Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | ESENINI I GJIMNAZIT

ESENINI I GJIMNAZIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Faslli Haliti

ESENINI I GJIMNAZIT

nga libri i ri me tregime.

Djali i shokut tim, lexonte shumë. Lexonte tregime, poezi, romane. Kur ishte në klasën e gjashtë, e gjeta duke lexuar Iliadën. Më bëri shumë përshtypje. Si mund ta lexonte ai atë libër që ishte i  vështirë edhe për të rriturit. Nuk m’u durua dhe e pyeta. Ai më tregoi ngjarjet, bëmat, aksionet, dyluftimet e heronjve, madje kuptova se ai kishte lexuar edhe shenimet një për një. Më habiti. Të ngjaka ty, i them shokut.  Lexon, lexon…

 Lexon shumë, më thotë shoku. Edhe ti ke lexuar dhe vazhdon të lexosh ende, i them shokut. Ky lexon edhe më shumë edhe më shpejt  se unë. Ka një kujtesë të habitshme, gati kibernitike. Po hartimet si i bën? Jo keq. Iliriani nuk priti që i ati të më thoshte po ose jo, por më solli menjëherë fletoren e hartimit… Lexova me një frymë hartimin e tij të fundit dhe i thashë shokut, si me qortim: po ky i bëka shkëlqyeshëm hartimet, kurse ti më thua, jo keq…

Shokut po i bënte përshtypje entuziazmi im. U gëzua që e pëlqeva hartimin e të birit. Ai buzëqeshi si të më thoshte se isha entuziast ngaqë ishte hartimi i të birit. Por unë në buzëqeshjen e shokut dallova një gëzim aq të thellë që s’ishte vështirë të kuptohej… I biri kishte lexuar jo vetëm librat e bibliotekës së shtëpisë, por tërhiqte libra edhe në bibliotekën e qytetit. Kishte një bagazh që i kalonte caqet e moshës, atë mund ta quaje, pa frikë një fëmijë të ditur, madje, të kulturuar.

***

Një ditë shoku po qëndronte disi i ngrysur.
Sikur nuk qenke në humor, i thashë.

Jo, nuk jam në humor, më tha ai.

Pse kështu?

Lëre, lëre. Isha në takimin me prindërit, në shkollë …

Dhe pastaj?

U zhgënjeva.

Për çfarë?

E di ç’notë kishte Iliriani në letërsi?

Dhjetë! 

Gjashtë,thuaj, m’u përgjigj shoku, tepër i mërzitur.
Si gjashtë?

E pamundur! Ta ka dhënë gabim mësuesja kujdestare notën e djalit. Ta them unë…, e ka ngatërruar me ndonjë nxënës tjetër të dobët, në listën e nxënësve të dobët…Kjo më ka ndodhur dhe mua me Besimin në vizatimin teknik.
Ashtu mendova dhe unë, por jo. U takova dhe me mësuesen e lëndës, Elenin që mbahet më e mira në lëndën e letërsisë.

Ç’të tha?

Ç’të ,më thoshte…

Djali yt vjen i papërgatitur në orën e letërsisë. Ja këtë më tha. Ç’të thoshte tjetër. Dhe unë i marri gjithë siguri, prisja të më thoshte se është fenomenal. Por … 

Si është e mundur? 

Si është e mundur thua ti, po ik e pyet mësuesen…
Nuk m’u besua. Mendova të bisedoja vetë me të, pasi e kisha kolege. Dhe bisedova me kolegen time Eleni Bodon.

Leni, jam kurioz të di se si e ke Ilirian Zhurin  në letërsi. E kam shok babanë e tij. E  pashë të mërzitur shokun për ecurinë e djalit në mësime.

E kam të dobët Ilirianin, më tha kolegia.

Të dobët, Ilirian Zhurin…?

Po, po Ilirian Zhurin!

Si është e mundur?

Ai nuk di të analizojë, të komentojë një pjesë leximi, një poezi. Nuk dallon lirikën nga epika, temën nga subjekti…, nuk nxjerr qëllimin, idetë e pjesës … Edhe figurat stilistike s’i gjen si duhet. Nuk dallon krahasimin nga metafora, metoniminë nga sinekdoka, humorin nga sarkazma, komiken nga grotesku, litotën nga hiperbola…
Si është e mundur. Hartimet e tij janë gjithë figura. Nuk e ke vënë re. Madje ai i ngarkon edhe si tepër me figura hartimet e tij. I përdorka dhe si dalloka? E çuditshme! Pastaj ai lexon romane, tregime, poezi; e kam gjetur vetë duke lexuar “Iliadën, Odisenë”, Eposin e Kreshnikëve… e, s’qënka në gjendje të bëjë analizën e një cope leximi? Pastaj një nga qëllimet e letërsisë, ky është: ta bëjë nxënësin të lexojë, apo jo?

Jo vetëm të lexojë, por edhe të dijë të lexojë, apo jo?, më thotë.
Natyrisht, natyrisht…, i them.

Ti mendon se jam e padrejtë me të?

E padrejtë, nuk je, por…, mbase je e pavëmendshme. Bisedojmë për një nxënës me talent të jashtëzakonshëm. Të paktën kështu më duket mua. Nuk kemi qëllim as të mburremi as të fyejmë njëri-tjetrin. S’e besoj që Ilirian Zhuri të mos dallojë karakteret apo personazhet, gjersa siç më thua ti, ai i karakterizon shokët e klasës, me emrat e personazheve të librave.
Mirë, mirë, por kur ngrihet në mësim nuk e ka këtë aftësim më thotë kolegia. E kam vënë re, që lexon shumë, madje edhe e tregon këtë, kërkon të bëjë përshtypje, jo vetëm te shokët e klasës, por edhe te mësuesit… Ai ëndërron kurorën e mbretit midis krijuesve të rrethit letrar të gjimnazit, pa dalë ende nga veza… E di, më tha, kolegia, kam parë një karikaturë në revistën  «Krokodill»e cila ilustron mendimin  që sapo të thashë për Ilirianin. Më bëri shumë përshtypje ajo karikaturë e cila paraqiste një zog të sapo dalë nga lëvozhga e vezës duke shkruar në makinë shkrimi autobiografinë e vet. Karikatura kishte marrë çimin e parë në një konkurs ndërkombëtar të karikaturës. Nuk ka çudi që edhe Ilirian Zhuri, nxënësi im dhe djali i shokut tënd mund të fillojë të shkruajë nesër

autobiografinë, në mos edhe ka filluar ta shkruajë pa dalë ende nga lëvozhga e vezës.

Si është e mundur? Siç po dëgjoj, ti e hetoke thellë, madje tepër thellë dhe hollë, hollë, gjersa nuhat synimet e tij dhe etjen për lavdi. S’ka mundësi që ai të ketë synime të tilla në stadin e tanishën të krijimtarisë dhe të rritjes së talentit të tij poetik…

Ka si s’ka…!  

Ti e ke lexuar Ovidin, ju kujtohet,  besoj, poezia e tij «Pingmalioni» i cili si skulptor që ishte  gdhendi një figurë gruaje në fildish të bardhë me bukuri të epërme. Dhe si e  përfundoi ra në dashuri me atë figurë të gdhendur me dorën e vet.  Ka të ngjarë që dhe Ilirianitë dashurohet me ndonjë poezi a libër të tij me bukuri të «epërme»

Edhe te skllavi më i humbur fle ndjenja për pushtet ose për lavdi,thotë Shopenhauri..., tha kolegia duke derdhur gjithë “erudicionin” e saj të huajtur nga ky apo ai erudit... 

Krahasimi i Ilirianit me Pigmalionin e Ovidit e me me skllavin e humbur të Shopenhaurit për mendimin tim, nuk qendron... 

Qendron, si nuk qendroka! Tani për tani tek Ilirian Zhuri fle ndjenja për t’u dukur, midis krijuesve të rrethit letrar të gjimnazit...Unë e shoh këtë ndjenjë tek ai. E di ç’më ndodhi një ditë me të në orën e komentit letrar?

Ndërsa unë po shpjegoja mësimin, Ilirian Zhuri, s’po tregohej i vëmendshëm në mësim, bisedonte me shokun e bankës. 

Edhe ti, Lirak?,  i them, s’tregon interes përkomentin? 

Edhe ti, Brut…,nëpërdhëmbi ai.
Çfarë, çfarë ?, e pyes.

Edhe ti, Brut..., përsëriti klasa shprehjen e Ilirianit.

U  përpoqa  të qeshja me zor para nxënësve… Ç’të bëja. Dhe  ia mbajte vëth në vesh besoj, apo jo? 

Por kolegia ime Leni bodo duke qenë kunata e  zëvendësministri të ministrisë së...,  mbahej mësuesja më e mirë e letërsisë  nga drejtoria e shkollës, nga  inspektorët, seksioni i arsimit, nuk duronte jo vetëm kritikë, por as edhe  vërejtjen  më të vogël, pa le pastaj të duronte rromuzet e nxënësve, sidomos romuzet e Ilirian Zhurit. Ajo ishte Luljamosprek.  Dhe kur në një orë tjetër letërsie, Ilirian Zhuri,i tha profesoreshës se, kishte zogj që fluturonin gjithë jetën mbi këneta dhe s’ndoteshin kurrë, kurse në në moçalin e klasën tonë, profesoreshë, ndotesh për dy sekonda…
Mësuesja e kuptoi që 
Ilirian Zhuritha diçka të sapolexuar në ndonjë libër.  Por dhe jo vetëm të sapolexuar, por edhe të dëgjuar me siguri nga gjyshi i tij kulak dhe daja i tij i burgosur politik. S’e trazoi…, por edhe këtë ironi apo romuzë, ia mbajti vëth në vesh.
Nuk është e lehtë, më tha kolegia Leni Bodo, të zbulohet talenti, e kuptoj. Por nuk mjafton vetëm zbulimi i talentit. Ka  edhe diçka përtej talentit që duhet dalluar apo zbuluar thellë, madje shumë thellë. Nuk po kuptoja se ku donte të dilte me këto thënie, i thashë shokut tim, babait të Ilirianit.

Ç’të ishte kjo diçka mbi talentin?
Ta them unë ç’është, tha shoku dhe babai i Ilirianit. Ajo e ka fjalën për gjyshin e djalit tim që u shpall kulak, sepse nuk mbolli pambukun e planifikuar nga shteti si dhe për dajën e burgosur, kunatin tim, vetëm e vetëm, sepse i tha kokëkungull vëllait të sekretarit të parë të komitetit të partisë… I kurdisën një gjyq  politik dhe e dënuan me gjashtë muaj burg. 
Që atë ditë, kur mësuesja e letërsisë i tha 
Ilirian Zhurit: çohu në mësim ti p-e-o-t duke e deformuar me qëllim emrin poet,nxënësit e klasës kaq deshën. Që atë ditë, Ilirian Zhurits’i thoshin më poeti i klasës, por p-e-o-t-i  i klasës. Ilirian Zhurii cili bënte, gati çdo ditë dy orë rrugë në këmbë për të ardhur në gjimnazin e qytetit dhe, nga nxitimi për të qenë në orar, futej në klasë me çizmet gjithë baltë duke lënë përshtypjen e një derdimeni, çyryku… Hartimet e Ilirian Zhuritprofesoreshë Eleni, i quante marrëzira, çartje sidomos hartimin, për pranverën, ku pranverën ai, e përshkruante si një lejlek me krahë të kaltër e me këmbë të blerta. Dhe  në një hartim tjetër: «Qeni i kufirit» , qeni përfytyrohej si një flakë me katër këmbë që ecte e lihte me ulërima bojëportokalli… Skandal, thoshte profesoreshë Eleni para klasës dhe para kolegëve të gjimnazit, për hartimet e çartura, me fantazi të çmendur  të nxënësit “çyryk”, Ilirian Zhuri… 

Mirë, i thashë, koleges si nëpër dhëmbë, pa guxuar ta mbroja hapur me zë të lartë, talentin e nxënësit të «çartuar», «çyryk», siç e quante mësuesja e letërsisë, flisni si të doni ju kolege, por Ilirian Zhuri, nuk është pa gjë… Përkundrazi,… 

***

Por kur nxënësi i hartimeve «skandaloze», do të bënte bujë me ciklin poetik «Pranvera me krahë të kaltër dhe këmbë të blerta, botuar në faqen letrare të gazetës «Zëri i rinisë» dhe Drita, vetëm atëherë profesoreshë Eleni, më «kompetentja» në gjithë gjimnazin, mes profesorëve të letërsisë, do të kuptonte se skandaloze kishin qenë vlerësimet e saja, të shokëve të saj mediokër të lëndës së letërsisë dhe jo hartimet e poezitë e afishuara në gazetën«Letrari i ri»të shkollës. Ndonëse çizmet, Ilirian Zhuri, i kishte me baltë, hartimet i kishte brilante, tretur në ar e gatuar me dritë. Ai do t’i superonte të gjithë talentet poetike që kishin dalë nga gjimnazi  ynë gjatë gjithë historisë së tij. Në fillim të vitit të katërt shkollor, një cikël tjetër poetik i Ilirian Zhurit, botuar në revistën letrare artistike «Nëntori», bëri bujë të jashtëzakonshme në qarqet letrare dhe, kritika serioze e vlerësoi si një cikël poetik që lajmëronte ardhjen e një Eseninishqiptar. Dhe nuk vonoi, pas botimit të këtyre  cikleve të bujshme, Ilirian Zhuri, përgatiti përmbledhjen poetike me poezi të shkruara gjatë viteve të gjimnazit; e dërgoi për botim në shtëpinë botuese «Naim Frashëri» në Tiranë. Libri doli nga shtypi në prag të mbarimit të vitit shkollor dhe u prit edhe më me bujë se gjithë poezitë e botuara gjatë viteve të gjimnazit. S’mbeti gazetë pa shkruar e pa bërë vlerësime sipërane për librin poetik «Vdekja e verdhë e gjetheve»,të Eseninit  të gjimnazit Ilirian Zhuri. Poezia e tij: Unë jam i pari /në fushore, / në malore,/ në  dishezë / në të përpjetë, /Ai  ma merr në kthesë. Pikërisht kjo bujë, do t’i kushtonte mjaft poetit që po quhej Esenini shqiptar. 

***

Ç’shtë ky, Esenin, nga na doli ky Esinin, thoshin poshtë e lart Murrash Ferracaku, profesori komunist i letërsisë që shkruante bejte në dakortësi me Leni Bodon,  mësuesen më «kompetente» të letërsisë në gjithë gjimnazin. Ky Esenin i gjimnazit siç  e quajnë disa liberalë, Ilirian Zhurin, kullot në ligatinat e poezisë dekadente, borgjeze, revizioniste, thoshin korridoreve dhe zyrave të komitetit të Partisë dy mësuesët e letërsisë: Eleni Bodo së cilës nxënësit i thoshin «Moçoku me cizme», meqë ajo ishte e shkurtër, shadole dhe, Murrash Ferracakut të cilin nxënësit e quanin  Kafka, nga që nuk kishte  mish në faqe e i ngjate asaj kafkës «Rrezik vdekje»  që vendosej në shtyllat e tensionit të lartë të cilat lajmëronin njerëzit që të mosi zinte korrenti. 

***

Po flitej se libri i poetit të ri do të kritikohej me porosi nga lart në rrethin letrar të gjimnazit, për nxirje të realitetit, për formalizëm e dekadentizëm. Drejtori i shkollës kishte marrë sigurinë që anëtarët e rrethit letrar të gjimnazit, të mos druheshin, por ta kritikonin ashpër, poetin e ri biografikeqin i cili pa dalë mirë nga lëvozhga e vezës cicërinte lart e poshtë se 33 vjeç, në moshën e Krishtit, do të merrte Çmimin Nobel. Ju do të keni përkrahjen e Komitetit të Partisë të rrethit dhe personalisht të sekretarit  të parë, u thoshte 10 anëtarëve më të «talentuar» të rrethit letrar të gjimnazit, drejtori i gjimnazit së bashku me profesorin që shkruante bejte. Pse t’i bëhet bujë, pikërisht nipit të kulakut, daja i të cilit, i quante komunistët, kunguj pa fara, u kishte thënë sekretari i parë i komitetit të partisë, drejtorit dhe profesorit, poetit bejtexhi që kishte filluar të shkruante edhe një roman drejt e në makinën e shkrimit duke e dakteligrafuar me një gisht. Në të vërtet, daja i poetit të ri Ilirian Zhurit, kokëkungull,i kishte thënë vetëm vëllait të sekretarit të parë të Komitetit të partisë i cili ishte shef  i ndërmarrje së Grumbullimit pa diplomë, me të cilin xhaxhai i nxënësit, poetit të ri Ilirian Zhuri,kishte konflikte pune. Nuk u gjendka një talent nga bijtë e punëtorëv, të  njerëzve tanë, u kishte thënë i revoltuar sekretari i parë i Komitetit të partisë, drejtorit dhe profesorit bejtexhi që ishte dhe sekretar i organizatës bazë të partisë në gjimnaz.  

Ju nuk e dini mor shokë, por gjyshi i tij, i Eseninit, domethënë, ka djegur me benzinë një partizan në zonën e Dibrës. Merrni një legen me benzinë dhe i vini flakën kuqalit, kishte urdhëruar ai dy trimat e të tij ballistë. Nuk harxhojmë asnjë fishek për kuqaloshët e qenit... Kaq u desh që sulmi kundër poetit të ri Ilirian Zhuri, të bëhej pa as mëdyshjen më të vogël dhe mësuesja e letërsisë e cila ndihej e fyer nga poeti dhe nxënësi i saj Ilirian Zhuri, ishte e gatshme që në dakortësi me kryetarin e Aktivistëve të letërsisë dhe arteve të Shtëpisë së kulturës, profesorin bejtist Murrash Ferracaku t’i hiqte stolin nxënësit që po na e bënin Esenin shqiptar… Nga na doli ky Esenin, pikërisht, nga radhët e biografikeqve thoshte gjithandej me habi profesoreshë Eleni Bodo, kolegia ime meqë unë përkrahja poetin Ilirian Zhuri. A të thashë se Ilirian Zhuri ëndrron kurorën e mbretit midis krijuesve të Gjimnazit? Ai thotë gjithandej se në moshë 33 vjeç sa Krishti, do të marrë Çmimin Nobel? Pra një Pigmalion i ri. E mbaj mend, si nuke mbaj mend se ç’më ke thënë për Ilirianin, megjithatë  unë nuk jam dakord me ju. Talenti i tij është diell, jo diell që të vret sytë, por diell që t’i hap sytë. Atë e sheh i madh e i vogël. Vetëm qorrat nuk e shohin. 

***

Në konkursin e shpallur me rasti e 20 – vjetorit  hapjes së gjimnazit, çmimin e parë, një zëri  kryetari i jurisë, nënësi ekselent i gjimnazit Niko Daka dhe gjithë anëtarët e jurisë ciklin poetik me lirika të Ilirian Zhurit e vlerësuan me Çmim të parë. Çmimet u afishuam në një afishe, gati dy metra në murin e korridorit përballë hyrje së gjimnazit. Kur e panë afishen me çmimet e shkruara me gërma kapitale, sidomos kur lexuan  se Ilirian Zhuri  ishte vlerësuar me çmim të parë, Eleni Bodos dhe Murrash Ferracakut iu errën sytë dhe e mbajtën frymën drejt drejtorisë e më tutje drejtorisë, në Komitet të Partisë...

Mua më hoqën vërejtje se si mësues nuk e kisha të zhvilluar ndjenjën e luftës së klasave, kurse Ilirian Zhurit iu fshi emrin nga afishja me bojë të zezë zmalto. Në vend të Ilirian Zhurit,  drejtoria e gjimnazit vlerësoi me Çmim të parë ciklin e Murrash Ferracakut, një cikël me bejte për vjelëset e pambukut, mjelëset e lopëve, rritëset pulave, gicave, viçave... 

Ja këto janë vjersha për çmim të parë, tha mësuesja e letërsisë dhe jo ato izmat e Ilirian Zhurit. Pse për bijtë e kulakëve e organizoi konkursin  drejtoria e gjimnazit me rastin e 30-vjetorin themelimit të PPSH, tha me pompozitet, drejtori i gjimnazit.

***

Në gjimnaz u përhap fjalë se libri poetik «Vdekja e verdhë e gjetheve» i poetit të ri  Ilirian Zhuri, maturant, e shihte realitetin me syze dielli, një libër që  nxinte realitetin e ndritur socialist. U kurdis një mbledhje me anëtarët më të «talentuar» të rrethit letrar të shkollës, ku, me porosi nga lart, libri të kritikohej si libër me gabime të rënda ideologjike, pse jo dhe politike e të kritikohej rreptë, të dërgohej në fabrikën e letrës  për t’u bërë karton. Të  propozohej nga krijuesit e rinj të «talentuar» të gjimnazit që poetit të ri Ilirian Zhuri, të mos i jepej e drejta e studimit për në Universitet, por të dërgohej në kooperativën bujqësore më të skajshme të rrethit, që t’i hapte sytë e t’i bënte katër e ta shihte mirë jetën e re socialiste që gëlonte atdheut gjithandej..

Ta mora më qaf djalin, i thashë shokut tim Haziz Zhuri. Djalin e mori më qafë talenti i vet, tha shoku im, më futi krahun dhe u ulëm në Kafenë «Darsia».

A më ke thënë se talenti është një durim i gjatë, apojo

Po, të kam thënë!, pohova unë. 

Unë nuk e di se sa talent ka djali im, por di që duriminai  e ka të gjatë...

2010-2018

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1