Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | ”TRIPTIK DASHURIE“

”TRIPTIK DASHURIE“

Font size: Decrease font Enlarge font
image SOTIR ATHANASI

SOTIR ATHANASI

”T R I P T I K  D A S H U R I E“

(Paramnezi*)

 (Ky shkrim është paraqitur në trapezën e shoqërisë letrare “Xingografia”, me temën: “DASHURIA DHE SAKRIFICA PËR ‘TË”. 

 Në rast se vlerësohet, autori do të fitojë një buqetë me lule.)

Ato ishin tre shoqe. Rrugët e jetës së tyre, si tri filiale të ndryshme, (ndonëse kishin përfunduar të njëjtin fakultet (atë të filologjisë), 

krijuan universe të veçanta. E përbashkëta qe kujdesi i kthyer në betejën për mbrojtjen e familjes. Dhe, me që të tria ishin shumë të bukura, mund t'i krahasojmë me tri yje në galaktika të ndryshme brënda universit. 

E para quhej Fitnete.

Ajo ishte një biondinë, nga ato që tiranasit dekada shumë dekada më parë, të fiksuar për t’a gjetur, thonin se kanë shkuar deri në Ukrainë. 

Fitnetja ishte shqiptarja jonë nga Tirona. Ajo dilte enkas në ballkonin e shoqes së saj Teuta, kur sytë e futbollistit të talentuar e tepër të njohur e pikasën dhe siç ndodh në këto raste, pas disa takimesh e gjetën pa vështirësi fjalën. Fitneti, çdo dy javë që luhej në fushën e vëndit, pa tjetër që do të zinte cepin e asaj llozhe të vërtetë. Kur i gjithë stadiumi ngrihej në këmbë për golin e tij në portën e skuadrës kundërshtare, Ai i drejtonte sytë nga ballkoni ku ndodhej Ajo, flokëverdha, Fitneti. Dhe ndërsa i përcillte puthjen e tij,  merrte edhe përgjigjen e saj. Atë dorë të hijshme si krah pulëbardhe. Dhe sidomos, ajo lëvizje aq e veçantë që kthehesh në çastin më të lumtur për lojtarin. Të themi se e krahasonte me golin, nuk e teprojmë. Nga ana jonë e ndjenim që spektatorët i ndiste ky idil . . ., futbollistik .Tifozeria e dinte tashmë, se vajza duhet të qe frymëzimi i sportistit të tyre As. Kështu,  përpara se të fillonte ndeshja Ata,  do të kthenin kryet në drejtim të Asaj galerie e zhndërruar kësisoj në një tribunë të veçantë  matanë perimetrit të stadiumit. Ishte kjo si një garanci për t’u siguruar që njëshi i skuadrës së tyre, e kishte frymëzimin dhe do t’i shënonte patjetër ndonjë gol skuadrës kundërshtare. E tillë  vazhdoi për tre a katër muaj. Por, kampionati ishte i gjatë dhe jeta po ashtu. Fitnetin e kishte zënë gripi. Në ballkon, për inerci, ndodhej e vetme Teuta. Tejet brune, madje e thënë tironçe ‘bojëesmere’ si ajo. Futbollisti, herë pas here kthente vështrimin. Teuta e kuptoi se të ndënjurit atje e kishte humbur kuptimin fillestar, (edhe pse ishte në këndin e shtëpisë së saj) u largua. Të nesërmen, myteberi-futbollist i dërgoi bojëesmeres -Teuta, një  E-mail . . . Ajo iu përgjigj ftohtë, por me korektesë. Të pasnesërmen lojtari i bën një thirrje telefoni. Ai i thotë se:. - Kam dalë me makinë në qoshe të . . , bërrylit. Dëshiron të bëjmë një xhirro, apo diç tjetër. Karshi është edhe një bar-motel tepër i qetë që ngjan shumë me qoshen tënde të ballkonit në katin e pestë. Si thua? 

Bojëesmerja-Teuta iu përgjigj: - Ai  moteli, sigurisht që është me dy kate, siç e kam parë nga autobuzi i hunazës. Kështu?

- Po, - u përgjigj me gëzim futbollisti i cili kujtoi se kishte goditur shenjën.

- Është shumë poshtë në krahasim me mua dhe ti e shikon si të ishe në breg të lanës,  - ia preu e zgjuara Teuta për të shtuar pa e lënë të marrë ende frymë “lojtarin kundërshtar”. Shkurt, për të rritur “presingun”, siç aq bukur thuhet me gjuhën e futbollit. Teuta vazhdoi:  - E di që je në pozicion jashtë loje për të dytën herë? Prandaj të mjafton kartoni i kuq, apo ke nevojë që të lajmëroj ambulancën për të të shpënë te . . ,  nervologjiku?  

Pas kësaj, lojtarit me numur 10-të, i ra krenaria e njëshit (1) në skuadër dhe i mbeti zero 0-ja. Siç duket e ndjeu këtë dhe e përplasi telefonin. 

Tre muaj më vonë u martua me biondinën-Fitnet. Ajo tani e kishte vën- din në tribunën qëndroje të stadiumit, në aneksin e personave VIP. Por

e gjora-vajzë, do të kalonte kohë dhe do të merrte vesh edhe nga bisedat me ndonjë nga  gratë e futbollistëve se burrat e tyre, sapo iu jepej rasti, dërgonin E-mail femrave që piketonin. Por tashmë, ato ishin bërë me fëmijë, ku parësore qëndronte lufta e tyre e kthyer në betejën për mbrojtjen e familjes.

Shoqja e dytë quhej Semiraminda. 

I dashuri i saj ishte një këngëtar lirik I Operas sonë. Legjenda e emrit Semiraminda,  kalonte nga piktura e Degas hedhur në “Semiramindë në ndërtimin e Babilonisë”, ashtu siç  përshkruhej edhe në operën lirike ku, heroina me këtë emër,   gjente trëndafila të freskëta në “Kopshtet e varur”,  edhe pse qe në një zonë me klimë të thatë. I dashuri I Semiramindës sonë, s’ishte vetëm një tenor I Operas shqiptare. Ai njihte mirë dramën muzikore të Rosinit dhe e kishte përqasur partneren e tij me heroinën. Gjithashtu, atë e ndihmonte fakti që këndonte dy orë në një lokal nate. Prandaj i shpinte Semiramindës sonë çdo mëngjes herët lule të freskëta të cilat, i kishte merituar në mbrëmje nga fansat e tij dhe  ia varte në bravën e portës. Te dyert e tjera  mund të gjeje shishet e qumështit, por ky mospajtim, jo se nuk shihej nga çifti. Përkundrazi, ai shpërfillej enkas për të treguar edhe këtu një shkëputje,  a veçim nga . . , turma. Gjithsesi, na duhet të nënvizojmë se ajo për të cilën shqetësohej Semiraminda, qe liberalizmi i të dashurit të saj. Shumë veprime intime si miklimet,  apo  përkëdhelet e tepruara të protogonistit, si edhe ndonjë puthje me partneren,  që ishin aq të domosdoshme në skenë, s’kishte pse të përsëriteshin jashtë saj, aq më tepër në një xhiro bie fjala, te kodrat e liqenit mbasditeve. Ndërsa Semiraminda,  ishte në turnin e dytë përpara laptopit në Call-Centër. Këto veprime shiheshin nga të tjerët, por tenori “I përligjte” me një sekuencë, apo vijueshmëri miniprove dhe s’harronte  që të nesërmen herët, t’i shpinte lulet e freskëta në portën e shtëpisë së saj për t’a qetësuar disi atë. Kulmi arriti kur Semiraminda  e njohu partnerin me Teutën. Atë e befasuan sytë e saj, tejet të shkruar, të cilat i krahasoi me një pentagram ku mbeten të hidhen notat kulminante të një arjeje idilike, tejet të papërsëritshme në llojin e vet. Por Teuta ia ktheu me të njëjtën monedhë: 

- Janë hedhur tashmë nga partneri im. 

Kjo, përpara se të ishte një gënjeshtër e bukur, qe një flakarite e hapët e cila  u bë si parathënia e një kapitulli që do të shkruhej më vonë. Sepse tutje në horizont, siç pret një majë mali largimin e mjegullës që të nxjerri në pah madhështinë e saj pas zbardhëllimit,  një ogur i mirë mbarësinë dhe fatin do t’i sillte. 

Dubaj.

Teuta e treta nga shoqet, ende ishte singël. Shkak qenë bërë edhe përgatitjet për mbrojtjen e doktoraturës me temën e veçantë: 

“Ndikimet persiane në onomastikë të shqipes”. Veçse tani, ajo kishte një të dashur në atë qytet. 

Organizatori i këtyre programeve, tek po shfletonte shënimet për të gjetur celularin e një persiani, i lodhur nga regjistri ngrijti kryet për t’u befasuar, sepse: si i zbritur nga yjet, u shfaq vetë  personi. Nëpunësi flaku syzet mbi regjistër dhe iu kthye të porsaardhurit: 

- z.Kreshnik! Ke mbërrijtur  në kohën dhe vëndin e duhur. Vajza, - dhe ai atë çast tregoi me dorë Teutën, - është studente shqiptare dhe ka ardhur të mbrojë diplomën mbi gjuhën tënde. Kjo zonjushë zotron anglishten dhe sidomos persishten. Ti, si njohës i veçantë i gjuhës meqë ke lindur atje, bëju kafaz*) i saj dhe kamjonin jepja dikujt t’a punojë. 

Teuta për çastin, ishte përpjekur t’a vërente djaloshin më se të pjekur madje, tinëzisht mbase jo si dhelpra rrushin. Ndonëse e mrekulluar ktheu vështrimin nga i porsaardhuri. Dhe për të parën herë ndjeu trokitjet e pazakonshme në zemër. Nuk po e kuptonte miklimin e syve të saj të zez dhe më pas, përpirjen nga një palë sy me ngjyrë qiellore. Burimi i tyre sikur mbërrinte nga një rrezatim hutues e trullosës deri në dehje. Ky duhet të ketë qënë shkaku i një vetëtime të dy anëshme. S’ishte një lazeri, siç dimë nga shkenca, që zbret në fund të oqeanit për të matur thellësinë. Jo. Qe një përplasje vështrimesh thjesht e ngjajshme me ‘të, por e pakrahasueshme. Zëmra, si të qe dritare e shpirtit, u hap dykapakësh për të bërë të lëshohen sinjale dhe të marrin përgjigjen e tyre nga zemra dhe shpirti i tjetrit. Prandaj, dy duar të zgjatura karshi, në një grimë herë ngrinë. Portreti i Kreshnikut shihte ikonën Teuta. Duart më në fund u drodhen sapo u takuan. Fërgëllima,  si të qe rrymë elektrike i rënqethi deri në cak të humbjes së vetëkontrollit. Ato duar ndjenë kë? Dashurinë me vështrim të parë, miqt e mi. E çfarë tjetër?!? 

Teuta si mbesë e një përkthyesi të njohur të persishtes, qe lexuesja e herëshme e gjithçkaje përkthente ungji i saj. Kuptohet ajo kishte pëlqyer fillimisht deri në adhurim këtë gjuhë. Jetonte dhe vlerësonte  përfytyrimin në mëndje që i sillte hovin në kraharor ndërsa i ndjente personazhet. Dhe ja tani, i mbeten sytë, i ngatërrohet gjuha dhe dashurohet me të parin persian që Zoti i nxorri përpara. Le t’a mbylli ky njeri në kafazin e shpirtit të tij, zemrën time tejet të ndjejshme në kraharor, mendoi atë çast. Se vetëm atje mund të rrahi në normalitetin e saj të zakonshëm. Trokitjet si me droje, më paralajmërojnë se e kanë të domosdoshme atë dorë. A jam e sigurt në këtë arsyetim jashtë logjikës?!?  Po pse, miqt e mi, a ka logjikë dashuria që vajza mundohet t’a kërkojë? 

Do të kalonin ditë, javë e madje muaj dhe Teuta do të binte në të njëjtin diskutim. Se do t’i prishej gjumi i natës dhe do të mundohej t’a  kërkonte dhe të mos e gjente me asnjë sillogjizëm, shkakun. Ku mbaheshin më këmbë e ku qëndronin këtu  parimet strikte? Por, le të kthehemi e të shohim se çfarë dëshironte diplomatja e persishtes atë çast? Teuta donte që Ai të bëhej me çdo kusht i saj. “Vetëm të bëhet i imi. Plotësisht, i imi. Paçka se shofer kamjoni. Ndonëse me kredi, Ai e kishte pronë të vetë atë mjet pune”. Dhe, siç do t’i pohonte më vonë vetë persiani, Atë nuk e torturonte fare shlyerja e kredisë, ndonëse ajo i thithte tre të katërtat e fitimit. Teuta i qe përgjigjur: - Mua nuk më tepron as një përqind nga bursa për të shlyer kredinë, për të cilën MEDRESEJA në Atdheun tim, doli garant në bankë. Rradha e saj vjen mbas mbrojtjes së diplomës.  

Dhe, atë çast ( në skaj të ndërgjegjes ), mendoi: dashuria dhe diploma duhet të ecin paralel. Zemrën le t’a mbajë kafazi. Aty është edhe shpirti dhe një pjesë e trupit. Tjetrën, unë do t’ia jap diplomës

* * * * * * 

Ishin mbushur gjashtë muaj. Kafazi me ndërmjetësimin e një shoku fëmijërie, bankier me emër, kishte marrë një tjetër kredi dhe ata takoheshin bashkë, tashmë si të dashuruar, thuajse çdo ditë në apeksin (kulmin) e Palmës Jumeirah. Resort ky i ndërtuar në një hapsirë prej 17 haktarë në Dubaj, me dy suita nënujore të mrekullueshme. Hoteli i kompletuar me parkun ujor ‘Aquaventure’ dhe Plazhin Nasimi. Në një nga sallat luksoze, Teuta mbajti një ligjëratë mbi persishten dhe ndikimet e saj në gjuhën shqipe. Ajo e kishte përfunduar kësisoj punën me diplomën. Faqja e parë e kësaj përmbledhje tashmë, hapej me këto fjalë: 

“Shqipja si gjuhë indoeuropiane, takohet me persishten që në lashtësi.

Befasia qe e plotë vëmëndje tejet e thellë. Madje pati edhe duartrokitje.

- Por, do të vazhdonte më pas, - kontaktet më të mëdha, ajo i pati pas shek.XV. Në atë kohë depërtoi në gjuhën tonë një fond më se I vlefshëm fjalësh nga persishtja, çka solli edhe fjalëformime të cilat lartësuan mjaft gamën e këtij fondi në procesin e pasurimit të saj. 

Shqiptarët dhe persët për rreth pesë shekuj, kanë jetuar në kontakte të ngushta me Perandorinë Osmane. 

(Shqiptarët të pushtuar prej saj, persët jo vetëm fqinjët me ‘të por sidomos modeli për t’u ndjekur nga Otomanët në përparimin e tyre. Udha në ato gjurmë, qe kthyer në  domosdoshmëri për Perandorinë. Qytetërimi dhe përvojë kulturoro-shkencore mbi dymijë vjeçare përpara asaj Osmane, s’mund të injorohej ).

 Vendosja e padyshimtë për ura komunikimi mes nesh me perianët, erdhi natyrshëm. Ajo ndoqi këshillën e fjalës së urtë që pranon se: dashuria kalon nëpërmjet stomakut për t’u stacionuar në zemër.

Pas kësaj salla ndjeu dëfrim i cili do të tejshkonte deri në skajshmëri të qeshurash. Kur referuesja vazhdoi: - Fjalë të tilla si: hoshafi,(pers. = khoshab), sheqeri (pers. = shekar). Apo emrat familjar: Çardaku (pers. = chardak) ose: perdia (pers. = perdeh), qoshja (pers. = kushk), qilimi, rafti, kafazi, e të tjera të kësaj natyre, salla s’pushonte së duartrokituri. 

Auditori u mrekulluan kur dëgjoi mjaft fjalë shqipe të ardhura nga persishtja e tyre . . . 

- Ne shqiptarët mbase mund të jemi modeli i qëmtimit dhe pëqafimit të së bukurës, kudo ajo gjëndet. Dhe kjo bukuri erdhi tek ne, ashtu siç hyn nusja në konakun e burrit. Dhe Teuta priti sa të qetësohej auditori për të vazhduar si një aktore përpara platesë e sidomos kafazit persian Kreshik. Ky u befasua kur aspirantja për doktoraturë përmendi Omar Kahjamin  dhe Rubairat e tij. Apo edhe Saadi-un me Gjylestani dhe Bostani.  Dhe të mos harrojmë se e gjithë ligjërata u mbajt në një persishte të pastër e me një diksion tejet të ëmbël e kumbues njëkohësisht. 

Në mbarim Kafazi  i kërkoi leje vajzës për dhjetë minuta se i doli një problem me kamjonin dhe e la atë në shoqërinë e fansave. Mbi tryezë, dikush nga personeli shërbyes, solli tufën e librave të doktoraturës së saj. Qe një libër me gati tetëdhjetë faqe. Por si botim, tejet luksoz ku në qëndër ndriçonte portreti i Teutës dhe poshtë emri me shkronja ari. Kur themi kështu, duhet të kuptojmë se vërtet një fije e tillë shkëlqente atë emër që ndriçimin e kishte diellor. Dhe e gjitha kjo, poshtë një sfondi ku aq me madhështi, një shqiponje në nisje për fluturim, kishte shpalosur krahët mbi majën e një mali. Teuta nuk po u besonte syve. Kush duhet t’a kishte bërë këtë? Kafazi?!?  Nuk mund t’a besonte. Ai qe thjesht një shofer kamjoni dhe ende s’kishte shlyer kredinë. Patjetër organizatorët. Mbase ai i moshuari arab me emrin Muhamed. Ai babaxhani falë të cilit u njojt me dashurinë e saj të vetme. Të Atij që quhej Kreshink dhe që ishte një kafaz i vërtetë për ‘të.  

Por, s’kishte koha për arsyetime të tilla. Fansat kërkonin me autograf, librin që përfshinte të gjithë doktoraturën e saj. Dhe vepra ja tek qe. Më mirë të luante shpërfillësen,   sikur nuk befasohej dhe t’i jepte portretit një pamje të zakonshme. Ndaj Teuta, pa ngrijtur kryet, dëgjonte emërin e fansit dhe si e shkruante atë, firmoste me nxitim.

I fundit që mori nga tryeza këtë mbrojtje diplome të një lloji sipëror, ishte fisniku tejet dinjitoz e krenar në lëvizjet e tij, aroma dehëse e të cilit, erdhi si një fllad në Kopshtet e varur të Semiramindës. Ai hapi kapakun e librit dhe me një zë që s’ishte i tij ngaqë s’e linte shpërthimi i gazit, tha:

- Zonjushe nga Shqipëria më jepni dhe mua një autograf, ju lutem! 

Teuta nga që e kishte ndarë mëndjen se do të loste shpërfillsen, u mat t’a pyeste pa ngritur kryet: - Em. . .., por nuk mbërrijti t’a thotë të plotë dyfjalëshin : emrin zotni? Se tjetri nga hutimi i natyrshëm ia kishte vendosur nga e kundërta librin. Faqja ku ajo duhet të firmoste ishte fleta e fundit. Aty Teuta lexoi e befasuar dhe me dridhje të zemrës:

( KAFAZ ) - KRESHNIK AL ABHISEN ( Sponsorizues )

Tjetri, me po atë shtrëngesë që e detyronte ndrydhja e natyrshme

për momentin, u përpoq të thotë:  - Jam . . . Kafaz Kreshniku.

Por tashmë s’ishte e domosdoshme.

Teuta e kishte marrë vesh se kush ishte në të vërtetë “shoferi me kamjon”, KAFAZI KRESHNIK.

Atë ajo sapo e lexoi. Prandaj u drodh e tëra. Stilografi i ra mbi libër. U ngrijt më këmbë dhe s’po e njihte zotrinë që ishte model i një sheiku të vërtetë. Ai këmbim vështrimesh vetëm për disa sekonda, qe si një shkëmbim energjie. Këtë befasim edhe Kafaz - Kreshniku  (le të ngatërrohemi edhe ne në një të tillë rast) e kishte parashikuar. Sepse, dikur ajo do të ndodhte. Atij i duhej patjetër t’i spjegonte se nuk ishte shofer kamjoni. Aspak. Dhe se ishte një sheik i njëmendtë.

- Zonjushe nga Shqipëria,  lejomëni të shkojmë në sallën e shplodhjes për një kafe, siç edhe ju ka hije si partneria e një njeriu. . ., të sërës sime. Më pas edhe të drekojmë, pak më tutje me . . .shoqërinë time.

Një kamarjer që shtynte karrocën e shërbimit,  solli një buqetë të madhe me trëndafila. Të tillë Ajo, mund të kishte parë vetëm në Albumet me piktura të Van-gongut. Kafaz - Kreshniku i kujtoi Teutës me luajtjen e kokës që të merrte stilografin dhe të firmoste librin. Diplomatja Teutë, u bind. Ajo shkruajti jo pa qëllim në gjuhën shqip. Persiani, Kafazi Kreshnik zgjati kokën dhe. . . E lexoi apo jo, do t’a shohim më vonë. Për kureshtarë,   po e japim çfarë shkruhej në atë autograf: 

                               Kafaz - Kreshnikut!

Gënjeshtarit që rrëmbeu zemrën time 

                 me trillin “Shofer Kamjoni”

                                      Me dashuri

                         Autorja Shqiptare!  

                                         Teuta!                                  

Pas kësaj, ajo ia dha librin Kafazit - Kreshnik. Ky ia kaloi kamarjerit me ngut të kapi buqetën me lule për t’ia dhënë Teutës. Asaj, kur e mori, sytë iu mbushën me lot. Edhe Kafaz - Kreshnikut iu njomën sytë. Atë çast kishin mbërrijtur të gjithë familjarët e tij. 

Me këta njerëz të pranishëm, pas disa ditësh,  Teuta do të bënte çelebrimin përpara Trupit Gjykues. Po. Trupit Gjykues. Kështu procedohet çelebrimi atje. Kryetari i tij përshkoi të gjithë kamjen e Kreshnikut e cila përfshinte një numur të madh pasurish të patundëshme. Si dhe depozita bankare. Dhe e pyeti vajzën: 

- Çfarë kërkon t'i nga këto? 

Teuta u përgjigj e qetë: 

- Asgjë, zoti kryetar! 

U dëgjua një u-a!!!  e gjatë në sallë nga të gjithë të pranishmit.

Kryetari, pa diku në letrat e tij një copë shënim dhe e ripyeti në gjuhën shqip:

- Çfa - rë kërko, kër, ko-në tiii nga kët - tő ?

- Asgjë, zoti kryetar! - tha Teuta buzagaz në persisht.

Kryetari mbas një pauza tejet befasuese, si jurist mendoi se vajza me patjetër duhet të vinte një kusht. Se ai mendonte që asaj, a i mjaftonte vetëm dashuria?  Por kjo ishte e pamjaftueshme. Prandaj, me shumë takt, e pyeti:

- Ju zonjushë e nderuar, mbase keni ndonjë kusht për bashkëshortin tuaj. Cili është ai? 

Teuta u përgjigj me një kondrapyetje: 

- Çfarë të drejtash ka bashkëshort im? 

- Të martohet me katër gra! 

- Kërkoj t’i hiqet kjo e drejtë! 

U dëgjua një u-a e një tingëllimi të tjetërsojtë! Madje pati edhe ilaritet. 

Kryetari iu drejtua Kreshnikut!  

- Zoti Kreshnik! E pranoni kushtin?

Dhe për habinë e të  pranishmëve, persiani KRESHNIK  AL ABHISEN, u përgjigj: 

- E pranoj, zoti Kryetar! 

Sërish u dëgjua një u-a - a - a,  tejet e zgjatur nga të pranishmit! 

Për çiftet që çelebronte ky Kryetar, konsiderohej nder i madh. Pasi ai qe Prof.Dr.në Jurisprudencë dhe shërbimi për ‘të ishte honorifik. Ai, ndonëse po shkelte në të nëntëdhjetat, kujtoi diçka me shumë vlerë  dhe iu afrua pranë dhëndrit për t’i thënë: 

- Kur isha I ri, bëja praktikë juridike dhe asistova martesën e të ndjerit e të nderuarit gjyshit Tuaj. Ai pranoi kërkesën e gjyshes Suaj, gjithashtu të ndjerë, që vinte nga  BRETËRIA SHQIPTARE. Ajo nuk kërkoi asgjë nga pasuria e tij. Vetëm heqjen e të drejtës për të marrë tjetër grua.

Dhe Ju, shumë i nderuari Kreshnik, po bëni të njëjtën gjë. Në qoftë kjo plotësimi i një amaneti, Ju lumtë! 

Teuta e pranishme u lumturua, por vetëm buzëqeshi. Kreshniku tundi kryet për të respektuar konfidencialitetin e të nderuarit Kryetar. Sepse, ai e dinte sa e kishte pritur ardhjen e një vajze shqiptare. Këtë e treguam disi të maskuar në krye të njohjes së tyre e cila s’qe aspak rastësore e as e beftë. Mbase një lloj kurthi i këndshëm  vetëm për Teutën.

Edhe diçka tjetër. Kur mbetën vetëm, Kafazi Kreshnik hapi librin dhe e lexoi autografin e Teutës në shqip. Kuptohet, shqiptimi i ngjante asaj që kemi dëgjuar nga Arbëreshët. Teuta e lumturuar i tha anglisht:

-Tinned to the end. (Tinzar deri në fund)

Dhe Kafazi Kreshnik iu përgjigj në shqip: 

- Fale-minderit shumë per kom kom-pliment in! 

* * * * * * 

Këtu mbyllet kjo histori. Tema që shtruam në hyrje:

Dashuria dhe sakrifica për ‘të,  kërkon përgjigje. Gjithashtu e gjithë fabula e këtij rrëfimi, miqt e mi të njëjtën kërkon. Mendimet e lexuesve do të qenë shumë të vlefshme. Edhe për t’i dhënë buqetën me lule të freskëta autorit, në qoftë se e meriton.

Lexim të këndshëm! 

-------------------

Paramnezi *) = Përzierje e realitetit me trillin artistik 

 

SOTIR ATHANASI, 

Nxjerrë nga përmbledhja me titull: 

“Romancë parisjene”

Dërguar nga Athina, për:

“Fjala e lirë”, më:

3,Dhjetor, 2018!

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1