Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Karakaftja

Karakaftja

Font size: Decrease font Enlarge font
image Karakaftja

 

Karakaftja

Tregim Nga Fatmir Terziu

 

 

Poshtë në një lëndinë kanë ngritur kryet mes luleve (të harruara nga ujitja, po aq nga Natyra, nga shiu e lagështira) disa lëvizës trupndryshëm, inatçorë, mëkëmbës, të patërheqshëm, të pandreqshëm. Një skenë filmi horror. Sytë depërtojnë, aq sa mund të bëjnë një detyrë kureshtare, të tillë, thjesht si detyrim sysh në dritë. Dhe ndjejnë se si një heroinë shpëton. Dhe pastaj sytë sikurse ndodh me sytë. Lotojnë!

Lotojnë për një Karakafte!

Gjithçka është akoma atje, përveç frymës së saj të përtëritjes dhe erës së largët, që e ndiqte. Përveç asaj që e quanin dhe quhej lëvizje. Nuk lëviznin më flokët. Nuk lëviznin më minifundet e saj që i ndërronte përditë. Por nuk e besonin më sytë. Sytë si sytë, nuk e besonin as atë ditë...

Karakafte!

Asnjë zhurmë nuk dëgjohej, përveç rënies së lehonisë së Shkurtit shtatëmendësh, që herë derdhte ndonjë pikël të harruar dimrake, e herë zbraste me simfoninë e tij dështake, ndonjë flokëz si qasje imitimi të asaj që shkonte tutje. Nuk ndihej asnjë frymë dhe spontanisht edhe fryma e tjetrit i ngjizej shgulatjes së moaningit të drurit të thuprës në dritë të hënës.

Trupi i saj depërtonte dhe ftohej në atë depërtim në mbrojtjen e një derdhjeje të vetme që afshohej në aromën e barit të prerë.

Nga balli i tensionuar, dukej se nga momenti në moment po lehtësoheshin vijëzat e bardhësisë, që kalonin në ngjyrim tjetër dhe sytë e lodhur shkonin e pikëtakonin më afër qetësinë, si mirënjohëse të pashprehura për të marrë një moment paqeje.

Një goditje e pamenduar e ktheu paqen aq të kujdesshme në atë fund me kërcitjen e përthyer të degëzave që yshtnin pyllin tashmë nën batanijen e tij të fraqtë. Shtresa e braktisur nisi të pranonte vetvetiu habinë, pasi sytë e egërsuar nisën të hidhen hamendësisht drejt një barrikade të errët. E errët sikurse janë të gjitha pyjet e dendur. Edhe pse ai quhej me vite Kopësht. Kopësht me të gjitha arsyet si i tillë. Me lule, me zogj, me qenër e buba të vegjël, që shkundnin veglat e tyre herë pas here në ftesat e paftesat e natyrshme të privacisë. Aty ishin edhe pjesët e justifikuara të Kopshtit. Bustet, natyrisht ishin midis të gjithave që kishin mish të ftohtë. Të tjerat pjesë, ishin të pajustifikuarat.

Pjesët e pajustifikuara të pajisjeve të kopshtit, pikërisht në atë rast, zinxhirën një xhaketë të turbullt, ndërsa ajo përpiqej të qëndrojë në një kënd të vetin, në atë kënd që ndoshta e rrokte vetëm syri.

U dëgjua një grindje, një trung i zhveshur. Pastaj trungje.., trungje...

Për të dështuar se e gjitha ndodhte në një dru të brishtë, u vu në shërbim hapësira e syrit teksa sfidonte trupthat që në raste të tilla kërcejnë, trembë-trembë, ose skelet-dorë-këmbë me një piskamë që shpërthen nëpër muret e zhurmshme të derdhura me material të ftohtë, të vendosur për të deklaruar atë dihamë të dalë, si një piskamë e përshpirtjes së fundit të një shpirti të lodhur si të saj.

Era kapte dhe godiste çdo vrimë që mund të gjente ajo dhe syri në atë mori trungjesh përcjellës.

Filloi të fërshëllejë rreth pamjes së zbehtë, si një tornadë e gëzuar që kishte tashmë për të kërcënuar edhe nga pas mureve të asaj Kalaje, që vite e vite më parë kishte pritur e përcjellë kuajt e kalorësit e Egnatias.

Lëkura e pishave, nisi të ulet, tani ishte koha që syri të harpallej.

Ndjen se nuk ka pushim për një kampionat të tillë lutjesh. E ata shkojnë përtej kambanave të Kishës së Kristoforidhit. Kamera ngadalë tërhiqet nga vrima e copëtuar, dhe shtyhet të zëjë vend siluetë mbi pamjen që zbret si në një pyll për t’u përballur me hënën në rënie të qetë mbi Shkumbin.

Heroi hedh tutje bishtin e lopatës, i fundit dhe dorëzohet me britmat e zhurmshme në një gropë shumë më poshtë dhe akoma më poshtë se ajo që ndodh nga jashtë kornizës.

Mbyllja e syrit është dhe s’është e vetme, një ekran me grimim të zi shpërpërit miska pafund në hapësirë, me letra të bardha të ndritshme, ngadalë duke u ngjitur lart, ku shkruhen lutjet. Zgjimi është tashmë një përrallë. Një përrallë që pret të ritregohet më 14 shkurt të vitit ...

Fund?!

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
3.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1