Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | SHTËPIA NË KORNIZË

SHTËPIA NË KORNIZË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

SHTËPIA NË KORNIZË

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Për më shumë se 54 vjet kjo shtëpi ka marrë e ka dhënë frymëmarje. Grimcat e ajrosura mes dritës kanë bërë lidhje e zgjidhje dihamash dhe ofshamash. Zhurmëzat dhe heshtjet janë zbutur melankolisht nën dritë të qiririt, llambës së vajgurit, dritës së zbehtë të dimrit dhe e kanë strukur hijen e objekteve në qoshka delikate të midisura nga guri, balta e druri. E tëra mes mureve, tavanit dhe dyshemesë së shtruar me baltë e bajga lopësh ka krijuar një kornizë kuboide, që ridimensionon hapat dhe zvarritjet e lëna peng shenjëzash e memorjesh në të. Pastaj, pasi i prek me sy, i gudulis në memorje, ata më ndjekin nga pas dhe më këshillojnë në heshtje e turbullima mendore mes kornizës që qas dritëza e kujtimeve të dalë në anën tjetër të shkrirjes së tyre mes shkrimit. Unë flas. Flas dhe dëgjoj vetëm zërin tim që tromakset nën rrëkëllimë zanoresh të lodhura. “E shikoni? U them atyre që më heshtin. Unë jam gati t’ju marrë me vete në këtë rrëmujë kujtimesh dhe të ju bëjë numra historikë, por nuk e di si do të ju mbajë si imazhe të shkuara përtej orrigjinës suaj? Një jetë mes vetes suaj, një jetë e imja mes jush, një jetë e juaja mes meje. Një realitet në një lidhje të pandashme. 

            Bëjmë pak dritë. Pak dritë të ngjashme me yjet dhe i lëvizim paksa kandilët, se qirrinjtë i kemi fiksuar gjetkë. Le ta bëjmë dritë! Le ta bëjmë kujtim të ndritshëm. Dhe bashkë do të ju rigjej atje. Atje tej në dritë të syve të verbër. Me zërin tim tani ju jeni gurë në anën time të ngurtë. Do të bombardohem nga ndjenjat tuaja. Dhe koha do të më detyrojë të gjejë parzmoren e lënë diku gjetkë poshtë gërmadhave të djegmave. Poshtë thëngjijve të djegmës së parë…

Ishte e mbeti një djegje e egër. Ata erdhën dhe e bënë duke treguar se ishin ata që mbetën. Vrasës, djegës, errësirrëbërës dhe kënduan, sikur i këndohet errësirës, sikurse ndodh mes indiferencës të anashkalohet vdekja: 

“Brenda indiferencës,

brenda saj, 

brenda një bote të mbytur prej të zezës,

ngjyra e zezë është perceptimi i vetëm për të filluar. 

Ju mund të mbani mend nga fëmijëria 

se gjërat janë më të lehta për t’u përfytyruar në errësirë

me disa hapa poshtë 

dhe derën pas nesh të mbyllur, 

ne vetëm kapim shikimin e fundit të dritës 

në mbrëmjen e filtruar mes kafshatës së fundit,

poshtë nëpër dritaren e bodrumit të mendimeve,

hijet trashen,

zgjaten, 

zvetënohen. Nxihen mendimet

si vetë shpirtrat e zinj të errësirës.

E vështirë është sipërfaqja ku lagen vendimet 

dhe e errët cipala e bodrumit, 

me një tavan kaq të ulët 

sa që duket sikur pastron majat e kokave tona 

një dysheme kaq të copëtuar 

me kokën indiferente dhe veshin e shurdhët, 

rikthehet errësira intelektuale,

gjithë ky shok,

gjithë kjo vdekje fatale

saqë duket se është rikthyer pothuajse në tokë,

vdekja e madhe”.

            E krijoj në mendjen tuaj këtë kornizë zërrash të shkumëzuara nga dhimbjet dhe ikjet dhe lutem si para një ikone, para një pikture shenjtësh, ose para një vlere të jetës, sikurse para një kujtese, derisa më turbullon tymi dhe tymi mbetet në shpirtin tuaj sendor, objektor, murak, tavanor dhe dyshemor. Themelet pikojnë dhimbje. E mbaj këtë dhimbje një kohë të gjatë. Një më të gjatë se vetë koha e dhimbjes në trupin tuaj. E dhimbja bëhet kornizë e memorjes sime.

            Brenda ristelave të kësaj kornize janë dhimbjet e jetuara e të përjetuara. Unë i bëj ato të qetësohen. Unë i bëj të jetojnë me njerëzit në poret e tyre. Dhe kështu i bëj të jenë në jetë edhe kur mola u kërkon pa ndjerë të bëjë brendanakun gërryerës të zemrave dhe shpirtrave të tyre. Ju jeni dhe unë jam një jetë. Jemi jeta e njëra-tjetrit! Jemi loja e jetës. Jemi loja e jetës së njëri-tjetrit. Ditën kur unë e lashë lojën time me komshinjtë e mi, ndaloi edhe korniza juaj të mbante shenjëza kujtimesh të gishtave të vrarë, të flokëve të shkulur në zënka e sipër, të sharrjeve nga nëna e motra kur humbnim në lojëra, të gjërave të tjera të pista e të ndyra që nuk i kishim nga tradita e natyra. Por në kornizë ama mbetën lapsat, fletoret, goma, çanta dhe librat. Mbeti shkolla, mbetën deftesat, fletë-falenderimet, notat dhe korrigjimet. Mbeti karakteristika dhe fjala që nuk e di pse u harrua prej jush. Dhe aty në kornizën tuaj është edhe kjo anë. Është sikurse e lamë…

            Pyetja për nënën time, ndërsa më qethte kokën me gërshërë, një ditë para ditës së parë të shkollës, ishte: “Kur do të kem çantë të mirë për në shkollë?” E nënës sime ishte një tundje koke, dhe një shenjë nga minderi ku nga fustani i saj i grisur kishte sajuar çantën time të librave. Unë fjeta atë natë me të nën jastëk. Ditës tjetër librat ishin jastëku më i mirë dhe i bukur për mua. Që atë ditë dhe netët nisën të korrigjonin përmasat e trupit tim. Shkolla kapërcente bashkë me moshën time dhe librat që ndërronin numra në kapakët e tyre. Dhe nga njëshi shkuan tek numri tetë. Pas numrit tetë liria e trupit matej me rrobat dhe këpucët që bënin gallatë me mua. Herë më hapnin llapën sa të mundnin e herë më ngjanin si pjesë muzeale të ngulura në trupin tim, pos ndonjë arsyeje të fortë. E duhej ngritja e menjëhershme e gjyshit të strukte lotët e mia e të kthente gëzimin e menjëhershëm në atë kornizë, kur nga torbëza e tij e vogël menjëherë nxorri këpucë të reja, triko e pallto për mua, kur nxorri çantën e meshintë me ngjyrë blu. Dhe korniza juaj e mbajti gjatë atë moment në memorje. Askush nuk e pyeti ku i gjeti paratë? Askush nuk guxoi ta pyeste pse e kishte takuar urgjent “Sahit gatalin”. Po më vonë u kuptua pse ishte ai takim aq i fshehtë. U kuptua madje publikisht kur ai i tha njerëzve që e mbanin fort me duar se “florrinjtë m’i dha Maksuti”.  

            Ishte kohë kur floriri kishte memorjet e tij. Ishte koha kur ato memorje duheshin mbajtur në errësirë. Dhe historia nisi të bënte udhë të gjatë. Edhe në shkollë këtë do të ma kujtonte një ditë, Kadriu, mësuesi që tashmë e mbaj mend ndryshe. Edhe më pas kur shkolla më bëri serioz memorja bënte të vetën. Në ditë provimesh mbaj mend kur mësues Bardhyli më erdhi pranë dhe më tha me zë të ulët se i duhej një monedhë floriri për të blerë një orë “Omikron”. Dhe nëse ia jepja sigurisht do të ndodhte më e mira me ëndërrën time të shollës… Por, kjo nuk ndodhi dhe ëndërra ime e shkollës ishte brenda kornizës suaj. Ishte e shkruar! 

            Shokët e mi udhëtuan bashkë me kujtime të tjera dhe kujtimet nisën të kapërcejnë më tej bangat e shkollës. Dhe kujtimet morrën dimensione të tjera. Përmes dimensioneve ndoshta shihja linja të drejta drejtimesh, por rikthimi i vizitës sime tek kjo shtëpi i hedh sfidë gjërave të tilla duke marrë atë që mund të krahasohet me një shtëpi në kornizë. Megjithëse në fiksim, muzikaliteti dhe ritmika e saj, në fillim m’u duk se mund të më tallnin dhe të më përqeshin, të më trazonin mendjen lart e poshtë, rrumbullak dhe stërrumbullak, po jam i sigurtë se rashë në magjinë e saj deri në kohën kur gjithçka kaloi dhe u bë serenatë lotësh në një ndalesë. Rrotullama e parë ishte një dritëz e paparë. Diferenca e dritës së vjetër me këtë flashitje të re drite në këtë shtëpi ishte në fakt një dritë, po ajo dritë, që më udhëzonte sytë, veshët, duart, tërë ndjenjat e mia mes kujtimeve ku kishin lindur, por që shkollimi im, etiketa dhe jeta moderne m’a kishin grabitur. 

            Nëpërmjet kësaj ndjesie fotografike m’u rishfaq ajo që mund të jetë modeli i vendosur midis rrënjëve të një peme në një midisje tregimi të fëmijërisë. Një ëndërr e brendshme, me tavane të ulta të shtrembëruara dhe një mbulesë e madhe me një enë me ngjyra, u ngjit në lartësinë e saj të plotë, një tavolinë me dru pishe të pastër të mbuluar me pjata dhe shporta druri, të gjitha mbanin shpirtërisht ato që derdheshin mbi to, perimet e gjelbëruara, turjet e bardha, qepët ngjyrë kafe, hudhrat, patatet, lakrat, misrat larushë dhe karrotat e ndritshme portokalli. Kjo padyshim ishte kuzhina e shtëpisë dhe era e freskët e byrekut të pjekur, drita e qirinjëve dhe ngrohtësia që rrezaton me zjarrin që digjet në mënyrë të gëzueshme në një modë të vjetër të kuzhinës. Të gjitha më tregonin kështu në heshtje të ktheja medoemos sytë në një dhomë tjetër të madhe. 

Aty drita ishte një formë globi që rrotullohej si në diskoteka. Herë rrokte fytyra e herë shkonte përtej në kashtinën e qielltë të globit. Aty dilte sekreti që zbulonte arsyen e tërë asaj dhome. Në një minder të madh e të gjatë, tërë tentene e mbulesa të bardha borë ishin shtatë breza stërgjyshesh e gjyshesh. Qëndisnin dhe gëzonin me stile të ndryshme, por që kishin një lloj drite në fytyrë. Jashtë, jashtë asaj shtëpie në kornizë ishte ditë. Një ditë me shi dimri londinez. 

Comments (4 posted):

Thani Naqo on 08/12/2018 15:17:38
avatar
Prozë e shtruar dhe poetike. Lexohet rrjedhshëm. Dorë e stërvitur prozatori.
Thani Naqo
Fatmir Terziu on 08/12/2018 15:21:48
avatar
E mirëprita respektueshëm komentin tuaj i nderuar Thani Naqo, për disa arsye, por që së pari mblidhen në respektin tuaj ndaj leximit të Tjetrit, dhe së dyti në përshëndetjen reciproke të vlerave të shkrimit. Si shkrimtar, që herët keni dhënë shembullin tuaj në prozë e poezi, natyrisht e treta është e përbashkët tek “shtëpia” në kornizë që na sjell emocione. Faleminderit dhe respekte. U mirëlexofshim!
shtëpia në kornizë on 08/12/2018 21:00:55
avatar
Tregim që buron nga ajo strehëz e vogël nga vendlindja,por ajo ruan vlera e ëndrra të mëdha tek gurët e porta e shpirtit të autorit. Urime!
Xhevo
faruk myrtaj on 09/12/2018 00:46:17
avatar
Po,
ne te verber, symbyllur, enderrisht, shikohet me qarte...
Dhe, vertetesisht dhimbshem: dhimbjet formesojne kornizen...
Po, Than, lexohet e tera si poemth, dhe permbyten syte lotesh,
me canten e sajuar me fustan nene
e pastaj me jastek endrrash...
Ne vend te nje komenti, secili mund te linte pas nje vendlindje te dhimbshme, pikelluese, ku s'mund te mos kthehemi, ngaqe kurre s'kemi ikur dot prej Atje...!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1