Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Shën dashuritë

Shën dashuritë

Font size: Decrease font Enlarge font
image ILIRIANA SULKUQI

 

ILIRIANA SULKUQI

Brooklyn   29 janar 2006

 

 

                        Shën dashuritë

                                     

 

- Epilog -

 

                        E BUKURA QË VRET MË SHUMË…

 

Të gjitha festat janë të bukura. Kanë të veçantën e vet, domethënien, tisin e virgjër të lindjes së tyre. Por , ashtu si mëngjesi vjen para mesditës, si fjala vjen më parë se një këngë, si nëna para kujtdo në botë, edhe një festë mund të jetë në krye të të tjerave, si princeshë e pakurorëzuar.

            Shën Valentini, më e ndjeshmja, më e prekshmja, më e dhimbshmja…

 Se ç’ka një gjë biblike brenda vetes kjo festë!  Ndoshta, ngaqë i afron njerëzit më shumë me veten e tyre, ndoshta i bën ata  të kujtojnë Atë , që çdo sekondë e kanë pranë dhe nuk kanë sy e veshë ta shohin e ta dëgjojnë. Se ç’ka një pushtet të çuditshëm kjo festë! I bën të gjithë , të mirë e të liq, të mençur dhe të marrë, të pasur e të varfër, të vdekur e të gjallë - të jenë të barabartë, të paktën, para një dite-mit- SHën DASHURISE…

 

 

1.      ME  TE  BRAKTISURIT…

 

Dija vetëm se ishte muaji shkurt. Se kishim disa ditë që kishim hyrë në ditët e tij të ftohta deri në ngrirje. Se kisha ditë që vishja dy palë çorape e dy-tri bluza njera mbi tjetrën. Se kisha net që s’më ngrohte         as velenca e dërstilur, as kaloriferi. Se kishte net që po më rrëgjohej trupi, duke mbajtur këmbët mbledhur, aq sa gjunjët më ciknin në mesin e barkut. Kaq dija. Aha, harrova të them që isha vetëm, fare vetëm, në shtëpinë apo strehën me qera, ku muret më të akullta se akulli dhe shtretët bosh të pjesëtarëve të familjes, mërguar larg edhe vetë vetes, m’i shkurtonin orët më shumë se shkurti ditët e veta,. Shkurt kaq dija. Nuk dija se ç’ditë e çdatë ishte…

            Një zile telefoni. Më pas një mesazh. Përsëri një “cërrrr…”, sërish një tjetër…

            Mesazhe dhe urime nga larg dhe afër. Më uronin një datë-ditë të Shenjti. Kërkova falje te Zoti e te dita e Shën-it. Kërkova falje te gjysma e vetes sime tepër të kujdesëshme dhe shava gjysmën tjetër të ngrirë.

Nxitimthi u vesha., ashtu, siç vishesha njëherë e një kohë për “alarm luftarak”, ashtu siç ngrihesha vetëtimë, kur dëgjoja një kollë të lehtë të fëmijëve të mi,; më pas rënkimin e herë pas hershëm të nënës dhe sot për fëmijët e vajzës, që edhe pa u kollitur, më lenë pa gjumë…

Dola. Era e ngrirë e shkurtit më shkundi nga harresa dhe më freskoi pak sytë, djegur nga lotët pa kthim të natës...

            Thuajse somnambul u ndodha në pikë-vend-takimin e një, jo, dy telefonatave…

            Në pikëtakimin e parë m’u dhurua një libër dhe një hark degëze prej një luleje disi të veçantë, e cila me muaj të tëra nuk  u zverdh që nuk u zverdh…Librin, o Zot, e lexova brenda natës, me një të mijtën e frymëmarrjes, duke nxjerrë këmbët herë pas here nga velenca, duke i shtrirë deri te personazhet e tij…

            Në vendtakimin e dytë. Me miken time kolege apo sivajzën time.  Me mesazhieren e parë të asaj dite të shenjtë.

            Një përqafim i urimtë…Një çaj, një birrë; përkujdesje e përkushtim, gjithsesi për të më plotësuar të munguarit…

            Para syve tona ( bar-kafeja ishte ndanë bulevardit kryesor të kryeqytetit), buqeta-buqeta lulë-viznin njerëzit. Të gjitha moshat. Në të njejtin drejtim…Drejt një gjelbërimi pranë kaltërsisë së liqenit artificial…

            -Ku do të shkosh sot?- më pyti mikesha teksa isha përhumbur nga bulevardi.

            -Nuk e di.

-Eja me mua!..

Jo, jo…Po ti?

            -Do të dal me familjen. Eh, ditë feste!…

-Festë? Ç’festë, moj zemra ime!...

            U përqafuam dhe u ndamë duke marrë dashurinë e monologun e njera – tjetrës.

Pa bërë akoma dy hapa në drejtim të kundërt me sivajzën time, pa kuptuar ende “Festën“ e kësaj turme që mbushte bulevardin, që  ngjante më shumë  me një ditë karnavalesh, marrëzia e marrëzisë sime më çoi drejt shenjtërisë njerëzore.

Nuk kisha ecur ndonjëherë me hap aq të sigurt, sa ato pak minuta, drejt një ndërtese të vogël e të madhe, me një emër simbol, të dukshëm: “Shtëpia e fëmijëve…”

-Erdha të marr disa fëmijë…Për shetitje. Disa nga ato të braktisurit nga dashuria…

-(???!!!) Njihni ndonjë?

-Po. Të gjithë. Po sot do të marr disa, nga ato më të rriturit këtu.

-…?!

U futa mes tyre. Si ato. Po aq e vogël, po aq e pafajshme, por shumë fajtore për brezat para meje, baraz-meje.

 Sakaq nxitonim hapat drejt vorbullës marramendëse të turmës, në të njejtin drejtim.

Fluturoja me krahë të prerë.

Cicërima. Vetëm cicërima. Jo nga zogjtë, jo. (Ato kushedi në ç’pyllë të bukur Myzyri-an këndonin sinfoninë e tyre të parajsës…).Cicërima celularësh…Nga larg, nga afër…Nga zemra e shpirtra. Kor “Nabukodonosov”( Ngrihuni ju, o të dashuruar…)

Të gjithë me fëmijë për dore, me burrin apo gruan në krah, me prindër apo teze, halla, nipër stërnipër…, duke mezimbajtur çanta ( sigurisht nga rëndesa e ushqimeve, piknik hesapi). Njera dorë u ngrinte në vesh duke shtrënguar celularin…

Edhe unë i shtrëngoja duart fort, fort, me doçkat e fëmijëve dashurorë, me të pafatët e me engjëllorët…

-1 Maji është sot, teta?- më zgjoi nga marramendja Genti, duke më tundur dorën…

Nuk u trondita. Madje edhe vetë e kisha humbur nocionin kohë.

Jo, jo Genti…Është shkurt. 14 Shkurt. Festë nga më të bukurat, ja ashtu, si Maji, si Shën Maji. (Këtë të fundit e thashë nëpër dhëmbë, si për t’ia thënë më shumë vetes…)

Akoma më e vogël, m’u duk vetja para këtij fëmije…Vërtetë. Po 14 Shkurti?… Po Shën Dashuria?…Mos është në drejtim të paditur, andej nga vinin sinjale celularësh?!..

Festë-arnë, festë e padeshifruar…

Putha shën- fëmijët dhe dënova lotët në kasën e shpirtit tim.

 

 

2.                     Ç M I M I

 

Ishim atje, në qytetin që, njëherë e një kohë, ia kishim zili gjithçka: Rrugët dhe ulicat e pastra e të lagura, a thua vesa e gjithë hapësirës qiellore binte natë e ditë veç atje; mollët  starking e dardhat që, me një të kafshuar, të mbushnin gojën gjithë lëng; birrën, konjakun dhe glikotë, petanikun dhe turshitë, siodomos, piperkat e mbushura me gjizë….Ca më shumë, vajzat e bukura e të guximshme që shetisnin në bulevard “pa lejen e mamasë”. Ishim atje, ku njerëzia këndonte serenata (të kish mundësi edhe në raste vdekjesh do ta vazhdonin ritin e tyre magjik). Pra -atje, ku dashuria ndjehej, këndohej dhe bëhej. Madje atje kam fshehur puthjen time të parë, në cepin e një kishe të vjetër dhe shumë të dëgjuar, nga më të mëdhatë, por që në kohën time, ishte kthyer në një depo grumbullimi…

            Ishin ditët poetike ballkanike, që sofrën e magjisë së poezisë e kishin shtruar pikërisht në qytetin e dashurive.

            Rigonte shi…

Për dreq, nuk hyja në  valë me nënën time. E kisha lënë sëmurë. Ah, këta celularët!…Ku ta dija, se pikërisht atë ditë AMC-ja kishte ndërruar prefiksin e saj.

            Me ec-e-jaket nëpër verandën e hotelit, formoja papushim numurin…Dëgjoheshin tinguj muzike ngjizur me vargje. Veprimtaria ishte në kulmin e saj. Doemos , nata e fundit, ndaheshin çmimet.

            “O Zot, nëna ime nuk do të flerë sonte nga meraku…” Futa dorën instiktivisht në xhepin e pantallonave, si për t’u mbajtur te vetja ime. U kujtova që isha akoma me xhinse. Eh, punë e madhe, vetëm të flas në telefon! Ndeza një cigare dhe nxirrja tymin duke ngritur fytyrën lart. Asnjëherë nuk më kishte përkëdhelur aq mrekullisht shiu…

-Ç’bën këtu, eja shpejt brenda! Të doli emri…

As rrufeja nuk do të më kishte goditur aq  shpejt, sa fjalët e shokut tim poet…

E hutuar (ç’them), krejt e shushatur, si një pulë që ka harruar kotecin e saj dhe budallçka, nuk di të gjejë as strehëz për t’u mbrojtur nga shiu, hyj në sallë. Dridhesha e tëra. Nuk e di përse. Vetëm nga shiu i imët dhe i butë, jam e sigurt që jo.(Kur ke dalë nga deti i shkumëzuar ç’do të të bëjë më tepër shiu?…)

Duke harruar pamjen time të jashtme ( ku të gjithë , si vetë poezia, shkëlqenin edhe  në metaforën e veshjes…), sipas shenjave që më bëjnë, shkoj në krye të sallës…(Nuk kanë faj nganjëherë që ne poetëve na bëjnë të çmendur…).

-Urime për çmimin…Keni gjë për të thënë…?

Salla poetike apo e poetëve, brenda sekondës m’u rrotullua si Toka rreth Diellit, ose si unë rreth nënës sime…

            Recitova aty për aty një poezi të shkurtër, fare të shkurtër, sa një belbëzim,si vetë jeta, sa vetë sekondat e befasisë…

            Përsëri jashtë…Përsëri pak shi…Përsëri nuk u lidha me nënën…

            Diploma e çmimit, për krijimtarinë më të bukur për dashurinë,  dridhej nëpër duar, si gjethëzë e njomë pranvere…

            Brenda, të gjithë kishin filluar të këndonin një nga serenatat më të bukura…”Ilaçet nuk më bëjnë gjë,/ s’më shërojnë plagët-ë…”

 

Comments (1 posted):

Guri Naimit D(Dh Xhoga) on 08/02/2019 15:39:06
avatar
E nderuara Iliriana,gjithe te mirat te uroj sa lexova me siper une gjyshi 83 vjecar, me DASHIRI te Pazevendesuar per ELBASANIN dhe Elbasanait,qytetin e pare njohur me 1946 korril)Ardhur nga Danellia naimjane"jetim mbetur nga ajo lufte fal qe u be clirimtare.(Balliste djegur shtepine sa babane Torturuar deri ne vdekie...)Vellai nga partizan Drejtues ne aksionet e Hekurudhave ne nisien e tyre...Po ky shkrimi juaj sot sa me kenaqi dhe me beri e jetoj me ndjenjat tuaja pershkrur,ani se gjysh,nje BINJAK me dhimbjet tuaja sa mbresat perftuar.Me kujtuar se kemi para 14 shkurtin ditene pranveres qe Elbasanasit e kane te Tyren tradicionale.Ju uroj qgjithe te mirat.E nderuar zonja POETE SULKUQI qe me beni te jetoj me te ndeierin Ethem Sukkuqi te atyre viteve fillim 50ta,Ai me Vellain tim (Stavri Mihali)veteran drejtues ne veprat e ndertimit,pas lufte. Ndare nga jeta me 1998 me mbresa sa dhimbie...per Elbasanin, qyteti yne i pare shijuar pas lufte.Ne Tirane pas 1948es.
Nostalgjia ne kete moshe me ben tiu shkruaj nga Torontua me nipa e mbesen sa mbaruar universitetet,nipi vazhdon Doktoraturen per pjanist specializuar.
Miresite ju shoqerofshin dhe gezuar ato festa te PRANVERES Elbasanit...

Toronto07-02-2019Dh.Xhoga(GuriNaimitD)

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1