Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | GURI I VASHËS

GURI I VASHËS

Font size: Decrease font Enlarge font
image ARIAN KADIU

ARIAN  KADIU

GURI I VASHËS

1.

Kryekomandanti po kthehej nga Pe­traalba. Era loste me pelerinën e tij ngjyrë qielli, që i fërfëllonte pas shpatullave. Nga goja e atit bryms varej shkuma e bardhë, kurse kokrra djerse i rrokulliseshin nga qafa. Kishin dhjetë ditë që udhëtonin. Kishin vrapuar natën dhe ditën. Nga kalaja e Kru­jës në AIbulenë, nga Arbulena në Modriç, në Stellush, në Petraalbë (Guri i Bardhë, ky toponim romak e nervozonte atë), e prej andej qenë nisur për në kalanë e SlIuçit, mbi qytetin e Varoshit, në  Qafëmurrë. Kryekomandanti po kontrollonte kështjeIIat. Skënderbeu po për­gatitej kundër këtij rrebeshi. Zbuluesit e nisur nga Edreneja, ndërronin kuajt rrugës dhe, kur arrinin, binin si të vdekur  te portat e kështjellave Mezi pëshpëritnin: - Po vijnë... 

Pas vrapimeve të shpejta me atllarë, kuvendeve të vogla, 

ndalesës në qendrat e banuara, ku duhet të shuante edhe zënkat midis princave, teksa kontrollonte ushtrinë, vetmia dhe heshtja e maleve po i qetësonte kalorësit dhe vetë atë.

Tutje shquheshin pishat  e larta dhe bredhat me kurorë.

Befas kryekomandanti qëndroi. Pas tij qëndruan të gjithë. Komandanti i gardës pretoriane iu afrua me të shpejtë. Balli i Skënderbegut ishte vrenjtur, sikur në shpir­tin e tij të jehonin gjëmimet e betejave dhe furtunat e pyjeve.

Komandanti i gardës lëvizi kokën, gjersa shikimi i tij u ngul atje, ku tregonte dora e Skënderbegut.

- Në Varosh, më duket se ka ushtri armike. Mblidhuni! - thirri ai.

Kalorësit e qarkuan.

- Të mos na ikë SIIuçi nga duart, - tha.

- Të nisemi tre nga tre, nga të gjitha anët.

- Për Arbërinë! - u  betuan burrat.

Skënderbegu tërhoqi me forcë frerin e atit, e shpoi me yzengji në bark dhe u nis me rrëmbim. Nga patkonjtë e kuajve përhapeshin shkëndija. Ata djem me trup të lidhur e të gjatë të gardës, vinin nga betejat.

Të nesërmen, kur u takuan në majën e Balgjajt, fytyrat e luftëtarëve ishin çelur. Në Varosh nuk kishte këmbë armiku.

- Slluçi është yni! - tha ngadalë Skënderbegu. Sytë e tij vështruan një për një ushtarët e pluhurosur të gardës pretoriane. Vuri buzën në gaz. Gazi i tij shpërndante një dashuri të thellë vëllazërore.

Tutje, para, shtrihej Varoshi. Përbri qyte­tit, në verilindje, mbi shkëmbinjtë e pjerrët e të zhveshur, kalaja e Slluçit ngrihej drejt qiellit si një grusht vigan.

 

 

2.

 

Pranvera ishte në shpërthimin e saj të furishëm. Majëmaleve bora po shkrihej dhe kallëpet e bardhë rrokulliseshin rrëpirave. Kishte çelur gjethi i ri dhe pylli ngjante si i lyer me mjaltë.

Lulashi po vinte midis hijeve në shtegun e pishnajës. Vajza kishte vënë enën e drunj­të në ujëvarë dhe ishte ulur nën gjelbërim. Ajo e pa, u ngrit në këmbë dhe u kthye drejt tij.

- Lulash! - nuk ishte fjalë, por psherëtimë, trazim ndjenjash. Ishte një thirrje e gëzueshme, por edhe e përmbajtur.

Ai po afrohej nga ujëvara e shkumëzuar dhe e ndali vështrimin mbi të, duke e shikuar kushedi për të satën herë, nga koka te këmbët. Ajo i kishte flokët e butë si mëndafsh i hollë, me reflekse transparente.  Balli i saj i pastër sikur qe larë me qumësht delesh, ndërsa shtati i hajthëm dhe i drejtë.

LuIashi nuk fliste. Një ngulç i egër ia trazoi herë pas here gjoksin. Buzët e ashpra diçka donin të thonin, por heshti.

- Zai... - përveç këtyre tingujve nuk u dëgjua më asgjë. Duke e soditur vajzën, sytë e djalit u zbutën, tiparet e fytyrës iu mbushën dhe diçka e gëzuar iu drodh në shpirt. Qerpikët e saj ishin të gjatë si hala pishash, sytë i kishte të kthjellët. Lëkura e butë si Iëmyshk, hunda pak me kurriz në harmoni me tiparet e tjera, buzët si petale zambaku, fytyra disi e gjatë, e gdhendur, me mollëzat pak të kërcyera, stolisur me kuqëlimin e butë të agimit.

- Ishe atje? - pyeti Zaimira.

- Nuk arrita te streha - tha Lulashi.

Te livadhi i Limoçës ishte një shkëmb i murrmë, me një strehë që dilte jashtë. Skënderbegu merrte në ushtri djemtë që arrinin me kokë strehën e gurit.

Sytë e vajzës u errën, e humbën shkël­qimin dhe djali uli kokën si të qe fajtor.

- Fola me një kapedan.

- Dhe..

- Kjo luftë s'është e para dhe as e fundit - më tha. - Armiqtë prapë do të na sulen dhe Arbërisë prapë do t'i duhen luftëtarë.

Djali shtrëngoi nofullat sikur po hante veten nga inati dhe heshti i mërzitur. 

- Po armët? - e pyeti vajza me zë të ëmbël.

- Sot - tha djali me tiparet e prishura sikur të qe futur në një mugëtirë kaltëroshe.

Ai e vështroi me mall vajzën nga koka te këmbët dhe mori të ikë.

- Lulash!

Ai ndaloi çapin.

- Kur të falet yII i agimit, të pres te livadhi Limoçës.

- Zaimira!

Vajza nuk iu përgjigj. Lulashi u kthye të shkonte

- Për ku? - e pyeti ajo.

- Në pyll - dhe u nis. Ajo e ndoqi me sy. E dinte se në pyll djemtë vraponin, kapeshin për degësh, kacavirreshin e shtonin forcat e trupit për t’u bërë gati për luftë.

Ai po largohej bashkë me dhimbjen dhe dashurinë e tij. Kjo kishte ndodhur një vit më parë, kur kryekomandanti kishte urdhëruar të boshatisej qyteti. Kishin ikur gjithë burrat në mal me Skënderbegun. Rrebeshi armik po vërshonte.

Skënderbegu  dhe ushtria kishin dalë në pyjet përreth, kurse djemtë e rinj si Lulashi vrojtonin. Në luftë shpatat kishin thyer eshtrat dhe eshtrat kishin thyer shpatat. Kur i thanë djalit se i qe vrarë i ati, ai ende ishte te kalaja për vrojtim.

Pas dy muajsh ata ishin kthyer në qytet. Lulashi ish bërë i heshtur dhe i vrenjtur. Në shpirt sikur i rridhnin rrëke të shurdhëta. Me kohë e pak nga pak në shpirtin e tij të zhuritur lëshoi lastarët delikat dashuria.

Ai zbuloi në vetvete përsëri ndjenjën e gëzimit dhe ky intimitet ishte si një vatër drite që e mbushte me  ngrohtësi.

Lulashi ishte nisur drejt liqenit në thellësi të pyjeve. Skënderbegu kishte urdhëruar të mos priteshin pyjet në afërsi të qytetit. Në pyjet e dendura fshiheshin luftëtarët që stërviteshin ose prisnin të dëgjonin vikamën e bririt të sulmit.

 

 

3.

 

Varoshi e kishte filluar festën. Ndonëse ajo nuk qe fetare, ishte bërë tradicionale. Kur Skënderbegu merrte ushtarë, populli bënte festë. Festa u shtonte besimin nje­rëzve, se ata do t'i mposhtnin armiqtë.

Ajo ndihej në zhurmën e mbytur që vinte ngado dhe në rrëmujën që vihej re nga njeri cep i qytetit në tjetrin. Të gjithë përgatiteshin.

Grupe-grupe luftëtarët pastronin shpatat dhe zbukuronin dorezat. Gratë u sillnin kupa me musht dhe Iëngu jetëdhënës i rrushit u ripërtërinte energjitë. Luftëtarët e sprovuar të gardës pretoriane stërvitnin ushtarët e rinj për krijimin e formacioneve të zhdërvjellëta të luftimit.

Lulashi kalonte menduar midis rrëmujës dhe i shikonte me zili ushtarët e rinj, që qenë radhitur nën flamurin e Arbërit e do të luftonin pranë kryekomandantit. Ishte nisur vetëm për te farkat e kovaçëve dhe ndjeu se nga Gropa ku punonin ata, vinte një fry­mëmarrje e thellë dhe e ethshme. Kacnija­sit, që qenë kovaçë të Skënderbegut, kishin përveshur llërët dhe, duke Iëvizur gjyrykët, flakëronin eshkën. Burrat thatimë e të zesh­kët dhe me muskuj si bronz shkonin e vinin nëpër farka.

- Dua një shpatë - i tha ai burrit të parë që ndaloi pranë tij.

- Eja! - i tha kacnijasi dhe e shoqëroi gjer në një kthinë. Aty, shpatat qenë hedhur mbi njëra-tjetrën, kurse heshtat qenë ngulur në truall.

- Zgjidh e merr - foIi burri dhe doli jashtë.

Metalet e skuqura e të rrahura me çekiç tani shkëlqenin. Lulashi ndjeu një ngazëllim të ri në zemër dhe bëri një hap para e zgjati dorën. Mori një shpatë. E pa. Mori një tjetër. Edhe një tjetër. Dhe zgjodhi atë që i pëlqeu më tepër: shpata ishte e shkurtër, e përkulur si sqep shqiponje e me dorezë prej fildishi.

Ngjeshi shpatën, u bashkua me trimat që stërviteshin dhe e kaloi me ta tërë ditën.

Ngadalë ra nata. Qyteti, si në ditë feste, u mbush me pishtarë. Ai ngjante si një konstelacion me yje të ulura poshtë, fare poshtë. Lulashi shikonte shkëlqimin e zja­rreve të ndezura tutje, që dukej si ujë i kulluar që del nga burimi.

Ishte mbështjellur me pelerinë e mendonte: "Arbëria! Trojet tona! Çdo pëllëmbë e Arbërisë nxjerr burra, nxjerr luftëtarë! Sikur të qe e mundur të kishte sa shumë luftëtarë. Sikur ata të mbinin nga toka. Hej, sikur të ishte e mundur që në vend të grurit të mbilleshin luftëtarë, ne, luftëtarë do të kishim mbjellur. Atëherë njerëzit do të hanin frutat e trëndafilave të egër, kaçet. Ata do të pinin vesën e mëngjesit dhe do të njomnin gojën me stërkalat ë ujëvarës. Gjithë ujin që kishte liqeni, puset, vijat e borës, pellgjet që formoheshin në dimër, do t'i ruanin për të vaditur tokat e mbjella me luftëtarë. Ah, sikur të mbilleshin luftëtarë! Jo për të zaptuar të tjerët, jo, por që hasmi të mos guxonte të vinte më këmbën në Arbëri. Prijësit e tyre do të pëlcisnin nga marazi e do t’u binte pika poshtë mureve të kalave... Për Arbëri, ata s'do të na mundnin dot!". Lulashin e mundonte brenga e tij dhe ofshani me mllef. "Si nuk u zgjata edhe ca. A s’është e mundur që dy vjet të shkojnë në një dhe unë të isha më i gjatë... Për Arbëri!” 

Mjegullat mbi liqen po gjelbëronin. Ai u ngrit, mori pishtarin në dorë dhe u nis për te Livadhi i Limoçës. Duke ecur, veshi i kapi tingujt e një melodie. Boshllëkun përreth po e mbushte lahuta dhe zëri  i Këngëtarit të Verbër. Kur arriti në vend, ai e dëgjoi këngën të plotë. Në atë instrument të vjetër kënga rridhte ngadalë, epike. Ajo tregonte e kujtonte luftërat plot sakrifica, pastaj kur tingujt dukej se shuheshin, lahuta dridhej në duart e lahutarit të verbër dhe telat binin fort e ngrinin lart një klithmë, një besatim, një vendim që s'kishte forcë që mund t'i bëhej pritë.

Sytë e atyre që këndojnë janë gjysmë të mbyllur. Këngëtari i Verbër i kishte të mbyllura përgjithmonë. Ai ishte plagosur në një betejë dhe kishte humbur ndjenjat. Kur ishte përmendur e kishte parë veten në fu­shë midis trupave të pa jetë. Ishte ngritur, e kishte lidhur vetë plagën dhe pati nisur të këndonte. Ai kish parë pranë vetes kalin dhe e kishte përkëdhelur. Edhe kali e kish njohur dhe pati hingëllirë. Një patrullë ushtarake e kishte dëgjuar edhe këngën e tij, edhe hingëllimën e kalit dhe i kishte zënë. Në kampin e tyre ia kishin nxjerrë sytë me han­xhar të skuqur. Ia kishin vrarë edhe kalin. Burri kishte prerë qimet e jeleve të kalit dhe më vonë me to kishte tendosur harkun e lahu­tës. Që atëherë ai i binte asaj pa pushim. U jepte zemër dhe ngrinte moralin e luftë­tarëve, se kënga e tij ishte madhështore.

Lulashi u mbështet në trungun e fortë të një pishe dhe dëgjonte.

Lahuta binte. Pishtari, ngulur në tokën e butë, hidhte në fytyrën e plakut lloj-lloj ngjy­rash. Mbi lahutë, tek bishti i drunjtë, ishte gdhendur një kokë dhie si ajo e përkrenares së Skënderbegut. Në dorën e djathtë kishte harkun e lahutës, me gishtat e trashë të dorës tjetër shtypte telat, ndërsa kokën e tij të madhe me krelat e flokëve të gjata e kishte afruar te koka e gdhendur. Jeleku i zbërthyer në gjoks, qëndisur me gajtan kuq e zi, i varej prapa si një shpend i stërmadh.

Lulashi e priste agimin pranë këngës. Agimi pa lyente me argjend gjethet e har­dhive, të kërcejve si gjarpërinj uji mbështje­Ilur në plepa, gurët e bardhë, barin e rritur, kuajt që tundnin zilkat dhe luftëtarët që flinin me shpatat poshtë kokave të tyre. Djalin e kishte mbërthyer të tërin kënga dhe, për çudi, edhe brenda tij, midis trazimeve që i gëlonin ndjeu një këngë ripërtëritëse.

Një njeri me pishtar erdhi drejt melodisë dhe ndaloi dy hapa larg djalit. Lulashi e diktoi, ngriti kokën dhe kur e njohu, brofi menjëherë në këmbë. Zaimira shtrëngonte në dorë dy vegla të gjata hekuri. Ajo i zgjati njërën vegël dhe i tha:

- Nxirr ca shkrepa nga toka dhe afroi te Guri i Burrave!

Lulashit i regëtiu zemra dhe buza i qeshi. Deshi t'ia shprehte këtë vajzës, t'i thoshte një fjalë të mirë, ta vështronte në sy, mirëpo Zaimira u largua. Ajo po kalonte nën harqet me dredhëla, rrumbullak si kube, drejt qendrës së Limoçës plot me luledele.

Lulashi copëtoi një kreshtë. I mbështolli krepat me krahë dhe i afroi pranë Gurit të Burrave. Zaimira soIli disa grushta me argjil të njomur dhe një plis të trashë këputur nga Iivadhi. Vajza i vuri gurët poshtë te këmbët,  nën strehën që dilte jashtë dhe  vuri sipër plisin e rëndë.

Provoje strehën, – tha ajo.

Lulashi u drejtua për te shkëmbi i murrmë me një ndjenjë ngazëIIimi. Zemra i rrahu fort. “A do ta arrij?" Ai hipi. Koka preku strehën e shkëmbit.

- Hej! - thirri - E preka.

Sytë e tij u ndezën. Vajza kishte hapur gojën dhe buzët si petla i dukeshin shumë të njoma, sikur prej tyre të buronte freskia. Ai zgjati krahët drejt saj dhe vajza iu hodh në qafë. Djali ishte i lumtur. Po ashtu edhe vajza. Ata ishin të lumtur.

Lulashi e Zaimira notonin në një det që herë dallgëzonte e herë shushurinte. Zemra u buçiste në kraharor. Qielli po kthjellohej dhe mali po ndriste nga dielli në Iindje. Ujëvarat i spërkatnin me një pluhur të lagët dhe të artë. Bar i njomë e i butë i dehte me aromën e lule kupëzave.

 

 

4.

Populli kishte vërshuar në rrugë. Tingë­Ilima e xhingrave dhe tum-tumet e kudume­ve( kudume – një lloj darabuku) dridheshin në ajrin e elektrizuar nga thirrjet, që përhapeshin në largësi e shu­mëfishoheshin në lugina. Turma dyndej, përplasej, zgjaste kokën, duart, thërriste, qeshte, fshinte lotët.

 

Mbi qafën e Dardhës qëndronte Skën­derbegu i rrethuar nga garda pretoriane. Kryekomandanti hipur mbi atin bryms kishte një pamje hijerëndë. Ai buzëqeshte dhe fërkonte ngadalë me dorë mjekrën e gjatë. Para tij kalonte ushtria.

Kryekomandanti buzëqeshi. Ai pa duart e njerëzve që përshëndesnin dhe fëmijët e vegjël mbi krahët e nënave iu dukën si mirazhi i ushtrive të ardhshme. Po nuk ishte iluzion. Kjo ishte e vërtetë. "Për Arbëri- mendoi ai - ne nuk do të shuhemi!" - dhe buzëqeshi përsëri.

Ushtria kalonte me zhurmë.

Lulashi ecte midis shokëve, shikonte kryekomandantin dhe me zemër kërkonte Zaimirën. Kur befas e pa vajzën. Ai rendi drejt saj. Ajo rendi drejt tij.

- Lulash!

- Zaimira!

Dhe asgjë më tepër. Vajza nxori nga gjiri një shami dhe ia dha.

- Te Livadhi i Limoçës - tha ajo dhe vrapoi për atje.

Ai i mori erë shamisë. Pastaj e hapi. Në cohën e bardhë ishin qëndisur, në të dy anët, një shpatë dhe një zemër. Në mes ajo kishte portretin e një fëmije.

- Zaimira! – pëshpëriti ai dhe e kuptoi gjuhën e qëndismave në shaminë e dhu­ruar. Tutje, vajza ngjante me një statujë të bardhë dhe me mend e quajti Guri i Vashës.

Kur e tha edhe me zë shokët e dëgjuan dhe pyetën: Ku është ky vend? Ai ua tregoi me dorë Zaimirën.

Xhingrat e kudumeve u dëgjuan më fort. Ishte sinjali i qetësisë. Përqark ra heshtja. Skënderbegu u ngrit mbi yzengji, nxori shpatën nga milli dhe thirri:

- Për Arbëri!

Shpata e tij priste horizontet.

 

 

5.

 

Pas luftërash të përgjakshme, të huajt ikën drejt rrugës së kthimit. Edhe luftëtarët shqip­tarë po ktheheshin në shtëpi. Në krye të karvanit ishin trupat e të vrarëve dhe të plagosurit rëndë.

Në qytetin e Varoshit,në bedenat e kalasë së Slluçit dolën vajzat dhe nuset e reja, që pritnin të dashurit e zemrës. Nënat e të rinjve, fëmijët e të moshuarit kishin dalë më përpara, atje te Fusha e Bunarit, në hyrje të qytetit. U dëgjua topi,që lurasit i pa­tën ndërtuar Skënderbegut me dru dardhe.

Lulashi, së bashku me disa trima të rinj, dredhuan në anën perëndimore, andej ku ishte vendosur dybeku i kafesë për kalanë.  Ata u ngjitën në bedena, ku prisnin vajzat dhe nuset e reja. Kur panë trimat e  tyre, nisën  të  këndojnë këngën tradicionale të besnikërisë. "Ne dëgjonim erën e malit dhe e kuptonim shushurimën e fjalëve të gjetheve. A kishte lajmëtar më të mirë për të na treguar për Iuftën e trimave dhe nëse ata jetonin, se sa era që vinte nga mali i lartë? Zogjtë krahëlehtë na pëshpëritnin gjithmonë se ata luftonin si dragonj dhe jetonin si shqiponja. Ne, vashat, i pre­sim ata, i presim me net e ditë. Për nëntë vjet, nëntë muaj e nëntë ditë do t'i prisnim te pragu i portës dhe nuk do të martoheshim. Ne, vashat do të pyesnim yjet, shqiponjat dhe valët e detit se ku gjendeshin trimat tanë. Dhe vetëm kur këta do të heshtnin dhe nuk do të përgjigjeshin,ne do të martoheshim me dheun e zi. Por trimat u kthyen dhe gëzimi rrjedh nga buzët tona. Në sytë e tyre ndrit fitorja, në duart e tyre shkëlqen shpata".

Pasi mbaroi kënga vajzat u takuan me djemtë dhe nuset me burrat e tyre. Lulashi dhe Zaimira qëndronin përballë, shiheshin sy në sy, digjeshin nga mall e dëshira dhe heshtnin. Djali nxori nga xhepi shaminë dhe e hapi. Shpata dhe zemra qëndronin pranë e pranë dhe mbronin portretin e vogëlushit. 

U dëgjua përsëri topi dhe gjithë populli shkoi të hidhte një grusht dhe në varret e trimave. Mjekët popullorë merreshin me të plagosurit. Varoshi atë natë nuk flinte. Si një luan i stërmadh ai lëpinte plagët dhe përpiqej t'i shëronte.

Shpejt u bënë edhe dasmat. Në dasmën e Lulashit  e  Zaimirës morën  pjesë kapedanë dhe luftëtarë.

 

*

*      *

 

Ditët pas martesës ishin shumë të bukura. Dhe muajt kalonin me shpejtësinë e veriut. Por zbuluesit që vinin nga Lindja sillnin lajme të reja për afrimin e armiqve. Në mjegullën e pluhurit nuk dalloheshin sa mijëra rrugëtonin, por dihej se karvani s'kishte të mbaruar, sikur tërë Perandoria po sulej kundër Arbërisë.

Skënderbegu mblodhi përsëri luftëtarët dhe, kësaj here, i ndau forcat pjesë-pjesë.

Çetat filluan ta godasin armikun në befa­si. Pashai, që e kishte ngrehur çadrën në kalanë e Grazhdanit, ishte nervozuar shumë dhe komandantët nuk guxonin t'i tregonin më për humbjet e ushtarëve. “Ku janë të mallkuarit - turfullonte ai. -Vijnë, na godasin dhe zhduken si një ëndërr".

Pashai u mbyll në çadrën e tij ngjyrë rozë dhe tri ditë e tri net nuk doli fare. U për­gatit hyxhymi i madh kundër vendasve. Të huajt u ngjitën nëpër kodra. Por këmbë burri nuk dukej gjëkundi. Tri ditë e tri net turqit nuk lanë gur pa përmbysur dhe qoshe pa kontrolluar. Frymë njeriu nuk dukej. Të tërbuar, ata dogjën disa shtëpi, vranë Këngëtarin e Verbër dhe disa qen stani. Ditën e katërt ata u kthyen në kala dhe i njoftuan pashait se mbi shqiptarët kishte rënë murtaja e perëndisë dhe ata qenë zhdukur. Pashai vështroi malet. "Të jetë e vërtetë?! Kaçakët, dinsëzëtI" - shfreu me urrejtje. Sa qetësi kishte tani në male! Ai urdhëroi të festohej fitorja dhe kazanët e mëdhenj u vunë në mes të sheshit.

Lajmi i fitores së tyre përshkoi tërë ushtrinë që ishte shpërndarë fushave, bri­gjeve të lumenjve dhe gjer në kalanë e Slluçit. "Erdhi koha të më njohin se kush jam unë" - mërmëriti me egërsi pashai, duke mbushur me kabuni lugën e florinjtë, dhuratë e padishahut.

Pas disa ditësh kasnecët përhapën në të gjithë Lurën urdhrin: "Pashai kërkon 300 nuse nga Lura në kalanë e Grazhdanit". Gratë dhe nuset e reja shtangën nga habia. Ato drejtuan sytë nga malet dhe fjala arriti shpejt në veshin e Skënderbegut, që po përgatitej së bashku me trimat e tjerë.

 

                  *   *    *

 

Trimat u mblodhën në kuvend përpara kryekomandantit. Ata ishin të zymtë e të menduar. "Ai kërkonte 300 nuse në çadrën e tij?!” Biseduan mes tyre dhe shpejt ranë dakord. Natën, duke u kacavjerrë si ketërit, shumë luftëtarë zbritën në fshatra, u hapën sëndyqet e nuseve dhe vajzave të fejuara e u përgatitën edhe treqind duvakë.

Nuk kaloi më shumë se një javë, kur u përhap lajmi tjetër: 300 nuset ishin nisur nga Lura për në kalanë e Grazhdanit.

Nuset rrugëtuan gjatë. Në krye u printe jevgu i lodrës, që i binte të njëjtit ritëm: tam­tam! dhe, në interval, vetëm shurdhëri.

Kur karvani i gjatë i kuajve u duk atje tej, në kampin tjetër ranë trompetat dhe borijet. Pashai u ngrit rëndë-rëndë në këmbë duke fërkuar duart e ngallura. Hija e trishtimit sikur po i davaritejashtu si mjegullën që e përpin lugina e lumit. Ndjeu një lehtësim në shpirt, ndonëse nuk i hiqej një merak. E me­gjithatë, shendi i ushtrisë e kapi edhe atë. "I nënshtrova! Arbëria e Skënderbegu u gju­njëzuan përpara meje!". Në mesditë vargani kaloi portën kryesore të kalasë. Një oficer deshi t'i zbulonte vajzat, por jevgu i lodrës i tha se vajzat shqiptare nuk zbulohen para një ushtrie të tërë. Do t'i dorëzonin me nder, pastaj le të bënin ç’të donln me to.

Atëherë i numëruan, i morën në dorëzim dhe një togë asqerësh i shoqëroi për te pashai. Jeniçerët faleshin për këtë mrekulli të zotit. Nuset hipur mbi kuaj, kishin ulur kokën nën duvakun e kuq e të rëndë.

Rreth e rrotull mbretëronte një heshtje e thellë, e pazakontë. Ç’do të bënte tani pashai? Ai i bëri shenjë jeniçerit më të çartur të zbulonte nusen e parë. Të tjerët shqyen sytë dhe ia patën zili fatin. Kur jeniçeri zgjati dorën për t'i ngritur duvakun nuses, befas u dëgjua një fishkëllimë. Pas fishkëllimës të treqind nuset flakën duvakun. Jeniçeri ra me  shpatën e ngulur midis brinjëve. Turqit u tronditën e u tmerruan. Nën duvak qenë fshehur treqind luftëtarë, që shtrëngonin frenat e kuajve. Me shpejtësinë e vetëtimës, ata 

nxorën shpatat dhe me klithma e thirrje u sulën kundër të huajve. Edhe në këtë betejë gjaku vajti deri në gju të kalit. Beteja zgjati dy orë dhe brenda kësaj kohe u vranë shumë njerëz. Pashai mezi shpëtoi e ia mbathi për te Sulltani.

Lajmi i fitores së Grazhdanit u përhap me shpejtësi dhe ushtria armike u ngrit e u nis pas pashait të saj.

Njëzet luftëtarë nga garda ranë për liri, kurse Lulashi e të tjerë të plagosur rëndë, mezi mbaheshin.

Bashkëluftëtarët u lidhën sa mundën plagët dhe i nisën për në Varosh. Kur iu afruan qytetit të heshtur e në zi, Lulashi nda­loi kalin, ngriti me mundim sytë dhe pa nga bedenat e kalasë. Vështrimi i tij i mjegulluar nga humbja e gjakut, me vështirësi i dalloi vajzat dhe nuset e reja që prisnin trimat e tyre atje lart. Zaimira nuk ndodhej midis tyre. Atëherë, me forcat e fundit rrotulloi qafën dhe vështroi nga Guri i Vashës. Edhe te Livadhi i Limoçës prisnin një grup grash. Sipas traditës, te ky vend, luftëtarëve u dilnin përpara gratë shtatzëna. Ata puthnin shpatat e luftëtarëve që fëmijët e tyre të bëheshin trima si baballarët. Lulashi nguli sytë te Guri i Vashës dhe u përpoq të dallonte Zaimirën. Ku ishte? Ku ishte?... Dhe e dalloi. Ajo... midis nuseve të tjera. Zaimira ishte... Lulashi ndjeu një sëmbim në zemër dhe gjaku i pakët, që i kish mbetur në trup, sikur gurgulloi nëpër damarë me forcë. Ai nuk ia ndau sytë Zaimirës dhe s'i durohej gjersa kali të afrohej pranë saj. “E unë mendoja, a mund të mbilleshin luftëtarë? Ne do të pinim vesën e mëngjesit dhe të gjitha ujërat, ujërat e liqenit, të puseve, të vijave të borës e të pellgjeve, do t'i ruanin për të vaditur tokat me luftëtarë.  Hej, Lulash - i tha vetes. Po luftëtarë ne do t'na lindin gratë tona. Gjersa të ketë djem për t'u martuar, gjersa do të ketë vajza që do të bëhen nëna dhe gjersa të ketë nëna që do të tundnin djepat, për Arbëri nuk do të shuhemi”.

Kali kishte qëndruar te Guri i Vashës dhe Zaimira ishte afruar. Ajo shikoi me ndrojtje barkun disi të rritur dhe puthi shpatën e Lulashit. Lulashi deshi t'i thotë një fjalë të ëmbël, por nuk pati fuqi të hapte gojën. Luftëtari u përkul mbi qafën e kalit, u kap pas jeleve dhe... mundi të zbresë.

Zgjati dorën drejt saj, por nuk arriti. Me pikëzat e fundit të fuqisë që buron nga shpir­ti njerëzor e mbështeti dorën mbi barkun e nuses së re. Vetëm tani Zaimira kuptoi se ç'donte të bënte i shoqi. “O Zot! I vogli ishte aty. I gjallë”. E goditi barkun e nënës dhe Lulashi e ndjeu atë. “O Zot! Ç'krijesë e magjishme!” Ai lëvizte, ishte pranë tij!

Lulashi u ul në gjunjë dhe krejt i pa­fuqishëm e mbështeti kokën mbi barkun e gruas. Zaimira i përkëdheli tëmthat. O Zot! Ishte ai! Të tjera goditje ia grafulluan gjakun burrit, gjersa trupi iu lëshua ngadalë e hijshëm në tokë.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1