Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | NJË KËSHILLË E MENÇUR

NJË KËSHILLË E MENÇUR

Font size: Decrease font Enlarge font
image SHPENDI TOPOLLAJ

SHPENDI TOPOLLAJ

NJË KËSHILLË E MENÇUR

Tregim

 

Jo rrallë njeriu i gjorë gjendet në ndonjë situatë sa të vështirë aq dhe të pa pritur. Për të dalë prej saj, i duhet të mobilizojë të gjitha forcat e tij, ku janë dhe ku s`janë. Mirëpo, shpesh kjo nuk mjafton . S`vlen asgjë përballja fizike me të keqen. Duhet diçka tjetër. që ne e quajmë mençuri. Dhe kjo, ndodh të përqendrohet te një fjalë e vetme. Por, natyra sesi e ka bërë mendjen e njeriut; mund të jesh krejt i qetë dhe i patrazuar, pra larg çdo telashi dhe atë fjalë shpëtimtare nuk e gjen dot. Dhe në rrezik, brenda një fragmenti të papërfillshëm kohe, ti e gjen atë, tamam sikur të bije nga qielli. Por, nuk po zgjatem më tej me këtë; më mirë ndiqni tregimin tim dhe kjo dua të besoj se e shpjegon më së miri atë që dua të them.

Në qytetin ku shërbente si oficer me gradën kolonel, D. nderohej nga të gjithë. Kishte marrë pjesë trimërisht në luftën kundër pushtuesve, kishte shkuar për studime në një qytet të dëgjuar të Bashkimit Sovjetik dhe kur qe kthyer prej andej e kishin caktuar komandant të një reparti kundërajror që i dislokuar në kala, me ato gryka zjarri drejtuar lart, sikur u kujtonte banorëve se lufta ende nuk kishte mbaruar. Por edhe pa këtë, ata e dinin se lufta tani vazhdonte mes tyre. E vërteta qe se vetë koloneli ishte nga ata që besonte sinqerisht se ato që fitimtarët thoshin, do bëheshin realitet. Ndaj sa herë i jepej rasti, kudo që shkonte dhe me këdo që takonte, do fliste për të mirat që i prisnin. Veç banorët e atij qyteti s`para bindeshin dhe gjithçka flitej nëpër konferenca, gazeta apo radio, i quanin profka e gënjeshtra. Pas disa vitesh në ushtri kolonelin e nxorrën në lirim dhe e caktuan në një punë të pëlqyer në administratë. Ai, i ndershëm siç ishte dhe me mendjen top se ditë më të mira do të vinin, jo vetëm që nuk ankohej ndonjëherë, por edhe vazhdonte kur i jepej rasti të mbronte vijën e partisë. Edhe njerëzit vazhdonin ta quanin kolonel, por gjendja ekonomike e familjes tani u vështirësua. Kishte katër djem dhe ata po rriteshin, sikurse bashkë me ta rriteshin edhe kërkesat e tyre si për shkollim ashtu dhe për ta gëzuar sado pak jetën. Ai i madhi, K. që ishte më i hedhuri, ose më çapkën quajeni po deshët, shpesh e kundërshtonte të atin, derisa një ditë i doli fare hapur: - Ku po na shpije kjo Partia jote, ky pushteti juaj popullor, që vetëm për popullin nuk do t`ia dijë. Koloneli u skuq në fytyrë, por e përmbajti veten: - Çfarë flet mor djalë? Mos ke luajtur mendsh? Apo rri me ata rrugaçët dhe e keni mendjen andej?.. - Nga andej? Nuk keni asnjë të drejtë ta përbuzni botën kapitaliste. Se atje rinia është e veshur, e ushqyer e bredh me vetura, pra krejt e lirë dhe jo si këtu, ku na mungojnë edhe gjërat më elementare. Nuk i sheh radhat e gjata ti? - Po ti nuk e di sesi ka qenë para çlirimit - ia ktheu koloneli të birit. - Ohu! Akoma me kohën e Nuhut ti. Sa do shkoni kështu? Bota ka shkuar në hënë, ju akoma te ura… - Epo shko atëherë andej edhe ti me shokët e tu. - Po ku të lini ju: e keni rrethuar Shqipërinë me tela me gjemba dhe me ushtarë me armë në dorë dhe fishekun në fole. Këtu koloneli u bë gati ta godiste, por aty për aty ndërroi mendje: - Rri o djalë, na lër në hallet tona e mos u merr me këto punë. Se do flasësh edhe andej nga shkon e do të na marrësh në qafë të gjithëve. - Po pse mor babë, kështu do ta shtyjmë ne? Kur nuk jemi të kënaqur ne, djemtë e kolonelit, që ata të flakën si limon i shtrydhur, mendo të tjerët. Koloneli për një çast heshti. Pastaj u mundua ta marrë të birin me të mirë. Kaluan ditë dhe ky muhabet nuk u hap më. I vetmi merak i kolonelit ishte se mos K. i bënte këto biseda jo vetëm me shokët jashtë, por edhe me të vëllezërit. Mirëpo, K. me atë fishekun e rojave të kufirit në fole, sikur e ndolli vetë tëkeqen. Pasi i kishte ardhur shpirti në majë të hundës dhe kishte puthur nënën dhe vëllezërit, së bashku me një shokun e tij qenë nisur drejt kufirit, te një fshat jo shumë larg. Nata që kishin zgjedhur kishte qenë e errët, por ushtarët e patrullës i kishin pikasur dhe më shumë nga që ishin trembur vetë, kishin qëlluar ashtu kuturu me breshëri automatiku. Ca shkurre që i ndanin prej tyre, nuk i kishin mbrojtur dot djemtë dhe plumbat i lanë në vend të vdekur. Në mëngjes, kur koloneli i merakosur nga mungesa e djalit, shkoi në zyrë, e thirri drejtori. - Bëhu burrë - i tha - se do të të jap një lajm të keq. S`kishte kuptim që t`i thoshte se unë burrë kam qenë gjithmonë, ndaj duke e parë me sy të turbulluar priti, gjersa tjetri s`vonoi t`i thosh: - Më ra mua kjo detyrë .., por nga Dega e Brendshme më thanë të të njoftoj se në një tentativë arratisjeje, yt bir K. u vra nga rojat e kufirit. Tani ti, gjykoje vetë… Personalisht s`desha ta besoj, por ja që kjo është e vërteta. Koloneli s`kishte ç`të thosh. Sytë ju mjegulluan, faqet iu ndezën flakë, e kapën ca të dridhura dhe nuk po ngopej me frymë. Nuk e pa të udhës që të bënte ndonjë deklaratë besnikërie apo ta pyeste atë në i kishin thënë gjë për trupin e të birit. Si doli nga zyra, nën vështrimet kureshtare të punonjësve që nuk guxonin as t`i afroheshin dhe as ta ngushëllonin, as vetë nuk e kuptoi sesi arriti në shtëpi. Shokët e miqtë nuk i erdhën që t`i gjendeshin pranë, kurse trupin e djalit nuk e sollën. Siç i treguan më vonë, të dy ata djem të rinj i kishin groposur diku ata të Postës kufitare. Ashtu siç kishin bërë me të gjithë “armiqtë” e tjerë. Si kaluan ca ditë, koloneli doli në rrugë dhe si hodhi si përherë vështrimin andej nga kalaja, u drejtua te një klub për të blerë një paketë cigare. Hyri brenda dhe në atë zymtësi me të cilën akoma nuk i qenë mësuar sytë, dalloi disa hije që diçka pinin, ulur rreth një tavoline. U tundi kokën lehtë dhe u drejtua për nga banaku. Kur po paguante, dëgjoi se andej nga tavolina dikush foli: - Ja koloneli që na çau b. tani i doli djali i tij armik. Dhe mirë ja bënë qenit. Koloneli nuk po u besonte veshëve, ndaj me dyshimin se mos ishin të dehur, qetësisht iu drejtua atij që foli: - Me mua e ke? - Me ty mor maskara që ta bëfsha nënën. Me atë u bashkuan dhe tre të tjerët që nisën të shajnë e të bërtasin.  - Ore, e keni me gjithë mend? - pyeti koloneli. - Po pse si kujton ti, se po turpërohemi me ty? - Jo, ju nuk keni pse turpëroheni, por po më turpëroni si kurrë në jetë, mua. Tërhiqini ato fjalë mbrapsht. Ata në të tyre: - Ik mor mizerje, se iku koha jote. Mjaft na u kapardise. - Ore mirë iku koha ime, po koha e nënës time dhe nderi i saj nuk ikën kurrë. Ju me të ç`keni? Për këtë më kërkoni falje, se unë asqë u njoh fare. - Të vjen keq për nënën ty? Epo po ta themi edhe një herë, e dëgjoje mire: ta bëfshim nënën m`u në… Koloneli e humbi kontrollin dhe vuri dorën në këllëfin e pistoletës. Ishte po ajo që ruante si relike nga koha e luftës. E nxorri dhe e shkrepi në drejtim të tyre pa ju dridhur fare dora. Ata fillimisht ngrinë dhe pastaj u palosën njeri pas tjetrit. Dy vdiqën në vend të mbuluar nga një pellg gjaku dhe dy të tjerë arritën të mbijetojnë. Koloneli me këmbët e tij u paraqit në Degën e Brendshme dhe e përshkroi ngjarjen fill e për pe. Oficerët, duke mbajtur shënime të shtangur, kuptohej që po çuditeshin. E shoqëruan për krahësh dhe e mbyllën në një qeli. Kur e mblodhi veten disi, nisi nga analizat. Vajti si vajti kjo punë, nuk kisha tjetër rrugë, mendonte. Kështu të paktën shpëtova nderin. Djemtë s`kanë pse ta ulin kokën edhe pse do ta vuajnë dhe ata. Katër të vdekur (ai nuk e dinte ende se dy, vetëm sa ishin plagosur), dhe dënimi dihet, me vdekje. Por besoj se dëshmia e banakierit dhe kamerieres, do më lehtësojë disi. Ndofta gabim, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Kështu ma tha mendja atë çast. Nuk kisha rrugë tjetër. Hetuesit, me mendimin që të qetësohej një herë, për disa ditë, thuajse nuk e trazuan fare kolonelin me pyetje dhe procesverbale. Por, s`kaloi shumë dhe në qelinë e tij sollën një ushtar. E kishin shpërfytyruar nga të rrahurat dhe dukej shumë i trembur. Koloneli, iu afrua dhe u tregua shumë i përzemërt me të. Ushtari, sikur u çel në fytyrë dhe po ndihej më i lehtësuar. Atë ditë koloneli nuk e pyeti fare pse e kishin arrestuar. Kurse të nesërmen mësoi prej tij se ai kishte vrarë me pushkë shokun e tij ushtar, pasi nuk mund ta duronte më. - Po çfarë të bëri ty? - Shumë më bëri - u përgjigj ushtari - Më shante dhe më poshtëronte. Këto i duroja, se kështu bëjnë të gjithë. Por kur më shau nënën, nuk durova dot më dhe siç e kisha pushkën, ja shkrepa dhe e lashë në vend. - Po pse e kishe të mbushur pushkën? - e pyeti koloneli. - Isha në vend roje, te depua e minave, diku pak larg repartit. Ai edhe aty e s`më linte rehat. Vinte më ngacmonte, më tallte, deri sa ndodhi ajo që ne, malësorët nuk e durojmë dot. Koloneli u kujtua për një rast të tillë gjatë provokacioneve të Gushtit nga grekët. Atje edhe ai kishte drejtuar luftimet dhe një ushtari të tij mirditor, mesa i kujtohej, nga një hendeklidhje e përparuar, një grek që ja kishte mësuar emrin, e thërriste çdo ditë dhe i thosh: Të bëfsha nënën! Por ushtari, duroi sa duroi dhe një natë vajti me zvarritje tek ai pozicioni, dhe vendosi një minë kundërkëmbësorisë. Kur zbardhi dita, greku, sapo mbërriti te pozicioni dhe nisi ta thërrasë si zakonisht në emër, u hodh në erë dhe s`i mbeti as nam e as nishan. E kishin dekoruar ushtarin edhe pse veproi pa urdhër, por me inisiativë. Ata të shtëpisë i sillnin kolonelit diçka për të ngrënë dhe ndonjë paketë cigare. Ky i ndante me shokun e ri të qelisë. U miqësua shpejt koloneli me ushtarin dhe një herë e pyeti: - Kur të të thërresin ata të hetuesisë, por edhe në gjyq, si do t`u thuash? Pse e bëre? Pa u menduar gjatë ushtari u përgjigj: - Po ja, ashtu si të thashë ty. - Si më the mua? Që e vrave se të shau nga nëna. - Po pra, ashtu do t`u them se nuk kam se çfarë të them tjetër. Koloneli me zë të ulët vazhdoi: - Po a e di se ç`dënim të pret? - E di: pushkatimi! Jam dhe djalë i vetëm. Motrat i kam të martuara. Jemi të varfër në fshat dhe prindërit mezi më presin. - Jo nuk do ta bësh këtë gabim. Nuk bëre mirë që e vrave shokun, se dhe ai kishte jetën dhe familjen e tij, por tani asgjë nuk e ngjall më atë. Prandaj më dëgjo mirë: ti do thuash diçka tjetër. - Çfarë? - Do thuash se ai ushtari më afrohej për qëllime të këqia. Më fuste duart andej - këndej se ishte pederast. Mua më vinte zor të ankohesha për këtë. Dhashë e mora dhe kur më ndoqi edhe atje te depua, duke thënë se këtu nuk na sheh njeri, s`kishte më kuptim. Nuk mendova gjatë, dhe siç isha, ja shkrepa për ta trembur, por ai lëvizi dhe e zuri m`u në bark. Tani ju bëni si të doni me mua. Kaq. Vetëm kaq dhe do të më kujtosh. Ashtu ngjau vërtetë. Ushtari, kudo që e pyetën, deri edhe para trupit gjykues këtë deklaratë bëri. Aq sa kërkoi  prokurori ushtarak, pra 15 vjet burg, aq dha dhe gjykata. Për dënimin me vdekje as që bëhej fjalë. Opinioni ishte me ushtarin që gjykohej. Ashtu sikurse qe edhe me kolonelin, të cilin gjithashtu e dënuan me 15 vjet. Për ta vuajtur dënimin, kolonelin  e transferuan në një kamp andej nga jugu. Si të burgosurit, ashtu edhe ata të komandës e nderonin dhe e respektonin kolonelin e dikurshëm. Djemtë dhe gruaja i vinin për ta parë rregullisht. Një ditë e njoftuan se e kërkonin te dhoma e takimit. Ai, me bindjen se do t`i kishte ardhur dikush nga shtëpia, u habit kur atje gjeti një burrë të moshuar që nga veshja kuptohej se ishte nga malësia e veriut dhe një tjetër shumë më të ri. E përqafuan me dashuri dhe ai më i vjetri i tha se ishte babai i atij ushtarit që i kishte shpëtuar jetën me këshillën që i kishte dhënë atje në qeli dhe ai tjetri, ishte dhëndri, burri i vajzës. Ua kishte treguar të gjitha djali. - Dhe mos na keqkupto; të kemi sjellë plot ushqime dhe do vimë shpesh të të vizitojmë se tani e tutje ti je miku i shtëpisë tonë. Jo se nuk ke djem, por për atë që ta vranë në kufi, konsideroje djalin tim, tëndin. Dhe u mbush kështu një boshllëk, pasi as varrin e të birit që donte një jetë më të mirë, koloneli nuk e gjeti kurrë. 

Comments (1 posted):

kadri tarelli on 10/10/2018 20:04:36
avatar
Urime Shpendi!
Një tregim i bukur. artistikisht shum♪7 i arirë, jo thjesht si ngjarje e veçantë. Shkrimi dallohet edhe me simbolikë të thkur mençurie dhe mirënjohje jerëzore, si virtyt i dobishëm në jetë.
Miqësisht!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
1.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1