Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TREGIME | J E T A N Ë D E T

J E T A N Ë D E T

image Murat Aliaj

 

 

       Kishim një javë që ishim ndalur në portin e Halkidhës, për shkak të një rrjedhje nafte në tubat e qarkullimit. Ndalesa të tilla e bënin të bezdisur gjithë udhëtimin, pasi ngjanin me atë njeriun që niset për rrugë të gjatë dhe papritur kujtohet se ka harruar pa futur në valixhe, furçën e dhëmbëve. Nga që vapori ishte i vjetër, të tilla ndalesa po i bënim gjithnjë e më dendur, për shkak të defekteve të ndryshme që ndiqnin njeri tjetrin. Nuk dihej ku do na linte ajo gërdallë që kërkonte të na merrte me vete.

       Udhëtimi prej disa muajsh në det të hapur, nga njeri kontinent në tjetrin, nuk na kishte mërzitur më shumë se kjo ndalesë një javore. Për të kaluar kohën e mërzitshme, njerëzit ishin përfshirë në punët e ndryshme pastruese e sistemuese, të cilat nuk kishin ndonjë program për t’u kryer. Kapiteni qëllimisht i linte këto punë, për t’u bërë në raste të tillë, kur vapori ndalej për eliminim defektesh dhe ekuipazhit i duhej gjetur patjetër ndonjë punë, sa për të mos u dembelosur.

       Vapori ynë tregtar i përket një firme të fuqishme, të cilën ne nuk e mësuam kurrë se ku e kishte bazën. Ndoshta për shkakun se s’kishte ç’na duhej një vogëlsi e tillë ose ndoshta sepse ishin të tjerë njerëz ata që kishin detyrë të mbanin lidhjet e detit me tokën.

        Kapiteni ynë ishte një burrë i paepur, që kishte vendosur t’i thoshte vdekjes tutje, dhe po qe se ajo do i vinte një ditë, patjetër do e gjente në det. Nuk merrej vesh në se ngjante kështu prej dashurisë që kishte për detin, apo nga që në tokë ishte i tepërt e i papërfillur. Ai ishte njeri i fuqishëm me krahë të bëshme e të mbuluara me shenja prerjesh e plagosjesh, aq sa ato dukeshin më shumë si luspa, se sa si lëkurë njeriu. Po i afrohej moshës kur në mendje i qëndronte gjithnjë udhëtimi i fundit dhe vriste mendjen për të imagjinuar se si do ishte ai. Çdo gjë në këtë botë e ka një fund, madje edhe vet bota, por kushdo e ëndërron atë sa më të largët. Gjithnjë e më dendur mundonin ca shenja shqetësuese në shëndet, që vinin edhe për shkak të moshës. I ngrihej shumë sasia e sheqerit në gjak dhe tensioni i krijonte luhatje të mëdha. Në raste të tillë fytyra i skuqej aq sa ngjante sikur do i pëlciste gjaku prej venave, por ai ishte njeri që dinte ta përmbante veten edhe në të tillë raste të vështirë. Nuk u ishte trembur asnjëherë sëmundjeve, edhe pse ato që kishte kaluar, nuk e kishin pat kurrë rrezikshmërinë e këtyre që po provonte këto kohë e që i vinin edhe për shkak të shqetësimeve që paraqiste një lundrim i pasigurt. Sado serioze që të ishin sëmundjet, ato s’do e bënin kurrë që të hiqte dorë nga deti, aq më tepër që tani kishte marrë me vete edhe Lirën e cila kujdesej për të dhe nuk e lejonte të ngatërronte orën e pirjes së ilaçeve. Po kështu ajo i përgatiste ushqimet e përditshme me sasi të vogla kripe. Eh Lira që pranë tij shndërrohej nga grua gjithë hir, në një marinare të ashpër si gjithë të tjerët. Diçka kishte nisur të ndjente kapiteni, derisa nuk e largonte prej vetes, por ajo nuk ishte e vetmja femër në vapor. 

         Pas tij vinte nostromi, i cili ndryshe nga eprori i tij. Ai njeri të kujtonte njerëzit manjakë, që shpenzojnë shumë kohë për vogëlsira të parëndësishme. Për javë të tëra vëzhgonte gjendjen shpirtërore të kapitenit, për t’i njoftuar ndonjë lajm të pakëndshëm, nga ato që janë të dendura, kur vapori çan dallgët. Ishte jashtëzakonisht i rregullt dhe i zgjuar. Disa herë na kishte ndodhur ta dëgjonim që të zihej me kapitenin, duke këmbëngulur që anijes t’i bëhej shërbimi i radhës, pasi mund të ndodhte që të përballeshin me ndonjë gjobë të rëndë, po qe se do konstatohej kapërcimi i afateve të lejueshme. Përveç gjobës, vazhdimi i udhëtimit në det, paraqiste rreziqe. Kurse ai me moskokëçarjen e tij karakteristike thoshte:

      −Ky vapor më ngjan mua, që s’do t’ia dijë nga defektet. Kemi bërë kontratë që frymën e fundit ta japim bashkë.

      −Kjo nuk më duket serioze,− ngulte këmbë nostromi,−Me gjithë këto shpenzime që ne paguajmë për çdo defekt, mund ta kishim përballuar një remont të përgjithshëm.

       −Atë punë e di unë, ti shiko kartrat e vaporit, pasi pasardhësve do u duhen fakte për aktivitetin tonë.

       −Kartërat e thonë këtë e jo unë.

      Nostromi ndihej keq tek shihte se problemin më serioz, kapiteni e kapërcente me shaka. Kjo do të thoshte se ai e kishte vendosur që t’ia kursente firmës shpenzimet e remontit kapital, kurse neve na hapte mëdyshje të frikshme. Pas çdo udhëtimi që nisnim, bënim kryqin dhe i luteshim zotit të mos na fundoste larg brigjeve, që të kishim mundësi të preheshim në ndonjë varr si gjithë të gjallët. Me këtë frikë kalonim orët, ditët e muajt. Na ngjante sikur ishim nisur drejt fundit të botës.

      Atë javë ndalimi në port, të gjithë ishim përfshirë në punë. Madje ngjante sikur kapiteni ishte më i ngarkuari, sepse i duhej të kontrollonte të tre katet e vaporit. Të shikonte çdo mungesë e të urdhëronte sistemimin e tyre. Në qendër të vëmendjes ishin hambarët e mbushur me produkte ushqimore, të cilët kohët e fundit ishin pushtuar nga minjtë. Një perandori e tërë minjsh që s’ndjenin frikë nga njerëzit. Ata bënin shumicën nëpër hambarë, ndaj duhej të trembeshin njerëzit prej tyre. Puna më delikate ishte spërkatja e rafteve të hambarëve me helme për ngordhjen e tyre. Ngado kërcënonin infeksionet dhe kapiteni e kishte merak spërkatjen, ndaj na qëndronte në kokë gjatë kohës që punonim. Mund të na mpiheshin duart e te hidhnim helm me shumë nga sa duhej, dhe në vend të helmonim minjtë, helmonim njerëzit që do konsumonin ato ushqime. Mundim i kotë pasi minjtë ishin shtuar e shëndoshur aq shumë sa, edhe sikur ta zhysnim vaporin thellësive e ta linim për disa ditë, nën ujë, ata s’do i zhduknim dot.

      Në fundin e javës, pasi i kishim vënë përpara të gjitha punët e hambarëve, na u dha disa orë leje, për të bërë një shëtitje në qytet e për të ngrënë darkën jashtë. Gëzimi ynë nuk kishte kufi. Na dukej sikur kishim fituar një liri që do na përtërinte e do na mbetej në mendje për vite me radhë. Kujtime të tilla janë lehtësues për zemrat e detarëve të ndrydhura nga padurimi i mbërritjes. Pas disa muajsh ishte hera e parë që po na shkelte këmba në tokë. U lamë e u parfumuam, për të hequr sado pak erën e rëndë të kripës e të kalbësirave të hambarëve dhe gjithë gaz, dolëm në breg.

       Sa kishim lënë pas tunelin e blertë të mbrëmjes që po binte, i cili krijohej prej qiellit dhe detit. Sytë tanë të mësuar me atë ngjyrë që e kishim pat të pandryshueshëm, i bënte aq të padallueshme të gjitha ngjyrat e tjera të murrme të qytetit, i cili dukej si i kthyer me kokë poshtë, nga pasqyrimet që merrnin ndërtesat në ujërat e portit. Nga bregu dëgjoheshin tingujt e çakorduar të veglave muzikore, që përgatiteshin për të filluar çoroditjen e përnatshme. Ne ecnim përkrah njeri tjetrit, si të kishim frikë se mos ngatërronim rrugën e kthimit në vapor, ndërkohë që nxitonim hapat për të shijuar çdo çast të lejes sonë. Na bënte përshtypje gjithçka e bukur që shihnim për qark. Jeta e mbyllur që kishim kaluar, na e shtonte kureshtjen ndaj këtyre magjive që i kishin munguar jetës sonë. Neve na përkisnin të tjera gjera, e mbi të gjitha ajo luftë e përçudnur me insektet dhe ato kafshëza të neveritura që kishin pushtuar hambarët.

        Por ja tek vinin nganjëherë edhe për ne çaste të tillë lirie dhe harronim gjithçka që kishim lënë pas. Jeta është rrësk, ku asgjë nuk është e pamundur. Të kalosh përpara të tilla bukurive është pa kuptim të mendosh fundin e botës i cili pret si tinëzar.

        Ne ishim të rinj e s’mund të gjykonim kolegët tanë që për të kursyer ato të pakta para që fitonin prej këtyre udhëtimeve, i privonin vetes të tilla gëzime përtëritëse. Ata e kalonin kohën duke luajtur domino. Të tjerët dilnin deri në platformën e portit e bënin shëtitje të shkurtra, sa për të kuptuar se në këtë botë nuk ka vetëm luftë me minjtë. Ndoshta në vitet e tyre të rinisë edhe ata ishin po kaq të rrëmbyer pas bukurive të këtyre vendeve të panjohur, si dhe ne. Ata njerëz ishin të ngopur me të tilla mrekulli. Kishin gjithë jetën në det dhe pak porte të botës mund t’ju kishin mbetur pa parë.  Jetonin me shqetësimet e kapitenit dhe luteshin zotit që ta linin sa më parë portin, pasi për çdo ditë qëndrimi në të, shpenzimet kapnin shuma të mëdha.

        Në një farë mënyre edhe ata ishin shndërruar në minj hambarësh, njësoj si ne. Por ndërsa ne ishim minj hambarësh, që s’na kishte askush në inventar, e që jetonim me çfarë gjenim nëpër rafte, ata ishin ndryshe, më të fisëm dhe quheshin minj kabinash. Ata i kishin emrat të regjistruara  në listat e ekuipazheve që ruheshin nëpër ato zyra të largëta, kurse ne ngjanim me ngarkesat e pa dokumentuara që merrnim nga njeri në port në tjetrin.

        Kapiteni ishte rënduar aq shumë, sa përtonte të bënte një shëtitje nga kiçi i vaporit deri tek plori, kurse nostromi i ishte bërë hije, duke mos e lënë kurrë vetëm. Ai kishte bërë betimin për t’i qenë gjithnjë i bindur eprorit të tij. Dhe se ç’peshë ka betimi, këtë s’mund ta dijë askush, më mirë se një detar. Në duart e kapitenit kishte mbetur fundi i botës sonë, të cilin ne e prisnim për ta ndeshur pas nisjes së çdo udhëtimi.

        Gjëra të tilla i mendonim vetëm gjatë udhëtimit, por kur ndodhesh rrugëve të një qyteti të tillë, të përmbytur nga drita shumëngjyrëshe, ku këngët e meloditë s’pushojnë gjithë natës, nuk mund të mendosh për ç’ke lënë pas.

         Ishte ftohtë dhe nga pemët anës rrugësh shkëputeshin gjethet e zverdhura të vjeshtës. Përpara nesh ecnin tre gra që ia kishin marrë një kënge malli, me zë të shtruar. Atë çast na u dukën si zana, që perëndia na i shfaqi përpara, për të na ngopur syrin. Ishin veshur me fustane të holla, që era e mbrëmjes ua mbështillte për trupi, duke u theksuar format. Ishin krehur bukur dhe ne për herë të parë iu pamë flokët e tyre të vërtetë, pasi përherë i mbanin të mbështjella me skufot e bardha të kuzhinës.

      −Po këto ç’ne këtu?- pyeti njeri nga shokët.

      −Janë femrat e vaporit tonë, o dudum!- ia priti tjetri.

       Ne të tjerëve na u lidh gjuha, sepse patëm përshtypjen se në vaporin tonë s’kishte pat kurrë femra. Atje kishte vetëm një lukuni minjsh, që luanin e kafshoheshin me njeri tjetrin. Edhe ato të treja vërtet i përkisnin vaporit tonë, por në vapor ishin njësoj si gjithë të tjerët e s’binin në sy. Asnjë lidhje nuk kishin këto të treja, me ato femra që njihnim ne. Për më tepër, kur ishim në vapor ne e urrenim për vdekje njeri tjetrin, sepse ato na trajtonin si të tepërt. Silleshin ashpër dhe përherë na ruanin fundet e djegura të kazanit, apo shtonin gjellët me ujë, i ngrohnin pak e na i hidhnin në pjata, sa për të zbutur pak bukën e bërë gur prej vapës. Aq e neveritur na ishte bërë kjo mospërfillje, sa shumë herë i kishim lënë pjatat të paprekura dhe kishim zbritur hambarëve, ku kishte gjithfarë ushqimesh për të shuar urinë. Atje ishte parajsa jonë, prej ku mund të merrnim pa leje, ç’të na donte qejfi. Sa për hakmarrje ndaj tyre, nuk bëhej fjalë, pasi ato ishin nën mbrojtjen e kapitenit.

      Këtë mbrëmje kishin marrë leje edhe ato. Mbase kjo ishte rastësi e pamenduar nga kapiteni i cili s’do pranonte kurrë të na jepte leje njëkohësisht.  Çuditërisht ato dukeshin si të zbritura nga kruaziera luksi e jo nga ai vapor gjysmë i kalbur. I ledhatonte tjetër ajër dhe aromën e kripës së peshkut të kuzhinës, e kishin mbytur me një aromë të këndshme kolonje, duke krijuar një përzierje të veçantë.

       Ato ishin në një farë mënyre minj si ne, por të gjinisë femërore. Nga ato lloj minjsh që flisnin pa teklif fjalë banale, e shanin njësoj si ne të tjerët. Minj që mbanin të njëjtën erë të pështirë si gjithë minjtë dhe s’të kujtonin në asnjë veprim tjetër shenjtërinë që ka femra në jetën e njeriut.

        Por ato ecnin lehtë, sikur i merrte flladi me vete, sikur kërcenin, kurse notat e këngës së tyre na zhysnin në të tjera kohë e në të tjerë vende.

        Instinktivisht nxituam hapin që të këmbeheshim me to. Ishin po ato që në vapor s’na bënin asnjë përshtypje. Dhe paskeshin kaq hije, sa s’na kishin tërhequr kurrë vëmendjen, ndoshta nga që e dinim se ato kishin të treja zotërit e tyre. Siç i përkiste Lira kapitenit, Zina ishte e lidhur me nostromin, kurse Lina...ah Lina që s’kishte një të vetëm, duhej t’u përkiste të gjithëve. Kur themi ishin të lidhur, nuk kemi parasysh ndonjë lidhje martesore apo lidhje tjetër, që doemos të çon mendjen tek litari. Në det edhe gjuha transformohet e mbështillet me mister. Këtu ekzistojnë të tjera lloj lidhjesh. Në rastin konkret bëhej fjalë për ca lidhje edhe më të forta nga ato që thamë më lart. Këto vajza i kishin thënë lamtumirë jetës së lirë dhe kishin gjetur këtë gërdallë transoqeanike, për të kaluar jetën. Një perëndi mund ta dinte si kishte qenë jeta e tyre e mëparshme. Ne dinim vetëm se para shumë vitesh ato i kishin peshkuar në një port të Mesdheut jugor, dhe pa asnjë akt të shkruar, kishin lidhur një marrëveshje, që dukej se do jetonte më shumë se vapori. Nuk mund të them në ishin të lumtura apo jo. E vetmja gjë që s’mund të fshihej, ishte se në ato çaste ato të treja m’u dukën femra të veçanta me plot kuptimin e fjalës, me hijeshi e me atraksion femëror. Femra që në një mjedis tjetër më delikat, mund të tërhiqnin vëmendje baronësh e arhondësh.

      Në vapor ato kishin marrë përsipër punët e kuzhinës, të cilat i bënin me dashuri e përkushtim. Të zhytura në atë mjedis të qelbur, gjithë erë qepësh, preshësh e peshqish gjysmë të prishur, ato të linin përshtypjen se e kishin humbur gjithçka femërore.

     Por jo. Ja tek vinte një mbrëmje e tillë dhe ato shndërroheshin e dukeshin krejt ndryshe, të denja për t’u dashuruar. Sa pak punë ishte dashur, vetëm një ndryshim mjedisi, që miushkat e hambarëve, të shndërroheshin në mjellma!

      Ato kishin planin e tyre për atë mbrëmje, kurse ne tonin. U kthyem në të parën tavernë të bregut, ku na tërhoqi vëmendjen tingujt magjik të orkestrës. Zumë një tavolinë dhe dhamë porosinë. Por s’paskeshim qenë vetëm. Ato të treja erdhën e pa kërkuar leje, u ulën pranë nesh. Asgjë të çuditshme s’kishte në veprimin e tyre. Femra gjithnjë ndjen nevojën për t’u mbështetur diku dhe kjo shpesh herë bëhet fatkeqësia e tyre. Kurse ne nuk ishim të panjohur për to. A s’ishim të të njëjtit ekuipazh? Mëdyshjet tona i mbyti orkestra. Të tilla çaste të çmendura kishim kaluar vetëm gjatë muajit që ndenjëm në Porto, ku njerëzit e dinin vlerën e qejfit. Por ja tek po shihnim se edhe këta nuk ngeleshin më pas. Seç ndjeja një frikë se i gjithë ai qejf do na dilte nga hundët, siç na kishte ndodhur në Porto. Kur njeriu e lë veten në dorë të qejfit të shfrenuar, nuk duhet të ankohet nga ndëshkimet që i vijnë më pas.

      Pimë si të çmendur e kënduam. Ishin të rralla rastet kur këngën tonë e shoqëronin tone femërore, si këtë radhë. Ato nuk i kishim thirrur ne. Ishte dëshira e përbashkët që na kishte bërë bashkë, ose instikti që ne kishim dalë nga i njëjti bark gjysmë i kalbur vapori. Sigurisht që kapiteni e nostromi ishin trashur e rënduar aq shumë, sa s’mund t’u jepnin më kënaqësi vajzave, ndaj ishin plotësisht të justifikuara në afrimin me ne.

       Gjithë ç’patëm nëpër xhepa i lamë mbi tavolinë. Ç’rëndësi kanë ca monedha të ruajtur prej vitesh, kur shpirti dalldis prej gëzimit! Dhe ne kthyem shishe e kërcyem si rrallë herë. Nga këngët që s’i ndamë prej buzëve, nisëm të ndiheshim si të ngjirur. Jetonim në një planet të ri që i ngjante të frikshmit fund të botës. Duhej të ishim shumë të pirë, derisa asnjeri s’mban mend se si përfunduam në ato dhoma që si në film pasqyronin reflektimin e valëve, nëpër faqet e mureve. Shkuam me këmbët tona në këto dhoma, apo na shpunë punonjësit e kujdesshëm të lokalit? Ah këta lokalet e natës që asnjëherë s’i rrëfejnë misteret e tyre!

      Kur ndodhesh në të tilla kënaqësi, e ke të vështirë të dallosh orët që vrapojnë si të çmendura. Ishim të çliruar nga çdo detyrim që ka njeriu ndaj ca rregullave strikte që e kufizojnë lirinë. Ç’kishin më tepër se ne, kapiteni e nostromi, të cilët po na çonin qetësisht drejt fundit të botës, ndërsa fillimi i botës ishte këtu dhe ne e kishim gjetur atë pa shumë mundime.

       Duhej të ishin afruar orët e mëngjesit, kur ne po kthjelloheshim në mendje e po kuptonim ç’kishte ndodhur. Vërtet që në hambarët e qelbur të vaporit, ato gra na urrenin duke na parë si minj të ndotur, por këtu, në vendin e mrekullive, ato s’patën asnjë kundërshtim për t’u dashuruar me ne. Sepse njeriu ka një lidhje të pashpjegueshme me mjedisin e jetesës. I marrin e i japin njeri tjetrit nga veçoritë e tyre.

      Të nesërmen në mëngjes u ngritëm të çuditur. Jashtë kohës dhe vendeve tona të njohura, të kënaqur e të gatshëm për ta shijuar sërish, në rastin e parë që të na jepej. Por çdo kënaqësi e gëzim, ka fundin e tij. Vonesa jonë mund të hapte probleme serioze për eprorët tanë. Dalja nga kontrolli është një dukuri rebelimi, që nuk tolerohet në kushtet e detit.

        Kur mbërritëm në vapor, na u desh të harronim atë natë magjike. Kapiteni ishte nxirë në fytyrë dhe nuk kishte më atë pamjen gazmore me të cilën përcillte shqetësimin e nostromit. Mbase kishte harruar edhe orën e pirjes së ilaçeve, atë natë që Lira ishte larguar prej tij. Na shau rëndë, si të ishim ne shkaktarët që po afronim fundin e botës, dhe na dënoi që të mos dilnim nga vapori për sa kohë të qëndronim në Halkidhë. E kishim hakë dënimin dhe s’ndiheshim të penduar. As na shkoi mendja të pyesnim përse ishim dënuar? Pse kishim kaluar një natë jashtë kabinave tona, apo pse u kishim hyrë në hakë atyre minjve të kabinave, që s’kishin shijuar prej kohësh mrekulli si e jona. Sidoqoftë, kjo na linte të kuptonim se thyerja jonë e disiplinës kishte qenë shumë më e rëndë se thyerja e tij e disiplinës. Kishim sfiduar frikën se diku mund të na gjente fundi i botës, për arritjen e të cilit, nuk ka arsye të ngutesh, pasi ai të gjen kudo që të jesh.

Comments (7 posted):

Noke on 06/01/2019 19:12:58
avatar
Dy botë me thellësi të paeksploruar, me valë e dallgë; deti-femra na vijnë të dritësuara nga pena e Murat Aliajt. Leximi rrjedh lirisht edhe kur depërtohet në faqen tjetër të jetëve njerëzore.
Vasil Klironomi on 07/01/2019 17:55:37
avatar
JETANËDET
Një tregim me vlera, se ka brenda një realitet që na zgjon fantazinë,
por i dhimbshëm se ka brenda rutinën tek ve poshtë bukurinë
trupore dhe atë shpirtërore;
bukuri e cila në këtë tregim, gjen shteg vetëm nëpërmjet një liridalje.
myslim maska on 07/01/2019 20:15:22
avatar
Eshte nje jete krejt e panjohur per mua, jeta e bukur dhe teper e veshtire e detit.
Pena e mprehte artistike e Muratit, m'a bene te afert, te prekshme,njerezore, te besueshme.
Kur do te zgjuhemi?,- me duket se thote autori: " Per fundin e botes nuk ka arsye te ngutesh, pasi ai te gjen kudo qe te jesh". Xixellimat e shpresave nuk kane fund.
Urime, faleminderit. M. MASKA.
Kozma Gjergji on 08/01/2019 08:52:00
avatar
Njё defekt rutinё bёhet shkas pёr tё dhёnё me ndjeshmёri tё lartё artistike tёrё dramёn e mizeries e
kotёsisё tё detarёve tё anijes-gёrdallё, qё nё fakt ёshtё shteti-burg i tyre.
Urime Murat.
on 08/01/2019 09:38:56
avatar
bukur Murat. Me pelqeu. ka gjithe eren dhe hallet e detit se bashku. miri
xingografia on 09/01/2019 19:02:20
avatar
Tregim I shkruar mirë. Vërtetësi befasuese e realitetit. Urime Murat!
Xingografia!
Ilir Mborja on 11/01/2019 09:04:14
avatar
Më pëlqeu dhe mendoj se është një nga tregimet më të bukura të këtij lloji që ka shkruar Murati, i cili e njeh mirë jetën, psikologjinë dhe sjelljet e detarëve. Gjithmonë kur shkruan për tema që i njeh mirë, Murati mund të shkruajë tregime antologjikë si ky, apo si "Mushka" që përshkruhet edhe nga një humor e sarkazëm e hollë... Urime edhe një herë Murat Alisë!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1