Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Likurësi i dëshirave të mia

Likurësi i dëshirave të mia

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vasil Klironomi

Likurësi i dëshirave të mia                                                               

pjesa e tretë nga novela VËLLAI

 

Tani më, ushtar i vitit të dytë dhe në saj të aftësive  e simpatisë që kish krijuar komandanti i togës, më la detyrë mbarëvajtjen e stërvitjes. Unë do të bëja zgjimin ushtarëve, do t’i vija në rresht për në mensë, dhe do të përkujdesesha për trajtimin e harmonizimin e ushtarëve të rinj me ushtarët e vjetër. Për këtë të fundit, i premtova vetes se do të isha i pamëshirshëm kundër polarizimit. 

Të gjitha kishin një zgjidhje, vetëm për zgjimin e mëngjesit e kisha të vështirë.  Zëri im duhej të dëgjohej gjer në dhomën e oficerit të rojës, fonemat duhej t’ i jepnin zërit tim kuptimin ushtarak, rrokjet gjithashtu. Pra zëri im duhej karakterizohej nga lartësia, ngjyra dhe energjia. Hodha një sy brenda qenies sime, zgjodha për njësi matëse vendosmërinë dhe pasi mbështolla mirë me batanijet njërin prej ushtarëve të rinj që kish temperaturë, në hyrje të kaparonit mora drejtqëndrim duke tendosur xhaketën  sikur të tërhiqja muskujt  dhe thërrita: «Çohu!» 

Në atë çast, ndjeva të më nxehej trupi, në shprehjen e fytyrës  rezultuan lëvizje jo të zakonshme, në sytë, u kryqëzuan vijëzime që më dhanë shkëndija, frymëmarrja, dy pllakat e gjoksit mi la në pikën sipërore. Nuk e di si, por më lindi dëshira për të vepruar. Nxora ushtarët ashtu siç ishin me rrobat e fjetjes dhe i vënë në krye të togës,  fillimisht dhashë komandën: «Me hap rreshtor, para marsh!» 

Hapi im kur përplasej në tokë,  krijonte një presion, që guriçkat  mund të të nxirrnin syrin. Duke përqendruar vështrimin në majën e malit të Kërthizës, dhashë komandën: «Me vrap, marsh!»

 I ngjitesha malit me maninë e helenëve të mitologjisë tek ndiqnin ulërimat e ujqërve. Atje në atë majë me trimat që më vinin pas, mund të ndërtoja  Likurësin e dëshirave të mia. Pikërisht në ato çaste, dëshirat sikur mi përpiu lubia. Në ngjitje e sipër mbi gurët e mprehtë, mes ferrave e gjembave, filluan të dëgjoheshin pasthirrmat e dhimbjes, njëri prej ushtarëve të rinj nisi të qaj, disa prej ushtarëve të vjetër ngadalësuan hapin, ndërsa më i guximshmi ma përplasi fytyrës: «Ti je me këpucë» më tha «ndërsa ne jemi të zbathur.» «Ndal!» Thërrita sa kisha në kokë dhe pas asaj fjale njërrokëshe të mbyllur, rruzulli sikur pushoi rrotullimin.  

Dhe ishte çast që sa ndjeva veten të burrëruar, pikërisht pak para se ushtari i guximshëm të më vinte në dukje zhgënjimin, këtë shpërthim zemërimi që në kompleksi, s është gjë tjetër veçse një gabim njerëzor.  Vërtet kisha fituar shprehjen, por më mungonte mençuria. Duke u zbritur këmbëve të malit, vura re se nuk isha burrëruar, por në  fizikun tim kish ndodhur  metabolizmi dhe për tu dhënë ushtarëve të kuptonin se me urdhrin e fundit  iu drejtova vetes, u përula dhe mora në shpinë ushtarin që s’ mund të ecte. 

Në orën dhjetë të paradites do të trokisja në zyrën e komandantit për t’ i dhënë dorëheqjen. Trishtimi më kish goditur në gjëndrat tiroide të cilat më sollën ngjirje zëri dhe vështirësi në gëlltitjen e pështymës. Edhe pse brenda vetes kam një fshehtësi deti, në ato çaste më mungonte jodi. Ku të gjeja një tabletë jodi? Një veprim i mirë, qetëson dhe vet natyrën mendova dhe te pusi i brigadës mbusha kovën me ujë të ftohët. Nuk e di sa ujë piva; di vetëm se pas atij veprimi, nisi të më këndellej shpirti; fitova  trajtën e një njeriu të sapo-qetësuar. Ndërkaq, postieri më solli ilaçin. Letër nga Shvejku! 

Në dy faqet e para më pyeste për shëndetin tim dhe të familjes,në se nipi kish filluar të fliste dhe në veçanti, për mbarëvajtjen e vëllait të mesëm në volejboll. Më pyeste gjithashtu për marrëdhëniet e mia me komandantin dhe më udhëzonte se si duhej të sillesha me ushtarët e rinj. Nga faqja e tretë e tutje, interesohej për mushkën, trajtimin e saj nga ushtari që angazhuan ata të komandës dhe, nëse ai, ushtronte dhunë mbi të gjorën hibride. Sqaronte: «Vërtetë mushka  ka këmbët, trupin dhe lëkurën e gomarit po qafën dhe kokën e ka të kalit, ndaj duhet respektuar dhe trajtuar si kafshë fisnike.» Më shkruante se: «sikur natyra ti kishte dhënë më shumë kromozome, ndoshta dhe ajo e gjora do të kishte fatin të bëhej nënë si të gjitha pelat.» Më poshtë, nënvizonte përsiatjen: «ajo vërtetë është e duruar, po kur mërzitet godet me shkelma, ndaj ashtu si oficerit që nuk duhet t’ i dalësh përpara, ashtu edhe mushkës kur ka humbur durimin, nuk duhet t’ i sillesh nga mbrapa.» Në fund, Shvejku e mbyllte letrën me këto fjalë: «Një mushkë e mirë-përdorur është e bindur, e mirë, e durueshme, e qetë, e gjallë dhe tolerante por, gjithashtu dhe krenare, xheloze dhe intime.» 

Engjëlli im sikur të njihte gjendjen time shpirtërore edhe në ato çaste më dërgoi letrën e tij fjalë-kuruese . Ndjeva lotët të më njomin mollëzat ndërsa në të turbullt, pash siluetën e komandantit të togës të më afrohej. «Ushtar... kini nevojë të qetësoheni» më tha «duhet të shkoni disa ditë te të afërmit tuaj.» 

Vasil Klironomi

Comments (5 posted):

on 04/01/2019 10:02:10
avatar
bukur. me pelqeu. e shkruar paster, me mjeshteri. m dh
faruk myrtaj on 04/01/2019 16:26:11
avatar
Eshte kenaqesi kur vazhdimi i se bukures eshte bukur,ne shprese se novela e tere arrin ta mbart kete aparat ndjesie humane.
Pavarsisht "ngarkeses se emrit", per gomarin thuhet se mban, per kalin me dukje fisnike gjithashtu thuhet se punon fort, "si kale", keshtu qe mushkes i mbetet te respektohet per punen dhe dukjen e trillet!
Varet cila pjese, cila dhunti eshte minoritet dhe cila shumice, ne teresine e cdo qenieje: ne te vertete, mushka duron shume me shume se sherben si kafshe parade. Njeriu si qenie e kultivuar, qytetare, ka prirjen te respektoj gjithnej e me shume minoritetet. Gjer edhe ne tepri!
Vete demokracia, calon per te kunderten: i bindet me shume shumices, teksa pakica mund te jete me e mencur, me e kualifikuar, mund te perkoje me pjesen intelektuale!
Si i behet?!
Te gjithe, edhe gomari, edhe kali, edhe mushka jane te nevojshem, te respektuar ne natyren e tyre!
Noke on 05/01/2019 07:16:51
avatar
Vasil Klironomi duket që është shumë afër aspirtave të tij në prozë deri sa ka tërhequr vëmendjen e Faruk Myrtajt, të cilësuarit si mjeshtër i prozës. Aq më tepër që vijnë vlerësime kaq pozitive. Kënaqësi edhe për mua.
myslim maska on 05/01/2019 19:43:22
avatar
komentit te Nokes,I shtoj edhe nje yll.
Urime Klironomit.
xingografia on 09/01/2019 19:08:10
avatar
Të bashkangjitem Myslym. Fjalët janë të tepërta. Aftësia e Klironomit për të shkruar poezi e ka ngji-tur lart prozë e tij të shkurtër. Mua më duket se e kam thënë dikur këtë mendim dhe I qëndroj sërisht. Urime autorit!
Xingografia!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1