Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | PËLLUMBAT E JANARIT

PËLLUMBAT E JANARIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Zija Çela

 

PËLLUMBAT E JANARIT

(Sot në ditëlindjen e Dritanit)

 Nga Zija Çela

Plot dyzet vjet më parë pata botuar librin “Pëllumbat e janarit” (1979). Në të vërtetë, ishte titulli i njërit prej tregimeve, atij që pagëzoi edhe librin. Ngjarjet e këtij tregimi, siç thuhet në tekst, zhvillohen në fshatin H. Unë e kam të lehtë ta marr me mend, është fshati Helshan, midis Kukësit e Tropojës, ku e filluam jetën si mësues unë dhe ime shoqe, kur ishim 22 vjeçarë. Personazhja e tregimit, Melita, është shtatëzënë. Bie nata, që është edhe nata e lindjes. Janar, borë e madhe, ngricë, rrugë të zëna. Si mund të dërgohet gruaja deri në Kam-Tropojë, qytezën e minatorëve, ku ndodhet materniteti?! Por në këtë orë të frikshme, fshatarët nuk e lënë vetëm çiftin e mësuesve jabanxhi, ardhur nga Shkodra e nga Himara. Me një slitë, litarët e së cilës i tërheqin vetë, si dhe nën ndriçimin e fenerëve të mbyllur me vajguri, arrijnë së bashku në qytezë.

Tregimi rrëfehet në veten e parë nga bashkëshorti. Dhe përfundon kështu: “Të nesërmen dola në anën e prapme të spitalit dhe në parkun me pisha bëra një fëmijë prej bore. Melita hapi dritaren dhe më tha të bëja dy. Ajo kishte lindur binjakë. Jo se ishin fëmijët e mi, por të shëndetshëm e të mbështjellë me pelena të bardha, ata dukeshin si dy pëllumba. Këtë e pranonte edhe infermierja e rreptë që përtypte çamçakëz. Dhe s’di përse, që atëherë më është bërë zakon që të mos i vras pëllumbat.”

Fëmijët e mi nuk janë binjakë, por që të dy kanë lindur në të njëjtin muaj. Dritani më 11 janar 1970, Riviera më 1 janar 1972. Kështu që, dashje pa dashje, ky tregim na krijonte njëfarë afeksioni familjar. Dhe ashtu e vazhdoi rrugëtimin. Më 1982 libri u ribotua me këtë titull nga Rilindja e Kosovës. Por edhe kur nga librat e mi paraardhës u botua përmbledhja “Tregime të zgjedhura” (N. Frashëri, Tiranë 1986), dy pëllumbat ishin aty.

Pastaj erdhi viti 2012. Toena botoi njëherësh dy përmbledhje të mia, tregime të para ’90-tës, tregime të pas ’90-tës. Mirëpo kësaj radhe zgjedhjen e bëra vetë. Kur zonja Aliqi përfundoi në kompjuter korrekturën për vëllimin e parë “Pika drite në Eklips”, i tha autorit: “Ke lënë jashtë edhe tregime që mua më pëlqejnë.” “Nuk do t’i përfshij”, ia ktheu pa ngurrim shkrimtari. Ahere zonja Aliqi, nëna e Dritanit, i cili tashmë kishte mbyllur sytë prej gjashtë vjetësh, e nxori fjalën pikërisht ku i dhimbte më fort: “As Pëllumbat e janarit?!” Burri ngurroi një grimë, pastaj u gjegj: “Jo, jo, as atë tregim. Unë nuk mund të zgjedh me kalendar.”

E pashë si u vërejt, a thua se bash atë çast po i dilja i pabesë, po vrisja një pëllumb. Por unë, çuditërisht, përjetova diçka ndryshe. Mua m’u fanit sikur, prapa supit të nënës së vet, m’u shfaq Tani. Kishte në fytyrë atë buzëqeshjen e ndritshme dhe, duke ma shkelur syrin, më dha shenjën me të cilën komunikonim shpesh: “OK!” E mora sikur po më thoshte: “Po, po, zgjedhja s’bëhet me kalendar, letërsia ka tjetër kandar.”

Sot ditëlindja e tij... Pse të mos them, sot, nesër e sa të kem frymë, im bir rilind çdo ditë tek unë. Ai shkoi i ri, por edhe mua më duhet të mbetem i ri. I ri, sa më i ri në krijimtari, që të mund ta përballoj aleancën e pathyeshme të shijeve dhe miqësinë e hatashme të Dritanit.

 

Comments (3 posted):

Përparim Hysi on 11/01/2019 13:15:16
avatar
DRITANI nuk qe vetëm juaji.Dhimbja për të është për të gjithë ne (unë,të paktën, kështu e çmoj) që e njohëm atë përkthenjës aq të bukur. Unë të përshëndes ZIJA PERLA edhe si një tregimtar i bukur, por edhe si një prind shembullor.
on 11/01/2019 21:10:39
avatar
Njeriu ka dy ikje nga kjo jete. Ate te voglen qe zakonisht bejne te gjithe sa vijne ne kete jete dhe ikjen e madhe.., harresen. Kjo eshte e ashper. Per ikjen e pare njeriu nuk ben dot asgje, ate e ka ne dore perendia. Po per te dyten pergjegjes eshte njeriu. Dhe kur njeriu eshte i races superiore qe ka vendose te derdhe drite mencurie, mos harresa behet nje dritare e kristalte vendosur nga lindja ku shpirtrat e larget vijne e takohen perhere. me mall dhe dhimbje, miri. I paharuar emri i tij. ti rrojne femijet.
myslim maska on 12/01/2019 14:07:24
avatar
Drite ishte sic kishte emrin.
Drite la me perkthimet.
Drite e paste atje ku eshte.
Te rroni dhe ta kujtoni!
Durim i nderuar shkrimtar.
M.MASKA, ATHINE.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1