbi ballin e ngushtë e të pjerrët ku lëvrinin sytë e vegjël dhelpërues. 
Para se të dilte nga salla e garderrobës qëndroi një hop para pasqyrës dhe sheshoi me gishta flokët që akoma ruanin ngjyrën e zezë.
-Të ftoj të bashkëjetosh me mua, - ishin fjalët e fundit që dëgjoi nga garderrobisti.

* * *

3654 dollarë e 27 cent 1) rezultoi gjëndja financiare e numrit 33770. Vendosi kartmonedhat në kuletë, kurse dy dhjetëcentët i ngjeshi në xhepin e vogël të pantallonave. Pas njëzet vjetësh iu rizgjua ndjenja e bakshishit. Shtatë monedhat e oksiduara i lëshoi një e nga një në gotëzën përkrah sportelit. Tingëllima e tyre e bëri të verë buzën në gaz. Në çast u ndërmend se ajo buzëqshje ishte e para dhe e fundit që po linte pas rrjetës së hekurave.
- Kur të kapërceni pragun e këtij ferri, ju do të keni nevojë edhe për një peni, 2) - tha llogaritari keqardhshëm e me zë të shtirur.
Nuk i vuri rëndësi ironisë së llogaritarit. Mbështeti njërin bërryl në cep të banakut dhe thirri në ndihmë praktiçizmin dhe heshtjen çilkute, që t’i jepnin durim para sportelit. Ishte hera e parë që përballej me këtë njeri të tejdhjamur por, nuk u habit aq shumë me përmasat e mëdha të kokës e të trupit, se sa me lëvizjet e shkathëta të gishtave, që edhe ato ishin të dhjamura. Pikërisht, ato gishta, ngjishnin në memorien e kompjuterit të dhënat për shlyerjen monetare të numrit 33770.
-Nëse dëshiron, - tha llogaritari, me zë të ulët dhe pa hequr sytë nga tastiera e kompjutrit, - eja sonte në apartamnetin tim.
Ndërkohë, që hapej porta e hekurt, preku zarin e Vidrës dhe befas, një qënie e padukshme, iu bë se hyri në trupin e tij. Pa veten të veshur me kostumin tradicional, chilkut.1) E thëthiu një vorbull ere, e ftohtë si artiku, që veç ai e dinte ku do ta çonte.


 2008-2019

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1