Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TREGIME | PASAGJERI I STACIONIT TE FIERIT

PASAGJERI I STACIONIT TE FIERIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image ILIAZ BOBAJ

ILIAZ  BOBAJ

 

PASAGJERI I  STACIONIT  TE FIERIT

      

          ( Tregim  satirik )

 

Autobuzi i linjës,i ardhur nga njeri prej rretheve të jugut,ndaloi në stacionin e Fierit.

F. zbriti i qetë dhe mori rrugën drejt stacionit të trenit.Hodhi një vështrim përreth.Asnjë i njohur.Pasi eci edhe pak,u ndesh ballëpërballë me një polic.Ngadalësoi hapin,diçka mendoi,iu afrua dy burrave,që bisedonin pranë tij dhe i pyeti:

-Më falni,është larg kufiri prej këtej ?

Të dy burrat panë njeri-tjetrin të habitur.

-Kufiri...?

Por F. Nuk kërkoi shpiegime të tjera prej tyre.

Polici ktheu kokën.Me siguri e kishte dëgjuar pyetjen që u bëri dy burrave.F.u bind për këtë gjë,pasi polici nuk po ia ndante sytë.Megjithatë ai eci qetësisht drejt turmës,që mbushte sheshin para stacionit të trenit.

Ishte ora kur mbërrinin pothuajse njëkohësisht të gjithë autobuzët e linjave të rretheve të jugut dhe sheshi mbushej plot me njerëz,të cilët nxitonin në drejtime të ndryshme.Ata që zbrisnin prej trenit,nxitonin për tek autobuzët,kurse ata që sapo kishin zbritur prej autobuzëve,në drejtim të trenit.F. vuri re që polici e ndiqte këmba-këmbës.E pa të udhës të nxitonte pakëz hapin dhe të bënte disa lëvizje të ngatërruara nëpër turmë,duke kthyer kokën sa andej-këtej.Për një polic,që e ndiqte me vëmendje,ai linte të kuptohej se ndjente njëfarë shqetësimi të brendshëm.Sado që mundohej ta përmbante veten në pamjen e jashtme,prapseprapë një sy i vëmendshëm si ai i policit,s’kishte si të mos dallonte njëfarë dyshimi te ky njeri i panjohur,pyetjen e të cilit,drejtuar dy qytetarëve,e dëgjoi me veshët e tij.F. bleu një paketë me cigare dhe u ul në njerin nga stolat e gjatë të stacionit të trenit.

Polici u ul pakëz më tej,si hieja përkrah pemës dhe filloi ta vëzhgojë me kujdes.

Në pamjen e jashtme,F. dukej një njeri trupmesatar,rreth të dyzetepestave,serioz,i zeshkët.Ishte veshur me tepër kujdes,bile me sqimë,me një kostum bezhë,këmishë të verdhë,kollare të kuqe,me një nyjë të vogël si koka e nepërkës,me disa vijëza të holla të zeza,të pjerëta,rrip kafe të errët dhe këpucë bezhë.Kishte një vështrim të butë,indiferent,gati të përhumbur,sikur nuk i interesonte asgjë nga mjedisi që e rrethonte.

-Sidoqoftë,pamja e jashtme nuk është gjithshka,-mendoi me vete polici dhe vazhdoi t’i hidhte vjedhurazi,me takt dhe aftësi profesionale,vështrime të vëmendëshme,por të kujdesshme.Edhe F. i hidhte ndonjë vështrim,por më rrallë.

Secili bluante mendimet e tij.

-Është e qartë,kërkon të arratiset,por mesa duket,nuk e njeh kufirin.Ndoshta kërkon të humbasë gjurmët.

-Patjetër që s’ka për të m’u ndarë.Le ta bëjmë së bashku këtë udhëtim.Do të jetë i paharruar për ta dy.

-Nuk kam pse të lajmëroj në rajonin e policisë.Është ende herët.Por mbi të gjitha suksesin dua ta mbaj për vete.Është një rast që rrallë të vjen në dorë...Me siguri,do të më dekorojnë...

Devotshmëri në mbrojtjen e diktaturës së proletariatit...Ngritje në detyrë...

Ndërkohë F. u ngrit dhe u nis në drejtim të hyrjes.Polici çau turmën,por F. u gjend matanë.Për një çast e humbi nga sytë.

-Ku shkoi ? Ah,do të isha njeriu më fatkeq në botë,nëqoftëse e humbas këtë zog,që e kam në thonjtë e mi.

Hapi dorën dhe e shtrëngoi fort.Gishtat u mbyllën si thonjtë e skifterit.

-Ja,kështu !-tha me vete.

I hutuar,bëri disa hapa andej-këtej.Pastaj ndaloi në vend,nguli mirë të dyja këmbët si dy shtylla dhe përqëndroi vështrimin.E gjithë qënia e tij u pikëzua tek ai vështrim.Aty varej gjithshka.Ai ishte çengeli i suksesit të tij.

-Ah,ja ku qenka ! Hm,paskam të bëj me një njeri tejet të rrezikshëm dhe dinak ! Do të rrit gatishmërinë !

Dhe vërtet,gatishmëria e policit u ngrit një shkallë më lart.I ndenji të ndjekurit më pranë.

-Puna jonë,-mendoi me vete polici,-është si ajo e mbrojtësit në lojën e futbollit.Sa më pranë t’i qëndrosh sulmuesit, dhe sa më shumë presion t’i ushtrosh atij,aq më i suksesshëm je.Unë do ta lë të shkojë deri tek porta,pastaj...ndalu beg,se ka hendek !

I kënaqur me mendimet e tij,buzëqeshi pakëz dhe priti trenin.F. nuk u ngut aspak.Hipi i qetë dhe u ul në ndenjësen e parë,që gjeti bosh.Polici,për çdo të papritur,qëndroi tek dera e vagonit.Nën zhurmën e trenit,lanë pas Lushnjën.Papritur F.  u ngrit dhe u nis në drejtim të derës tjetër.Kur ia afrua hyrjes,nxitoi.Nxitoi edhe polici. F. çau me hapa të shpejtë drejt vagonit të fundit,hapi derën e tualetës dhe hyri brenda.Ndërkaq edhe ndjekësi kishte mbërritur.Ai ndenji pranë derës së taaletës me durim të pashembullt.Minutat iknin.Asnjë shenjë nga brenda.Polici nisi të shqetësohej.

-Po sikur tualeta të ketë dritare ? 

U hodh me shpejtësi anash,hapi një dritare dhe e kqyri me kujdes.Nuk kaluan,veçse disa sekonda dhe u dëgjua dera e tualetës. F. doli pa u ngutur,i hodhi një vështrim të shpejtë policit dhe i hoqi sytë në çast.

E papritura tjetër ndodhi në Rrogozhinë. F. zbriti nga treni.

-Mesa duket do të marrë trenin e Pogradecit,për të dalë pranë kufirit.

Por as hipja në trenin e Pogradecit,as udhëtimi me të,nuk solli ndonjë gjë të re.Lumi i ngjarjeve rridhte qetësisht në shtratin e vet.

-Po shkojmë drejt fundit,-mendoi polici.-Zogun do ta mbërthej pikërisht në çastin e fundit,sapo të hyjë në zonën e ndaluar të kufirit.Provoi edhe një herë mbylljen e dorës.Ajo funksiononte mrekullisht.

Në Elbasan F. zbriti përsëri.U nis në drejtim të qytetit.

-Për ku vallë ? Mos e pret ndonjë tjetër ? Sidoqoftë...dhe nxitoi hapin.

I ndjekuri përpara,ndjekësi pas,mbërritën në Spitalin Psikiatrik.

-Po këtu ç’dreqin kërkon ? Me siguri për të më ngatërruar gjurmët.Më pikasi që po e ndjek dhe kërkon të më shpëtojë.

Ndërsa po ngjitnin shkallët e Spitalit Psikiatrik,njeri pas tjetrit,një mjek me bluzë të bardhë,që ishte duke zbritur ,sapo pa F. ,i foli buzagaz:

-Ooo,tungjatjeta !-e përshëndeti ai dhe i dha dorën.-Hë,erdhe për të bërë kurimin mujor ?

-Po,po,por këtë herë kam ardhur vet i dytë,kam sjellë me vete edhe këtë shokun,-i tha F. ,

duke i treguar me dorë policin,që e ndiqte pas.

Mjeku,që ia njihte mirë bëmat pacientit të tij,i hodhi një vështrim policit dhe ia dha një të qeshuri me gjithë shpirt.

Polici kishte ngrirë në vend si dru,pa kuptuar ende se ç’po ndodhte.  

 

Comments (4 posted):

Vasil Klironomi on 05/10/2018 09:49:51
avatar
Z. Bobaj!
Nuk është tregim. Është një ngjarje reale e Fejziut, njeriut aq të dashur për delvinjotët dhe ne sarandjotët dhe jo një krijim i juaji. Mund ta kishit hedhur ndryshe në letër këtë xhevahir të nxjerr nga miniera e filozofëve tanë popullor. Ato bëma të zgjuara, u takojnë vetëm krijuesve të tyre (si krijime) dhe ata kanë emër e mbiemër.
Iliaz Bobaj on 05/10/2018 20:25:23
avatar
I nderuar z. Vasil Klironomi ! Persa i perket komentit tuaj tek tregimi im satirik " Pasagjeri i stacionit te Fierit",botuar tek "Fjala e lire", po ju pergjigjem si me poshte. Se pari theksoj se komenti juaj i nxiituar,nuk eshte aspak i drejte dhe mbi te gjitha, nuk eshte aspak profesional.Une si duke im ta e mund te marr cdo ndodhi nga jeta dhe mbi te mund te ndertoj nje krijim letrar. Dhe faktikisht kete kam bere,kam marre thjesht subjektin e nje ngjarjeje reale,te cilen e kam trajtuar artistikisht,me elemente te futur prej meje,detaje artistike ,dhe kam realizuar tregimin satirik. Mua nuk me duhet pervetesimi i ngjarjes, me si ne thjesht subjekti,per te realizuar nje tregim satirik. Madje, ne shenje respekti kam mbajtur edhe simbolin F. i cili perkon me shkronjen e pare te autorit te ngjarjes. Ky eshte nderim per te, as mohim e as pervetesim i ngjarjes. Ju dini ngjarjen ne vija te pergjithshme, por nuk dini se si shkruhet nje tregim artistik mbi nje ngjarje te ndodhur. Te gjithe shkrimtaret subjektet i marrin nga jeta dhe i trillojne. Ju pikerisht nuk e dini kete gje dhe nxitoni te komentoni pa kompetence. Duke e perfunduar pergjigjen time, doja t'ju jepja nje keshille: ne ato gjera qe nuk i dini, me mire mos u futni ne to, se ne te kundert shfaqni paditurine tuaj ne kete pike.
Vasil Klironomi on 06/10/2018 09:04:53
avatar
Z. Bobaj!
Ajo që shkrove nuk është subjekti i një ngjarje të marr nga jeta, por një krijim që ka trillin artistik dhe karakteristikat letrare, nga një krijues tjetër i talentuar. Në qoftë se mendoni se është nder për Fejziun ( atë muzikant dhe Aristofan të ditëve tona) se ju i shkruat germën e parë të emrit, ju shpreh keqardhjen time. Sa për këshillën tuaj: - «Σας ευχαριστώ! Δεν θα πάρω.»
MYSLIM MASKA on 06/10/2018 19:13:54
avatar
Nuk eshte e arsyeshme dhe e moralshme, pavaresisht nga shkalla e diturise qe kemi, te japim keshilla akademike..., te fyejme padrejtesisht nje kolegun tone te nderuar te letrave. Fakti eshte fakt.Interpretimi eshte interpretim. Duhet te pranojme dhe ndonje "lajthitje" tonen te pa ndergjegjeshme dhe sporadike.Keto jane te pranishme kudo.
Ne rastin konkret Vasil Klironomi, sipas meje eshte korrekt dhe i sakte.
Faleminderit shume per mirekuptimin.
M.MASKA

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1