Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | SANDALET

SANDALET

Font size: Decrease font Enlarge font
image Memisha Gjonzeneli

SANDALET

Pak humor nga Memisha Gjonzeneli

Unë shkoj çdo vit në vendlindje, në qytetin tim të dashur bregdetar Vlorë, në Shqipëri. Megjithëse i larguar, bashkë me vëllezërit dhe prej vitesh banoj familjarisht në Çikago të Amerikës, nuk më ndahet shpirti dhe zemra nga vendlindja, nga Vlora ime e shtrenjtë, qytet  shumë i bukur, i vendosur në një gji të mrekullueshëm të bregdetit Adriatik. Atje, te djali im i xhaxhait, në Skelën përrallore afër Portit, zë me qira një dhomë në Vilën e kushëririt , që ai e  përdor  gjatë muajve të verës, si burim për të siguruar të ardhura për jetesë. Vila është  e bukur, katër katesh dhe mjaft komode për banim. Unë porosit çdo behar një dhomë me ballkon në katin e dytë dhe pamje nga deti. Dhomat janë të pajisura me gjithçka të nevojshme për banim normal si me televizor, kondicioner, frigorifer, dollap, tavolinë, karrige, krevat, etj... Deti është 300m. larg, ndërsa rruga bregdetare, ku qarkullojnë autovetura e autobusë,  jo me shumë se 100 m. Është lagjja ku kam ende shumë të afërt, miq e shokë të çmuar. Dikur, për atë zonë dikush thoshte “te Tezgjahu” (sepse ka pas qenë një ndërmarrje qilimash) e disa të tjerë “te Kanali”, nga që është një kanal, që edhe tani vazhdon të përcjell ujëra të shumta. Ai mbledh gjithë ujërat e pellgut, nisur nga “Fabrika e Çimentos”, po dhe ato të “kanalit të Koloqithit” dhe i shkarkon në thellësi të detit.  E përshkruaj me hollësi atë zonë, se kam mall e nostalgji, ngaqë kam kaluar atje një pjesë të mirë të jetës, sidomos fëmijërinë e dhimbshme. E kam pasur shtëpinë tamam te ish “Turizmi i Skelës” ose te “DOM MARKU”, siç quhej objekti, në kujtim të një prifti të shquar edhe atdhetar.  Godina e turizmit, një përshtatje nga kisha e hershme katolike, ishte  një mrekulli në buzë të detit, mandej e rrethuar nga tre anët me det. Ajo ishte e vetmja shtëpi simbolike në Vlorë, po ndofta dhe në Shqipëri për pozicionin gadishullor.  Atje banuam edhe ne ca kohë. Në vitin 1954 atë e bënë “Klub Popullor” dhe ne na çuan në shtëpinë e Pavllo Bezhanit, që ishte përkarshi, po 400-500m më larg.  Arsyeja që behareve tani banoj po këtu është se më tërheqin kujtimet, ngaqë  gjithë fëmijëria ime ishte nga Moli 1, ose nga “Shtëpia e Shullës” deri te “Moli i Peshkimit”,  zonë kjo që me vonë u quajt  “Plazhi i Ri”. Nuk shkëputesha dot me të kaluarën. Çdo hap që hidhja me kujtonte mijëra kujtime, ca të këndshme e ca të trishtueshme...

Kështu që çdo vit shkoja te Mitati, im kushëri dhe  ai ma ruante dhomën, sado që kishte plotë kërkesa të tjera.

Zakonisht unë shkoj atje në muajin korrik dhe rri deri nga fundi gushtit. Sa mbërrij, lë valixhen në dhomë dhe shpejte dal anës së  detit, të shoh çfarë ka ndryshuar gjatë një viti. Mbasi lodhem nga soditja e gjatë, kthehem në dhome dhe shtrihem e bie në relaks e shoh ëndrra me sy hapur...Në mëngjes ngrihem shpejt. Mbasi mbaroj punët personale, zakonisht në orën 9 deri 12, shkoj  vrap në det  dhe mbas dreke nga ora 3 deri në orën 6 nisem drejt jugut, për nga bregdeti i bukur i Radhimës. Aty lahem te “Akademia” ku si përpara, kur ishim të rinj dhe tani prapë lozin me top, po çuditërisht, pa e ndjerë lezetin e kahershëm. Deti aty ende është i pastër, nuk ka gurë, mbeturina e zhavorr, po vetëm një kanal me ujëra të bardhë dhe rreth e rreth kum i imtë. Aty mblidhemi, dashamirës të vjetër po dhe të rinj dhe bëjmë shaka e humor, çka unë e kam shumë qejf, e pastaj futemi plot kënaqësi në ujët e ngrohtë të detit...

Në një nga ditë e ngrohta plot diell, shkova te vendi ku zakonisht lija rrobat. Gjithmonë unë mbaja veshur një pale sandale të zakonshme, qe i kisha blerë në qytetin e Çikagos këtë behar.  Ato, nuk qenë shumë të bukura, po ishin shumë të rehatshme e praktike, me ngjyrë hiri, që mua me pëlqenin.  Shkova atë ditë, si zakonisht te vendi ku laheshim. Si orientim kishim një varke plastike që e kishin lënë ne anë të detit, ku shpesh dhe herë të tjera, vinim rrobat mbi të. Sa vajta, si zakonisht,  hoqa sandalet dhe i hodha në kum, afër varkës. Aty kish dhe plot shokë të tjerë, të njohur e të panjohur, që po laheshin. Unë, sipas traditës, vajta  buzë detit, futa këmbët në ujë dhe fillova nga logjet e qyfyret, që unë, në natyrën time të çiltër e gazmore, i kam për zemër.

Në këtë kohë më tërhoqi vëmendjen aty pari, një burrë i veshur me rroba pune. Ai bëri një si rreth, rrotull barkës dhe shkoj drejtë e te sandalet e mija: i mori në dorë, i përplasi me njëra tjetrën për t’i shkundur rërën, i bëri bashkë dhe i futi të dyja ndenë sqetull. Unë i shkova menjëherë afër tij dhe i fola me kulturë:

-Zotëri, me leje! Ai nuk e çau kokën fare... Unë prapë i them:

-Zotëri të lutem! Ai prapë në heshtje vazhdoi të eci. Atëherë, duke e humbur durimin dhe delikatesën u afrova dhe i them:

-Eeej, ty po të flas, qëndro pak! Ai qëndroi...

-Dy herë të fola dhe nuk mu përgjigje!

-Po, tha ai, po mua nuk me quajnë “zotëri”. Unë kam emrin tim. Askush, nga ata që më njeh, nuk më thotë zotëri.

-Mirë nuk ka problem! Ato sandalet që ke ndenë sqetull mi jep mua, se janë të miat!

- Ik ore burrë me tha, si me të qeshur dhe deshi të ikte.

-Prit mos u nxito! i them unë. Pastaj ai mu kthye mua:

- Këto vjetërsirat janë të tua?, më tha.

- Po! I thash unë. Ai mi hodhi te këmbët sandalet. Unë u mërzita pak.

- Merri! më tha mua dhe deshi të ikte.

-Të të vijë turp! i them unë.

- Çfarë the! tha, ai. Unë prapë:

- Nuk të vjen turp! Qeshi si me sarkazëm dhe më tha:

- Ore xhaxho nuk qenke në vete!

- Po pse?  I them unë.

-Këtë zanat, më thotë ai, e kam filluar që kur nuk ngopeshim me bukë. Tani që jam mbi 50 vjeç, nuk më ka ngelur më turp.

 Mora sandalet në dorë dhe po ikja e qeshja. Edhe  ai u nis të iki...

-Dhe dëgjo i thash unë. Këto sandale i more gabim, mbasi nuk të bëjnë, se janë të mëdha! Ai ktheu kokën, si me tallje dhe me tha:

-Mos u bëj merak se unë kam katër djem dhe iku shpejt, pa e kthyer kokën mbrapa. Unë qesha dhe thash me vete:

-Ka lezet! Kur të sqaron kaq mirë hajduti, nuk të vjen keq se të vjedh... 

 

    ÇIKAGO, 27 DHJETOR 2018

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1