Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | Në shtëpinë tonë

Në shtëpinë tonë

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vasil Klironomi

Në shtëpinë tonë 
Fragment nga novela «Vëllai»

Dhjetë vjet pas ikjes së  Italisë fashiste, familja jonë,  në pamundësi për të jetuar në një shtëpi disi të rregullt,  u vendos brenda një muri perimetrik, që pushtuesit e kishin përdorur për strehë kuajsh. Ngado që të hidhje sytë, dukeshin    gjurmët e patkonjve, që mbetën aty nga forca goditëse e thundrakëve të zemëruar . Tjegullat e thyera dëshmonin si  viktima hingëllimash. Pikërisht  në atë  shtëpi- stallë  u rritën dy vëllezërit e mi dhe u linda unë më i vogli që netëve frikësohesha në gjumë  dhe  kjo,  nuk  ishte pa shkak, siç thoshte dhe doktor Kutulla.
Pas shumë vitesh dhe kërkesash me shkrim që i përpilonte avokat Bogaçia,  çështja jonë e strehimit morri një zgjidhje.

Shtëpia kishte dy dhoma me dritare të mëdha, sikur ishin ndërtuar për ëndrra . Njëra prej dhomave, ajo me fytyrë nga deti, kishte parket dhe ballkon , nga ku mund të shikonim veten si në pasqyrë në kohë bunacash. Dhomat ishin të larta sa as vëllai i mesëm që ishe i gjatë dhe volejbollist nuk mund të prekte tavanin.  Kuzhina ndriste nga gëlqerja. Jodi i detit ngjitej gjer atje lartë në katin e katërt dhe na mbushte mushkrit.  Së fundi,  do të kishim një banjë tonën gjithë dritë dhe një dritare nga ku do të hynte ajri i pastër ,  do të kishim një çezmë tonën ku do të lanim sytë pa pasur asnjë mbishkrim mbi krye dhe kjo, ndezi në fytyrën time një laugh të pafajshëm.  Tani më, nuk do të pinim ujë me pëllëmbët e  mbledhura grusht atje te çezma  e Tunës, por në gotë qelqi  që do t’ i jepte gjendjes  shpirtërore të tim ati, kuptimin virtual të dehjes.

Ato ditë të gjithë nxirrnim në pah përmbushjen e dëshirave , sidomos ne djemtë i ngjisnim shkallët e pallatit dy e nga dy kush të mbërrinte më shpejt që nëna t’ i hapte derën.  Shikonim njëri-tjetrin në sy dhe nuk e besonim që shtëpia ishte e jona,  gjersa një mëngjes, dielli  që doli mbi malin e Lëkurësit  gjeti dritaren të hapur dhe vizatoi në faqet e mureve fytyrat tona.

Në atë apartament jeta jonë fitoi një kuptim tjetër. Vëllai i madh me dërrasat e dyshemesë  që kish marrë nga shtëpia e vjetër ndërtoi dy krevate. Unë, ju luta një shoku kur ai ndërroi mobiliet dhe më dha tavolinën dhe karriget, ndërsa babai  shkoi në fshatin e lindjes së nënës  dhe mbushi dyshekët me kashtën e re nga korrjet. Vëllai  i mesëm  si më i gjati , me fotografitë, zbukuroi muret. Nga entuziazmi,  vuri në sallon fotografinë e vet, në vend që të vinte atë të prindërve. 

Një mbrëmje , nëna  tek shtroi tavolinën, ndjeu një lodhje. Vuante nga anemia dhe insuficienca e zemrës nëna ime. Κishte në gjak hemoglobinë të  ulët. 
«Shtëpia e re kërkon duar dhe zemra e ime gjithnjë e më shumë ligështohet» tha duke ju drejtuar vëllait të madh.  «Në shtëpi, duhej të hyj një nuse.»  «Mirë se të vijë!» U hodh babai.  «Të kemi një motër!» Shtova unë dhe pash vëllain  e madh në bebe të syrit. «Pusho mor ti!» Urdhëroi i mesmi dhe shoqëroi fjalët e tij me një çok në kokën time. «Motër është ajo që të falë nëna » dhe  pa ditur vlerën e mendimit që do  thoshte shtoi: «Nusja e vëllait nuk dashurohet , por respektohet»
«Mos e thuaj at!» Ndërhyri i madhi. «Unë njoh  vëllezër e motra që nuk kanë shkuar mirë gjithë jetën, bile nuk i kanë shkuar  as në dasma, as në vdekje njëri- tjetrit. Në të kundërt; kam njohur nuse  që kanë veshur  dhe shpirtin në të zeza në ditë tragjike»
«Ç’ është kjo që thua!» Qortoi nëna dhe pështyu tri herë brenda gjoksit sikur të zbonte të keqen. Për nusen që do të hyj në këtë shtëpi, unë do të jem nëna dhe ju do të jini vëllezërit.

Nuk vonoi dhe vëllai i madh u dashurua me një infermiere. Si e bie fati! Me të isha njohur në  laboratorin e Qendrën Sanitare ku ajo kishte sjell disa kampione nga spitali dhe në shaka e sipër, i shfaqa simpatinë dhe e sigurova  se do ta kisha  për nuse te vëllai.  «Je proleptik më qortoi ajo duke qeshur.»  «Jo»  ja ktheva  për humor, « jam largpamës.» 
Sa për dialogun ton të shkurtër, kur e kujtojmë, qeshim. Qëlloj, që ata ishin prej kohe të dashuruar.

Pas disa muajsh ne shkuam në shtëpinë e saj  dhe e kërkuam për nuse. Familjes sonë i shtohej dhe një gëzim tjetër. Ishte një vajzë simpatike, shumë nikoqire dhe pa fjalë. Ashtu siç dëshiron çdo familje të ketë një nuse.

Në darkën e fejesës, meqenëse nuk kishim motër, unë u vesha vajzë dhe më shkonte aq shumë fustani dhe të kuqët sa krushqit në qoftë se nuk do të më njihnin, vështirë se do të më kuptonin. Njëri prej krushqve që s’ ishte nga qyteti ynë, nuk m’ i hiqte sytë, vetëm kur ndërrova veshjen, uli kokën dhe as që u duk më në  darkën e shtruar. 

Nuk vonoj dhe çifti u martua.  Vëllai i madh, bëri një krevat dual prej hekuri, e leu me  ngjyrë ari, e montoi dhe si e provoi për qëndrueshmërinë, hodhi mbi të dyshekun  ndërsa  nëna,  shtroi çarçafët, vuri me kujdes jastëkët në kokë të krevatit dhe si bëri kryqin i uroi  të sapomartuarve, pasardhës të shëndetshëm.  Unë nxora nga goja një frazë që diku e kisha lexuar: «dita e sotme të jetë fillimi asaj që kini ëndërruar». Të gjithë qeshën. Ndjeva mes flokësh të kaloj një dorë e lehtë dhe  përkëdhelëse.

Shtëpia e re duhej mbushur. Vëllai i madh dhe nusja  me rrogat dhe me ato pak lek që kishin kursyer,  fillimisht blenë një sobë të re ku mund të gatuanim, njëkohësisht, të ngrohej dhe shtëpia, blenë gjithashtu një tenxhere, pjata, lugë gota. Sa herë e kujtoj mallëngjehem!
Vëllai i madh bleu dhe një hekur me korrent . Për herë të parë do të vishja një këmishë të hekurosur.  Qafën time disi të gjatë nuk do ta zbukuronte jaka falsë që unë e hekurosja me gurin e rrumbullakët dhe të lëmuar nga deti  , por një jakë e vërtetë e qepur bukur në pjesën e sipërme të këmishës. Pantallonat  do të kishin  vijën e drejtë që do të humbiste në lidhëset e këpucëve të bojatisura.

Mbaj mentë, ato ditë, fillova punë me turne në fabrikën e miellit ndërsa babai, kufizoj pijen dhe punonte jashtë orarit në “lagjen e amerikanëve” për ndërtimin e shtëpive private. Të gjithë ishim futur në lëvizje si dallëndyshet në kohë pranvere. Vetëm vëllai i mesëm nuk u angazhua, por dhe atë e justifikuam se që të futej në gjashtëshen e parë të ekipit të volejbollit, duhej t’ i kushtonte më shumë kohë stërvitjes. 
Nuk vonoj dhe familja jonë u shtua në numër. Erdhi në jetë nipi.  Atë fëmijë rrallë mund  ta shikonte dikush që të ecte me këmbët e veta aq sa një ditë, urinojë mbi zverkun e gjyshit  dhe nënës ju dukë se plakut, i shpëtoi shurra nga gëzimi. 
Pas një muaji familja ra në numrin e mëparshëm. Vëllai i mesëm shkoi ushtar për tre vjet dhe ajo ndikoj për keq në ecurinë e tij si volejbollist. 
Të them të drejtën, për  ikjen e tij u gëzova se dhoma do të ishte në dispozicionin tim. Do të kisha mundësin të lexoja dhe të shkruaja kur të doja, akoma dhe natën. 
Që dhoma  të ishte më e ngrohtë, vëllai i madh çau murin që e lidhte  me kuzhinën  dhe vendosi sobën në mënyrë të tillë, që edhe të gatuhej, por të ngrohte njëkohësisht  dhe dhomën ku unë do të flija. Nuk më besohej! Do të kisha një dhomë timen.

Ky ishte dhe zhgënjimi i parë që pësova. Ardhja e nipit në jetë, lëvizjet e shpeshta, sidomos ato  të nuses që tani ishte bërë nënë, bën të pamundur fjetjen e pleqve në  kuzhinë. Kështu, u  kufizua dhe koha e shumë-ëndërruar. Si për ironi, në dhomë, në orët e vona kur më zgjonte poezia, shpesh dëgjoja dhe pakujdesitë e plakut. Megjithatë  shtëpia  e re,ishte shtëpi e re dhe më jepte  zgjidhje të reja. Dilja në ballkon dhe deti krijonte në shpirtin tim batica e zbatica ndërsa metaforat, fluturonin mbi dallgë si pulëbardha. Thellësia e detit ishte dhe është sinonim i shpitit tim. Pa detin, nuk e di sa kuptim do të kish jeta ime. Edhe pse kanë kaluar disa dekada, kudo që shkova, jetën e ndërtova pranë detit. Bisedat e mia akoma dhe ato alegorike sa të vërteta aq dhe imagjinare kishin lidhje me detin. Ajo sipërfaqe pafund, e trazuar dhe me onde,  për mua ishte dhe është çështje morali.

Pas tre vjetësh më thirrën për kryerjen e detyrimit ushtarak.  Ushtria është një numër i madh njerëzish që në momente tronditëse mbart mbi supe peshën e fjalëve armë, sulm,luftë, gjakderdhje. 
Në ushtri, fjala e parë kish lidhje me mbrojtjen e atdheut, e dyta urrejtjen ndaj armikut,  përplasja me armikun  , dhe e katërta, armiku të kishte sa më shumë të vrarë. Që ditën që do të vishja uniformën e ushtarit, do  isha i detyruar të tregohesha i bindur ndaj të gjithë eprorëve. I futur në uniformën e bollshme , do të isha  i detyruar të modifikoj kuptimin e mendimit të lirë familjar, me atë të familjes më të madhe, por të censuruar, do të isha një ushtar i disiplinuar dhe i vlefshëm për atdheun. Më i vlefshëm  se nëna dhe babai, më i vlefshëm se vëllai i madh dhe nusja, më i vlefshëm edhe se nipi.  Lash për vëllain e mesëm të pastër  tavolinën e punës dhe krevatin ku flija, i përqafova të gjithë me radhë dhe për ti dhënë humor atij çasti të prekshëm,  përshëndeta nipin si Shvejku para “zbatimit” të një urdhri.

Comments (1 posted):

myslim maska on 15/10/2018 19:54:12
avatar
Tregim realist, i shkruar thjesht, pa emfaza. Pa zhurme e buje, natyrshem hyn ne shpirtin tone nostalgjia e atyre viteve me bukurite dhe te keqiat qe ishim pershtatur!...Autori me finese artistike zbulon karaktere te besueshem e plote drite (brenda familjes) dhe na mbush me emocione me lirizmin e bukur e te dhimbshem , ndryshe nga shume shkrimtare racional.Urime. M.MASKA

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1